2010
Shtegu Ynë i Detyrës
Maj 2010


Shtegu Ynë i Detyrës

Detyra nuk kërkon përsosmëri, por ajo kërkon zell. Nuk është thjesht ajo që është ligjore; është ajo që është e virtytshme.

Pamja
Bishop Keith B. McMullin

Kjo është një botë e trazuar. Grindje dhe shkatërrim ka kudo. Ndonjëherë duket sikur vetë njerëzimi është i kërcënuar.

Duke parashikuar kohën tonë, Zoti tha: “Qiejt do të dridhen e toka gjithashtu, dhe mundime të mëdha do të jenë mes fëmijëve të njerëzve, por popullin tim unë do ta ruaj1. Ne duhet të ndiejmë një ngushëllim të madh në këtë premtim.

Edhe pse shkatërrimet e ndërpresin tërësisht “qetësinë e jetës [tonë]”2, ato nuk duhet ta lënë jetën tonë përgjithmonë të tronditur. Ato mund të “[na nxisin] në kujtim”3, të “[zgjojnë tek ne] ndjenjën e detyrës [tonë] ndaj Perëndisë”4 dhe të na mbajnë “në shtegun e detyrës [tonë]”5.

Në Holandë, gjatë Luftës II Botërore, familja e Kasper ten Bumit e përdori shtëpinë e saj si vend fshehjeje për ata që ndiqeshin nga nazistët. Kjo ishte mënyra e tyre e të jetuarit sipas besimit të tyre të krishterë. Katër anëtarë të familjes humbën jetën sepse dhanë këtë strehim. Korri ten Bumi dhe motra e saj, Beci, kaluan muaj tmerri në Kampin famëkeq të përqendrimit në Ravensbruk. Beci vdiq atje – Korri mbijetoi.

Në Ravensbruk, Korri dhe Beci mësuan se Perëndia na ndihmon të falim. Pas luftës, Korri ishte e vendosur ta jepte këtë mesazh. Në një rast, ajo sapo i kishte folur një grupi njerëzish në Gjermani që vuanin nga rrënimet e luftës. Mesazhi i saj ishte: “Perëndia fal”. Atëherë ndodhi që besnikëria e Korri ten Bumit u pa se ishte një bekim.

Një burrë iu afrua asaj. Ajo e njohu atë si një nga rojat më të egra në kamp. “Ju përmendët Ravensbrukun në fjalën tuaj”, tha ai. “Unë isha roje atje … Por qysh nga ajo kohë, … unë jam bërë i krishterë”. Ai shpjegoi se i kishte kërkuar falje Perëndisë për gjërat e egra që kishte bërë. Ai shtriu dorën e tij dhe pyeti: “A do të më falësh?”

Korri ten Bumi tha pastaj:

“Nuk mund të kenë qenë shumë sekonda që ai qëndroi atje – me dorën shtrirë – por mua m’u dukën orë duke luftuar me gjënë më të vështirë që më ishte dashur të bëja ndonjëherë.

… Mesazhi se Perëndia fal ka një … kusht: që ne të falim ata që na kanë dëmtuar…

… ‘Ndihmomë!’ U luta në heshtje. ‘Unë mund ta ngre dorën. Unë mund të bëj kaq. Ti duhet të japësh ndjesinë.’

… Në mënyrë të drunjtë, mekanikisht, unë e ngjesha dorën time në atë që më ishte zgjatur. Kur e bëra, një gjë e pabesueshme ndodhi. Rryma filloi në shpatullën time, rrodhi poshtë nëpër krahun tim, kërceu në duart tona të bashkuara. Dhe pastaj kjo ngrohtësi dukej të vërshonte në gjithë qenien time, duke më sjellë lotë në sy.

‘Të fal, vëlla!’ Thirra unë. ‘Me gjithë zemrën time’.

Për një moment të gjatë ne mbajtëm shtrënguar dorën e njëri-tjetrit, ish-roja dhe ish-e burgosura. Unë kurrë nuk e kisha njohur dashurinë e Perëndisë aq intensivisht si atëherë”6.

Për ata që i largohen ligësisë dhe jetojnë jetë të mirë, që përpiqen për një ditë më të ndritur dhe mbajnë urdhërimet e Perëndisë, gjërat mund të vijnë gjithnjë e më mirë pavarësisht nga tragjedia. Shpëtimtari na e tregoi udhën. Nga Gjetsemani, kryqi dhe varri, Ai u ngrit triumfues, duke sjellë jetë dhe shpresë për të gjithë ne. Ai na fton ne: “Eja e më ndiq”7.

