Mësime të Presidentëve
Kapitulli 6: Misioni i Gjon Pagëzorit


Kapitulli 6

Misioni i Gjon Pagëzorit

“Gjon [Pagëzori] mbante Priftërinë Aarone dhe ishte administrues i ligjshëm, dhe paralajmërues i Krishtit, dhe erdhi që të përgatiste udhën para tij.”

Nga Jeta e Jozef Smithit

Në Harmoni të Pensilvanisë, gjatë dimrit të 1828–1829-ës, Jozef Smithi vazhdoi të punonte për përkthimin e Librit të Mormonit, por puna përparonte ngadalë. Jozefit jo vetëm që i duhej të punonte në fermën e tij për të mbajtur familjen, por ai as nuk kishte shkrues kohëplotë që ta ndihmonte. Në atë kohë nevoje, ai kujtoi: “Unë i thirra Zotit që ai të më bënte të mundur të plotësoja punën për të cilën ai më kishte urdhëruar.”1 Zoti premtoi se Ai do të siguronte ndihmën që i nevojitej Jozef Smithit për të vazhduar punën e përkthimit (shih DeB 5:34). Më 5 prill 1829, një mësues i ri që quhej Oliver Kaudri, shoqëroi vëllanë më të vogël të Jozefit, Samuelin, për në Harmoni që të takonte Jozefin. Oliveri kishte dëgjuar për fletët kur qëndronte në shtëpinë e prindërve të Profetit dhe, pasi ishte lutur për këtë çështje, kishte marrë zbulesë vetjake se duhet të shkruante për Profetin. Më 7 prill të dy burrat filluan punën e përkthimit, me Oliverin si shkrues.

Ndërkohë që Jozefi dhe Oliveri po përkthenin nga fletët, ata lexuan udhëzimet e Shpëtimtarit dhënë nefitëve në lidhje me pagëzimin për heqjen e mëkateve2. Më 15 maj ata shkuan në një zonë të pyllëzuar pranë shtëpisë së Profetit për t’i kërkuar Zotit më shumë dijeni për këtë ordinancë të rëndësishme. “Shpirtrat tanë u përfshinë në lutje të fuqishme”, kujtoi Oliver Kaudri, “për të ditur se si mund të merrnim bekimet e pagëzimit e të Frymës së Shenjtë, sipas urdhrit të Perëndisë dhe me zell kërkuam të drejtën e paraardhësve dhe autoritetin e priftërisë së shenjtë, si dhe fuqinë për të administruar në të.”3

Jozef Smithi shënoi çfarë ndodhi në përgjigje të lutjes së tyre: “Ndërsa ishim të përfshirë kështu, duke u lutur dhe duke i thirrur Zotit, një lajmëtar nga qielli zbriti mbi një re drite dhe, duke vënë duart mbi ne, na shuguroi duke thënë: Mbi ju, bashkëshërbëtorët e mi, në emër të Mesias, unë jap Priftërinë e Aaronit, e cila mban çelësat e shërbesës së engjëjve dhe të ungjillit të pendimit e të pagëzimit me anë të zhytjes për heqjen e mëkateve; dhe kjo nuk do të merret më kurrë nga toka, derisa bijtë e Levit t’i ofrojnë përsëri një flijim Zotit në drejtësi.

Ai tha se kjo Priftëri Aarone nuk e kishte fuqinë për të vënë duart për dhuratën e Frymës së Shenjtë, porse kjo do të na jepej më pas. …

Lajmëtari që na vizitoi në këtë rast dhe na dha këtë Priftëri, tha se emri i tij ishte Gjon, i njëjti që quhej Gjon Pagëzori në Dhjatën e Re dhe se ai vepronte nën drejtimin e Pjetrit, Jakobit dhe Gjonit, të cilët mbanin çelësat e Priftërisë së Melkizedekut, Priftëri e cila, tha ai, do të na jepej në kohën e duhur” (Joseph Smith—Historia 1:68–70, 72).

Ardhja e Gjon Pagëzorit qe një ngjarje e rëndësishme në jetën e Profetit Jozef Smith dhe në përparimin e mbretërisë së Perëndisë në tokë. Ndonëse Jozef Smithi kishte parë Perëndinë, Atin, dhe Jezu Krishtin, e kishin vizituar lajmëtarë qiellorë dhe kishte marrë fletët e arta dhe aftësinë për t’i përkthyer ato, atij ende nuk i ishte dhënë autoriteti dhe fuqia e priftërisë. Tani fuqia e Priftërisë Aarone ishte rivendosur në tokë dhe fuqia e Priftërisë Melkizedeke do të rivendosej së shpejti. Jozef Smithi ishte bërë një administrues i ligjshëm në mbretërinë e Perëndisë.

Mësime të Jozef Smithit

Gjon Pagëzori plotësoi misionet e rëndësishme të përgatitjes së udhës para Shpëtimtarit dhe të pagëzimit të Tij.

