2008
Tempuj të Shenjtë, Besëlidhje të Shenjta
Nëntor 2008


Tempuj të Shenjtë, Besëlidhje të Shenjta

Tempujt janë vende të shenjta e të shenjtëruara. Ata janë një burim force dhe fuqie shpirtërore. Ata janë një vend zbulese.

Pamja
Silvia H. Allred

Zemra ime është plot me gëzim dhe mirënjohje ndërsa sodis këtë grumbullim unik të grave në gjithë botën. Çfarë privilegji është të jesh pjesë e kësaj lidhjeje të mrekullueshme motrash, të bashkuara në dëshirën për të forcuar besimin tonë tek Zoti Jezu Krisht dhe për të ndërtuar mbretërinë e Tij. Unë lutem që të mund të udhëhiqem nga Shpirti ndërsa ju flas mbi këtë temë tepër të shenjtë të adhurimit në tempull.

Vendet më të shenjta në tokë janë tempujt. Në tempull, anëtarë të denjë të Kishës marrin bekimet më të mëdha që mund të dëshirohen ndërsa ne bëjmë besëlidhjet e shenjta me Perëndinë. Ne gjithashtu ndihmojmë që t’i bëjmë po këto bekime të disponueshme për paraardhësit tanë që vdiqën pa marrë ordinancat e nevojshme të shpëtimit.

Unë do të flas për kuptimin e thellë të ndërtimit të tempujve, përse ordinancat e kryera në tempuj janë thelbësore për shpëtimin tonë dhe se si të përgatitemi për të hyrë në tempull.

Unë i kam dëshmuar dhe kam patur mbresa të forta nga sakrificat që kanë duruar anëtarët për të shkuar në tempull. Më lejoni të ndaj një histori të tillë.

Në vitin 1976, kur jetonim në Kosta Rika, presidenti i misionit i kërkoi bashkëshortit tim të ndihmonte për të organizuar udhëtimin e parë nga misioni për në tempull. Misioni i Amerikës Qendrore në atë kohë përfshinte Kosta Rikën, Panamanë, Nikaraguan dhe Hondurasin. Tempulli më i afërt ishte Tempulli i Mesas në Arizonë. Do të na duhej të udhëtonim nga pesë ditë për secilin drejtim, duke kaluar gjashtë kufij. Sakrifica financiare qe e madhe për shumicën e atyre që shkuan. Ata shitën televizorët, biçikletat, patinat dhe çdo gjë tjetër që mund të shitnin. Ne udhëtuam në dy autobuza të pa rehatshëm ditë e natë. Disa nga anëtarët i kishin përdorur të gjitha paratë për të paguar udhëtimin me autobuz dhe kishin marrë vetëm biskota dhe margarinë për të ngrënë gjatë rrugës.

Përse anëtarët e Kishës bëjnë me dëshirë dhe lumturi sakrifica kaq të mëdha për të shkuar në tempull?

Nuk e kam harruar kurrë derdhjen e Shpirtit që përjetuam gjatë tre ditëve që kaluam në Tempullin e Mesas. Unë u preka thellë ndërsa vështroja anëtarët e familjeve që përqafonin njëri-tjetrin me lotë që u rrëshkisnin faqeve, pasi ishin vulosur për përjetësitë.

Njëzetekatër vjetë më vonë, u përkushtua tempulli në San Hozè, Kosta Rikë. Midis atyre që ishin të pranishëm në sesionin ku mora pjesë unë, ishin shumë nga familjet që kishin shkuar në atë udhëtim të parë për në tempull. Ata kishin pritur besnikërisht dhe denjësisht këtë çast të shenjtë. Ata të gjithë mund të shkojnë shpesh në tempull tani sepse kohët e fundit u përkushtua një tempull në Panama dhe është njoftuar një tempull në Honduras.

Zoti i ka kërkuar gjithmonë popullit të Tij që të ndërtojë tempuj. Zoti e urdhëroi Moisiun: “Le të më bëjnë një shenjtërore, që unë të banoj në mes tyre.”1 Tabernakulli i mbartshëm që ndërtuan ata shërbeu si vendi qendror i adhurimit të Izraelit gjatë pelegrinazhit të tyre për në tokën e premtuar. Modeli dhe struktura e tij iu zbuluan Moisiut nga Zoti. Ai duhej të ishte shtëpia e shenjtë e Zotit.

