2008
E Vërteta e Perëndisë do të Ecë Përpara
Nëntor 2008


E Vërteta e Perëndisë do të Ecë Përpara

Kjo është vepra e Perëndisë dhe vepra e Perëndisë nuk do të pengohet. Por ka akoma shumë për t’u bërë.

Pamja
M. Russell Ballard

Vëllezërit e motrat e mia, më 19 korrik të këtij viti, organizata “Bijtë e Pionierëve të Jutas” vendosi tek “Ky Është Vendi” i parkut “Trashëgimia” në Solt Lejk Siti, një statujë të Profetit Jozef Smith dhe pasuesit të tij Presidentit Brigam Jang. Kjo statujë, e titulluar Sytë Drejt Perëndimit, tregon këta dy profetë të mëdhenj me një hartë të vendeve perëndimore.

Shumë njerëz, përfshirë edhe shenjtorë të ditëve të mëvonshme, harrojnë së Jozef Smithi ishte shumë mirë në dijeni të asaj që Kisha do të zhvendosej përfundimisht në Perëndimin e madh Amerikan. Në gusht të 1842-it ai profetizoi “se shenjtorët do të vazhdonin të vuanin shumë vështirësi dhe do të dëboheshin drejt Maleve Shkëmborë, shumë do ta braktisnin kishën, të tjerë do të vriteshin nga përndjekësit ose do të humbnin jetën nga ngrica apo sëmundja dhe disa [do të jetonin sa për] të ndërtuar qytete dhe për të parë shenjtorët tek bëheshin një popull i fuqishëm në mes të Maleve Shkëmbore” (History of the Church, 5:85).

Madje edhe shoqëruesit më të afërt të Jozefit, në ato vite të hershme, nuk i kuptuan plotësisht sprovat që do të duronin shenjtorët e ditëve të mëvonshme, ndërsa Kisha përhapej nga fillimet e saj të vogla në fillimet e viteve 1800. Por Jozef Smithi e dinte se asnjë armik i pranishëm atëherë ose në të ardhmen nuk do të kishte fuqi të mjaftueshme për të penguar ose ndaluar qëllimet e Perëndisë. Ne të gjithë i njohim fjalët e tij profetike: “Standardi i të Vërtetës është ngritur; asnjë dorë mëkatare nuk mund ta ndalojë përparimin e punës; përndjekje mund të vijnë furishëm, turma mund të ngrihen, ushtri mund të mblidhen, shpifje mund të diskreditojnë, por e vërteta e Perëndisë do të ecë përpara trimërisht, fisnikërisht dhe e pavarur derisa të ketë përshkuar çdo kontinent, vizituar çdo pjesë të botës, hyrë në çdo vend dhe të jetë dëgjuar nga çdo vesh, derisa qëllimet e Perëndisë të përmbushen dhe Jehova i Madh do të thotë vepra është përfunduar” (History of the Church, 4:540).

Afro 18 dekada kanë kaluar që prej organizimit të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme më 1830. Ne kemi pasur 178 vite për të vëzhguar përmbushjen e profecisë dhe për të parë “të vërtetën e Perëndisë” ndërsa ecën “përpara trimërisht, fisnikërisht dhe e pavarur”.

Kisha e filloi dhjetëvjeçarin e saj të parë me vetëm pak anëtarë. Pavarësisht kundërshtimit të fortë, 597 misionarë u thirrën gjatë viteve 1830 dhe mbi 15.000 të kthyer në besim u pagëzuan në Kishë. Shtetet e Bashkuara, Kanadaja dhe Britania e Madhe u hapën për predikimin e ungjillit.

Pati shumë të kthyer në besim gjatë viteve 1840, ndërsa përndjekjet vazhduan të vinin furishëm kundër Kishës dhe veçanërisht kundër Profetit Jozef. Në mes të këtyre vështirësive dhe pavarësisht sfidave të mëdha të udhëtimit, ungjilli i rivendosur i Jezu Krishtit vazhdoi të përshkonte një pjesë më të madhe të tokës nëpërmjet shërbimit besnik të 1.454 misionarëve të thirrur gjatë viteve 1840 dhe anëtarësia e Kishës u rrit në më shumë se 48.000 anëtarë. Më 27 qershor 1844, përndjekja ndaj Jozef Smithit u finalizua me vrasjen e tij dhe të vëllait të tij Hajrëm, nga një turmë në burgun Kartheixh.

