Takime Shpirtërore Mbarëbotërore
Cili është Projekti i Kishës së Krishtit?


Cili është Projekti i Kishës së Krishtit?

Takimi Shpirtëror i SAK-ut për Të Rinjtë në Moshë Madhore • 12 Janar 2014 • Universiteti “Brigam Jang”

Është kënaqësi ta kalosh këtë mbrëmje me ata që janë udhëheqës dhe prindër të ardhshëm në këtë Kishë. Për shkak të kësaj, unë besoj se e ardhmja e kësaj Kishe është e sigurt dhe e shndritshme. Prandaj, do të doja të flisja rreth Kishës mbi të cilën do të kryesoni një ditë.

Në seksionin e parë të Doktrinës e Besëlidhjeve, Zoti bën këtë deklaratë të guximshme dhe domethënëse: “[Kjo është e] vetm[ja] kishë [e] vërtetë dhe [e] gjallë mbi faqen e tërë dheut” (DeB 1:30). Çfarë do të thotë kjo? Kjo nuk do të thotë që kishat e tjera nuk kanë disa të vërteta, sepse sigurisht që ato i kanë disa të vërteta. Nuk do të thotë që kishat e tjera nuk bëjnë mirë, sepse ato bëjnë shumë të mira. Ajo që do të thotë, është se kjo është e vetmja kishë që ka gjithë të vërtetën që është zbuluar deri më tani në këtë periudhë ungjillore - e vetmja kishë që ka ordinancat e nevojshme për ekzaltim dhe e vetmja kishë që ka priftërinë e Perëndisë për t’i kryer ato ordinanca me vlefshmëri hyjnore. Çfarë faktesh kemi ne për këtë pohim?

Disa vite më parë bashkëshortes sime dhe mua na nevojitej një shtëpi më e madhe për familjen tonë që po rritej, kështu që gjetëm një copë tokë në të cilën të ndërtonim. Ne shpenzuam ca kohë duke punuar mbi një projekt që do t’i përshtatej më së miri nevojave të familjes sonë. Ime shoqe skicoi një derë rrëshqitëse midis dhomës familjare dhe asaj të ndenjjes, që mund të hapej për familjen e madhe dhe veprimtaritë e të rinjve. Me pak hapësirë shtesë mbi garazhin, ne skicuam një dhomë ku fëmijët tanë mund të angazhoheshin në veprimtari të shëndetshme. Prapa garazhit u ndërtua një dhomë e vogël për të lejuar ruajtjen e ushqimit dhe gjërave të tjera. Këto dhe elemente të tjera skicimi u ndërthurën në një projekt. Më pas shtëpia u ndërtua sipas këtyre planeve.

Ndërsa shtëpia po ndërtohej, herë pas here i parashtronim ndërtuesit një urdhër ndryshimi që e rishikonte projektin. Kur shtëpia u përfundua më së fundi, ishte në përputhje të plotë me projektin tonë të rishikuar herë pas here. Nëse e merrni projektin tonë dhe e krahasoni atë me çfarëdo shtëpie në botë, sa shtëpi do t’i ngjasonin plotësisht? Vetëm një - shtëpia jonë. O, mund të ketë ngjashmëri rastësore atje-këtu - një dhomë me të njëjtën përmasë, disa dritare të ngjashme - por themel për themel, dhomë për dhomë dhe çati për çati, do të kishte vetëm një shtëpi që do të përkonte plotësisht me projektin - shtëpia jonë.

Në një mënyrë të ngjashme, Krishti ndërtoi një shtëpi për t’ju përshtatur më së miri nevojave shpirtërore të fëmijëve të Tij. Ajo quhet Kisha e Tij. Projekti shpirtëror për këtë Kishë mund të gjendet në Dhiatën e Re. Shpëtimtari, herë pas here, bëri një “urdhër ndryshimi” në projekt. Një urdhër i tillë ndryshimi erdhi në formën e një zbulese. Për shembull, Shpëtimtari fillimisht i urdhëroi Apostujt e Tij të predikonin ungjillin në shtëpinë e Izraelit, por jo te johebrenjtë (shih Mateu 10:5–6). Megjithatë, pas Ngjitjes në Qiell të Shpëtimtarit, Ai i dha Pjetrit një urdhër ndryshimi shpirtëror - një zbulesë me anë të një vegimi - që ungjilli tani duhej t’u jepej mësim edhe johebrenjve (shih Veprat e Apostujve 10). Kjo përvojë e Pjetrit dha mësim të paktën dy parime të rëndësishme qeverisjeje në Kishën e Krishtit: një, projekti mund të ndryshohej, por vetëm me anë të zbulesës nga Krishti, dhe dy, një zbulesë e tillë do t’i vinte profetit që ishte zëdhënësi i Perëndisë në tokë. Me fjalë të tjera, Kisha e Perëndisë do të qeverisej me anë të zbulesës hyjnore dhe sipas rendit.

Nëse dikush do të dëshironte të zbulonte Kishën e Krishtit sot, ai do të donte që ta krahasonte projektin shpirtëror që gjendet në Dhiatën e Re, me secilën kishë të krishterë në botë, derisa të zbulonte një kishë që përputhet me projektin - organizim për organizim, mësim për mësim, ordinancë për ordinancë, fryt për fryt dhe zbulesë për zbulesë. Gjatë bërjes së kësaj, ai do të mund të zbulonte disa kisha që kanë disa ngjashmëri - një apo dy mësime që përkojnë me njëri-tjetrin, një ordinancë që është e njëjtë, disa detyra që mbartin emra të ngjashëm - por ai do të zbulojë vetëm një kishë, Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, që përkon me projektin në çdo aspekt material. Tani, do të doja ta vija në provë këtë pohim.

Le t’i kthehemi faqes së parë të projektit dhe të zbulojmë se cili qe “Organizimi” i Kishës së Krishtit, siç zbulohet aty.

Së pari, Kisha e Krishtit u themelua mbi apostujt dhe profetët. Kur Pali po u shkruante disa anëtarëve të rinj të Kishës, ai tha se ata tani po “ndërt[onin] mbi themelin e apostujve dhe të profetëve, duke qënë Jezu Krishti vetë guri i qoshes” (Efesianëve 2:20; kursivet e shtuara).

Apostujt e kuptuan nevojën jetësore për ta mbajtur të pacenuar Kuorumin e Dymbëdhjetë Apostujve. Kur njëri Apostull, si Juda, vdiq dhe një pjesë e themelit u “ciflos”, 11 Apostujt e tjerë u mblodhën bashkërisht dhe zgjodhën një pasues, në mënyrë që themeli të ishte sërish i plotë (shih Veprat e Apostujve 1:22–25).

