Takime Shpirtërore Mbarëbotërore
Të Shijuarit e Dritës


Të Shijuarit e Dritës

Një Mbrëmje me Plakun Lin G. Robins

Takimi Shpirtëror Mbarëbotëror për Të Rinjtë në Moshë Madhore • 3 maj 2015 • Tabernakulli i Solt-Lejkut

Vëllezër e motra, mirësevini në këtë Takim Shpirtëror Mbarëbotëror për Të Rinjtë në Moshë Madhore, me një mirëseardhje të veçantë për ata prej jush që do të diplomoheni këtë vit nga seminari – një arritje e vlefshme për lavdërim dhe një provë e besimit dhe dashurisë suaj për Zotin. Ju ftoj ta ndiqni shembullin e shumë të tjerëve këtu sonte dhe ta vazhdoni kërkimin tuaj për të mësuarin shpirtëror në një institut vendor të fesë ose në një universitet të Kishës. Ju premtoj se do të vazhdoni të merrni udhërrëfim të rëndësishëm për të gjitha vendimet e tjera të rëndësishme në jetën tuaj, si edhe do të takoheni me njerëz që do të kenë një ndikim domethënës në jetën tuaj.

Sonte do të më dëgjoni të jap dëshmi për Zotin Jezu Krisht dhe ungjillin e Tij. Do të më dëgjoni të përdor fjalët “Unë e di”. Dua t’jua përshkruaj se si arrita të di që Ai është Biri i drejtpërdrejtë i Perëndisë, Shëlbuesi e Shpëtimtari i botës dhe se ungjilli i Tij është i vërtetë.

Gjithashtu dua t’ju ndihmoj të zbuloni se vetë dëshmia juaj për Zotin Jezu Krisht dhe ungjillin e Tij është më e fortë nga sa mund të mendoni se është.

Ku Është Dëshmia Ime në Spektrin e Besimit?

Do të doja ta filloja duke ju kërkuar të bëni një vetëvlerësim mendor. Shiheni vijën në këtë ilustrim dhe jepini dëshmisë suaj një vlerësim në këtë spektër të besimit:

Pamja
Slide from a Powerpoint presentation given by Elder Lynn G. Robbins for May 3, 2015 CES Devotional.

Në fund është ateisti. Do ta vlerësojmë ateistin me një zero. Në krye të shkallës është një 10, ose të kesh një njohuri të përsosur të Jezu Krishtit dhe të ungjillit të Tij. Ku do ta vendosnit veten tuaj në këtë spektër? Dyshoj që shumë prej jush do t’i jepnit vetes suaj një vlerësim më të ulët se sa e meritoni.

Mbajeni mend vlerësimin që i keni dhënë vetes suaj, që të shihni nëse rritet gjatë kursit të kësaj paraqitjeje, ndërkohë që diskutojmë fusha të ndryshme besimndërtuese të një dëshmie dhe mënyrën se si secila na ndihmon të përparojmë në spektrin e besimit dhe të përjetojmë paqe e lumturi më të madhe.

Alma e fton çdo njeri të hedhë hapin e parë përpara në spektrin e besimit me “një provë mbi fjalët e mia dhe të ushtro[jë] një pjesëz të besimit, po, edhe në qoftë se ju nuk mund të bëni më shumë sesa të dëshironi të besoni” (Alma 32:27; theksimi i shtuar).

Pamja
Slide from a Powerpoint presentation given by Elder Lynn G. Robbins for May 3, 2015 CES Devotional.

Dëshira

Ideja vijuese ilustron urtësinë e pasjes së një dëshire për të besuar.

Në vitin 1623, u lind gjeniu francez, matematikani dhe shpikësi Blez Paskal. Së bashku me zbulimet e tij të tjera ishte një teori matematike e probabilitetit, e cila siguroi shkencën ku mbështetet teoria e zgjedhjes së arsyeshme – një metodë logjike për marrjen e vendimeve më të mira të mundshme. Me teorinë e vendimit, Paskali me mprehtësi vëzhgoi se në lojën e jetës njerëzit nuk mund t’i shmangen bastit më të madh të jetës: nëse Perëndia ekziston apo jo. Ky është njohur si Basti i Paskalit, me jetën e një njeriu – në mënyrë më të veçantë, jetën e tij ose të saj të përjetshme – në rrezik, sikurse paraqitet në këtë ilustrim:

Pamja
Slide from a Powerpoint presentation given by Elder Lynn G. Robbins for May 3, 2015 CES Devotional.

Në titujt e kolonave ka dy mundësi: ose Perëndia ekziston ose Ai nuk ekziston. Në radhët ka gjithashtu dy mundësi: Unë mund të zgjedh të besoj ose të mos besoj.

Kombinimet e mundshme që rrjedhin, janë si vijojnë:

  • Nëse Perëndia ekziston dhe unë besoj e veproj siç duhet, unë mund të trashëgoj jetë të përjetshme.

  • Nëse unë besoj dhe Perëndia nuk ekziston, unë nuk humbas asgjë.

  • Nëse unë nuk besoj, as nuk e nderoj Perëndinë ose i bindem Atij dhe Ai ekziston, unë e humbas jetën e përjetshme.

  • Nëse unë nuk besoj dhe Perëndia nuk ekziston, unë nuk fitoj asgjë.

  • Basti i Paskalit debaton që vendimi më i mirë i mundshëm është të besojmë në ekzistencën e Perëndisë dhe që vetëm një i marrë do të vinte bast kundër ekzistencës së Perëndisë, sepse ai ka për të humbur gjithçka dhe nuk ka për të fituar asgjë.

Djali plangprishës do të arsyetonte se ajo që ai humbet është një shans që të “ha[jë], pi[jë] dhe dëfreh[et]” (2 Nefi 28:7) – një çmim i mjerë ngushëllimi kur merrni parasysh se çfarë vihet në rrezik. Ai mund të ketë “gëzim në veprat e [tij] për një stinë [por] së shpejti vjen fundi” (3 Nefi 27:11). Ëndrrat e tij të të dëfryerit dhe rebelimit bëhen një ëndërr e tmerrshme për t’u jetuar, gjersa në mënyrë të pashmangshme ai zgjohet me dhembjen e kokës pas dehjes, që e përjeton në këtë jetë dhe zbulon vetë se “ligësia kurrë nuk ka qenë lumturi” (Alma 41:10) dhe më vonë, në ditën e gjykimit, kur ai “do të pohojë para Perëndisë se gjykimet e tij janë të drejta” (Mosia 16:1). Gjatë kësaj kohe, ai mëson se është mashtruar nga mjeshtri i iluzionit me markën e tij të sheqerosur të mjerimit, të maskuar si kënaqësi. Prandaj, “zemra jote mos i pastë zili mëkatarët” (Fjalët e Urta 23:17).

Për fat të mirë, pati një shans të dytë për djalin plangprishës, që është një nga mësimet e madhërishme që Shpëtimtari na pret ta mësojmë nga kjo shëmbëlltyrë (shih Lluka 15:11–32).