Shpejt pas Martirizimit dhe në përmbushje të vizionit të Jozefit, Brigam Jang dhe Kisha filluan përgatitjet për t’u zhvendosur drejt Maleve Shkëmbore. Mundimi, vuajtja, vdekja dhe braktisja ishin përherë të pranishme. Prapëseprapë puna eci përpara. Në vitet 1850 rreth 705 misionarë u thirrën për të shërbyer në zona, përfshirë vendet Skandinave, Francën, Italinë, Zvicrën dhe Hauain. Puna misionare filloi gjithashtu në vende kaq të ndryshme të botës si India, Hong Kongu, Tailanda, Burma, Afrika e Jugut dhe vendet e Indisë Perëndimore (ishujt e Karaibeve).

Mes të kthyerve besnikë në besim nga Skandinavia dhe Britania të pagëzuar gjatë dhjetëvjeçarit të 1850-s, kishte nga ata që vuajtën dhe vdiqën në tokë apo dete, ndërsa udhëtonin për t’u bashkuar me Shenjtorët këtu në Malet Shkëmbore.

Në vitin 1875, shtatë misionarët e parë u thirrën në Meksikë dhe puna lulëzoi edhe në mes revolucionit dhe vështirësive të tjera. Dhe vetëm katër vjet më parë, në 2004-n, Kisha arriti momentin historik prej një milion anëtarësh në Meksikë.

Besimi i Shenjtorëve u vu në provë në çdo hap ndërsa Brigam Jangu i udhëhoqi ata në ndërtimin e tempujve dhe në vendosjen e më shumë se 350 kolonive në Perëndim. Në kohën që Brigam Jangu vdiq, më 1877, anëtarësia mbarë botërore e Kishës kishte arritur më shumë se 115.000 vetë. Pavarësisht gjithë përndjekjes, e vërteta e Perëndisë me të vërtetë po ecte përpara trimërisht dhe fisnikërisht.

Koha nuk më lejon [të jap] një rishikim të detajuar të rritjes së Kishës përgjatë pak dekadave të tjera. Por duhet vënë në dukje se ishte gjatë periudhës 40-vjeçare, prej 1890-s deri në 1930, ndërsa Kisha dhe doktrina e saj ishin akoma të kritikuara publikisht që Plaku Rid Smut u përzgjodh me votim në Kongresin [Legjislativ] të Shteteve të Bashkuara dhe iu desh të luftonte për ta marrë postin. Shumë u fol për Kishën dhe mësimet e saj gjatë asaj kohe – shumica prej atyre [që u thanë] ishin të dhimbshme dhe të drejtuara kundër Presidentit Jozef F. Smith dhe udhëheqësve të tjerë të Kishës. Megjithatë disa artikuj gazetash filluan të flisnin për anëtarë të Kishës si qytetarë me vlera dhe njerëz të mirë.

Më 3 shtator 1925, Presidenti Hibër J. Grant shpalli se Kisha do të fillonte punën misionare në Afrikën e Jugut. Duke ndjekur modelin e Zotit në përhapjen e ungjillit të rivendosur të gjitha kombeve, një anëtar i Kuorumit të Dymbëdhjetë – gjyshi im nga ana e babait, Plaku Melvin J. Ballard – u dërgua, bashkë me të tjerë, në Afrikën e Jugut për të përkushtuar tokën për predikimin e ungjillit.

Në mëngjesin e Krishtlindjes së vitit 1925, në Argjentinë, Plaku Ballard përkushtoi vendet e Amerikës Jugore dhe nisi punën misionare. Korrikun pasues, përpara se të largohej, ai profetizoi: “Për një kohë, puna e Zotit do të rritet ngadalë këtu, ashtu si një lis rritet dalëngadalë nga një lende. Nuk do të hedhë shtat shpejt brenda një dite, siç bën lulja e diellit që rritet shpejt dhe pastaj vdes. Por mijëra do të bashkohen me Kishën këtu. Do të ndahet në më shumë se një mision dhe do të jetë një nga më të fortat në Kishë. Puna nuk do jetë më kurrë kaq e vogël” (në Melvin J. Ballard: Crusader for Righteousness [1966], f. 84).

Çdokush që e njeh rritjen e Kishës në Amerikën Jugore e di përmbushjen e asaj profecie. Sot, vetëm Brazili ka një milion anëtarë.