Ky model nxori në pah rëndësinë e ruajtjes së një kuorumi të dymbëdhjetë Apostujve. Kaq të rëndësishëm qenë këta Apostuj për mirëqenien e Kishës saqë Pali shpalli se sa kohë do të kishim nevojë për ta: “Derisa të arrijmë të gjithë te uniteti i besimit” (Efesianëve 4:13). Dhe më pas shpjegoi arsyen përse: Që të mos jemi “të transportuar nga çdo erë doktrineje” (Efesianëve 4:14). Prandaj, Apostujt qenë vendimtarë në mbajtjen e doktrinës të pastër.

Supozoni për një çast sikur unë do t’i tregoja një histori dikujt në fund të rreshtit përballë meje, dhe më pas ai t’ia tregonte atë personit ngjitur me të, dhe kështu me radhë derisa historia t’i tregohej secilit deri në rreshtin e fundit. Çfarë do të ndodhte me atë histori? Ajo do të ndryshonte. Ajo gjithnjë ndryshon; kjo është natyra njerëzore. E njëjta gjë qe me doktrinën e dhënë mësim nga Apostujt, kur udhëtuan në qyteza dhe fshatra të ndryshëm. Ndërsa doktrina shkoi nga një person te tjetri, ajo filloi të ndryshonte. Për sa kohë që ishin Apostuj, ata mund ta korrigjonin doktrinën nëpërmjet letrave apo predikimeve vetjake. Por kur Apostujt u larguan nga kjo jetë, nuk kishte më një sistem kontrolli dhe baraspeshimi, nuk kishte më ndonjë ndikim korrigjues dhe shpejt doktrinat u shtrembëruan ose humbën.

Për këtë arsye dhe arsye të tjera, projekti zbulon se apostujt dhe profetët përbënin themelin e Kishës së Krishtit. A dini ndonjë urdhër ndryshimi në Dhiatën e Re, ndonjë zbulesë që korrigjoi projektin dhe shpall se apostujt nuk nevojiten më? Unë nuk di. Nëse është kështu, atëherë Kisha e vërtetë e Krishtit sot duhet të ketë apostuj dhe profetë si themel të saj.

Për të ndihmuar Shpëtimtarin dhe Apostujt e Tij në predikimin e ungjillit në botë, Shpëtimtari zgjodhi burra të tjerë, të quajtur Të Shtatëdhjetë, për të përgatitur udhën. Ne lexojmë për këta Të Shtatëdhjetë te Lluka, kapitulli 10. A njihni ndonjë kishë sot që përkon me këtë projekt - që ka detyrën e Të Shtatëdhjetëve?

Projekti i Dhiatës së Re zbulon drejtues të tjerë që përbënin pjesë të organizimit të Kishës së Krishtit: peshkopë (shih 1 Timoteut 3; Titit 1:7), pleq (shih Veprat e Apostujve 14:23; Titit 1:5), dhjakë (shih Filipianëve 1:1), ungjilltarë (shih Efesianëve 4:11), që do të thotë patriarkë1; dhe barinj (shih Efesianëve 4:11), që do të thotë burra të tillë si peshkopë dhe presidentë kunji që kryesojnë mbi një tufë.2

Neni i gjashtë i besimit të Kishës i referohet këtij projekti: “Ne besojmë në të njëjtin organizim që ekzistonte në Kishën Primitive, domethënë, apostuj, profetë, barinj, mësues, ungjilltarë e kështu me radhë” (Nenet e Besimit 1:6; kursivet e shtuara). Me fjalë të tjera, ne besojmë se Kisha e tanishme e Jezu Krishtit duhet të ketë të njëjtin organizim siç ekzistonte në Kishën e hershme të Krishtit, që i nënshtrohet vetëm ndryshimeve me anë të zbulesës. Si rrjedhojë, secila prej këtyre detyrave ekziston në Kishën tonë sot.

Si u zgjodhën Apostujt e Krishtit dhe drejtuesit e tjerë? A shkoi Shpëtimtari në shkollat më të mira teologjike të kohës dhe përzgjodhi studentët me nota më të larta? Ai nuk e bëri këtë. Përkundrazi, projekti na tregon se Ai zgjodhi Pjetrin, një peshkatar, dhe Mateun, një taksambledhës, dhe më vonë Palin, një bërës çadrash. Secili u zgjodh nga popullata e përgjithshme - në thelb, ishte një shërbesë me njerëz jo profesionistë. Sot Kisha ka një kuorum prej dymbëdhjetë Apostujsh, të cilët gjithashtu zgjidhen nga anëtarësia e përgjithshme e Kishës. Njëri mund të jetë mësues, një tjetër inxhinier, një tjetër noter dhe kështu me radhë.

A konkurruan për shërbesë Apostujt e Krishtit dhe drejtuesit e tjerë? Ata nuk konkurruan. Projekti na tregon se si i përzgjodhi Krishti drejtuesit e Tij: “Nuk më keni zgjedhur ju mua, por unë ju kam zgjedhur juve dhe ju caktova” (Gjoni 15:16; kursivet e shtuara). Kur Krishti shuguroi Apostujt e Tij, çfarë u dha Ai atyre? Mateu dhe Lluka shënuan përgjigjen: “U dha autoritet” (Mateu 10:1; shih edhe Lluka 9:1) - fuqinë e priftërisë për të vepruar në emrin e Tij dhe për të bërë punën e Tij. Kjo është arsyeja pse projekti na tregon “një njeri … u [dha] autoritet shërbëtorëve të tij” (Marku 13:34). Përse? Në mënyrë që ata të mund të vepronin në emrin e Tij me miratimin e Tij. Çdo burrë që mban priftërinë e Perëndisë në këtë Kishë sot, mund ta gjurmojë autoritetin e tij të priftërisë deri te Jezu Krishti, burimi i gjithë autoritetit dhe fuqisë, në mënyrë që ai, gjithashtu, të ketë të drejtën e miratimit të Krishtit - vulën e Tij të aprovimit - siç kërkohet nga projekti.