Presidenti Tomas S. Monson na ka këshilluar: “Nëse duhet të ecim me kokën lart, ne duhet të japin ndihmesën tonë për jetën. Nëse duhet të përmbushim misionin tonë dhe të kthehemi të jetojmë me Atin tonë në Qiell, ne duhet të mbajmë urdhërimet e Tij dhe ta ndërtojmë jetën tonë sipas Shpëtimtarit. Duke vepruar kështu, ne jo vetëm që do të arrijmë qëllimin tonë të jetës së përjetshme, por ne gjithashtu do ta lëmë botën më të pasur dhe më të mirë sesa do të kishte qenë ajo nëse nuk do t’i jetonim dhe t’i kryenim detyrat tona”8.

Në Biblën e Shenjtë janë këto fjalë frymëzuese: “Të dëgjojmë, pra, përfundimin e gjithë ligjëratës: ‘Ki frikë nga Perëndia dhe respekto urdhërimet e tij, sepse kjo është tërësia e njeriut’”9.

Çfarë Është Kjo Gjë që Quhet Detyrë?

Detyra për të cilën po flas, është ajo çka pritet që ne të bëjmë dhe të jemi. Ajo është një domosdoshmëri morale që sjell përpara individëve dhe komuniteteve atë që është e drejtë, e vërtetë dhe e ndershme. Detyra nuk kërkon përsosmëri, por ajo kërkon zell. Nuk është thjesht ajo që është ligjore; është ajo që është e virtytshme. Ajo nuk u rezervohet të fuqishmëve apo të sipërmve në status, por më mirë ajo qëndron në themel të përgjegjësisë, ndershmërisë dhe kurajës personale. Të bësh detyrën tënde është demonstrim i besnikërisë tënde.

Presidenti Monson tha për atë: “Unë dua dhe mbaj gjallë fjalën fisnike detyrë10. Për anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit, shtegu ynë i detyrës është të mbajmë besëlidhjet në jetën e përditshme.

Ndaj Kujt dhe Cilës Gjëje Jemi të Lidhur me Detyrë?

Së pari, shtegu ynë i detyrës është ndaj Perëndisë, Atit tonë të përjetshëm. Ai është autori i planit të shpëtimit, “formuesi i qiellit e i tokës”, krijuesi i Adamit dhe i Evës11. Ai është burimi i së vërtetës,12 mishërimi i dashurisë13 dhe arsyeja që ka shëlbim nëpërmjet Krishtit14.

Presidenti Jozef F. Smith tha: “Gjithçka që kemi vjen nga [Perëndia] … Në dhe nga vetja jonë, ne jemi vetëm një copë baltë pa jetë. Jeta, inteligjenca, urtësia, gjykimi, forca e arsyes, të gjitha janë dhurata të Perëndisë për fëmijët e njerëzve. Ai na jep forcën tonë shpirtërore si dhe forcat tona mendore … Ne duhet të nderojmë Perëndinë me inteligjencën tonë, me forcën tonë, me kuptimin tonë, me urtësinë tonë dhe me të gjithë fuqinë që zotërojmë. Ne duhet të përpiqemi të bëjmë mirë në botë. Kjo është detyra jonë15.

Njeriu nuk mund ta kryejë detyrën e tij ndaj Perëndisë, Atit, pa vepruar po kështu edhe ndaj Birit të Perëndisë, Zotit Jezu Krisht. Të nderosh njërin kërkohet nderimi për tjetrin, sepse Ati e ka përcaktuar se vetëm në dhe nëpërmjet emrit të Krishtit njeriu mund të përmbushë tërësisht këtë detyrë të devotshme16. Ai është Shembulli ynë, Shëlbuesi ynë dhe Mbreti ynë.

Kur burrat e gratë dhe djemtë e vajzat bëjnë detyrën e tyre ndaj Perëndisë, ata ndihen të nxitur të bëjnë detyrën e tyre ndaj njëri-tjetrit, ndaj familjes së tyre, ndaj kishës dhe kombit të tyre dhe të gjitha gjërave që i janë besuar kujdesit të tyre. Ata e kanë për detyrë të zhvillojnë talentet e tyre dhe të jenë njerëz të mirë e që respektojnë ligjin. Ata bëhen të përulur, të nënshtruar dhe lehtësisht të mësueshëm. Përmbajtja mposht favorin; bindja drejton vetëdijen e tyre. Paqja vjen mbi ta. Qytetarët bëhen besnikë, komunitetet bëhen dashamirës dhe fqinjët bëhen miq. Perëndia e qiellit është i kënaqur, toka është qetësuar dhe kjo botë bëhet një vend më i mirë17.

Si e Dallojmë Ne Detyrën Tonë në Mes të Krizës?

Ne lutemi! Është mënyra e sigurt e secilit të dijë; është lidhja e vetvetishme e secilit me qiellin. Apostulli Pjetër tha: “Sytë e Zotit janë mbi të drejtët dhe veshët e tij janë në lutjen e tyre”18.