Gjatë katër dekadave, prej 1930-s deri më 1970, më shumë se 106.000 misionarë u thirrën të shërbenin në mbarë botën. Anëtarësia e Kishës u rrit katërfish, deri në mbi 2.800.000 vetë. Më shumë se një milion anëtarë të rinj iu shtuan vetëm gjatë viteve 1960. Aty nga vitet 1970 misionarët po shërbenin në 43 vende dhe 9 treva. Gjatë kësaj periudhe 40-vjeçare, vendet e Amerikës Jugore të Kilit, Brazilit, Uruguajit, Paraguajit, Ekuadorit, Kolumbisë, Perusë dhe Venezuelës u hapën për punë misionare. Në Amerikën Qendrore, shërbestarët e Zotit hapën vendet e Panamasë, Kosta Rikës, Guatemalës, El-Salvadorit, Hondurasit dhe Nikaraguas. Në Azi, përpjekje të reja madhore filluan të jepnin fryt në Kore, Taivan, Singapor dhe Filipine.

Asnjëra prej tyre nuk ishte e lehtë. Kundërshtimi, pengesa dhe përndjekja shoqëruan çdo përpjekje për të çuar “të vërtetën e Perëndisë” në çdo kontinent dhe vend që të mund “[të dëgjohej] … nga çdo vesh”. Prapëseprapë, ne shkuam përpara me besim; sfida u përballën dhe pengesa u kapërcyen.

Presidenti Spenser W. Kimball u kërkoi anëtarëve të Kishës ta zgjasnin më tej hapin e tyre në përhapjen e ungjillit dhe shpërndarjen e të vërtetës së ungjillit. Ai i kërkoi çdo kunji në botë të rriste numrin e misionarëve dhe ai e udhëhoqi Kishën në përdorimin e mediave për të ndihmuar në përçimin e mesazhit tonë qindra miliona njerëzve nëpër botë.

Gjatë periudhës së tij 12-vjeçare si President i Kishës, afërsisht 200.000 misionarë shërbyen misione me kohë të plotë. Anëtarësia mbarë botërore e Kishës pothuaj u dyfishua dhe numri i kunjave afërsisht u trefishua. Puna misionare u hap ose u rihap në shumë vende dhe mrekullia e kthimit në besim po ndodhte në shumë vende pavarësisht çdo përpjekjeje armike për të penguar punën e Zotit ose shkurajuar punëtorët e Zotit.

Pak më shumë se dy dhjetëvjeçarë kanë kaluar që prej fundit të shërbesës në vdekshmëri të Presidentit Kimball. Gjatë asaj periudhe kohe ne kemi përjetuar spikatje të padëgjuar mes gjithë komunitetit të besimeve fetare në botë. Ndoshta jo rastësisht, ne kemi përjetuar gjithashtu sulme ideologjike të pashembullta nga media kundër njerëzve tanë, historisë sonë dhe doktrinës sonë.

Dhe përsëri Kisha vazhdon të rritet. Anëtarësia është më shumë se dyfishuar – nga 5.9 milionë në vitin 1985 në mbi 13 milionë sot. Dhe vitin e fundit u thirrën një milion misionarë për të shërbyer gjatë kësaj periudhe ungjillore.

Tani, vëllezërit e motrat e mia, qëllimi im në këtë rishikim të shkurtër, të vizionit profetik të Jozefit, për të ardhmen e kësaj Kishe dhe përmbushjen e tij të saktë përmes dhjetëvjeçarëve, është për të na rikujtuar për këtë të vërtetë të thjeshtë:

“Veprat dhe planet dhe qëllimet e Perëndisë nuk mund të pengohen, as nuk mund të kthehen në hiç.

Sepse Perëndia nuk ecën në shtigje të tërthorta, … as nuk ndryshon nga ajo që ka thënë, si rrjedhim, shtigjet e tij janë të drejta dhe udha e tij është një rreth i përjetshëm.

Kujto … se nuk është vepra e Perëndisë që pengohet, por vepra e njerëzve” (DeB 3:1-3).

Perëndia ka folur përmes profetit të Tij dhe i ka shpallur botës se “Standardi i të Vërtetës është ngritur ” dhe se “asnjë dorë mëkatare nuk mund të ndalojë përparimin e punës”. Kjo është në mënyrë të pamohueshme dhe të padiskutueshme e vërtetë. Ne e kemi parë vetë, dekadë pas dekade, nga koha e Profetit Jozef Smith deri në kohën e Presidentit Tomas S. Monson. Përndjekje kanë ardhur furishëm. Shpifja dhe gënjeshtra dhe shtrembërimi janë përpjekur të diskreditojnë. Por në çdo dekadë që nga koha e Rivendosjes e më tej, e vërteta e Perëndisë ka ecur “përpara trimërisht, fisnikërisht dhe e pavarur”. Kisha e vogël, që filloi në vitin 1830 me vetëm një grusht anëtarësh, është rritur tani në mbi 13 milionë shenjtorë të ditëve të mëvonshme në shumë vende të ndryshme nëpër botë dhe ne jemi pozicionuar mirë drejt përparimit me mënyrën si jemi duke përshkuar çdo kontinent, vizituar çdo pjesë të botës, hyrë në çdo vend dhe duke u dëgjuar nga çdo vesh.