Cili ishte emri i kishës së organizuar nga Krishti? Nëse jemi pagëzuar në emrin e Krishtit, nëse lutemi në emrin e Krishtit, nëse shpëtohemi në emrin e Krishtit dhe nëse Ai është themeluesi dhe guri i qoshes të Kishës së Tij, cili prisni që të jetë emri i Kishës së Tij? Kisha e Jezu Krishtit. Shpëtimtari, kur po u fliste njerëzve në kohët e Librit të Mormonit, u dha mësim parimin themelor të arsyes përse Kisha duhej të mbante emrin e Tij: “Dhe si do të ishte kisha ime nëse nuk do të quhej me emrin tim? Pasi, në qoftë se një kishë quhet me emrin e Moisiut, atëherë do të jetë kisha e Moisiut; ose në qoftë se quhet me emrin e një njeriu, atëherë do të jetë kisha e një njeriu; por në qoftë se quhet me emrin tim, atëherë është kisha ime, në qoftë se ata janë ndërtuar mbi ungjillin tim” (3 Nefi 27:8; kursivet e shtuara).

Është për këtë arsye që Pali i qortoi disa nga anëtarët e hershëm të Kishës - sepse ata e quanin veten sipas dishepujve të caktuar, në vend që ta quanin veten sipas emrit të Krishtit. Prandaj, Pali shkroi:

“Dhe dua të them këtë, që secili nga ju thotë: ‘Unë jam i Palit’, ‘unë i Apolit’, ‘unë i Kefës’ dhe ‘unë i Krishtit’.

Vallë i ndarë qenka Krishti? Mos Pali u kryqëzua për ju? Apo ju u pagëzuat në emër të Palit?” (1 Korintasve 1:12–13).

Me fjalë të tjera, ne nuk marrim mbi vete ndonjë emër tjetër përveç atij të Jezu Krishtit.

Prandaj, projekti na mëson se Kisha e Krishtit duhet të mbajë emrin e Tij. Gjithmonë më është dukur e çuditshme që Reformimi ka ekzistuar për më shumë se 300 vjet përpara kohës së Jozef Smithit dhe askush nuk mendoi ta quante kishën e vet me emrin e Jezu Krishtit. Sigurisht, që nga koha e Jozef Smithit, të tjerë e kanë ndjekur procesin, por në një mënyrë të mahnitshme Zoti e ruajti përdorimin e emrit të Tij deri në kohën e Jozef Smithit dhe Rivendosjes së Kishës së Krishtit.

Tani, le t’i kthehemi faqes së dytë të projektit. Cilat qenë “Mësimet” e Kishës së Krishtit? Le të shqyrtojmë disa:

A është Perëndia vetëm një shpirt, ose a ka edhe Ai një trup prej mishi e kockash? Çfarë na mëson projekti?

Pas Ringjalljes së Krishtit, Ai iu shfaq dishepujve të Tij, që gabimisht menduan se Ai ishte një frymë (shih Lluka 24:37). Për të korrigjuar përshtypjen e tyre të gabuar, Ai tha: “Shikoni duart e mia dhe këmbët e mia, sepse unë jam. Më prekni dhe shikoni, sepse një frymë nuk ka mish e eshtra, si po shihni se unë kam” (Lluka 24:39; kursivet e shtuara).

Për të përjashtuar çfarëdo dyshimi për natyrën fizike të trupit të Tij të ringjallur, Ai i pyeti dishepujt e Tij: “A keni këtu diçka për të ngrënë?” (Lluka 24:41). Më pas shkrimi i shenjtë shënon:

“Dhe ata i dhanë një pjesë peshku të pjekur dhe një huall mjalti.

Dhe ai i mori dhe hëngri para tyre” (Lluka 24:42–43).

Me atë trup të përlëvduar e të ringjallur prej mishi e kockash, Krishti u ngjit në qiell (shih Veprat e Apostujve 1:9),3 ku u ul në të djathtë të Perëndisë, Atit, dhe është, sikurse e shpall shkrimi i shenjtë, “vula e qenies së tij” (Hebrenjve 1:3). Kjo është e vërteta e përpiktë e dhënë mësim nga Jozef Smithi si pjesë e Rivendosjes së Kishës së Krishtit: “Ati ka një trup prej mishi e kockash, po aq të prekshëm sa edhe të një njeriu; Biri gjithashtu” (DeB 130:22).

A janë Perëndia dhe Jezusi të njëjtat Qenie, siç jepet mësim nga shumica e botës së krishterë, apo janë dy Qenie të veçuara? Çfarë thotë projekti?

Numri i referencave në Bibël për identitetin e veçuar dhe rolet e veçuara të Atit e të Birit është mahnitës. Në Kopshtin e Gjetsemanit, duke njohur dhembjen torturuese që do të përjetonte, Shpëtimtari shpalli: “Mos u bëftë vullneti im, por yti” (Lluka 22:42). Kjo është vepra më e madhe e nënshtrimit që bota ka njohur ndonjëherë. Por çfarë nënshtrimi do të ishte nëse nuk do të kishte një Qenie tjetër ndaj të cilit Ai mund të nënshtrohej - nëse Ai dhe Ati qenë një dhe e njëjta Qenie? Përse Shpëtimtari iu lut Atit ose thirri në lot: “Perëndia im, Perëndia im, përse më ke braktisur?” (Marku 15:34). Si mund të braktisej Ai nëse nuk kishte një Qenie të veçuar për ta braktisur Atë? Si e pa Stefani Jezusin të qëndronte në këmbë në të djathtën e Perëndisë nëse Ata nuk janë dy persona (shih Veprat e Apostujve 7:55–56)?

Kur Jozef Smithi doli nga korija e pemëve, ai vetë kishte mësuar të vërtetën. Ai kishte parë Perëndinë, Atin, dhe Birin e Tij, Jezu Krishtin, duke qëndruar krah për krah; ai kishte dëgjuar Atin ta quante tjetrin si “Biri[n e Tij të] Dashur” (Joseph Smith - Historia 1:17). Në atë ditë të lavdishme, qiejt thyen mitet e së kaluarës të krijuara nga njeriu për natyrën e Perëndisë dhe zbuluan e pohuan të vërtetën e thjeshtë siç u dha mësim fillimisht në projekt: se Perëndia, Ati, dhe Biri i Tij, Jezu Krishti, kanë unitet qëllimesh dhe vullneti por identitet të veçuar.

Çfarë thotë projekti për ata që kurrë nuk patën rast të mirë për të dëgjuar ungjillin e Jezu Krishtit ndërsa qenë në tokë? A janë ata të dënuar? A jemi ne pa njohurinë e zbuluar për gjendjen e tyre shpirtërore?

Kjo është një pyetje domethënëse që prek miliona jetë njerëzish. Sigurisht që Perëndia ka folur mbi këtë çështje. Dhe në të vërtetë, Ai ka folur. Projekti e përmban përgjigjen.