Mbillni Farën – Filloni të Mësoni

Alma përshkruan se si një njeri me dëshirë më pas mund të fillojë ndjekjen e tij ose të saj për besimin:

“Lëreni këtë dëshirë të veprojë në ju, madje derisa të besoni në mënyrë që të bëni vend për një pjesë të fjalëve të mia.

Tani, ne do ta krahasojmë fjalën me një farë. Tani, në qoftë se bëni vend, [lëreni] farë[n] … të mbillet në zemrën tuaj” (Alma 32:27–28; theksim i shtuar).

Pamja
Slide from a Powerpoint presentation given by Elder Lynn G. Robbins for May 3, 2015 CES Devotional.

Mbjellja e farës do të thotë që ju tani keni vepruar mbi dëshirën me një kureshtje të frymëzuar në provën. Ju e keni filluar tashmë procesin e të mësuarit.

Sipas shkrimeve të shenjta, ky proces i të mësuarit duhet të zhvillohet në dy mënyra: “Dhe ngaqë jo të gjithë kanë besim, kërkoni me zell dhe i mësoni njëri-tjetrit fjalë urtësie; po, kërkoni nga librat më të mirë fjalët e urtësisë; kërkoni të mësoni, madje me anë të studimit dhe gjithashtu me anë të besimit” (DeB 88:118; theksimi i shtuar).

Shkrimet e shenjta gjithashtu na mësojnë për dy mjete të të mësuarit, nëpërmjet të cilave Shpirti na jep mësim:

“Po, vër re, unë do të të them në mendjen tënde dhe në zemrën tënde, me anë të Frymës së Shenjtë, që do të vijë mbi ty dhe që do të banojë në zemrën tënde.

Tani, vër re, ky është shpirti i zbulesës” (DeB 8:2–3; theksimi i shtuar).

Përputhja e Metodave të të Mësuarit me Mjetet e të Mësuarit

Përpara kthimit te spektri i besimit, unë dëshiroj të ilustroj ndërthurjet midis dy metodave të të mësuarit dhe dy mjeteve të të mësuarit. Ndërthurja e tyre e kryqëzuar duhet t’ju japë disa këndvështrime të dobishme lidhur me mënyrën se si të vazhdoni të përparoni përgjatë spektrit të besimit.

Pamja
Slide from a Powerpoint presentation given by Elder Lynn G. Robbins for May 3, 2015 CES Devotional.

Kur Jozef Smithi mësoi rreth lutjes me anë të studimit, ai po lexonte Biblën: “Në qoftë se ndonjërit nga ju i mungon urtia, le të kërkojë nga Perëndia, që u jep të gjithëve pa kursim, pa qortuar, dhe atij do t’i jepet” (Jakobi [Bibël] 1:5).

Jozefi mësoi rreth lutjes me anë të besimit kur veproi sipas bindjes së tij e shkoi në Korijen e Shenjtë dhe u lut.

Në krye të pamjes janë dy mjetet e të mësuarit – mendja dhe zemra.

Lidhja e të Mësuarit me Anë të Studimit me Mendjen

Kur përpiqemi të mësojmë me anë të studimit, Zoti i flet mendjes sonë në formën e mendimeve të frymëzuara. Midis fjalëve të tjera të mundshme, që lidhen me kryqëzimin e fjalëve “Studimi” dhe “Mendja”, ne mund të shtojmë fjalët që vijojnë, të cilat përshkruajnë se si të kultivohet fara:

Mbjellja

  • Mendimet

  • Interesi

  • Kurioziteti

  • Shqyrtimi

  • Studimi

  • Kërkimi

  • Marrja Parasysh

  • Pyetjet

  • Përsiatja

Pamja
Slide from a Powerpoint presentation given by Elder Lynn G. Robbins for May 3, 2015 CES Devotional.

Pyetje të frymëzuara e bëjnë një njeri të përsiatë dhe përsiatja nën ndikimin e Shpirtit ju çon drejt nivelit të ardhshëm të të mësuarit, ku studimi ndërthuret me zemrën.

Lidhja e të Mësuarit me Anë të Studimit me Zemrën

Fara shpejt fillon të mugëllojë dhe ju filloni të keni ndjenja që frymëzohen nga Shpirti. Është zemra, ose ndjenjat e frymëzuara, që e ndryshon një mendim në një besim.

Filizat

  • Ndjenjat

  • Bindjet

  • Kuptueshmëria

  • E Shijshme

  • Zemër e nxitur thellësisht

  • Besim dhe shpresë e shtuar

  • Të frymëzuar për të vepruar

Pamja
Slide from a Powerpoint presentation given by Elder Lynn G. Robbins for May 3, 2015 CES Devotional.

Alma e tha në këtë mënyrë: “Po të jetë një farë e vërtetë, ose një farë e mirë, në qoftë se ju nuk e hidhni tej me mosbesimin tuaj, që ju t’i kundërshtoni Shpirtit të Zotit, vini re, ajo do të fillojë të fryhet në kraharorin tuaj; dhe kur ju të ndieni këto lëvizje të fryrjes, ju do të filloni të thoni me veten tuaj – Kjo duhet të jetë një farë e mirë, ose që fjala është e mirë, pasi po fillon të zmadhojë shpirtin tim; po, po fillon të ndriçojë kuptimin tim, po, po fillon të jetë e këndshme për mua” (Alma 32:28; theksimi i shtuar).

Ndërkohë që ne normalisht e shoqërojmë fjalën kuptoj me mendjen, shkrime të shenjta të shumta e lidhin kuptimin me zemrën, të tilla si: “Dhe zemrat e tyre qenë hapur dhe ata kuptuan në zemrat e tyre fjalët me të cilat ai u lut” (3 Nefi 19:33). Duke folur për Jakobin [Bibël] 1:5, i riu Jozef tha: “Kurrë ndonjë pjesë e shkrimit të shenjtë nuk erdhi më me fuqi në zemrën e një njeriu, sesa ky varg erdhi tek unë në këtë kohë” (Joseph Smith – Historia 1:12).

Me ato lloj ndjenjash, Alma tha: “Tani vini re, a nuk do t’jua shtonte kjo besimin tuaj? Unë ju them juve, Po; megjithatë ajo nuk është rritur në një njohuri të përsosur” (Alma 32:29; theksimi i shtuar).

Ajo ende nuk është një njohuri e përsosur. Megjithatë, me zemrën të prekur, ajo na frymëzon të bëjmë një hap tjetër në spektrin e besimit. Për Jozefin, shkrimi i shenjtë e frymëzoi atë të vepronte dhe ta pranonte ftesën e tij për t’u lutur. Ai nuk do të “m[errte] asnjë dëshmi, deri pas provës së besimit [të tij]” (Ethëri 12:6).