Kjo është vepra e Perëndisë dhe vepra e Perëndisë nuk do të pengohet. Por ka akoma shumë për t’u bërë derisa Jehova i Madh të mund të thotë vepra është përfunduar. Ndërsa ne lëvdojmë dhe nderojmë ata shenjtorë besnikë që na kanë sjellë në këtë pikë të spikatjes së padëgjuar, ne nuk mund të pranojmë, vëllezërit dhe motrat e mia, të jemi rehat apo të kënaqur.

Ne që të gjithë duhemi për të përfunduar veprën që filloi nga ata Shenjtorë pionierë mbi 175 vjet më parë dhe u përçua përmes dekadave pasuese nga Shenjtorë besnikë të çdo brezi. Ne na duhet të besojmë ashtu si ata besuan. Ne na duhet të punojmë ashtu si ata punuan. Ne na duhet të shërbejmë si ata shërbyen. Dhe ne na duhet të kapërcejmë [pengesat] ashtu si ata i kapërcyen.

Natyrisht, sfidat tonë janë të ndryshme sot, por ato nuk janë më pak të vështira. Në vend të turmave të egërsuara, ne përballemi me ata që vazhdimisht përpiqen të diskreditojnë. Në vend të ngrirjes dhe vështirësive të tejskajshme, ne përballemi me abuzimin me alkoolin dhe drogën, pornografinë, gjithë llojet e fëlliqësisë, imoralitetit, lakmisë, pandershmërisë dhe plogështisë shpirtërore. Në vend të çrrënjosjes dhe nxjerrjes jashtë të familjeve nga shtëpitë e tyre, ne shohim institucionin e familjes, përfshirë institucionin hyjnor të martesës nën sulm, ndërsa grupe dhe individë kërkojnë ta përcaktojnë ndryshe e dobësojnë rolin e rëndësishëm dhe hyjnor të familjes në shoqëri.

Kjo nuk nënkupton që vështirësitë tona sot janë më të rënda sesa vështirësitë me të cilat janë përballur ata që kanë jetuar para nesh. Ato janë thjesht të ndryshme. Zoti nuk po na kërkon të ngarkojmë një karrocë dore; Ai po na kërkon të fortifikojmë besimin tonë. Ai nuk po na kërkon të ecim përtej një kontinenti; Ai po na kërkon të ecim përtej rrugës për t’i bërë një vizitë fqinjit tonë. Ai nuk po na kërkon të japim gjithë pasuritë tona tokësore për të ndërtuar një tempull; Ai po na kërkon të japim mjetet tona, kohën tonë pavarësisht presioneve të jetesës moderne, për të vazhduar me ndërtimin e tempujve dhe më pas për të marrë pjesë rregullisht në tempujt e ndërtuar tashmë. Zoti nuk po na kërkon të vdesim me një vdekje prej martiri; Ai po na kërkon të jetojmë një jetë prej dishepulli.

Kjo është një kohë e madhërishme për t’u jetuar, vëllezër e motra, dhe e kemi ne në dorë vazhdimin e traditës së pasur të zotimit plot përkushtim që ka qenë shenja dalluese e brezave të mëparshëm të shenjtorëve të ditëve të mëvonshme. Kjo nuk është një kohë për të dobëtit shpirtërisht. Ne nuk mund të pranojmë të jemi sipërfaqësisht të drejtë. Dëshmitë tona duhet të depërtojnë thellë, me rrënjë shpirtërore të ngulitura fort në shkëmbin e zbulesës. Dhe ne duhet të vazhdojmë të bëjmë që puna të ecë përpara si një popull i besëlidhjes dhe i përkushtimit, me besim në çdo hap “derisa qëllimet e Perëndisë të përmbushen dhe Jehova i Madh do të thotë vepra është përfunduar”. Kështu qoftë për ne është lutja ime e përulur në emrin e Jezu Krishtit, amen.