Pjetri shkroi: “Për këtë në fakt, ungjilli u është predikuar edhe të vdekurve, që ata të gjykohen në mish sipas njerëzve, por të jetojnë në frymë sipas Perëndisë” (1 Pjetër 4:6). Kjo doktrinë humbi me braktisjen, pas vdekjes së Apostujve të Krishtit, por u rivendos nëpërmjet Profetit Jozef Smith.

A ka tre qiej apo një qiell? Për vite bota e krishterë ka dhënë mësim se ka një qiell dhe një ferr, por çfarë jep mësim projekti origjinal?

Pali dha mësim: “Tjetër është lavdia e diellit dhe tjetër lavdia e hënës dhe tjetër lavdia e yjeve” (1 Korintasve 15:41). Pali më pas pohoi të vërtetën e këtij qielli të përbërë nga tri shkallë kur tregoi vegimin e një njeriu që “u rrëmbye gjer në të tretin qiell” (2 Korintasve 12:2). A do të kishte një qiell të tretë po të mos kishte qiell të dytë apo qiell të parë? Sërish, kjo doktrinë e rivendosur nëpërmjet Profetit Jozef Smith është në përputhje të plotë me projektin origjinal.

A vazhdon martesa për përjetësinë apo mbaron me vdekjen? Çfarë thotë projekti?

Sipas fuqisë së dhënë Apostujve që çfarëdo gjërash që ata do të kishin lidhur mbi tokë, do të ishin lidhur në qiell (shih Mateu 18:18), Pali shpalli: “Gjithsesi në Zotin as burri s’është pa gruan, as gruaja pa burrin” (1 Korintasve 11:11), që do të thotë se idealja është që burri dhe gruaja të lidhen së bashku përgjithmonë në prani të Perëndisë. Pjetri e pohoi këtë të vërtetë. Duke iu referuar bashkëshortëve dhe bashkëshorteve, ai shpalli se ata duhet të jenë “bashkëtrashëgimtar[ë së bashku] të hirit të jetës” (1 Pjetër 3:7) - jo të ndarë, jo veçmas, por duke ecur bashkë në shteg si trashëgimtarë të jetës së përjetshme. Kjo është doktrina e dhënë mësim në projekt, dhe kjo është doktrina e dhënë mësim në Kishën e Krishtit sot.

Në faqen e tretë të projektit lexojmë: “Ordinancat në Kishën e Krishtit”. Projekti është shumë i posaçëm në këtë drejtim. Për shembull, a i bekojmë apo i pagëzojmë foshnjat dhe fëmijët e vegjël? Çfarë jep mësim projekti?

Shpëtimtari dha shembullin e qartë për ne. Duke folur për fëmijët e vegjël, shkrimi i shenjtë thotë: “Dhe, si [Jezusi] i mori në krahë, i bekoi duke vënë duart mbi ta” (Marku 10:16; kursivet e shtuara). Mateu pohoi, lidhur me fëmijët e vegjël, Shpëtimtari “vuri duart mbi ata” (Mateu 19:15). Projekti na mëson se foshnjat dhe fëmijët e vegjël bekohen, nuk pagëzohen. Në fakt, nuk ka asnjë tregim pagëzimi të një foshnjeje që ndodh gjëkundi në të gjithë Dhiatën e Re. Përse? Sepse nuk ishte një ordinancë në Kishën e Krishtit. Dikush që po kërkon Kishën e Krishtit sot, do të kërkonte për një kishë që i bekon foshnjat, jo që i pagëzon.

A është pagëzimi thelbësor për shpëtimin? Çfarë jep mësim projekti?

Pasi Krishti dha shembullin duke u pagëzuar vetë, Ai shpalli në terma të qartë: “Kush nuk ka lindur nga uji dhe nga Fryma, nuk mund të hyjë në mbretërinë e Perëndisë” (Gjoni 3:5; kursivet e shtuara). Pjetri dha mësim në mënyrë të ngjashme: “Pendohuni dhe secili nga ju le të pagëzohet në emër të Jezu Krishtit për faljen e mëkateve, dhe ju do të merrni dhuratën e Frymës së Shenjtë” (Veprat e Apostujve 2:38; kursivet e shtuara). Ajo që jepet mësim në projekt është pikërisht ajo që jepet mësim në Kishën e Krishtit sot.

A duhet të bëhet pagëzimi me anë të spërkatjes me ujë, derdhjes së ujit apo zhytjes në ujë? Projekti jep të paktën katër fakte që pagëzimi duhet të bëhet me anë të zhytjes në ujë:

Së pari, Shpëtimtari, Shembulli ynë i madh, “doli nga uji” (Mateu 3:16), duke treguar se Ai fillimisht duhet të jetë futur në ujë.

Së dyti, Gjon Pagëzori “pagëzonte në Enon, afër Salimit, sepse aty kishte shumë ujë” (Gjoni 3:23; kursivet e shtuara). Përse do të udhëtonte ai tek një vend me “shumë ujë” nëse spërkatja ose derdhja e ujit ishin mënyra të pranueshme pagëzimi?

Së treti, Pali na tregon se pagëzimi është simbolikë për vdekjen, varrosjen dhe ringjalljen e Jezu Krishtit (shih Romakëve 6:3–5). Ndërsa i kthyeri i ri në besim qëndron në ujërat e pagëzimit, ai përfaqëson burrin e vjetër gati për të vdekur. Ndërsa zhytet në ujë, mëkatet e tij “varrosen” dhe falen përmes fuqisë simbolike pastruese të ujit. Më pas, kur del nga uji, ai qëndron si përfaqësues i njeriut të ri ose të ringjallur në Jezu Krisht. E gjitha ajo simbolikë themelore e pagëzimit është në përputhje me pagëzimin me anë të zhytjes, por ai humbi - humbi krejtësisht - me spërkatjen dhe derdhjen e ujit.

Dhe së katërti, fjala greke nga e cila përkthehet fjala pagëzim do të thotë të kridhesh ose të zhytesh në ujë.

Uill Durrant, një historian i shquar në botë, e dinte se çfarë zbulonte projekti dhe si rrjedhim vërejti: “Që nga shekulli i nëntë, mënyra e hershme e krishterë për pagëzimin me anë të zhytjes së plotë në ujë gradualisht ishte zëvendësuar nga … spërkatja me ujë - si më pak e rrezikshme për shëndetin e njerëzve në vendet veriore”4.

Nuk është çudi që Jozef Smithi mori një zbulesë sipas mënyrës në të cilin duhet të kryhet pagëzimi, që është në përputhje të përsosur me projektin e Krishtit (shih DeB 20:73–74).