Lidhja e të Mësuarit me Anë të Besimit me Mendjen

Të mësuarit me anë të besimit kërkon të vepruarin sipas ndjenjave dhe bindjeve.1 Shpëtimtari e dha pikërisht këtë ftesë për të mësuar me anë të besimit kur Ai tha: “Në qoftë se dikush don të bëjë vullnetin e tij, do ta njohë nëse kjo doktrinë vjen nga Perëndia apo që unë flas nga vetja ime” (Gjoni 7:17; theksimi i shtuar). Në këtë varg Shpëtimtari na mëson se të bërit është veprimi i besimit që e kthen një besim në njohuri. Për ata që kundërshtonin, Ai këshilloi: “Edhe po të mos më besoni mua, u besoni të paktën veprave,të njihni e të besoni se Ati është në mua dhe unë në atë” (Gjoni 10:38; theksimi i shtuar).

Duke folur për njohurinë, Alma thotë:

“Dhe tani, vini re, pasi ju e keni bërë provën dhe e mbollët farën dhe ajo fryhet, dhe mbin, dhe fillon të rritet, ju duhet ta dini se fara është e mirë.

Dhe tani, vini re, a është njohuria juaj e përsosur? Po, njohuria juaj është e përsosur në atë gjë, dhe besimi juaj është i fjetur; dhe kjo sepse ju e dini, … se botëkuptimi juaj fillon të ndriçohet dhe mendja juaj fillon të zgjerohet” (Alma 32:33–34; theksimi i shtuar).

Të vepruarit sipas besimit tuaj ju ka dhënë juve njohuri.

Midis fjalëve të tjera që mund t’i shoqërojmë me të mësuarin me anë të besimit dhe me mendjen, ne mund të shtonim sa vijojnë:

Rritet

  • Bërja

  • Njohuria (e përsosur në atë gjë)

  • Lutuni

  • Pendohuni

  • Ndryshoni sjelljen

  • Binduni

  • Përvojat

  • Shijoni

Pamja
Slide from a Powerpoint presentation given by Elder Lynn G. Robbins for May 3, 2015 CES Devotional.

Alma e përdor foljen shijoj në një mënyrë shumë të veçantë, kur ai i drejtohet të shijuarit të dritës. Dëgjoni:

“O, atëherë, a nuk është e vërtetë kjo? Unë ju them juve, Po, sepse është dritë; dhe çdo gjë që është dritë, është e mirë sepse është e dallueshme, prandaj ju duhet ta dini se është e mirë; dhe tani vini re, pasi ta keni shijuar këtë dritë a është njohuria juaj e përsosur?

Vini re, unë ju them juve, Jo; as nuk duhet të lini mënjanë besimin tuaj, pasi ju vetëm keni ushtruar besimin tuaj, që të mbillnit farën dhe që të mund të bënit provën, që të dinit nëse fara ishte e mirë” (Alma 32:35–36; theksimi i shtuar).

Është të shijuarit e dritës që ju ka dhënë juve një njohuri të përsosur në atë gjë, ose që të dini se fara është e mirë. Drita po ju fton të vini te Jezu Krishti “dhe … fuqi[a e] Perëndisë [po] bën mrekulli në [ju] … dhe [ju kthen] në besim te Zoti” (Alma 23:6).

Lidhja e të Mësuarit me Anë të Besimit me Zemrën

Alma vijon: “Dhe vini re, ndërsa pema fillon të rritet, ju do të thoni: Le ta ushqejmë me kujdes të madh, … me zell të madh dhe me durim, duke pritur frutin e saj. …

… Vini re, ca nga ca, ju do të vilni [ose shijoni] frutin e saj që është shumë i çmueshëm” (Alma 32:37, 41–42; theksimi i shtuar).

Ushqeni dhe Shijoni

  • Kthimi në besim

  • Bërja

  • Ndryshimi i madh i zemrës

  • Pagëzimi

  • Fryma e Shenjtë

  • Bekimet

  • Gëzimi dhe lumturia

  • Dëshira për të ndarë

  • Bërja si Jezu Krishti

Pamja
Slide from a Powerpoint presentation given by Elder Lynn G. Robbins for May 3, 2015 CES Devotional.

Të shijuarit e frytit na përparon atje ku ndërthuren të mësuarit me anë të besimit dhe zemra. Atje ne zbulojmë për veten tonë se fryti është, me të vërtetë, i ëmbël dhe i çmueshëm. Ndjekja e Jezu Krishtit, dhe bërja e vullnetit të Tij, na lejon ta shijojmë Shlyerjen e Tij dhe ungjillin në mënyra të shumëfishta. Më herët në proces, zemrat tona u prekën. Tani po ndodh “një ndryshim i madh [i] zemrë[s]”, siç e përshkroi Alma (Alma 5:12) dhe Shpirti po e kthen përvojën dhe njohurinë tonë në një kthim në besim.

Kur “kth[ehemi] në besim te Zoti” (Alma 23:8), ne e ndjekim Shpëtimtarin duke u pagëzuar dhe duke marrë dhuratën e Frymës së Shenjtë. Teksa e “shijojmë frytin” e ungjillit, ne përjetojmë bekime dhe gëzim e lumturi të tillë që dëshirojmë ta ndajmë me të tjerët, sikurse bëri Lehi: “Dhe ndërsa po haja frutin e saj, ai ma mbushi shpirtin tim me një gëzim jashtëzakonisht të madh; prandaj fillova të dëshiroja që familja ime të hante nga ai gjithashtu, se e dija që ishte i dëshirueshëm mbi çdo frut tjetër” (1 Nefi 8:12).

Të jesh “i kthyer në besimin te Zoti”, në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, është ndryshimi i madh dhe transformimi për t’u bërë si Jezu Krishti, duke i “dëgj[uar] thirrjet e Frymës së Shenjtë dhe [duke] zhvesh[ur] njeriun e natyrshëm dhe [duke u] bë[rë] një shenjtor nëpërmjet shlyerjes së Krishtit Zot” (Mosia 3:19). Në kuptimin më përmbledhës të fjalës, kthimi ynë në besim nuk do të jetë i plotë derisa të jemi rritur shpirtërisht “në masën e shtatit të plotësisë së Krishtit” (Efesianëve 4:13). Kjo do të jetë një përpjekje e tërë jetës dhe një udhëtim me besim tek Ai dhe me hirin e Tij ose me ndihmën e Tij hyjnore (shih 2 Nefi 25:23).

Ky kthim në besim për tërë jetën qartësisht do të kërkojë të ushqyerin e vazhdueshëm shpirtëror nga ana jonë për të shmangur ndikimin fishkës, të përshkruar nga Alma: “Por, në qoftë se e lini pemën pas dore dhe nuk mendoni për ta ushqyer, vini re, ajo nuk do të lëshojë ndonjë rrënjë; dhe kur të vijë nxehtësia e diellit dhe ta përzhisë, … ajo fishket” (Alma 32:38).

