Konferenca e Përgjithshme
Mbajeni Ndryshimin
Konferenca e përgjithshme e tetorit 2020


Mbajeni Ndryshimin

Nëpërmjet Jezu Krishtit, neve na jepet forcë për të bërë ndryshime të përhershme. Teksa përulësisht drejtohemi tek Ai, Ai do ta rritë aftësinë tonë për të ndryshuar.

Motra, është një gëzim kaq i madh të jem me ju.

Pamja
Pagesa në një treg

Përfytyroni dikë që shkon në një treg për të blerë një artikull. Nëse ajo paguan tek arka më shumë sesa vlen sendi, arkëtarja do të kthejë ndryshimin e vlerës së të hollave.

Pamja
Marrja e ndryshimit të vlerës së të hollave.

Mbreti Beniamin i dha mësim popullit të tij në Amerikën e lashtë për bekimet e pamasa që marrim nga Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti. Ai i krijoi qiejt, tokën dhe gjithë bukurinë që gëzojmë.1 Nëpërmjet Shlyerjes së Tij të dashur, Ai siguron një mënyrë që ne të shëlbohemi nga mëkati dhe vdekja.2 Kur e shfaqim mirënjohjen tonë ndaj Tij duke i jetuar plot zell urdhërimet e Tij, Ai menjëherë na bekon, duke na lënë gjithmonë në borxh ndaj Tij.

Ai na jep shumë e shumë më tepër sesa vlera e asaj që mund t’i kthejmë Atij ndonjëherë. Pra, çfarë mund t’i japim Atij, që pagoi çmimin e pallogaritshëm për mëkatet tona? Ne mund t’i japim Atij ndryshim. Ne mund t’i japim Atij ndryshimin tonë. Mund të jetë një ndryshim mendimi, një ndryshim zakoni ose një ndryshim në drejtimin që kemi marrë. Në këmbim për pagesën e Tij të paçmueshme për secilin prej nesh, Zoti na kërkon një ndryshim të zemrës. Ndryshimi që Ai kërkon prej nesh, nuk është për dobinë e Tij, por për dobinë tonë. Kështu që, ndryshe nga blerësja në treg që do ta merrte mbrapsht në para ndryshimin e vlerës, Shpëtimtari ynë i hirshëm na bën me shenjë që ta mbajmë ndryshimin.

Pasi i dëgjuan fjalët e thëna nga mbreti Beniamin, njerëzit e tij thirrën, shpallën se zemrat e tyre kishin ndryshuar, duke thënë: “Për shkak të Shpirtit të Zotit të Plotfuqishëm, i cili ka bërë një ndryshim të madh te ne, … ne nuk kemi më prirje të bëjmë keq, por të bëjmë mirë vazhdimisht”3. Shkrimet e shenjta nuk thonë se ata menjëherë u bënë të përsosur, përkundrazi, dëshira e tyre për të ndryshuar i detyroi ata të vepronin. Ndryshimi i zemrës së tyre nënkuptonte zhveshjen e burrit ose gruas të natyrshme dhe hapjen udhë ndaj Shpirtit teksa u përpoqën fort për t’u bërë më shumë si Jezu Krishti.

Presidenti Henri B. Ajring jep mësim: “Kthimi i vërtetë në besim varet nga kërkimi lirisht me besim, me përpjekje të madhe dhe njëfarë dhembjeje. Atëherë është Zoti që mund të dhurojë … mrekullinë e pastrimit dhe ndryshimit.”4 Duke e ndërthurur përpjekjen tonë me aftësinë e Shpëtimtarit për të na ndryshuar, ne bëhemi krijesa të reja.

Kur isha më e re në moshë, e përfytyroja veten duke ecur nëpër një shteg të përpjetë, vertikal drejt synimit tim për jetën e përjetshme. Çdo herë që bëra ose thashë diçka të gabuar, e ndjeva që po rrëshqisja poshtë në shteg, vetëm për ta nisur udhëtimin tim sërish nga e para. Ishte sikur të kisha rënë në atë kutizën në lojën për fëmijë Gjarpërinj dhe Shkallë që të kthen nga kutiza e fundit sërish në fillim të lojës! Ishte shkurajuese! Por kur fillova ta kuptoj doktrinën e Krishtit5 dhe se si vihet në zbatim ajo në jetën time të përditshme, unë gjeta shpresë.

Pamja
Procesi i ndryshimit përfshin durimin

Jezu Krishti na ka dhënë një model të vazhdueshëm për ndryshim. Ai na fton të ushtrojmë besim në Të, që na frymëzon të pendohemi – “besim dhe pendim që sjellin një ndryshim të zemrës”6. Ndërsa pendohemi dhe i kthejmë zemrat tek Ai, ne fitojmë një dëshirë më të madhe për t’i bërë dhe jetuar besëlidhjet e shenjta. Ne durojmë deri në fund duke vazhduar t’i zbatojmë këto parime gjatë gjithë jetës sonë dhe duke e ftuar Zotin që të na ndryshojë. Durimi deri në fund do të thotë të ndryshojmë deri në fund. Tani unë e kuptoj se nuk po e filloj nga e para me çdo përpjekje që ka dështuar, por që, me çdo përpjekje, unë po e vazhdoj procesin tim të ndryshimit.