Lutja e përulur, e sinqertë, e frymëzuar siguron për secilin prej nesh drejtimin e shenjtë, për të cilin ne kemi aq nevojë. Brigam Jangu këshillonte: “Ndonjëherë njerëzit janë të hutuar dhe plot merak dhe shqetësim … ; përsëri arsyeja jonë na mëson se është detyra jonë që të lutemi19.

Jezusi na mësoi:

“Ju duhet të mbani sytë hapur dhe të luteni gjithnjë, që të mos bini në tundim; …

Prandaj ju duhet t’i luteni gjithmonë Atit në emrin tim.

Lutjuni Atit në familjet tuaja, gjithnjë në emrin tim, që bashkëshortet tuaja dhe fëmijët tuaj të jenë të bekuar”20.

Që lutjet të jenë të efektshme duhet të jenë në përputhje me planin e qiellit. Lutja e besimit mban frytin kur ekziston një përputhje e tillë dhe kjo përputhje ekziston kur lutjet janë të frymëzuara nga Fryma e Shenjtë. Shpirti manifeston atë që duhet të jenë kërkesat tona.21 Duke mos patur këtë drejtim, ne priremi të “[kërkojmë] keqas”22 të kërkojmë vullnetin tonë dhe jo “vullneti[n e Tij]”23. Është po aq e rëndësishme të drejtohesh nga Fryma e Shenjtë kur lutesh, sa është të ndriçohesh nga po ai Shpirt kur merr përgjigje ndaj lutjes. Një lutje e tillë sjell bekime nga qielli sepse Ati ynë “i di gjërat për të cilat [ne kemi] nevojë, para se [ne] t’i[a] kërko[jmë]”24 dhe Ai i përgjigjet çdo lutjeje të sinqertë. Në fund të fundit, është Ai që premton: “Lypni dhe do t’ju jepet; kërkoni dhe do të gjeni; trokitni dhe do t’ju çelet”25.

Unë sjell dëshminë time se shtegu ynë i detyrës është shënuar qartë nga besnikëria dhe besimi ynë i pandarë te Perëndia, Ati i përjetshëm, dhe te Biri i Tij, Jezu Krishti, dhe te forca e lutjes. Nëpër këtë shteg duhet të kalojnë të gjithë fëmijët e Perëndisë që e duan Atë dhe dëshirojnë të mbajnë urdhërimet e Tij. Për çdo të ri, ajo çon në arritje dhe përgatitje personale; për të rriturit, ajo çon në besim dhe vendosmëri të ripërtëritura; për brezin më të vjetër, ajo çon në perspektivën dhe durimin në drejtësi deri në fund. Ajo pajis çdo udhëtar besnik me forcën e Zotit, e mbron atë nga ligësitë e ditës dhe i jep njohurinë: “[Se përfundimi i] gjithë ligjëratës [është]: ‘Ki frikë nga Perëndia dhe respekto urdhërimet e tij, sepse kjo është tërësia e njeriut’”26. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

SHËNIME

  1. Moisiu 7:61; kursivet janë shtuar.

  2. Joseph F. Smith, Gospel Doctrine, botimi i 5-të (1939), f. 156.

  3. Mosia 1:17.

  4. Alma 7:22.

  5. Helamani 15:5.

  6. Corrie ten Boom, Tramp for the Lord (1974), f. 54–55.

  7. Lluka 18:22.

  8. Thomas S. Monson, përdorur me leje.

  9. Predikuesit 12:13; kursivet janë shtuar.

  10. Thomas S. Monson, “Duty Calls”, Ensign, maj 1996, f. 43.

  11. Shih Doktrina e Besëlidhje 20:17–19.

  12. Shih Doktrina e Besëlidhje 93:36.

  13. Shih 1 Gjoni 4:8.

  14. Shih Gjoni 3:16; Helamani 5:10–11.

  15. Joseph F. Smith, në Conference Report, tetor 1899, f. 70; kursivet shtuar.

  16. Shih Moroni 10:32–33; Doktrina e Besëlidhje 59:5.

  17. Shih Alma 7:23, 27.

  18. 1 Pjetri 3:12.

  19. Teachings of Presidents of the Church: Brigham Young (1997), f. 45; kursivet shtuar.

  20. 3 Nefi 18:18–19, 21.

  21. Shih Doktrina e Besëlidhje 50:29–30.

  22. Jakobi [Bibël] 4:3.

  23. Mateu 6:10.

  24. Mateu 6:8.

  25. Mateu 7:7; shih gjithashtu Joseph Smith Translation, Matthew 7:12–13, në shtojcën e Biblës.

  26. Predikuesit 12:13; kursivet janë shtuar.