2010
Mirësevini në Konferencë
Maj 2010


Mirësevini në Konferencë

Faleminderit, vëllezërit dhe motrat e mia, për besimin dhe përkushtimin tuaj ndaj ungjillit të Jezu Krishtit.

Pamja
President Thomas S. Monson

Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, sa mirë është të takohemi së bashku edhe një herë. Kjo konferencë shënon 180 vjet që kur u organizua Kisha. Sa mirënjohës jemi për Profetin Jozef Smith, që e kërkoi të vërtetën, që e gjeti atë dhe që, nën drejtimin e Zotit, rivendosi ungjillin dhe organizoi Kishën.

Kisha është rritur qëndrueshëm që nga ajo ditë në 1830-ën. Ajo vazhdon të ndryshojë jetën e gjithnjë e më shumë njerëzve çdo vit dhe të përhapet nëpër tokë, ndërkohë që forca jonë misionare përpiqet të gjejë ata që po kërkojnë të vërtetën. Edhe një herë u bëjmë thirrje anëtarëve të Kishës që të ndihmojnë të kthyerit e rinj ose ata që po rikthehen në Kishë, t’i rrethojnë ata me dashuri dhe t’i ndihmojnë të ndihen në shtëpi.

Faleminderit, vëllezërit dhe motrat e mia, për besimin dhe përkushtimin tuaj ndaj ungjillit të Jezu Krishtit. Ju falënderoj për gjithçka bëni në lagjet e degët tuaja, në kunjet e distriktet tuaja. Ju shërbeni me zell e mirë dhe përmbushni një të mirë të madhe. Zoti ju bekoftë kur përpiqeni fort ta ndiqni Atë dhe t’u bindeni urdhërimeve të Tij.

Që nga hera e fundit kur u takuam, Kisha ka vazhduar të sigurojë ndihmë humanitare kaq të nevojshme në vende të ndryshme nëpër botë. Vetëm në tre muajt e fundit, ndihmë humanitare është dhënë në Polinezinë Franceze, Mongoli, Bolivi, Peru, Arizonë, Meksikë, Portugali dhe Ugandë, si dhe në zona të tjera. Më së fundi kemi ndihmuar në Haiti dhe Kili pas tërmeteve dhe cunamëve shkatërrues në ato zona. U shprehim dashurinë tonë anëtarëve të Kishës sonë që kanë vuajtur në këto fatkeqësi. Ju jeni në lutjet tona. Ne u shprehim mirënjohje të thellë të gjithëve ju për gatishmërinë tuaj për të ndihmuar me përpjekjet tona humanitare duke ndarë burimet tuaja dhe, në shumë raste, kohën tuaj, talentet tuaja dhe njohuritë tuaja speciale.

Ky vit shënon të 25-tin që kur programi ynë i ndihmës humanitare u bë pjesë e përpjekjes sonë për mirëqenie. Numri i individëve të ndihmuar nga ky program nuk mund të llogaritet kurrë mjaftueshëm. Ne gjithmonë do të përpiqemi shumë të jemi mes të parëve që arrijmë pas fatkeqësive, kudo që mund të ndodhin.

Kisha vazhdon të rritet dhe të ecë përpara. Ndërtimi i tempujve është tregues i një rritjeje të tillë. Kohët e fundit ne njoftuam një tempull të ri që do të ndërtohet në Pejsën të Jutas. Gjithashtu ne njoftuam riparime të mëdha që do t’i bëhen Tempullit të Ogdenit në Juta. Brenda tre muajve vijues ne do të përkushtojmë tempuj të rinj në Vankuvër të British Kolumbias; në Gila-Valej të Arizonës; dhe në Sebu-Siti të Filipineve. Më vonë gjatë vitit tempuj të tjerë do të kushtohen ose rikushtohen. Ne do të vazhdojmë të ndërtojmë tempuj në mbarë botën ndërkohë që anëtarësia jonë rritet. Çdo vit miliona ordinanca kryhen në tempuj për njerëzit tanë të dashur që kanë vdekur. Vazhdofshim të jemi besnikë në kryerjen e ordinancave të tilla për ata që nuk janë në gjendje ta bëjnë këtë për veten.

Shumë prej jush e dinë se pak kohë pas konferencës së tetorit, bashkëshortja ime e shtrenjtë, Frensis, pësoi një rënie që i la një këllk të thyer dhe një shpatull të thyer. Pas dy operacioneve të suksesshme dhe disa javëve qëndrimi në spital, ajo qe në gjendje të kthehej në shtëpi. Ajo po ecën mirë dhe vazhdon të përparojë drejt një shërimi të plotë. Ajo qe në gjendje të ndiqte mbledhjen e përgjithshme të Të Rejave të shtunën e kaluar dhe ka në plan të marrë pjesë në një ose dy sesione këtë fundjavë. Në fakt, minutën e fundit ajo tha: “Po vij sot!” Dhe ajo është këtu! Ajo bashkohet me mua për të shprehur mirënjohjen tonë të thellë ndaj Atit tonë Qiellor dhe ndaj të gjithëve ju për lutjet tuaja dhe urimet në emër të saj.

Tani, vëllezër e motra, kemi ardhur këtu që të udhëzohemi dhe të frymëzohemi. U urojmë mirëseardhjen atyre prej jush që janë të rinj në Kishë. Disa prej jush po ndesheni me probleme, me sfida, me zhgënjime, me humbje. Ne ju duam dhe lutemi për ju. Shumë mesazhe, që përfshijnë një llojshmëri temash nga ungjilli, do të ndahen gjatë dy ditëve të ardhshme. Ata burra e gra që do t’ju flasin, kanë kërkuar ndihmë nga qielli në lidhje me mesazhet që do të japin.

Lutja ime është që të mund të mbushemi me Shpirtin e Tij ndërsa dëgjojmë dhe mësojmë. Qoftë kështu, lutem unë në emrin e Jezu Krishtit, Zotit dhe Shpëtimtarit tonë, amen.