Ka një frazë të frymëzuar te tema e Të Rejave që shpall: “Unë e vlerësoj pa masë dhuratën e pendimit dhe përpiqem të përmirësohem çdo ditë”7. Unë lutem që ne vërtet ta vlerësojmë pa masë këtë dhuratë të bukur dhe që të jemi të qëllimshëm/me në kërkimin e ndryshimit. Ndonjëherë ndryshimet që nevojitet të bëjmë, kanë lidhje me një mëkat të rëndë. Por shumicën e herëve, ne përpiqemi fort ta përmirësojmë karakterin tonë që ta harmonizojmë veten me tiparet e Jezu Krishtit. Zgjedhjet tona të përditshme, ose do ta ndihmojnë, ose do ta vështirësojnë përparimin tonë. Ndryshime të vogla, por të qëndrueshme, të paramenduara do të na ndihmojnë të përmirësohemi. Mos u shkurajoni! Ndryshimi është një proces që zgjat gjithë jetën. Jam mirënjohëse që në përpjekjet tona për të ndryshuar, Zoti ka durim me ne.

Nëpërmjet Jezu Krishtit, neve na jepet forcë për të bërë ndryshime të përhershme. Teksa përulësisht drejtohemi tek Ai, Ai do ta rritë aftësinë tonë për të ndryshuar.

Përveç fuqisë shndërruese të Shlyerjes së Shpëtimtarit tonë, Fryma e Shenjtë do të na përkrahë dhe udhërrëfejë teksa e ushtrojmë përpjekjen tonë. Ai madje mund të na ndihmojë të dimë se çfarë ndryshimesh na nevojitet të bëjmë. Gjithashtu mund të gjejmë ndihmë dhe inkurajim nëpërmjet bekimeve të priftërisë, lutjes, agjërimit dhe pjesëmarrjes në tempull.

Po ashtu, pjesëtarët e familjes, udhëheqësit dhe miqtë e mirëbesuar mund të jenë ndihmues në përpjekjet tona për të ndryshuar. Kur isha tetë vjeçe, vëllai im më i madh, Liu, dhe unë kalonim kohë me miqtë tanë duke luajtur në degët e pemës së një fqinji. Na pëlqente shumë të ishim së bashku në shoqërinë e miqve tanë, nën hijen e asaj peme. Një ditë, Liu ra nga pema dhe theu krahun. Krahu i thyer e bënte të vështirë që ai të ngjitej vetë në pemë. Por loja te pema thjesht nuk ishte njëlloj pa atë atje. Kështu që, disa prej nesh e shtynë atë nga pas ndërsa të tjerë e tërhiqnin nga krahu i shëndetshëm dhe, pa shumë përpjekje, Liu ishte sërish në pemë. Ai ende e kishte të thyer krahun, por ishte sërish me ne duke shijuar miqësinë tonë teksa shërohej.

Shpesh e kam menduar përvojën time të lojës në pemë sikur të ishte një lloj aktiviteti në ungjillin e Jezu Krishtit. Nën hijen e degëve të ungjillit, ne gëzojmë shumë bekime që lidhen me besëlidhjet tona. Disa mund të kenë rënë nga siguria e besëlidhjeve të tyre dhe u nevojitet ndihma jonë që të ngjiten sërish në sigurinë e degëve të ungjillit. Mund të jetë e vështirë që ata të kthehen vetë. A mundemi ne që butësisht t’i tërheqim pak këtu dhe t’i ngremë lart pak atje, që t’i ndihmojmë ata të shërohen ndërkohë që gëzojnë miqësinë tonë?

Nëse po vuani dëmtimin nga një rënie, ju lutem, lejojini të tjerët t’ju ndihmojnë të ktheheni te besëlidhjet tuaja dhe te bekimet që ofrojnë ato. Shpëtimtari mund t’ju ndihmojë të shëroheni dhe të ndryshoni ndërkohë që jeni i/e rrethuar nga ata që ju duan.

Herë pas here, has miq që nuk i kam parë prej shumë vjetësh. Nganjëherë ata thonë: “Nuk ke ndryshuar fare!” Sa herë e dëgjoj atë, stepem pak, sepse shpresoj që të kem ndryshuar gjatë viteve. Shpresoj që të kem ndryshuar që nga dje. Shpresoj që të jem pak më e sjellshme, më pak gjykuese dhe më shumë e dhembshur. Shpresoj që të jem më e shpejtë për t’iu përgjigjur nevojave të të tjerëve dhe shpresoj të jem paksa më e duruar.

Më pëlqen shumë të bëj ecje në malet pranë shtëpisë sime. Shpesh, më hyn një guriçkë në këpucë, teksa eci përgjatë shtegut. Si përfundim, ndaloj dhe e shkund nga këpuca. Por më habit fakti se sa shumë e lejoj veten të eci me dhembje përpara se të ndaloj dhe të çlirohem nga ajo që më bezdis.

Teksa ecim në shtegun e besëlidhjeve, nganjëherë mbledhim gurë në këpucë në formën e zakoneve të dobëta, mëkateve apo qëndrimeve të këqija. Sa më shpejt t’i shkundim ata nga jeta jonë, aq më i gëzueshëm do të jetë udhëtimi ynë në vdekshmëri.

Mbajtja e ndryshimit kërkon përpjekje. Nuk mund ta përfytyroj që të ndalem përgjatë shtegut vetëm për ta vendosur sërish në këpucë guralecin bezdisës dhe lëndues që sapo e hoqa. Nuk do të doja ta bëja atë më shumë sesa një flutur e bukur do të zgjidhte të kthehej te fshikëza e saj.

Dëshmoj se për shkak të Jezu Krishtit, ne mund të ndryshojmë. Ne mund t’i përshtatim zakonet tona, t’i ndërrojmë mendimet tona dhe ta përmirësojmë karakterin tonë që të bëhemi më shumë si Ai. Dhe me ndihmën e Tij, ne mund ta mbajmë ndryshimin. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.