Më vonë, Mbreti Solomon ndërtoi tempullin në Jeruzalem duke përdorur materialet e ndërtimit më të mira që disponoheshin.2

Gjatë shërbesës së Tij tokësore, Zoti e konsideroi tempullin si një vend të shenjtë dhe u mësoi nderimin për të.

Nefitët gjithashtu i ndërtuan tempuj Zotit në Amerikë. Ata ishin mbledhur rreth tempullit kur Krishti iu shfaq atyre pas Ringjalljes së Tij3.

Shpejt pasi Kisha u rivendos në këtë periudhë ungjillore, Zoti i urdhëroi shenjtorët të ndërtonin një tempull: “Organizoni veten tuaj; përgatisni çdo gjë të nevojshme; dhe ngrini një shtëpi, madje një shtëpi lutjeje, një shtëpi agjërimi, një shtëpi besimi, një shtëpi mësimi, një shtëpi lavdie, një shtëpi rregulli, një shtëpi të Perëndisë.”4

Si përgjigje, shenjtorët ndërtuan Tempullin e Kirtlandit me sakrificë të konsiderueshme. Në këtë tempull të shenjtë, u rivendosën çelësa të rëndësishëm të priftërisë dhe Vetë Shpëtimtari u shfaq5.

Në këtë kohë, në të gjithë botën ka 128 tempuj në aktivitet dhe shumë të tjerë po ndërtohen.

Ne jemi udhëzuar të ndërtojmë tempuj që ordinancat e shenjta të mund të kryhen si për të gjallët, ashtu dhe për të vdekurit. Këto ordinanca përfshijnë ordinancat nismëtare, indaumentet, martesat, vulosjet, pagëzimet për të vdekurit dhe shugurimet.

Ordinancat nismëtare na sigurojnë bekime të menjëhershme dhe të ardhshme të veçanta.

Indaumenti përfshin besëlidhje të shenjta. Ai përfshin marrjen e udhëzimit, të fuqisë nga lart, si dhe premtimin e bekimeve me kusht besnikërinë tonë ndaj besëlidhjeve që bëjmë.

Presidenti Brigam Jang e përcaktoi indaumentin si vijon:

“Indaumenti juaj është, të merrni të gjitha ato ordinanca në shtëpinë e Zotit, që janë të nevojshme për ju, pasi të jeni ndarë nga kjo jetë, që ju mundësojnë të ktheheni në praninë e Atit … dhe të merrni ekzaltimin tuaj të përjetshëm.”6

Ordinancat vulosëse, të tilla si martesa në tempull, lidhin familjet përjetësisht.

Besëlidhjet që bëjmë, me ordinancat e lidhura me to, që marrim në tempull, bëhen letrat tona kredenciale për t’u pranuar në praninë e Perëndisë. Këto besëlidhje na ngrenë përtej kufijve të vetë fuqisë dhe këndvështrimit tonë. Ne bëjmë besëlidhje për të treguar përkushtimin tonë për të ndërtuar mbretërinë. Ne bëhemi popull i besëlidhjes ndërsa vendosemi nën besëlidhje me Perëndinë. Të gjitha bekimet e premtuara janë tonat nëpërmjet besnikërisë tonë ndaj këtyre besëlidhjeve.

Tempulli është një shtëpi mësimi. Shumë nga udhëzimi i dhënë në tempull është simbolik dhe mësohet nga Shpirti. Kjo do të thotë se ne mësohemi nga lart. Besëlidhjet dhe ordinancat e tempullit janë një simbol i fuqishëm i Krishtit dhe Shlyerjes së Tij. Të gjithë ne marrim të njëjtin udhëzim, por shpesh kuptimi ynë i domethënies së ordinancave dhe besëlidhjeve do të rritet ndërsa kthehemi shpesh në tempull me qëndrimin e mësimit dhe meditimit të të vërtetave të përjetshme që na mësohen.

Adhurimi në tempull siguron mundësitë për t’u shërbyer të vdekurve duke kryer ordinanca mëkëmbëse për ta. Kërkimi për historinë familjare mund të bëhet nga cilido jashtë mureve të tempullit, por ordinancat e shenjta që ju nevojiten paraardhësve tanë të vdekur për ekzaltimin e tyre mund të administrohen vetëm në tempull.