A ishte pagëzimi për të vdekurit një ordinancë në Kishën e hershme të Krishtit? Po ishte.

Anëtarët e Kishës në Korint po merrnin pjesë në një ordinancë që njihej si pagëzimi për të vdekurit. Megjithatë, këta njerëz e vunë në dyshim vërtetësinë e Ringjalljes. Duke ndierë mospërputhje midis asaj që po bënin krahasuar me atë që besonin, Pali përdori pjesëmarrjen e tyre në ordinancën e saktë të pagëzimit për të vdekurit për të provuar doktrinën e saktë të Ringjalljes: “Përndryshe çfarë do të bëjnë ata që pagëzohen për të vdekurit? Në qoftë se me të vërtetë të vdekurit nuk ringjallen, përse ata edhe pagëzohen për të vdekurit?” (1 Korintasve 15:29).

Sapo dikush kalon urën doktrinore dhe pranon se pagëzimi është thelbësor për shpëtimin (që vërtet është), atëherë me logjikë ai drejtohet për të besuar në pagëzimin për të vdekurit - kjo nuk mund të mohohet. Përndryshe, si i përgjigjet dikush pyetjes së vështirë: “Po ata që vdiqën pa mundësinë për t’u pagëzuar?” Ata që ndeshen me këtë pyetje, kanë katër alternativa të mundshme nga të cilat mund të zgjedhin:

Së pari, burrat dhe gratë që nuk janë pagëzuar, do të dënohen dhe do të shkojnë në ferr. Megjithatë, një përgjigje e tillë është kontradiktore me të vërtetat nga shkrimi i shenjtë që “Perëndia nuk tregohet i anshëm” (Veprat e Apostujve 10:34) dhe që Perëndia dëshiron që “gjithë njerëzit të shpëtohen” (1 Timoteut 2:4).

Së dyti, ndoshta Perëndia nuk donte të thoshte vërtet atë që tha - ndoshta pagëzimi nuk është vërtet thelbësor për shpëtimin. Por kjo është e pavërtetë sepse Perëndia gjithnjë do të thotë atë që thotë: “Atë që unë, Zoti, kam thënë, e kam thënë dhe nuk justifikohem” (DeB 1:38; shih edhe Mosia 2:24).

Së treti, disa besojnë se kushti i ri i quajtur “pagëzimi me dëshirë” mund ta zëvendësojë pagëzimin me ujë. Me fjalë të tjera, nëse dikush dëshiron të ndjekë Jezusin por nuk kishte mundësi të pagëzohej gjatë jetës së vdekshme, atëherë dëshira e tij e lavdërueshme bëhet një zëvendësues i pranueshëm në vend të pagëzimit me ujë. Problemi me këtë alternativë është se nuk ka mbështetje në shkrimet e shenjta. Shkrimi i shenjtë nuk thotë: “Kush nuk ka lindur nga dëshira”, por përkundrazi, “Kush nuk ka lindur nga uji dhe nga Fryma, nuk mund të hyjë në mbretërinë e Perëndisë” (Gjoni 3:5; kursivet e shtuara).

Alternativa e katërt është se Perëndia me të vërtetë donte të thoshte atë që tha kur i urdhëroi të gjithë njerëzit të pagëzohen dhe, për shkak të kësaj, Ai me zemërgjerësi siguroi një mënyrë për të gjithë njerëzit që të pagëzohen edhe pse nuk iu dha mundësia në jetën në vdekshmëri. Ky është pagëzimi për të vdekurit. Kjo është alternativa që përputhet me projektin.

Çfarë thotë projekti për mënyrën në të cilën dhurata - jo prania e përkohshme, por dhurata e përhershme - e Frymës së Shenjtë jepet pasi dikush pagëzohet? A zbret ai vetvetiu te dikush pas pagëzimit të tij? A vjen ai si buçima e erës, ose a ka ndonjë ordinancë hyjnore, ndonjë procedurë hyjnore që duhet të ndiqet për ta marrë këtë dhuratë? Projekti e jep përgjigjen.

Pasi Filipi pagëzoi disa të kthyer të rinj në besim në Samari, mbërritën Pjetri dhe Gjoni. Shkrimi i shenjtë më pas zbulon mënyrën në të cilën duhet të kryhet ajo ordinancë: “Atëherë [Pjetri dhe Gjoni] vunë duart mbi ta dhe ata morën Frymën e Shenjtë” (Veprat e Apostujve 8:17; kursivet e shtuara).

E njëjta procedurë u ndoq pasi Pali pagëzoi të kthyer të rinj në besim në Efes:

“Dhe ata, si dëgjuan, u pagëzuan në emër të Zotit Jezus.

Dhe, kur Pali vuri duart mbi ta, Fryma e Shenjtë zbriti mbi ta” (Veprat e Apostujve 19:5–6; kursivet e shtuara).

Edhe një herë projekti dhe Kisha e rivendosur e Krishtit janë në harmoni të përsosur.

Te faqja tjetër e projektit mund të lexojmë: “Frytet e Kishës së Krishtit”. Shpëtimtari dha këtë provë për të vërtetën: “Do t’i njihni … nga frytet e tyre” (Mateu 7:20). Cilat qenë frytet e Kishës së Krishtit siç tregohen në projekt?

Njëri fryt, ata shenjtorë të hershëm u përpoqën për të qenë një popull i shëndetshëm. Pali dha mësim se trupat tanë fizikë janë “tempuj” që strehojnë shpirtrat tanë dhe, si rrjedhojë, duhet të trajtohen si të shenjtë: “A nuk e dini ju se jeni tempulli i Perëndisë dhe se Fryma e Perëndisë banon në ju?” (1 Korintasve 3:16; shih edhe 1 Korintasve 6:19). Për shkak të kësaj anëtarët e Kishës së Krishtit kishin ligje të caktuara mbi shëndetin, të cilëve iu bindën, të tilla si kufizime të caktuara mbi pirjen e verës që gjenden tek Efesianëve 5 dhe 1 Timoteut 3. Sipas këtij ligji hyjnor të trajtimit të trupave tanë si tempuj, Jozef Smithi mori ligjin e shëndetit nga Zoti për anëtarët e Kishës së rivendosur të Krishtit, të njohur si Fjala e Urtësisë. Si pasojë e të jetuarit të këtij ligji mbi shëndetin, studime të përsëritura kanë pohuar se anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme janë midis njerëzve më të shëndetshëm në botë. Ky është njëri nga frytet e të jetuarit të ligjit të Krishtit për shëndetin.

