Takime Shpirtërore Mbarëbotërore
Lajmërim


Lajmërim

Takimi Shpirtëror i SAK-ut për të Rinjtë në Moshë Madhore • 2 nëntor 2014 • Tabernakulli i Ogdenit, në Ogden të Jutas

Të dashur vëllezër e motra, secili prej nesh është një bir ose bijë e një Ati të dashur Qiellor, i cili thërret dhe frymëzon udhëheqës për të na dhënë ndihmë dhe drejtim. Çfarë bekimi është të mblidhemi së bashku, ndërkohë që mësojmë nga ata që janë caktuar për të na dhënë mësim. Faleminderit që jeni këtu sonte.
Teksa fillojmë, dua t’ju jap dy lajmërime të shkurtra, por të rëndësishme.

Lajmërimi ynë i parë është që, duke filluar nga janari 2015, takime shpirtërore të SAK-ut si ky do të quhen Takimet Shpirtërore Mbarëbotërore për Të Rinjtë në Moshë Madhore. Këto takime shpirtërore mbarëbotërore do të ndodhin tri herë çdo vit – në janar, maj dhe shtator. Këto ndryshime kanë si qëllim që të vënë në dukje rëndësinë e secilit transmetim dhe të sigurojnë që çdo i ri në moshë madhore, kudo që jeni dhe çfarëdo qofshin rrethanat tuaja, ftohet për të marrë pjesë. Ne shpresojmë se ju do të bëni çdo përpjekje për të marrë pjesë në secilin takim shpirtëror dhe për t’i nxitur të tjerët që të marrin pjesë me ju, me qëllim që ju dhe ata të mund të keni një mundësi për të vepruar së bashku, për të dëgjuar këshillë nga udhëheqësit tanë dhe për të marrë zbulesë e drejtim vetjak. Ne i nxisim udhëheqësit e priftërisë që t’i bëjnë këto takime shpirtërore mbarëbotërore ngjarje të rëndësishme në zonat vendore.

Lajmërimi tjetër ka lidhje me orët mësimore të fesë të kërkuara për diplomim nga institutet e fesë dhe universitetet e Kishës. Këshilli i Kishës për Arsimin dhe Këshillat e Kujdestarëve të Besuar për UBJ-në, UBJ-Ajdahon, UBJ-Havain dhe Kolegjin SHDM të Biznesit kanë miratuar katër kurse të reja që do të ofrohen duke filluar nga vjeshta e vitit 2015. Këto kurse janë “Jezu Krishti dhe Ungjilli i Përjetshëm”, “Mësimet dhe Doktrina e Librit të Mormonit”, “Bazat Themelore të Rivendosjes” dhe “Familja e Përjetshme”.

Këto kurse të reja kanë si qëllim që të jenë gurët e qoshes për përvojën tuaj të arsimimit fetar. Ato përqendrohen në shkrimet e shenjta dhe mësimet e dhëna nga profetët e ditëve të mëvonshme, me një përqendrim te Shpëtimtari, doktrina e Tij dhe ngjarje domethënëse në historinë e Kishës. Ndërsa studioni nëpër të gjitha veprat standarde, shkrimet e shenjta do të bëhen më të ndërthurura së bashku, duke ju ndihmuar të zhvilloni dituri më të madhe të ungjillit dhe ta kuptoni e vlerësoni më plotësisht secilin libër të veprave standarde. Këto orë mësimore do të shtojnë mbi përvojat tuaja të mëparshme në kishë dhe vetjake lidhur me studimin e ungjillit. Ato do t’ju ndihmojnë që t’i vini në jetë parimet e ungjillit në mënyra që janë domethënëse për rrethanat tuaja të tanishme.

Unë gjithashtu mund të vë në dukje se të gjitha kurset e tanishme të shkrimeve të shenjta, së bashku me orë mësimore të tjera fetare, do të vazhdojnë të ofrohen në institutet tona dhe në universitetet tona. Këto kurse të reja do të kërkohen për të gjithë studentët e ardhshëm dhe do të jenë në dispozicion për studentët e tanishëm. Ju lutemi, kryejini këto orë mësimore dhe veproni drejt diplomimit nga një universitet i Kishës ose një institut i fesë. Nëse i keni përfunduar tashmë kërkesat për diplomim, merrni parasysh kryerjen e këtyre orëve mësimore, teksa vazhdoni studimin tuaj të ungjillit nëpërmjet pjesëmarrjes në orë mësimore të fesë të institutit dhe të universiteteve të Kishës. Në ditët e ardhshme ju do të jeni në gjendje të mësoni më shumë rreth këtyre orëve të reja mësimore duke vizituar education.lds.org.

Kam mirëbesim se, teksa merrni pjesë në takimet shpirtërore mbarëbotërore dhe orët mësimore të fesë, ju do t’i kuptoni më mirë shkrimet e shenjta, ju do të bashkëveproni me të tjerë njerëz që do t’ju lartësojnë e frymëzojnë, dhe do ta forconi besimin e dëshminë tuaj te Jezu Krishti. Qoftë kështu me secilin prej jush, në emrin e Jezu Krishtit, amen.

© 2014 nga Intellectual Reserve, Inc. I rezervohen të gjitha të drejtat. Miratuar për anglisht: 1/14. Miratuar për përkthim: 1/14. Përkthim i “Announcement”. Albanian. PD10052815 101