Tempulli është shtëpia e Zotit. Ai drejton kushtet në të cilat ai mund të përdoret, ordinancat që duhet të administrohen dhe standardet që na cilësojnë për të hyrë dhe për të marrë pjesë në adhurimin në tempull.

Zoti i tha Moisiut: “Hiq sandalet nga këmbët, sepse vendi në të cilin ndodhesh është vend i shenjtë.”7 Tek Psalmet lexojmë: “Kush do t’i ngjitet malit të Zotit? Kush do të qëndrojë në vendin e tij të shenjtë?

Njeriu i pafajshëm nga duart dhe i pastër nga zemra, që nuk e ngre shpirtin për t’u dukur dhe nuk betohet në mënyrë të rreme.”8 Shtëpia e Tij është e shenjtë dhe asgjë e papastër nuk do të lejohet të hyjë në të.9

Zoti ka caktuar peshkopin dhe presidentin e kunjit të jenë përgjegjës për të përcaktuar denjësinë e individëve për të marrë një rekomandim për të hyrë në shtëpinë e Tij të shenjtë. Ne duhet të jemi plotësisht të ndershëm me peshkopin dhe presidentin tonë të degës kur ata na intervistojnë përpara se të lëshojnë një rekomandim tempulli. Dhurata që ne sjellim në altar është një zemër e dëlirë dhe një shpirt i penduar. Denjësia vetjake është një kërkesë thelbësore për të gëzuar bekimet e tempullit.

Ne përgatitemi duke iu bindur urdhërimeve dhe duke kërkuar të bëjmë vullnetin e Perëndisë. Nëse ju nuk keni shkuar në tempull, filloni të përgatiteni tani, që kur të paraqitet mundësia, ju të jeni gati dhe të denja.

Kur shkojmë në tempull, ne e pastrojmë mendjen dhe zemrën nga mendimet dhe ndjenjat që mund të mos jenë në harmoni me përvojat e shenjta të tempullit. Gjithashtu vishemi në një mënyrë të thjeshtë, të duhur dhe të denjë. Veshja dhe pamja jonë për këtë rast të shenjtë janë shenja të nderimit dhe respektit për Zotin dhe shtëpinë e Tij të shenjtë. Pasi hyjmë në tempull, ne ndërrojmë rrobat me veshje të bardhë, që simbolizon pastërtinë dhe dëlirësinë. Atëherë jemi gati të marrim pjesë në nderimin e qetë të adhurimit në tempull. Ky bekim i përjetshëm është i disponueshëm për të gjithë ata që janë të denjë ta marrin atë.

Çfarë mund të bëjnë gratë e Kishës për të pretenduar bekimet e tempullit?

Nëpërmjet profetëve të Tij, Zoti i fton ata që nuk i kanë marrë ende bekimet e tempullit që të bëjnë çfarëdo të jetë e nevojshme për t’u cilësuar për t’i marrë ato. Ai i fton ata që i kanë marrë tashmë ato bekime të kthehen sa më shpesh të jetë e mundur që të gëzojnë sërish përvojën, të rritin vizionin dhe kuptimin e tyre për planin e Tij të përjetshëm.

Le të jemi të denjë për të patur një rekomandim të tashëm për në tempull. Le të shkojmë në tempull për të vulosur familjet tona përjetësisht. Le të kthehemi në tempull sa më shpesh që ta lejojnë rrethanat tona. Le t’u japim të afërmve tanë të vdekur mundësinë që të marrin ordinancat e ekzaltimit. Le të gëzojmë forcën shpirtërore dhe zbulesën që marrim kur shkojmë në tempull rregullisht. Le të jemi besnikë dhe të bëjmë e të mbajmë besëlidhjet e tempullit që të marrim bekimet e plota të Shlyerjes.

Unë ju dëshmoj se tempujt janë vende të shenjta e të shenjtëruara. Ata janë një burim force dhe fuqie shpirtërore. Ata janë një vend zbulese. Ata janë shtëpia e Zotit. Në emrin e shenjtë të Shpëtimtarit dhe Shëlbuesit tonë, Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Eksodi 25:8.

  2. Shih 1 Mbretërve 5:5–18; 6.

  3. Shih 3 Nefi 11:1.

  4. DeB 88:119.

  5. Shih DeB 110.

  6. Discourses of Brigham Young, përzgjedh. John A. Widtsoe (1971), 416.

  7. Eksodi 3:5.

  8. Psalmi 24:3–4.

  9. Shih DeB 109:20.