“Kështu që, ju duhet të shkoni përpara me një vendosmëri në Krisht[in], duke pasur një ndriçim të përkryer të shpresës dhe një dashuri për Perëndinë dhe për gjithë njerëzit. Prandaj, në qoftë se ju do të shkoni përpara, duke u ushqyer me bollëk mbi fjalën e Krishtit dhe të duroni deri në fund, vini re, kështu thotë Ati: Ju do të keni jetën e përjetshme” (2 Nefi 31:20; theksimi i shtuar).

Pamja
Slide from a Powerpoint presentation given by Elder Lynn G. Robbins for May 3, 2015 CES Devotional.

Ky ndryshim i madh dhe kthim në besim nuk do të thotë që ne nuk do të kemi ende pyetje. Megjithatë, pasi ta kemi shijuar dritën, pyetjet duhet të ngulitin brenda nesh një dëshirë për ta vazhduar të mësuarin, në vend që të na shkaktojnë dyshime të cilat mund ta fishkin besimin tonë në rritje. “Dhe kushdo që beson në emrin tim, duke mos dyshuar asgjë, atij do t’ia vërtetoj të gjitha fjalët e mia” (Mormoni 9:25).

Pyetjet janë gjë e mirë. Ato na bëjnë të përsiatim, të kërkojmë e të lutemi. Jozef Smithi vazhdoi të kishte pyetje gjatë gjithë jetës së tij. Pothuajse çdo seksion i Doktrinës e Besëlidhjeve u zbulua nëpërmjet tij si rrjedhojë e një pyetjeje që ai ia drejtoi Zotit në lutje, rresht pas rreshti dhe parim pas parimi. Kjo është e njëjta mënyrë se si mësoi Shpëtimtari: “Dhe ai nuk e mori plotësinë që në fillim, por vazhdoi nga hiri në hir, derisa mori një plotësi” (DeB 93:13).

Një Njohuri e Përsosur

Duke u kthyer te spektri ynë i besimit, ne e emërtuam kreun si “një njohuri të përsosur të Jezu Krishtit dhe të ungjillit të Tij”.

Pamja
Slide from a Powerpoint presentation given by Elder Lynn G. Robbins for May 3, 2015 CES Devotional.

Le të shqyrtojmë frazën “një njohuri të përsosur”. Duke iu drejtuar të “shijuarit të dritës”, Alma na mësoi se “njohuria juaj është e përsosur në atë gjë” (Alma 32:34). Në vargun vijues, shihni për përdorimin e profetit Mormon të së njëjtës frazë, “një njohuri e përsosur”, teksa ai shton dëshminë e tij për të njëjtën dritë:

“Pasi vini re, vëllezër të mi, ju është dhënë juve të gjykoni, kështu që mund të dini të mirën nga e liga; dhe mënyra për të gjykuar, që të mund të dini me njohuri të përkryer, është aq e qartë, sa është të dallosh dritën e ditës nga errësira e natës.

Pasi vini re, Shpirti i Krishtit i jepet çdo njeriu, që ai të dallojë të mirën nga e keqja; prandaj, unë do t’ju tregoj mënyrën sesi të gjykoni; pasi çdo gjë që ju fton të bëni mirë dhe t’ju bindë të besoni në Krisht[in], është dërguar nëpërmjet fuqisë dhe dhuratës së Krishtit; prandaj ju mund të dini me një njohuri të përsosur se është nga Perëndia. …

Dhe tani, vëllezër të mi, meqë ju e njihni dritën, nëpërmjet së cilës mund të gjykoni, dritë e cila është drita e Krishtit, shikoni të mos gjykoni gabim” (Moroni 7:15–16, 18; theksimi i shtuar).

Që të dy profetët dëshmojnë se është Drita e Krishtit që na jep një njohuri të përsosur të së vërtetës. Edhe njerëzit e botës e dallojnë se ata kanë një ndjenjë të brendshme të së mirës dhe së ligës. Ata e bëjnë të njohur Dritën e Krishtit në përdorimin e fjalës ndërgjegje, që vjen nga fjala latine conscientia, ose “njohuri brenda vetes”2.

Me atë dritë si vulën tonë të së vërtetës, ne vazhdojmë të përparojmë përgjatë spektrit të besimit rresht pas rreshti dhe parim pas parimi (shih 2 Nefi 28:30; DeB 98:12; 128:21), “dhe nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë, ju mund të dini të vërtetën e të gjitha gjërave” (Moroni 10:5; theksimi i shtuar).

Pas vetëm një çasti ne do ta kryejmë me të vërtetë provën e Almës, me qëllim që të mund të na kujtohet se çfarë shije ka drita dhe mënyrën se si ju jep ajo një njohuri të përsosur.

Kundërshtimi e Zbulon të Vërtetën

Përpara se të vazhdojmë me provën, është e rëndësishme të përcaktojmë një element tjetër thelbësor në këtë proces. Na mësohet te 2 Nefi 2 se “është [i] nevojshm[ëm] … një kundërshtim në të gjitha gjërat” (2 Nefi 2:11). Njerëzimi e “provo[n] hidhësinë, që të mund të di[jë] ta çmoj[ë] të mirën” (Moisiu 6:55). Shëndeti, për shembull, është kryesisht studimi i të kundërtës së saj, sëmundjes dhe ligështisë; liria, studimi i shtypjes dhe skllavërisë; lumturia, studimi i hidhërimit; e kështu me radhë. Dhe si mrekullia e vockël e xixëllonjave, drita duket e pavlerë pa një sfond të errët.

Kundërshtimi është i domosdoshëm për edukimin dhe lumturinë tonë. Pa kundërshtimin, e vërteta mbetet e fshehur edhe kur është mjaft e dukshme, si të mos e vlerësonim frymëmarrjen e ajrit deri në çastin që juve po ju merret fryma për të. Ngaqë Drita e Krishtit është gjithmonë e pranishme, shumë njerëz nuk e vënë re Shpirtin në jetën e tyre, sikurse ata lamanitë te 3 Nefi 9:20, të cilët “u pagëzuan me zjarr dhe me Frymën e Shenjtë dhe ata nuk e dinin”.

Kundërshtimi jo vetëm e zbulon ose e shpalos të vërtetën, por shfaq fuqinë, gëzimin dhe ëmbëlsinë e saj të trashëguar. Për shembull, u desh një shijim i jetës së hidhur për djalin plangprishës që të kuptonte se çfarë jete të ëmbël kishte braktisur, të cilën e kishte pasur në shtëpi dhe që nuk e kishte vlerësuar në rininë e tij.

