2010
Mbahuni Edhe Pak
Janar 2010


Mesazhi i Presidencisë së Parë, Janar 2010

Mbahuni Edhe Pak

Një nga mësimet e qëndrueshme të periudhës së Kirtlandit është që shpirtrave tanë u nevojitet ushqyerje e vazhdueshme. Ne duhet të qëndrojmë pranë Zotit çdo ditë që t’i mbijetojmë fatkeqësisë që duhet të përballim të gjithë.

Verën e kaluar bashkëshortja ime dhe unë i çuam nipërit tanë binjakë në Kirtland, Ohajo. Ajo qe një mundësi e veçantë dhe e çmuar për ne që të kalonim kohë me ta përpara se të niseshin në misionet e tyre.

Gjatë vizitës sonë atje, mësuam të kuptojmë më mirë rrethanat e Profetit Jozef Smith dhe të shenjtorëve që jetuan në Kirtland. Ajo epokë e historisë së Kishës njihet si një kohë sprovash të rrepta por gjithashtu dhe bekimesh supreme.

Në Kirtland Zoti dhuroi disa nga shfaqjet qiellore dhe dhuratat shpirtërore më të shquara që ka përjetuar ndonjëherë kjo botë. Gjashtëdhjetë e pesë seksione të Doktrina e Besëlidhje u morën në Kirtland dhe zonat përreth – zbulesa që sollën dritë dhe dije të re mbi tema të tilla si Ardhja e Dytë, kujdesi për nevojtarët, plani i shpëtimit, autoriteti i priftërisë, Fjala e Urtësisë, e dhjeta, tempulli dhe ligji i përkushtimit1.

Ishte një periudhë rritjeje shpirtërore të pashembullt. Vërtet, Shpirti i Perëndisë si një zjarr po digjej. Moisiu, Elija dhe shumë qenie të tjera qiellore u shfaqën gjatë kësaj kohe, përfshirë Atin tonë Qiellor dhe Birin e Tij, Shpëtimtarin e botës, Jezu Krishtin2.

Një nga zbulesat e shumta që mori Jozefi në Kirtland qe një zbulesë që ai e quajti “gjethja e ullirit … e këputur nga Pema e Parajsës, mesazhi i paqes i Zotit për ne” (hyrja tek DeB 88). Kjo zbulesë e shquar përfshin ftesën madhështore: “M’u afroni pranë dhe unë do të afrohem pranë jush; kërkoni me zell dhe do të më gjeni” (DeB 88:63). Ndërsa shenjtorët e Kirtlandit iu afruan pranë Zotit, Ai vërtet iu afrua atyre, duke derdhur bekimet e qiellit mbi kryet e besnikëve.

Një Derdhje Shpirtërore

Ndoshta pika kulmore e këtyre paraqitjeve shpirtërore ndodhi gjatë përkushtimit të Tempullit të Kirtlandit më 27 mars 1836. Një prej të pranishmëve qe 28-vjeçari Uilliam Drejpër, që e përshkroi atë ditë si një “ditë të Rrëshajave”. Ai shkroi: “Qe një kohë e tillë e derdhjes së Shpirtit të Zotit saqë pena ime është e pamjaftueshme që të shkruajë gjithçka ose gjuha ime që ta shprehë. Por këtu do të them se Shpirti u derdh, dhe erdhi si një erë e shpejtë dhe e fortë, dhe mbushi shtëpinë, saqë shumë vetë që qenë të pranishëm folën në gjuhë të ndryshme, dhe patën vegime, dhe panë engjëj, dhe profetizuan, dhe patën një kohë të përgjithshme gëzimi të tillë që nuk qe provuar në këtë brez.”3

Këto paraqitje shpirtërore nuk u kufizuan vetëm për ata që qenë brenda tempullit, sepse “njerëzit e zonës përreth erdhën së bashku duke vrapuar (pasi kishin dëgjuar një tingull të pazakontë brenda dhe kishin parë një dritë të shkëlqyer si një kolonë zjarri që qëndronte mbi Tempull) dhe u mahnitën nga ajo që po ndodhte.”4