“Unë mora pjesë në [një] mbledhje në Tempull [më 29 janar 1843]. … Unë deklarova se kishte dy pyetje që më ishin bërë në lidhje me temën e bisedës time të Shabatit të fundit, të cilave kisha premtuar se do t’u përgjigjesha publikisht dhe se do ta përdorja mirë këtë mundësi.

Pyetja u ngrit nga thënia e Jezusit – ‘Nga të lindurit prej gruaje nuk ka asnjë profet më të madh se Gjon Pagëzori; por më i vogli në mbretërinë e Perëndisë është më i madh se ai.’ [Lluka 7:28.] Si është e mundur që Gjoni konsiderohej një nga profetët më të mëdhenj? Ai nuk kishte bërë mrekulli, prandaj nuk mund të ishin ato arsyeja e madhështisë së tij. [Shih Gjoni 10:41.]

Së pari. Atij iu besua një mision hyjnor për të përgatitur udhën përpara fytyrës së Zotit. Kujt tjetër i ishte besuar një gjë e tillë përpara tij ose deri më sot? Askujt.

Së dyti. Atij iu besua misioni i rëndësishëm ku iu kërkua që nga dora e tij të pagëzohej Biri i Njeriut. Kush tjetër e kishte nderin për ta bërë këtë? Kush tjetër ka pasur një privilegj apo lavdi kaq të madhe? Kush e çoi Birin e Perëndisë në ujërat e pagëzimit dhe pati privilegjin për të parë Frymën e Shenjtë të zbriste në formën e një pëllumbi, ose më mirë në shenjën e një pëllumbi, si dëshmi të atij riti? Shenja e pëllumbit u krijua para krijimit të botës, një dëshmi për Frymën e Shenjtë dhe djalli nuk mund të vijë në shenjën e një pëllumbi. Fryma e Shenjtë është një personazh dhe është në formën e një personi. Ai nuk e kufizon veten në formën e pëllumbit, por simbolizohet në shenjën e pëllumbit. Fryma e Shenjtë nuk mund të shndërrohet në pëllumb; por shenja e pëllumbit iu dha Gjonit për të treguar të vërtetën e veprimit, meqenëse pëllumbi është një emblemë ose shenjë e së vërtetës dhe pafajësisë.

Së treti. Gjoni, në atë kohë, ishte i vetmi administrues i ligjshëm në çështjet e mbretërisë që ekzistonte asokohe mbi tokë dhe i cili mbante çelësat e fuqisë. Judenjtë duhet t’u bindeshin udhëzimeve të tij ose të mallkoheshin, sipas vetë ligjit të tyre; dhe Vetë Krishti përmbushi çdo drejtësi duke iu bindur ligjit të cilin Ai ia kishte dhënë Moisiut në mal dhe duke e lartësuar atë në këtë mënyrë, dhe duke e nderuar, në vend që ta shkatërronte. Biri i Zakarias mezi i mori çelësat, mbretërinë, fuqinë, lavdinë nga judenjtë, me vajosje të shenjtëruar dhe vendim të qiellit, dhe këto tre arsye e bëjnë atë profetin më të madh të lindur prej gruas.

Pyetja e dytë: – Si ishte më i vogli në mbretërinë e qiellit më i madh se ai? [Shih Lluka 7:28.]

Si përgjigje unë pyeta – Cilit i referohej Jezusi si të qenit më i vogli? Jezusin e konsideronin sikur të kishte pretendimin më të vogël për mbretërinë e Perëndisë dhe, [me sa duket], kishte të drejtën më të vogël për t’u besuar prej tyre si profet; pra, sikur të kishte thënë – ‘Ai që konsiderohet më i vogli midis jush, është më i madh se Gjoni – domethënë, vetë unë.’”4

Duhet të ketë administrues të ligjshëm në mbretërinë e Perëndisë.

“Disa thonë se mbretëria e Perëndisë nuk ishte vendosur në tokë deri në ditën e Rrëshajëve dhe se Gjon [Pagëzori] nuk predikoi pagëzimin e pendimit për heqjen e mëkateve; por unë them, në emër të Zotit, se mbretëria e Perëndisë ishte vendosur në tokë që nga ditët e Adamit deri në kohën e tashme. Kurdoherë që ka pasur në tokë një njeri të drejtë të cilit Perëndia i ka zbuluar fjalën e Tij dhe i ka dhënë fuqi e autoritet për të administruar në emrin e Tij, dhe aty ku ka një prift të Perëndisë – një shërbyes që ka fuqi dhe autoritet nga Perëndia për të administruar në ordinancat e ungjillit dhe për të kryer shërbesën në priftërinë e Perëndisë, atëherë aty është mbretëria e Perëndisë; dhe, si pasojë e mospranimit të Ungjillit të Jezu Krishtit dhe të Profetëve që Perëndia ka çuar, gjykimi i Perëndisë ka qëndruar mbi njerëzit, qytetet dhe kombet, në periudha të ndryshme të botës, siç ishte rasti i qyteteve të Sodomës dhe Gomorrës, që u shkatërruan sepse nuk pranuan Profetët. …