Një fryt i dytë i Kishës së Krishtit ishin mrekullitë e saj dhe dhuratat e Shpirtit. Ato shënohen faqe pas faqeje në Dhiatën e Re. Ato janë fakte që fuqia e Perëndisë ekzistoi në Kishën e Krishtit (shih Hebrenjve 2:4). Por fatkeqësisht, me ardhjen e Braktisjes, mrekullitë u venitën - historianët me gatishmëri e pranuan atë dhe reformuesit e pohuan atë. Pol Xhonson, një historian i shquar, vërejti: “Është vërtetuar, të paktën që nga kohët perandorake [d.m.th koha e Konstandinit], që ‘epokës së mrekullive’ i erdhi fundi, në kuptimin që udhëheqësit e krishterë nuk mund ta përhapnin më ungjillin, sikurse apostujt, me ndihmën e fuqisë së mbinatyrshme”5.

Përse erdhi koha kur nuk kishte më mrekulli dhe dhurata të Shpirtit? Sepse pema që prodhoi frytin, e quajtur Kisha e Krishtit, nuk ishte më në tokë dhe besimi i njerëzve u pakësua. Xhon Ueslei e vuri re këtë mungesë të dhuratave të Shpirtit nga kisha në kohën e tij: “Nuk duket se këto dhurata të jashtëzakonshme të Shpirtit të Shenjtë qenë të zakonshme në Kishë për më shumë se dy ose tre shekuj”6.

Në përmbledhje, unë mund të dëshmoj, sikurse shumë prej jush, se kjo është koha e mrekullive dhe e dhuratave të Shpirtit në Kishën e rivendosur të Krishtit, pikërisht sikurse qe në Kishën e Tij të hershme.

Ka një fryt të tretë - projekti i Kishës së Krishtit shënon shumë rrëfime të engjëjve dhe vegimeve. Disa njerëz e shohin me skepticizëm sot një kishë që pretendon për engjëj dhe vegime, por kur e bëjnë këtë harrojnë që engjëjt dhe vegimet qenë një pjesë vendimtare e Kishës së hershme të Krishtit: engjëlli që i njoftoi Maries lindjen e Krishtit; engjëjt që iu erdhën Pjetrit, Jakobit dhe Gjonit te Mali i Shpërfytyrimit; engjëlli që i liroi Pjetrin dhe Gjonin nga burgu; engjëlli që i foli Kornelit; engjëlli që e paralajmëroi Palin për mbytjen e pashmangshme të anijes; engjëlli që i erdhi Gjon Pagëzorit; vegimi i Stefanit për Atin dhe Birin; vegimi i Gjonit për ditët e fundit dhe shumë të tjera. Pyetja nuk duhet të jetë “Si mund të jetë Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme Kisha e vërtetë me engjëj dhe vegimet e saj të supozuara?” Përkundrazi, pyetja duhet të jetë: “Si mundet ndonjë kishë sot të pretendojë që është Kisha e vërtetë e Krishtit, nëse nuk ka engjëj dhe vegime - sikurse qe rasti në Kishën e hershme të Krishtit, sikurse zbulohet në projektin e Tij?”

Ka shumë fryte të tjera të pajtueshme me Kishën e hershme të Krishtit:

Ajo qe një kishë me misionarë - Apostujt u urdhëruan të “shkoni[n], pra, dhe [të] bëni[n] dishepuj nga të gjithë popujt” (Mateu 28:19). Sot ne kemi mbi 80.000 misionarë që po e përmbushin atë urdhër dhe po japin frytin e bërjes së kësaj.

Ishte një kishë me parime morale - projekti na mëson se shenjtorët e hershëm në Kishën e Krishtit qenë urdhëruar të visheshin me thjeshtësi dhe të përmbaheshin nga marrëdhëniet paramartesore. Sa kisha jo vetëm i japin mësim ato standarde morale por edhe i jetojnë ato?

Kisha e hershme e Krishtit ishte një kishë e përqendruar te familja. Burrat u urdhëruan t’i duan dhe të jenë besnikë ndaj grave të tyre (shih Efesianëve 5:23–25), fëmijët u urdhëruan t’u binden prindërve të tyre (shih Efesianëve 6:1) dhe peshkopët u urdhëruan t’i qeverisnin mirë shtëpitë e tyre (shih 1 Timoteut 3:4–5). Sot Kisha jonë, sikurse Kisha e hershme e Krishtit, njihet si një kishë e përqendruar te familja. Frytet e Kishës së Krishtit shënohen me kujdes në Bibël dhe përkojnë me Kishën e rivendosur të Krishtit sot.

Krishti themeloi Kishën e Tij mbi tokë, por faqja e fundit e projektit zbulon se kishte një lidhje me qiellin - domethënë, “Zbulesë Hyjnore”. Pa këtë lidhje Kisha nuk do ishte veçse një organizatë e krijuar nga njeriu dhe e drejtuar nga fuqitë e arsyes. Profeti Amos shpalli: “Sepse Zoti, Zoti, nuk bën asgjë, pa ua treguar sekretin e tij shërbëtorëve të tij, profetëve” (Amosi 3:7). Pali pohoi se zbulesa ishte një pjesë përbërëse e Kishës dhe kishte për qëllim të ishte e vazhdueshme, sepse ai shpalli: “Prandaj do t’ia filloj me vegimet dhe zbulesat e Zotit” (2 Korintasve 12:1; shih edhe Veprat e Apostujve 1:2).

Në përputhje me atë doktrinë themelore, Kisha e Krishtit sot është e lidhur me qiellin përmes zbulesave të vazhdueshme. Deklarata e Kishës mbi besimin në këtë drejtim, e njohur si neni i nëntë i besimit, shpall sa vijon: “Ne besojmë gjithçka që Perëndia ka zbuluar, gjithçka që Ai zbulon tani dhe ne besojmë se Ai përsëri do të zbulojë shumë gjëra të mëdha dhe të rëndësishme lidhur me mbretërinë e Perëndisë”.

Nëse një person do të krahasonte projektin e Kishës së hershme të Krishtit me secilën kishë në botë sot, ai do të zbulonte se pikë për pikë, organizim për organizim, mësim për mësim, ordinancë për ordinancë, fryt për fryt dhe zbulesë për zbulesë, do të përkonte vetëm me një kishë - Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.

Nëse një person nuk e pranon këtë Kishë pas studimit të projektit, atëherë ka gjasa që ai person të mos bashkohet me asnjë kishë tjetër sepse ai di tepër shumë. Ai do të jetë si Pjetri, i cili u pyet nga Shpëtimtari: “A do edhe [ti] të largohe[sh]?” (Gjoni 6:67). Pjetri u kthye me një përgjigje që duhet në gdhendet në çdo zemër dhe të ruhet në çdo shtëpi: “Zot, te kush të shkojmë? Ti ke fjalë jete të përjetshme” (Gjoni 6:68).