Lorenco Snou (1814–1901), që do të bëhej më vonë President i Kishës, jetonte në Kirtland gjatë kësaj periudhe të bekuar. Ai vërejti: “Njeriu do të përfytyronte se pasi kishin marrë këto paraqitje të habitshme asnjë tundim nuk do të mund t’i mposhtte shenjtorët.”5

Por, sigurisht, përvoja të shkëlqyera shpirtërore nuk na çlirojnë nga kundërshtimet dhe sprovat. Vetëm disa muaj pas përkushtimit të tempullit, një krizë ekonomike e përhapur tërësisht shkundi Shtetet e Bashkuara dhe Kirtlandi i ndjeu thellë pasojat. Bankat falimentuan, duke lënë shumë njerëz në ngushticë të vështirë financiare. Për t’i përkeqësuar gjërat, shumë prej shenjtorëve që kishin imigruar në Kirtland erdhën me shumë pak zotërime materiale, pa ditur se çfarë do të bënin pasi arritën apo se si do të mbijetonin.

Shpejt, filluan përndjekjet dhe u formuan turma kundër shenjtorëve. Anëtarë të Kishës – madje dhe disa prej atyre që qenë miqtë më të ngushtë të Profetit, shumë prej të cilëve qenë të pranishëm në përkushtimin e tempullit – braktisën besimin dhe e dënuan Jozefin si një profet të rënë.

Kur eca pranë Tempullit të Kirtlandit me bashkëshorten dhe nipat e mi, mendova se sa tragjike qe që disa nuk mundën të mbeteshin besnikë madje edhe pas paraqitjeve shpirtërore që kishin dëshmuar. Sa e dhimbshme qe që ata nuk mundën të duronin talljet dhe kritikat e mosbesuesve. Sa e trishtueshme që, kur u përballën me sprova financiare ose beteja të tjera, ata nuk mundën të shihnin brenda vetes dhe të gjenin forcën për të mbetur besnikë. Sa e pafat qe që ata disi i harruan frytet e mrekullueshme shpirtërore në përkushtimin e tempullit.

Mësimet

Çfarë mund të mësojmë nga kjo epokë e shquar në historinë e Kishës?

Një nga mësimet e shkëlqyera, të qëndrueshme të periudhës së Kirtlandit është që shpirtrave tanë u nevojitet ushqyerje e vazhdueshme. Siç na mësoi Presidenti Harold B. Li (1899–1973): “Dëshmia nuk është diçka që ju e keni sot dhe e mbani gjithmonë. Dëshmia ose do të rritet e rritet deri në shkëlqimin e sigurisë, ose do të pakësohet deri në hiç, në varësi nga ajo që bëjmë për të. Po them, dëshmia që e rimarrim çdo ditë është gjëja që na shpëton nga grackat e kundërshtarit.”6 Ne duhet të qëndrojmë pranë Zotit çdo ditë që t’i mbijetojmë fatkeqësisë që duhet të përballim të gjithë.

Në disa mënyra, bota jonë sot është e ngjashme me Kirtlandin e vitit 1830. Edhe ne jetojmë në kohë shqetësimesh financiare. Ka nga ata që përndjekin dhe kritikojnë rreptë Kishën dhe anëtarët e saj. Sprovat vetjake dhe kolektive nganjëherë mund të duken dërrmuese.

Kjo është koha kur neve na duhet, më shumë se kurrë, t’i afrohemi Zotit. Kur e bëjmë këtë, do të arrijmë të dimë se çfarë do të thotë që Zoti të na afrohet neve. Kur e kërkojmë Atë edhe më me zell, sigurisht që do ta gjejmë. Do ta shohim qartë se Zoti nuk e braktis Kishën e Tij apo shenjtorët e Tij besnikë. Sytë tanë do të hapen dhe do ta shohim Atë të hapë pragjet e qiellit dhe të derdhë mbi ne edhe më shumë nga drita e Tij. Ne do të gjejmë forcën shpirtërore për të mbijetuar edhe gjatë natës më të errët.

