2014
Përshpejtimi i Punës
Qershor 2014


Mesazhi i Presidencës së Parë, Qershor 2014

Përshpejtimi i Punës

Pamja
Presidenti Tomas S. Monson

A e kuptoni se Kisha e rivendosur ishte 98 vjeçe përpara se të kishte 100 kunje? Por më pak se 30 vjet më vonë, Kisha kishte organizuar 100 kunjet e saj të dyta. Dhe vetëm tetë vjet pas asaj Kisha kishte më tepër se 300 kunje. Sot ne jemi forcuar me mbi 3.000 kunje.

Përse po ndodh kjo rritje me një ritëm të përshpejtuar? Mos vallë sepse jemi më të njohur? Mos vallë sepse kemi godina kishtare të këndshme?

Këto gjëra janë të rëndësishme, por arsyeja pse Kisha po rritet sot është ngaqë Zoti tregoi se do të ndodhte. Te Doktrina e Besëlidhje, Ai tha: “Vini re, unë do ta përshpejtoj veprën time në këtë kohë.”1

Ne, si fëmijë shpirtërorë të Atit tonë Qiellor, u dërguam në tokë në këtë kohë që të mund të merrnim pjesë në përshpejtimin e kësaj pune të madhërishme.

Zoti nuk ka treguar kurrë, me aq sa di unë, se puna e Tij është e kufizuar vetëm në vdekshmëri. Përkundrazi, puna e Tij përqafon përjetësinë. Unë besoj se Ai po e përshpejton punën e Tij në botën e shpirtrave. Besoj gjithashtu se, nëpërmjet shërbëtorëve të Tij atje, Zoti po përgatit shumë shpirtra për të marrë ungjillin. Puna jonë është që t’i kërkojmë të vdekurit tanë e më pas të shkojmë në tempull e të kryejmë ordinancat e shenjta që do t’u sjellin atyre përtej velit të njëjtat mundësi që kemi ne.

Çdo shenjtor i mirë i ditëve të mëvonshme në botën e shpirtrave është i zënë me punë, tha Presidenti Brigam Jang (1801–1877). “Çfarë po bëjnë ata atje? Ata po predikojnë, po predikojnë tërë kohën dhe po përgatisin udhën që ne ta përshpejtojmë punën tonë për ndërtimin e tempujve këtu dhe gjetiu.”2

Tani, puna për historinë familjare nuk është e lehtë. Për ata prej jush që janë nga Skandinavia, e kuptoj ngarkesën tuaj. Për shembull, nga paraardhësit e mi suedezë, emri i gjyshit tim ishte Nels Monson; emri i babait të tij nuk ishte fare Monson por Mons Okeson. Emri i babait të Monsit ishte Oke Pederson dhe emri i babait të tij ishte Peter Monson – duke u kthyer përsëri te mbiemri Monson.

Zoti pret nga ju dhe unë që ta kryejmë mirë punën tonë për historinë familjare. Mendoj se, gjëja e parë që duhet të bëjmë nëse duam ta kryejmë mirë punën tonë, është të kemi Shpirtin e Atit tonë Qiellor me vete. Kur jetojmë me aq drejtësi sa e dimë se duhet të jetojmë, Ai do të na hapë udhën për përmbushjen e bekimeve që i kërkojmë me kaq zjarr e zell.

Ne do të bëjmë gabime, por asnjëri prej nesh nuk mund të bëhet mjeshtër në punën për historinë familjare pa qenë së pari një fillestar. Prandaj, ne duhet të kridhemi në këtë punë dhe duhet të përgatitemi për të ngjitur kodra vështirësish. Kjo nuk është një detyrë e lehtë, por Zoti jua ka caktuar juve e ma ka caktuar edhe mua.

Ndërsa kryeni punën për historinë familjare, do ta gjeni veten duke hasur pengesa dhe do të thoni me vete: “Nuk kam ç’të bëj tjetër”. Kur të arrini në atë pikë, uluni në gjunjë dhe kërkojini Zotit t’ua hapë udhën dhe Ai do ta hapë udhën për ju. Unë dëshmoj se kjo është e vërtetë.

Ati Qiellor i do fëmijët e Tij në botën e shpirtrave po aq sa ju do ju dhe mua. Lidhur me punën për shpëtimin e të vdekurve tanë, Profeti Jozef Smith tha: “Dhe tani, kur qëllimet e mëdha të Perëndisë po shpejtojnë drejt përmbushjes së tyre dhe gjërat që kanë thënë Profetët po përmbushen, ndërsa mbretëria e Perëndisë është vendosur në tokë dhe rendi i lashtë i gjërave është rivendosur, Zoti na e ka treguar ne këtë detyrë e privilegj.”3

Në lidhje me paraardhësit tanë që kanë ndërruar jetë pa njohuri për ungjillin, Presidenti Jozef F. Smith (1838–1918) shpalli: “Nëpërmjet përpjekjeve tona në emër të tyre, zinxhirët e robërimit do të bien nga ata dhe errësira që i rrethon do të hiqet, që drita të mund të ndriçojë mbi ta dhe ata të dëgjojnë në botën e shpirtrave për punën që është bërë për ta nga fëmijët e tyre këtu, dhe ata do të gëzohen bashkë me ju për kryerjen prej jush të këtyre detyrave.”4

Ka miliona e miliona fëmijë shpirtërorë të Atit tonë Qiellor që nuk e kanë dëgjuar kurrë emrin e Krishtit përpara se të vdisnin e të shkonin në botën e shpirtrave. Por tani atyre u është mësuar ungjilli dhe po presin ditën kur ju dhe unë të bëjmë kërkimet e nevojshme për të hapur udhën, në mënyrë që të shkojmë në shtëpinë e Zotit e të kryejmë për ta punën që ata nuk mund ta kryejnë vetë.

Vëllezërit dhe motrat e mia, dëshmoj se Zoti do të na bekojë teksa ne e pranojmë dhe i përgjigjemi kësaj sfide.

Mësimdhënia nga Ky Mesazh

Mendoni për historinë tuaj të parapëlqyer nga historia juaj familjare dhe tregojani këtë histori atyre që vizitoni. Mund të dëshironi t’i përdorni pyetjet te pjesa e Mesazhit të Presidencës së Parë për fëmijët (faqe “00”(6)) për t’i nxitur ata që vizitoni që t’i tregojnë historitë e tyre. Merrni parasysh leximin e Doktrinës e Besëlidhjeve 128:15 dhe diskutimin për rëndësinë e kryerjes së ordinancave të tempullit në emër të paraardhësve tanë.

Shënime

  • Doktrina e Besëlidhje 88:73.

  • Teachings of Presidents of the Church: Brigham Young (1997), f. 280.

  • Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith (2007), f. 437.

  • Teachings of Presidents of the Church: Joseph F. Smith (1998), f. 247.