Nëse ndokush largohet nga Kisha, ku do të shkojë ai për të mësuar për të vërtetat e rivendosura lidhur me natyrën e Perëndisë siç u zbuluan në Korijen e Shenjtë, për predikimin e ungjillit për të vdekurit, tri shkallët e lavdisë dhe familjet e përjetshme? Ku do të shkojë ai për të marrë ordinancat që mund ta shpëtojnë dhe ekzaltojnë atë? Ku do të shkojë ai për t’u vulosur për përjetësinë me bashkëshorten dhe fëmijët e tij? Ku do të shkojë ai kur dëshiron një bekim priftërie për ngushëllim apo shërim për një pjesëtar të familjes? Ku do të shkojë ai për të gjetur një profet të Perëndisë? Ai do të kërkojë më kot për ato doktrina e ato ordinanca dhe ato fuqi e ata profetë, pasi ata janë unikë për Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.

Një person nuk mund të ketë doktrinat dhe ordinancat siç janë rivendosur përmes Profetit Jozef Smith, pa pranuar Jozef Smithin dhe historinë themelore që është baza për ato doktrina dhe ordinanca. Ato janë të pandashme. Ato shkojnë krah për krah. Ju nuk mund ta quani frutin të mirë dhe më pas pemën të keqe. Shpëtimtari e dha mësim atë të vërtetë kohë më parë: “Një dru i mirë nuk mund të japë fryte të këqija, as një dru i keq të japë fryte të mira” (Mateu 7:18). Prandaj, nëse fryti doktrinor që kemi diskutuar sonte, është i mirë, atëherë pema nga e cila ai rritet - Jozef Smithi dhe historia themelore shoqëruese e atyre të vërtetave të zbuluara - është gjithashtu e mirë. Nuk mund të keni njërin pa pasur tjetrin.

Në fjalimet e konferencës së përgjithshme disa vite më parë, Plaku B. H. Roberts do të fliste për arritjet e Jozef Smithit dhe, më pas, si t’u fliste kritikëve të Jozefit, do të thoshte: “Bëni po aq! Unë them, bëni po aq, ose me gisht në buzë qëndroni të heshtur kur thuhet emri i tij.”7

Shqetësimet historike ose shoqërore që mund të kenë disa njerëz, konfliktet e pretenduara shkencore - këto janë kalimtare; skena qendrore janë doktrinat, ordinancat, fuqia e priftërisë dhe frytet e tjera të Kishës sonë, shumë prej të cilave janë diskutuar sonte. Por disa mund të përgjigjen: “I besoj të gjitha këto, por si t’u përgjigjem kritikëve dhe pyetjeve të tyre specifike?”

Një avokat e di që, pasi një prokuror paraqet dëshmitarin e tij kryesor, çështja kundër të pandehurit duket me shumë gjasa ta nxjerrë fajtor. Dikush që është i shpejtë në vendim, në atë pikë mund ta përcaktojë të pandehurin fajtor, por atëherë në sallën e gjyqit ndodh një fenomen interesant. Mbrojtja nis me ripyetjen e po të njëjtit dëshmitar dhe ndodh shpesh sa vijon: Përgjigjet plot besim të dëshmitarit fillojnë të zbehen nën presionin e përsëritjes së pyetjeve. Dëshmitari që dukej kaq i panjollë, tani ka disa mospërputhshmëri, ndoshta edhe gabime të dukshme në përmbledhjen e tij për ngjarjet. Historia në dukje e palëkundur e dëshmitarit, fillon të kriset dhe shkërmoqet në secilën pyetje të re që i bëhet atij. Dëshmitari qe në gjendje t’i përballonte pyetjet e lehta të prokurorit të tij, por kur erdhën pyetjet e vështira të palës kundërshtare, ai nuk mund t’u bënte ballë intensitetit të tyre apo natyrës hetuese. Kur procesi i përsëritjes së pyetjeve përfundon, dëshmitari është diskredituar pa masë. Vërejtësi që më parë qe gati ta “varte” të pandehurin, tani e sheh me një sy tjetër pafajësinë e plotë të personit.

Në të njëjtën mënyrë, disa kritikë hedhin pyetje të njëanshme për Kishën, që kanë për qëllim ta vënë Kishën në pozitën më të keqe të mundshme. Por pyetjet shkojnë në të dy këndvështrimet.8 Dëshmitarët kryesorë të prokurorit nuk përjashtohen nga procesi i përsëritjes së pyetjeve dhe as kritikët më të ashpër të Kishës. Nuk kam gjetur kurrë ndonjë kritikues që mund të më japë përgjigje të kënaqshme për “përsëritjet e pyetjeve” ndaj pyetjeve vijuese:

Së pari, nga mësoi Jozef Smithi të rivendoste doktrinat dhe ordinancat nga Bibla, të tilla si doktrinën e ekzistencës para lindjes, natyrën e vërtetë të Perëndisë, ungjillin që u predikohet të vdekurve, pagëzimin për të vdekurit dhe shumë të tjera të diskutuara sonte, kur të tilla doktrina dhe ordinanca nuk jepeshin mësim nga kishat e tjera bashkëkohore të kohës së tij? Përse ishte Jozef Smithi i vetmi që i zbuloi dhe i rivendosi ato? Edhe nëse është konsideruar gjeni teologjie, a nuk kishte gjeni të tjerë në 1.800 vitet pas shërbesës së Shpëtimtarit që gjithashtu mund të bënin të njëjtën gjë?

Së dyti, nëse kjo Kishë nuk është Kisha e Krishtit, atëherë përse kjo Kishë ka të njëjtat fryte si Kisha e hershme e Krishtit, domethënë, mrekulli dhe dhurata të Shpirtit, zbulesë aktuale nga apostujt dhe profetët, engjëj dhe vegime, një popull të shëndetshëm, një popull të moralshëm, një popull me mendje për punë misionare dhe një popull që përqendrohet thellësisht te familja? A nuk e dha Shpëtimtari provën për të vërtetën? - “Do t’i njihni … nga frytet e tyre” (Mateu 7:20).