Është vetëm nëpërmjet dhembjes e sëmundjes që arrijmë ta vlerësojmë shëndetin tonë. Kur jemi viktimë e mungesës së ndershmërisë, ne e vlerësojmë integritetin moral. Duke e përjetuar padrejtësinë ose egërsinë, ne gëzohemi në dashurinë dhe mirësinë – të gjitha me një “njohuri të përsosur”, pasi e kemi shijuar frytin e secilës nëpërmjet dritës që është brenda nesh. Njohuria e përsosur vjen fryt pas fryti, nëpërmjet kundërshtimit në të gjitha gjërat. Bindja ndaj urdhërimeve të Perëndisë premton lumturi, rritje dhe përparim përfundimtar nëpërmjet kundërshtimit, jo nëpërmjet anashkalimit të tij. “Detet pa trazira nuk krijojnë detarë të zotë.”3

Merrni parasysh këtë thënie kuptimplote nga Profeti Jozef Smith: “Duke siguruar të kundërtat, e vërteta bëhet e shfaqur”4.

Dhe këtë thënie nga Brigam Jangu: “Të gjitha faktet provohen dhe bëhen të shfaqura nëpërmjet kundërshtimit të tyre”5.

Prova e Besimit

Tani – do të dëshiroja të ishit një pjesëmarrës në provën, duke ju bërë të merrni parasysh disa urdhërime si “të-jeni”, ose virtytet si të Krishtit, duke e krahasuar secilin urdhërim me të kundërtën e tij. Kur e merrni parasysh secilin, Drita e Krishtit brenda jush duhet ta pohojë në mendjen tuaj dhe zemrën tuaj se secili virtyt si i Krishtit është i ëmbël, ndërkohë që e kundërta e tij është e hidhur:

  • Dashuria kundrejt urrejtjes, armiqësisë, kundërshtimit

  • Ndershmëria kundrejt gënjeshtrave, mashtrimit, vjedhjes

  • Falja kundrejt hakmarrjes, mërisë, hidhësisë

  • Mirësia kundrejt poshtërsisë, zemërimit, keqdashjes

  • Durimi kundrejt gjaknxehtësisë, rrëmbimit, mospranimit

  • Përulësia kundrejt krenarisë, mosmësueshmërisë, arrogancës

  • Paqebërësi kundrejt grindavecit, përçarësit, provokuesit

  • Zelli kundrejt shtimit të lodhjes, dorëzimit, kokëfortësisë

Këto janë vetëm pak virtyte nga moria e virtyteve si të Krishtit, por të mjaftueshme për ta demonstruar qartësisht efektshmërinë e provës me farën.

Kur e përsiatni këtë listë, ju dalloni se keni arritur të njihni fuqinë, të vërtetën dhe ëmbëlsinë e secilit virtyt, një e nga një, nëpërmjet mijëra përvojash vlerësuese. Fryti i mirë vjen me vetë provën dhe vlerësimin e tij të trashëguar – shijen e tij. Prova është në të ngrënit, fryt pas fryti dhe rresht pas rreshti, secili me një “njohuri të përsosur”. Ndoshta ajo është çfarë donte të thoshte Apostulli Pal kur tha: “Provoni të gjitha, mbani të mirën” (1 Thesalonikasve 5:21; theksimi i shtuar). Nëse i keni përfshirë këto dhe virtyte të tjera në jetën tuaj, ju jeni shumë më tej përgjatë spektrit të besimit sesa pati mundësi që menduat se ishit.

Megjithatë, kjo është vetëm ajo që do ta quaja një dëshmi terrestriale, ose lavdia e hënës. Njerëz të mirë, që e kanë frikë Perëndinë, të cilitdo besimi fetar kanë po të njëjtën dëshmi, sepse ata gjithashtu e kanë Dritën e Krishtit, për të cilën foli Mormoni, dhe kanë pranuar një pjesë të ungjillit të Tij.

Prova e Besimit – Niveli Pasues

Një dëshmi çelestiale, ose lavdia e diellit, vjen kur dikush kërkon “plotësi[në] e Atit” (shih DeB 76:75–78; 93:19). Kur një njeri pagëzohet dhe është i denjë për dhuratën e Frymës së Shenjtë, ai ose ajo merr një dhurim më të madh të Dritës së Krishtit, sikurse vihet në dukje në këtë varg të Librit të Mormonit: “Në qoftë se kjo është dëshira e zemrave tuaja, çfarë keni kundër pagëzimit në emrin e Zotit, … që ai të mund të derdhë mbi ju Shpirtin e tij më me shumicë” (Mosia 18:10, theksimi i shtuar).

Presidenti Diter F. Uhtdorf na mësoi se “sa më shumë që i drejtojmë zemrën e mendjen tonë për te Perëndia, aq më shumë dritë qiellore pikon në shpirtrat tanë”6.

“Dhe ai që merr dritë e vazhdon në Perëndinë, merr më shumë dritë; dhe ajo dritë shkëlqen gjithnjë e më shumë, derisa dita është e plotë” (DeB 50:24).

Nuk është e nevojshme t’ju them se një bollëk më i madh i dritës e përmirëson shikimin tuaj – ju e dinë atë. Profeti Jozef Smith tha: “Sa më pranë t’i afrohet njeriu përsosjes, aq më të qarta janë pikëpamjet e tij dhe aq më të mëdha gëzimet e tij”7.

Me dritë më të madhe me të cilën të shohim, le ta çojmë provën drejt nivelit çelestial dhe t’i krahasojmë disa prej doktrinave që janë të veçanta për Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme me ato që gjenden diku tjetër nën dritën më të zbehtë, por në përgjithësi me qëllime të pastra:

  • Perëndia është Ati ynë dhe ne jemi krijuar në shëmbëlltyrën e Tij kundrejt Ai nuk është Ati ynë i mirëfilltë; Ai është i pakuptueshëm, i panjohshëm

  • Organizimi i Tij hyjnor me profetë e apostuj kundrejt Braktisjes së modelit të krijuar prej Tij

  • Zoti është një Perëndi e rregullit, duke qeverisur nëpërmjet atyre që mbajnë çelësat e priftërisë kundrejt Pështjellimit, zërave të tjetërllojshëm, “shpirtra[ve] të rremë” (DeB 50:2)

  • Autoriteti i priftërisë dhe të thirrur nga Perëndia kundrejt Një diplome në teologji; të zgjedhur, të punësuar ose të vetëcaktuar

  • Ordinancat dhe besëlidhjet kundrejt Thjesht të jetuarit e një jete të mirë

  • Fëmijët të pafajshëm kundrejt Pagëzimit të foshnjave

  • Libri i Mormonit, një dëshmitar i dytë kundrejt Biblës, e vetmja dëshmi

  • Puna në tempull për të vdekurit kundrejt Ndiz një qiri dhe lutu për të vdekurit

  • Martesa dhe familjet e përjetshme kundrejt Derisa vdekja të na ndajë

Është lartësuese të krahasojmë të vërtetën me të kundërtën e saj. Krahasimi ndihmon të zbulohet e dukshmja, ajo që fshihet edhe pse është mjaft e dukshme. Ne kuptojmë që dimë shumë më tepër sesa menduam që dinim. Ajo duhet të na frymëzojë të vazhdojmë të “kërko[jmë] me zell në dritën e Krishtit … dhe … të mbështete[mi] në çdo gjë të mirë” (Moroni 7:19).

