2015
Ne Duhet të Shkojmë në Tempull Tani!
Prill 2015


Ne Duhet të Shkojmë në Tempull Tani!

Meri Houmz Euen, Kaliforni, SHBA

Pamja
drawing of elderly woman sitting and talking to another woman

Ilustrimet nga Bradley H. Clark

Një mëngjes të diele, një anëtare e pagëzuar rishtas iu paraqit lagjes. Emri i saj ishte Lidia. Ajo na i fitoi zemrat aty për aty.

Lidia ishte e thyer në moshë dhe e verbër nga vitet e luftës me diabetin. Ajo shpejt filloi t’i njihte anëtarët e lagjes nga zërat e tyre dhe mënyra si i hidhnin hapat. Ajo do të thoshte emrat tanë e do të na jepte dorën dhe ne kurrë nuk hidhnim fjalë te fakti që ajo ishte e verbër.

Pas vitit të detyrueshëm të pritjes, Lidia u takua me peshkopin dhe presidentin e kunjit për të marrë rekomandimin e saj të tempullit. Një të diel, në Shoqatën e Ndihmës, ajo më tërhoqi nga vetja dhe thirri gëzueshëm: “Presidenti i kunjit më tha se duhet të shkoj në tempull sa më shpejt të jetë e mundur. A do të më çosh?”

Ishte java e parë e dhjetorit – periudhë e ngarkuar për të gjithë ne. U përpoqa të jepja shfajësimet e zakonshme dhe thashë: “A nuk mund të presim deri në janar?”

“Jo, duhet të shkojmë tani!”

Një grup grash nga lagjja shkonin në tempull çdo muaj, kështu që iu drejtova atyre që ta bënin udhëtimin me Lidian. Edhe ato ishin shumë të zëna. Por Lidia, me lot në sy, përsëri na tha që presidenti i kunjit i kishte thënë që të shkonte sa më shpejt të ishte e mundur.

Në përputhje me atë që tha, ne të gjitha ramë dakord ta bënim udhëtimin prej 150 miljesh (241 kilometrash) javën vijuese. Rrugës, ne e mbushëm furgonin me muhabetin dhe miqësinë e tetë grave. Lidia u gëzua tej mase nga përvoja e saj e tempullit dhe bekimi i marrjes së indaumentit të saj.

Javën e parë të janarit, gjendja e Lidias u përkeqësua dhe ajo u fut në spital për trajtim urgjence. Një javë më pas ajo u largua nga kjo jetë. Por Lidia iku me bekimet e përjetshme që i kishte marrë në tempull vetëm pak javë më parë.

Më vonë i rrëfeva presidentit të kunjit historinë e udhëtimit tonë dhe i tregova se sa mbresa më kishte lënë që ai ishte ndier i nxitur t’i thoshte Lidias që duhej të shkonte menjëherë në tempull.

“Në të vërtetë nuk kisha parasysh që duhej të shkonte aty për aty”, u përgjigj ai. “Përherë u them mbajtësve të rinj të rekomandimeve që të shkojnë në tempull shpejt. Shpirti i foli Lidias, jo mua!”

Lidia na mësoi të gjithave që t’ia vinim veshin Shpirtit dhe të vepronim menjëherë në përputhje me të. Jam mirënjohëse për kujtuesin e saj që t’ia vëmë veshin zërit të vogël, të qetë.