Sigurisht, më shumë pyetje mund të bëhen gjatë procesit të përsëritjes së tyre. Megjithatë, ka disa pyetje që i kapërcejnë në rëndësi gjithë të tjerat - në parim, ato përbëjnë thelbin e një çështjeje. Mjafton të them që disa pyetje janë thjesht më të rëndësishme se disa të tjera për zbulimin e të vërtetës. Nëse do arrini të dini se Jozef Smithi rivendosi mësimet biblike dhe ordinancat e diskutuara sonte, nëse do arrini të dini se Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme ka të njëjtat fryte si Kisha e hershme e Krishtit, apo nëse do arrini të dini se Libri i Mormonit është me origjinë hyjnore, atëherë ju e dini se Jozef Smithi është një profet. Dhe nëse Jozef Smithi është një profet, atëherë kjo është e vetmja Kishë e vërtetë dhe e gjallë mbi tërë faqen e tokës. Në atë pikë, të gjitha pyetjet e tjera zbehen gjatë krahasimit. Është si Gjykata e Lartë që vendos për një çështje. Të gjitha vendimet e kundërta të gjykatave më të ulëta bëhen të parëndësishme. Gjithashtu, të gjitha pyetjet e kritikëve, sado hetuese ose të çuditshme apo argëtuese mund të jenë, bëhen të parëndësishme në gjetjen e së vërtetës. Përse? Sepse ju tashmë u jeni përgjigjur pyetjeve kyçe - pyetjeve vendimtare, pyetjeve të jashtëzakonshme - që janë shtyllat themelore për njohjen e së vërtetës.

Mjafton të them se unë mund të jetoj me disa papërsosmëri njerëzore, edhe midis profetëve të Perëndisë - kjo pritet te qeniet e vdekshme. Unë mund të jetoj me disa zbulime shkencore të pretenduara kundër Librit të Mormonit; koha do t’i korrigjojë ato. Dhe unë mund të jetoj me disa paradokse historike në dukje; ato janë të parëndësishme në tablonë e plotë të së vërtetës. Por unë nuk mund të jetoj pa të vërtetat doktrinore dhe ordinancat e rivendosura nga Jozef Smithi, nuk mund të jetoj pa priftërinë e Perëndisë për të bekuar familjen time dhe nuk mund të jetoj pa e ditur se bashkëshortja ime dhe fëmijët e mi janë vulosur me mua për përjetësinë. Kjo është zgjedhja me të cilën përballemi - disa pyetje pa përgjigje në njërën anë kundrejt një mori sigurish doktrinore dhe fuqisë së Perëndisë në anën tjetër. Dhe për mua, dhe shpresoj edhe për ju, zgjedhja është një zgjedhje e lehtë dhe e arsyeshme.

Jap dëshmi se Kisha mbi të cilën ju një ditë do të kryesoni, mban emrin e Krishtit sepse ajo vërtet ka organizimin e miratuar prej Tij, mësimet e Tij, ordinancat e Tij, fuqitë e Tij, frytet e Tij dhe zbulesën e Tij të qëndrueshme, të cilat të gjitha kanë referim në projektin e Tij hyjnor. Paçim sy shpirtërorë për të parë konkluzionin midis atij projekti dhe Kishës së rivendosur të Krishtit sot, sepse është një nga dëshmitë bindëse të Perëndisë për ne. Për këtë dëshmoj dhe lutem në emrin e Jezu Krishtit, amen.

© 2014 nga Intellectual Reserve, Inc. I rezervohen të gjitha të drejtat. Miratuar për anglisht: 9/13. Miratuar për përkthim: 9/13. Përkthim i What Is the Blueprint of Christ’s Church? Albanian. PD50051805 101

Shënime

  1. Jozef Smithi dha mësim: “Një ungjilltar është një partriak” (Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2009], f. 145).

  2. Bari është një term i përgjithshëm, jo një term specifik, për dikë që kujdeset për një tufë.

  3. Disa sugjerojnë se trupi i ringjallur i Krishtit ishte vetëm një shfaqje fizike e përkohshme për të mirën e njerëzve të vdekshëm, dhe se, kur Ai u ngjit në qiell, e braktisi trupin e Tij fizik në mënyrë që të mos rëndohej me “kufizimet” e një natyre fizike. Prandaj, ata pretendojnë, Krishti sot është një shpirt në qiell. Megjithatë, nuk ka fakte nga shkrimet e shenjta se trupi i ringjallur fizik i Krishtit ishte i përkohshëm në natyrë apo se Ai e braktisi atë. Nuk ka dyshim se duke e parashikuar atë argument, Apostulli Pal e hodhi poshtë. Ai dha mësim se do të ishte e pamundur për Krishtin të braktiste trupin e Tij të ringjallur: “Duke ditur se Krishti, që u ringjall prej së vdekurish, nuk vdes më; vdekja s’ka më pushtet mbi të” (Romakëve 6:9; kursivet e shtuara). Ky shkrim i shenjtë shpall se Krishti nuk mund të vdiste pas Ringjalljes së Tij. Duke qenë se vdekja është ndarja e trupit dhe e shpirtit (shih Jakobi 2:26), ky shkrim i shenjtë jep mësim se Krishti nuk mund ta kishte braktisur trupin e Tij fizik përpara se të ngjitej në qiell; nëse do të ishte kështu, Ai do të kishte vuajtur një vdekje të dytë në kohën e Ngjitjes së Tij në Qiell - një ngjarje që Pali tha se nuk mund të ndodhte.

  4. Will Durrant, The Story of Civilization: The Age of Faith (1950), f. 738.

  5. Paul Johnson, A History of Christianity (1976), f. 162; kursivet e shtuara.

  6. John Wesley, The Works of John Wesley, bot. i 3-të., 14 vëll. (ribotuar në 1986-ën nga botimi i vitit 1872), 7:26.

  7. B. H. Roberts, cituar në Truman G. Madsen, Defender of the Faith: The B. H. Roberts Story (1980), f. 351.

  8. Shpëtimtarit, që kishte pastruar tempullin dhe më vonë u kthye për të dhënë mësim atje, iu qasën kritikët e Tij dhe e pyetën: “Me ç’pushtet i bën ti këto gjëra?” Shpëtimtari, i cili e kuptoi se pyetjet kishin dy interpretime, iu përgjigj, parimisht, duke thënë: “[Do t’i përgjigjem pyetjes suaj nëse ju së pari do t’i përgjigjeni pyetjes sime.] Pagëzimi i Gjonit nga erdhi? Nga qielli apo nga njerëzit?” Kritikët, duke e ndier rrezikun e përgjigjes ndaj pyetjes së Tij, thanë se nuk mund të përgjigjeshin - ndaj të cilëve Shpëtimtari u përgjigj: “As unë nuk do t’ju them me ç’pushtet i bëj këto gjëra” (shih Mateu 21:23–27).