“Lum Ata që Nuk Kanë Parë dhe Kanë Besuar” (Gjoni 20:29)

Tani le të shqyrtojmë një aspekt tjetër interesant të besimit dhe dëshmisë.

Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta thotë që “besimi [i vërtetë] duhet të përqendrohet te Jezu Krishti me qëllim që ta drejtojë një person drejt shpëtimit. …

[Ai] përfshin një shpresë për gjëra që nuk shihen, të cilat janë të vërteta [Hebrenjve 11:1].”8

A nuk është interesante që besimi i vërtetë te Jezu Krishti është “të besuarit pa të shikuarit”, kur bota beson të kundërtën, që “të shikuarit është të besuarit”.

Njeriu i natyrshëm e zbulon botën nëpërmjet pesë shqisave, duke kërkuar shenjat si provë. Dhe përsëri shkrimet e shenjta janë plot me shembuj të atyre njerëzve që i morën shfaqjet e pranisë dhe të fuqisë së Perëndisë nëpërmjet pesë shqisave pa e marrë një kthim durues në besim:

  • Lamani dhe Lemueli panë një engjëll (shih 1 Nefi 3:29). Ata dëgjuan zërin e Zotit që “i qortoi ata jashtëzakonisht” (1 Nefi 16:39). Ata e ndien fuqinë e Perëndisë kur Nefi e shtriu dorën e tij dhe “Zoti i tundi ata” (1 Nefi 17:54). Ata shijuan dhe mbajtën erë: “Unë do ta bëj ushqimin tuaj të bëhet i ëmbël, që ju të mos ta gatuani” (1 Nefi 17:12). Pavarësisht nga shfaqjet e shumëfishta nëpërmjet të gjitha pesë shqisave, Lamani e Lemueli ngritën krye. A ishte të shikuarit të besuar për ta?

  • Kur Moisiu i udhëhoqi fëmijët e Izraelit drejt Egjiptit, ata dëshmuan plagë, shtylla zjarri, ndarjen e Detit të Kuq; ata e shijuan mananë – përvoja me të pesta shqisat. “Dhe megjithëse ata udhëhiqeshin, Zoti Perëndia i tyre, Shëlbuesi i tyre, duke shkuar para tyre, duke i udhëhequr ata gjatë ditës dhe duke u dhënë dritë atyre gjatë natës dhe duke bërë të gjitha gjërat për ta, që ishin të përshtatshme për njeriun për t’i marrë, ata i ngurtësuan zemrat e tyre dhe i verbuan mendjet e tyre dhe thanë fjalë të rënda kundër Moisiut dhe kundër Perëndisë së vërtetë dhe të gjallë” (1 Nefi 17:30). Të shikuarit sigurisht nuk ishte të besuar për ta!

  • Ka shumë shembuj të tjerë të ngjashëm në shkrimet e shenjta, por shembulli më i habitshëm i të gjithëve është ai i të paaftëve shpirtërisht, të cilët e mohuan Shpëtimtarin në vetë praninë e Tij. “Ndonëse kishte bërë shumë shenja para tyre, ata nuk besonin në të” (Gjoni 12:37; shih edhe DeB 138:26).

Ka shumë shembuj në të kundërtën që thonë se të shikuarit është të besuar. Ata që shpresojnë për thjesht një përvojë mbresëlënëse që të ndihmojë në përcaktimin e dëshmisë së tyre, nuk e kuptojnë se dëshmia dhe dëshmimi më i madh i Shpirtit na vjen çdo ditë, në shumë mënyra të vogla, të tilla si hera e fundit kur i nënvizuat shkrimet tuaja të shenjta. Mendoni për këtë. Arsyeja që i nënvizuat shkrimet tuaja të shenjta është ngaqë e morët një mbresë, një ide, një “Ja!” Një mbresë e frymëzuar është një zbulesë.

Një tjetër shembull i zbulesës është kur ju nxiteni të jini të mirë ose të bëni një veprim të mirë, “pasi çdo gjë që ju fton të bëni mirë … është dërguar nëpërmjet fuqisë dhe dhuratës së Krishtit” (Moroni 7:16). Drita e Krishtit është gjithmonë e pranishme! Ju po e shijoni atë çdo ditë. Dhe nga këto pëshpëritje, nga këto “gjëra të vogla[,] vjen ajo që është e madhe” (DeB 64:33).

“Nëpërmjet Fuqisë së Frymës së Shenjtë, Ju Mund të Dini të Vërtetën e të Gjitha Gjërave” (Moroni 10:5)

A mund të mendoni për dikë në Librin e Mormonit që pa një engjëll dhe vërtet besoi? Ka mundësi që po mendoni për Alma të Riun. Një engjëll i ishte shfaqur atij dhe bijve të Mosias dhe “zbriti si të ishte në një re; dhe u foli si të ishte me një zë rrufeje” (Mosia 27:11). Ju e dini pjesën tjetër të tregimit – pendimin e Almës dhe më pas shërbesën.

A ishte të shikuarit të besuar për Almën? Jo! Përse? Ngaqë Alma ende duhej ta ushtronte lirinë e tij të zgjedhjes në të mësuarin me anë të studimit e besimit dhe ende nuk ishte lutur ta dinte të vërtetën. Të shikuarit nuk është një udhë e shkurtër drejt besimit ose drejt një dëshmie, sikurse provohet nga shembujt e shumtë që sapo i përmenda. Alma vetë përshkruan se si e mori dëshminë e tij dhe ai nuk e lidh atë me shfaqjen e një engjëlli. Në fakt, nuk ka asnjë përmendje të engjëllit në ndonjë vend në dëshminë e tij:

“Dhe kjo nuk është gjithçka. A nuk mendoni se këto gjëra i di edhe unë vetë? Vini re, unë ju dëshmoj se e di që këto gjëra, për të cilat unë kam folur, janë të vërteta. Dhe si mendoni që unë di për sigurinë e tyre?

Vini re, unë po ju them se ato m’u bënë të njohura nga Shpirti i Shenjtë i Perëndisë. [Drita.] Vini re, unë kam agjëruar dhe jam lutur për shumë ditë, që t’i di këto gjëra vetë. Dhe tani, unë vetë e di se ato janë të vërteta; pasi Zoti Perëndi m’i ka njoftuar nëpërmjet Shpirtit të tij të Shenjtë; dhe ky është shpirti i zbulesës që është tek unë” (Alma 5:45–46; theksimi i shtuar).