Edhe pse disa prej shenjtorëve në Kirtland i harruan përvojat shpirtërore që patën, shumica nuk e bëri. Shumica, përfshirë dhe Uilliam Drejpërin, u mbajtën fort tek dija shpirtërore që u kishte dhënë Perëndia dhe vazhduan të ndiqnin Profetin. Gjatë udhës ata përjetuan sprova më të hidhura por gjithashtu rritje më të ëmbël shpirtërore derisa, së fundi, ata që duruan deri në fund “janë marrë në … një gjendje lumturie të pafund” (Mosia 2:41).

Ju Mund të Mbaheni

Nëse ndonjëherë tundoheni të shkurajoheni apo të humbisni besimin, kujtojini ata shenjtorë besnikë që mbetën të vërtetë në Kirtland. Mbahuni edhe pak. Ju mund ta bëni këtë! Ju jeni pjesë e një brezi të veçantë. Ju u përgatitët dhe u ruajtët që të jetoni në këtë kohë të rëndësishme në ekzistencën e planetit tonë të bukur tokë. Ju keni një prejardhje qiellore dhe si rrjedhim keni gjithë talentet e nevojshme që ta bëni jetën tuaj një histori suksesi të përjetshëm.

Zoti ju ka bekuar me një dëshmi të së vërtetës. Ju e keni ndier ndikimin e Tij dhe dëshmuar fuqinë e Tij. Dhe nëse vazhdoni ta kërkoni Atë, Ai do të vazhdojë t’ju falë përvoja të shenjta. Me këto dhe dhurata të tjera shpirtërore, ju do të jeni në gjendje që jo vetëm të ndryshoni vetë jetën tuaj për më mirë, por gjithashtu të bekoni shtëpitë, lagjet ose degët, komunitetet, qytetet, shtetet dhe kombet tuaja me mirësinë tuaj.

Mund të jetë e vështirë ta shihni atë nganjëherë, por mbahuni edhe pak, sepse “ato gjëra që syri nuk i ka parë dhe veshi nuk i ka dëgjuar dhe nuk kanë hyrë në zemër të njeriut, janë ato që Perëndia ka përgatitur për ata që e duan atë (1 Korintasve 2:9; shih edhe DeB 76:10; 133:45).

Unë jap dëshmi për vërtetësinë e ungjillit të rivendosur të Jezu Krishtit dhe vërtetësinë e kësaj, Kishës së Tij. Unë dëshmoj me gjithë zemrën dhe shpirtin tim se Perëndia jeton, se Jezu Krishti është Biri i Tij dhe qëndron në krye të kësaj Kishe të shkëlqyer. Ne kemi përsëri një profet në tokë, pikërisht Presidentin Tomas S. Monson.

E kujtofshim gjithmonë mësimin e Kirtlandit dhe u mbajtshim edhe pak – madje dhe kur gjërat duken të rrepta. Dijeni dhe kujtojeni këtë: Zoti ju do. Ai ju kujton. Dhe Ai do t’i mbështesë përherë ata që “do të durojnë me besim deri në fund” ( DeB 20:25).

Shënime

  1. Shih për shembull, seksionet 45; 56; 76; 84; 89; 97; dhe 104.

  2. Shih DeB 76:23; 110:2–4, 11–13.

  3. William Draper, “A Biographical Sketch of the Life and Travels and Birth and Parentage of William Draper” (1881), daktilografim, Church History Library, 2; drejtshkrimi dhe përdorimi i germës së madhe janë standardizuar.

  4. History of the Church, 2:428.

  5. Lorenzo Snow, “Discourse,” Deseret Weekly News, 8 qershor 1889, f. 26.

  6. Teachings of Presidents of the Church: Harold B. Lee (2000), f. 43.