Një “thirrje për t’u zgjuar” ose një ndryshim afatshkurtër në sjellje mund të vijnë nga jashtë brenda, nëpërmjet të pesë shqisave, por ato e kanë jetën të shkurtër, sikurse me Lamanin dhe Lemuelin. Një dëshmi duruese mund të vijë vetëm nga brenda jashtë, kur dikush mëson me anë të studimit e besimit, me Frymën e Shenjtë duke e mbjellë ungjillin “në mendjen e tyre dhe [duke e] shkrua[r] mbi zemrën e tyre” (Jeremia 31:33). Kjo është arsyeja përse nefitët, të cilët pavarësisht se e kishin parë, dëgjuar dhe ndier Shpëtimtarin në kohën e vizitës tek ata, si edhe e kishin shijuar dhe mbajtur erë bukën që Ai ua siguroi në mënyrë të mrekullueshme (shih 3 Nefi 20:3–9), megjithëkëtë, u “lutën për atë gjë që dëshironin më shumë; dhe ata dëshironin që t’u jepej Fryma e Shenjtë” (3 Nefi 19:9).

Shumë vite më parë, historia vijuese m’u tregua nga një misionar i moshuar. I ndodhi atij kur ishte i ri në vitet 1960 dhe gjithashtu ilustron se është vetëm nëpërmjet studimit e lutjes që Fryma e Shenjtë na jep një dëshmi për të vërtetën. Ai tha:

“Po jetoja i vetëm në Provo të Jutas, në një apartament të vogël pranë qendrës së qytetit. Punoja si shitës në një dyqan të vogël mobiliesh në Provo dhe ishte në fundjavën e gjatë përreth festës së Vitit të Ri që ndodhi kjo ngjarje.

Patëm një pushim të gjatë në fundjavë. Ishte e enjte, 31 dhjetor, pragu i Vitit të Ri. Na ishte dhënë pushim nga puna nga e enjtja deri në të dielën dhe unë isha në apartamentin tim pa ndonjë plan festimi. Po përgatitja darkën time, duke e pritur të piqej, dhe dëshiroja që të lexoja diçka. Ngaqë nuk kisha diçka në apartament, shkova te dera pranë që t’u kërkoja disa të rinjve që jetonin atje (studentë të UBJ-së) nëse kishin diçka – duke shpresuar për një kopje të revistës Field & Stream [Fusha dhe Rrëkeja] ose diçka tjetër të asaj natyre. Ata thanë se nuk kishin ndonjë revistë, por vërtet kishin një libër që mund të doja ta lexoja. Ata më dhanë një kopje të Librit të Mormonit.

Edhe pse kisha dëgjuar për Kishën Mormone (kush nuk ka dëgjuar në Juta?), nuk dija gjë për librin. I falënderova dhe e mora në apartamentin tim. Gjatë darkës, kalova përmes faqeve dhe fillova të lexoja. E pranoj se iu hodha me të shpejtë një sy disa pjesëve, duke u përpjekur të zbuloja fabulën. Pati emra dhe vende që nuk i kisha dëgjuar kurrë më parë dhe thjesht nuk mund të kisha ndonjë interes për të. Kështu, pas darkës, ua çova librin dhe e ktheva atë me një ‘jo, faleminderit’.

‘A u lute për të?’ më pyeti një i ri. ‘A u luta për të?’ u përgjigja. ‘Doja thjesht diçka për ta lexuar, jo diçka për të cilën më duhej të lutesha.’ Kjo filloi një bashkëbisedim tepër interesant rreth përmbajtjes së Librit të Mormonit. Më treguan se ishte një libër i shkrimeve të shenjta, një libër që, në qoftë se fillimisht do të lutesha rreth tij dhe më pas e lexoja me një dëshirë të vërtetë për ta ditur nëse ishte i vërtetë apo jo, atëherë Perëndia do të ma zbulonte të vërtetën e tij me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë.

Isha rritur si katolik dhe mendova se nuk isha aktiv në atë kohë, mbahesha ndaj anëtarësisë sime në Kishën Katolike me një të mbërthyer të fortë ngaqë ajo ishte gjithçka që kisha njohur ndonjëherë. E vetmja lutje që kisha bërë ndonjëherë ishte Lutja e Zotit, Lutja ndaj Maries dhe leximin e mesharit tim – diçka që nuk e kisha bërë për shumë, shumë kohë. Dhe tani disa të rinj po më kërkonin t’i lutesha një Perëndie që nuk e njihja me të vërtetë dhe t’i kërkoja Atij të më tregonte nëse libri ishte i vërtetë apo jo. Pra, ç’të keqe kishte, s’kisha ndonjë gjë tjetër për të bërë dhe do të ishte një fundjavë shumë e gjatë. E mora librin në shtëpi, hapa një shishe birre, ndeza një cigare dhe rashë në gjunjë e i kërkova Perëndisë të më tregonte nëse ky libër ishte i vërtetë. Më pas fillova të lexoja: ‘Unë, Nefi, duke qenë i lindur nga prindër të mirë’.

Emrat dhe vendet ishin të njëjta me ato që i kisha lexuar vetëm pak orë më parë. I vetmi ndryshim këtë herë ishte një ‘pezullim i mosbesimit’ që më kishte pushtuar në mënyrë të magjishme. Isha futur vërtet brenda në libër! Mund ta shihja Nefin; mund t’i shihja vëllezërit e tij dhe u zemërova që po e keqtrajtonin atë. E pëlqeja Nefin! Gëzohesha për burrat e mirë dhe ndieja keqardhje për burrat e ligj. Lexova për orë dhe nuk mund ta hiqja librin nga dora. Kur më së fundi e pashë orën, ishte gati ora pesë e mëngjesit. I urova vetes Gëzuar Vitin e Ri dhe shkova të fle.

Më doli gjumi rreth orës 8:30 dhe vetvetiu zgjata dorën për këtë libër. Dhe kjo është mënyra se si kaloi pjesa tjetër e fundjavës. Sikurse Vëllai Parli P. Prat, mendimi për ushqim ishte një bezdi, nuk doja që asgjë të më shqetësonte. E hoqa kabllon e telefonit dhe lexova gjithë ditën, me vetëm ndërprerje të rastësishme për pak ushqim të shpejtë. Si natën e parë, më së fundi do ta kuptoja se ishte pothuajse në mëngjes, do të flija pak orë, do ta merrja librin dhe do të vazhdoja me maratonën që ia kisha detyruar vetes. Më së fundi, rreth orës pesë të së hënës në mëngjes, e mbarova librin dhe rashë në gjumë – i dërrmuar.

Pikërisht përpara krishtlindjes atë vit, kisha shitur një punë të madhe shtrimi të tapetit në zonën e qytetit Amerikan-Fork. Ishte një lloj i veçantë i tapetit dhe pronari im dëshironte që unë të mbikëqyrja shtruesit e tapetit. Pronari im ishte një peshkop i mëparshëm në zonën e Provos dhe më kishte folur rreth Kishës në disa raste, por nuk doja të dëgjoja aspak për të. Ai ishte një pronar i mirë, por askush nuk donte ta trazonte atë ngaqë ishte gjaknxehtë. Ishte në këtë të hënë në mëngjes, në orën tetë, që do të mbikëqyrja shtrimin e tapetit. Koha e caktuar erdhi dhe unë nuk u shfaqa; ora nëntë, më pas dhjetë.

Më së fundi, rreth orës 10:30, pronari im, i tërbuar nga inati, erdhi në apartamentin tim, u fut në derë gati për të ma këputur kokën, pa se isha i shtrirë në divan me Librin e Mormonit të vendosur mbi kraharorin tim dhe e ndryshoi mendjen. Me qetësi e mbylli derën dhe u kthye në dyqan, me vetëbesim se mund ta mbikëqyrte punën e shtruesve të tapetit. Vetëm pas orës njëmbëdhjetë e tridhjetë u zgjova (pa ditur për vizitën e pronarit tim), e pashë orën dhe për herën e dytë në një kohë relativisht të shkurtër thashë një lutje tjetër. U vesha me të shpejtë (duke besuar se kur të arrija atje, unë ndoshta nuk do të kisha më një vend pune), hipa në makinën time dhe me shpejtësi shkova tek vendi i punës.

E pashë pronarin tim atje dhe shkova tek ai që të kërkoja falje. Ai u kthye; një buzëqeshje i erdhi në fytyrë dhe pyeti: ‘A të pëlqeu libri?’ Duke e kuptuar atë që mund të kishte ndodhur, mendja ime u kthye te fundjava e kaluar dhe përmes syve të mbushur me lot, thashë të vetmen gjë që mund të kisha thënë: ‘Libri është i vërtetë. Libri i Mormonit është fjala e Perëndisë.’ Më pas fillova të qaj dhe ai erdhi e më përqafoi në krahët e tij dhe më mbajti. Unë u pagëzova si anëtar i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme më 22 janar të vitit 1965.”

U takova me këtë vëlla të mirë shumë dekada pas kthimit të tij në besim, ndërkohë që ai dhe bashkëshortja e tij po shërbenin në një mision te qendra e vizitorëve e Batalionit Mormon në San-Diego. Arsyeja përse më pëlqen kjo histori kaq shumë është dallimi në dy përpjekjet e tij për ta lexuar Librin e Mormonit. Herën e parë që ai filloi të lexonte, ishte pa një qëllim të vërtetë dhe pa lutje. Në përpjekjen e dytë, me dëshirë e lutje, ajo ishte një përvojë tërësisht e ndryshme.

Ka vetëm një mënyrë për ta ditur nëse Libri i Mormonit dhe ungjilli janë të vërtetë dhe ajo kërkon më shumë sesa kureshtjen dhe më shumë se pesë shqisat. Kërkon një përdorim të sinqertë të lirisë së zgjedhjes së dikujt dhe të vepruarin mbi atë dëshirë për të ditur:

“Dhe kur ju t’i merrni këto gjëra, unë do t’ju këshilloja që të pyesni Perëndinë, Atin e Amshuar, në emrin e Krishtit, në qoftë se këto gjëra nuk janë të vërteta; dhe në qoftë se ju do të kërkoni me një zemër të sinqertë, me qëllim të vërtetë duke pasur besim në Krisht[in], ai do t’ju tregojë të vërtetën, nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë.

Dhe nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë, ju mund të dini të vërtetën e të gjitha gjërave” (Moroni 10:4–5).

Ai premtim nuk përfshin shprehje si “Ai mund” ose “ndoshta” apo “mbase”. Premtimi është: “Ai do t’ju tregojë të vërtetën, nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë”.

Një tjetër parim domethënës që e zbulojmë në këtë histori, është që ju nuk duhet ta lexoni të gjithë Librin e Mormonit përpara se të mund të vijë një dëshmim. Për burrin në këtë histori, ai e shijoi dritën në faqen një. Ai nuk kishte nevojë të hante të gjithë picën përpara se ta dinte nëse ishte e shijshme. Për të tjerët, mund të jetë më shumë se një shije e fituar, ndërkohë që drita bëhet më e shijshme me kalimin e kohës. Ajo duket se është çfarë po thotë Alma në këtë varg. “Po fillon të ndriçojë kuptimin tim, po, po fillon të jetë e këndshme për mua” (Alma 32:28).

Dëshmia Juaj Është më e Fortë se sa Ju Mendoni që Është

Kur filluam ju kërkova ta vlerësoni dëshminë tuaj në spektrin e besimit. Shpresoj se keni zbuluar që dëshmia juaj është më e përparuar se sa e përfytyronit. Me Frymën e Shenjtë si mësuesin tuaj, ju keni qenë duke fituar një njohuri të përsosur për shumë fryte të ungjillit dhe fryt pas fryti, rresht pas rreshti, dëshmia juaj është duke u rritur gjithnjë e më e fortë nga dita në ditë.

Pamja
Slide from a Powerpoint presentation given by Elder Lynn G. Robbins for May 3, 2015 CES Devotional.

Sa më shumë që dikush mëson dhe e jeton ungjillin, aq më shumë dritë marrin ata dhe po aq më shumë plani i Atit bëhet ungjilli i të menduarit praktik. Ne mësojmë nga vetë përvoja jonë se fryti i pemës së jetës është, me të vërtetë, i çmuar dhe “më i ëmbël se gjithçka që kish[im] shijuar ndonjëherë më parë” dhe se ai i mbush shpirtrat tanë “me gëzim jashtëzakonisht të madh” (1 Nefi 8:11–12). Ne rritemi duke e dashur atë për shkak të bekimeve, gëzimit dhe kontrollit që na jep mbi rezultatet pozitive në jetën tonë dhe shpresën e lumturisë së pafundme si familje të përjetshme.

Jap dëshminë time se unë e di, dhe e di që unë e di, nëpërmjet Frymës së Shenjtë, që Libri i Mormonit është i vërtetë; ai është fjala e Perëndisë. Është i ëmbël dhe i çmueshëm për t’u shijuar. E dua dhe kënaqem me shijen e tij. Jap dëshminë time që Jezu Krishti është Biri i Perëndisë dhe se Ai u kryqëzua dhe vuajti për mëkatet e botës. Ai është Shpëtimtari ynë dhe vazhdon ta drejtojë e udhërrëfejë Kishën dhe mbretërinë e Tij këtu në tokë nëpërmjet profetëve dhe apostujve të gjallë. Unë jap dëshmi për emrin e Tij dhe për këto të vërteta të shenjta, në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Shih David A. Bednar, “Seek Learning By Faith”, Ensign, shtator 2007, f. 60–68.

  2. Shih Wordsense.eu Dictionary, “conscientia”, www.wordsense.eu/conscientia/.

  3. Fjalë e urtë afrikane.

  4. Joseph Smith, në History of the Church, 6:428.

  5. Brigham Young, Discourses of Brigham Young, përzgj. John A. Widtsoe [1954], f. 433.

  6. Diter F. Uhtdorf, “Marrja e një Dëshmie për Dritën dhe të Vërtetën”, Ensign ose Liahona, nëntor 2014, f. 22.

  7. Joseph Smith, në History of the Church, 2:8.

  8. Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Besim”, f. 15–17, ose scriptures.lds.org.