Në lidhje me Ungjillin dhe pagëzimin që predikoi Gjoni, do të thoshja se Gjoni erdhi duke predikuar Ungjillin për heqjen e mëkateve; ai e kishte autoritetin e tij nga Perëndia dhe zbulesat e Perëndisë ishin me të, dhe mbretëria e Perëndisë për një stinë duket se qëndroi vetëm me Gjonin. Zoti i premtoi Zakarias se ai do të kishte një bir që ishte një pasardhës i Aaronit, ndërkohë që Zoti kishte premtuar se priftëria do të vazhdonte me Aaronin dhe farën e tij nëpër brezat e tyre. Asnjë njeri të mos e marrë këtë nder mbi vete, përveç nëse thirret nga Perëndia, siç qe Aaroni [shih Hebrenjve 5:4]; dhe Aaroni e mori thirrjen e tij nëpërmjet zbulesës. …

Por, mund të thotë dikush, mbretëria e Perëndisë nuk mund të vendosej në ditët e Gjonit, sepse Gjoni tha se mbretëria ishte afër. Por do të doja të pyesja nëse mund të ishte më pranë tyre sesa po të ishte në duart e Gjonit. Njerëzit nuk kishin nevojë të prisnin për ditët e Rrëshajëve që të gjenin mbretërinë e Perëndisë, sepse Gjoni e kishte me vete, dhe ai erdhi nga shkretëtira duke thirrur: ‘Pendohuni, sepse mbretëria e qiejve është afër!’ [Mateu 3:2], sikur të ishte duke thënë: ‘Ja, këtu unë kam mbretërinë e Perëndisë dhe po vij për ju; unë e kam mbretërinë e Perëndisë dhe ju mund ta merrni atë, dhe unë po vij për ju; dhe nëse ju nuk e merrni atë, ju do të mallkoheni’; dhe shkrimet e shenjta paraqesin se gjithë Jeruzalemi rendi tek Gjoni për t’u pagëzuar [shih Mateu 3:5–6]. Ishte një administrues i ligjshëm dhe ata që u pagëzuan qenë të nënshtruar ndaj një mbreti; dhe gjithashtu ligjet e zbulesat e Perëndisë qenë aty; prandaj mbretëria e Perëndisë qe aty; sepse asnjë njeri nuk mund të kishte autoritet më të mirë për të administruar se Gjoni; dhe Shpëtimtari ynë iu nënshtrua edhe Vetë atij autoriteti, duke u pagëzuar nga Gjoni; prandaj mbretëria e Perëndisë ishte vendosur në tokë, madje dhe në ditët e Gjonit. …

… Krishti erdhi sipas fjalëve të Gjonit [shih Marku 1:7] dhe ishte më i madh se Gjoni, sepse Ai mbante çelësat e Priftërisë Melkizedeke dhe të mbretërisë së Perëndisë, dhe kishte zbuluar më parë priftërinë e Moisiut, prapëseprapë Krishti u pagëzua nga Gjoni për të përmbushur gjithë drejtësinë [shih Mateu 3:15]. …

… [Jezusi] thotë: ‘Kush nuk ka lindur nga uji dhe nga Fryma, nuk mund të hyjë në mbretërinë e Perëndisë’; dhe ‘Qielli dhe toka do të kalojnë, por fjalët e mia nuk do të kalojnë’. [Gjoni 3:5; Mateu 24:35.] Kush ka lindur nga uji dhe nga Fryma, ai mund të hyjë në mbretërinë e Perëndisë. Duket qartë se mbretëria e Perëndisë ishte në tokë dhe Gjoni përgatiti subjekte për mbretërinë, duke u predikuar atyre Ungjillin dhe duke i pagëzuar, dhe ai përgatiti udhën përpara Shpëtimtarit, ose erdhi si paralajmërues, dhe përgatiti subjekte për predikimin e Krishtit; dhe Krishti pagëzoi nëpër Jeruzalem në të njëjtin terren ku Gjoni kishte predikuar…. Gjoni … predikoi të njëjtin Ungjill dhe pagëzim që Jezusi dhe apostujt predikuan pas tij. …

Kurdoherë që njerëzit mund të marrin vesh vullnetin e Perëndisë dhe të gjejnë një administrues të autorizuar zyrtarisht nga Perëndia, aty është mbretëria e Perëndisë; por ku këto nuk janë, mbretëria e Perëndisë nuk është. Të gjitha ordinancat, sistemet dhe administrimet në tokë nuk kanë vlerë për bijtë e njeriut, nëse nuk janë shuguruar dhe autorizuar nga Perëndia; sepse asgjë nuk do ta shpëtojë një njeri përveç një administruesi të ligjshëm; sepse askush tjetër nuk do të njihet as nga Perëndia, as nga engjëjt.”5

“Gjon [Pagëzori] mbante Priftërinë Aarone dhe ishte administrues i ligjshëm, dhe paralajmërues i Krishtit, dhe erdhi që të përgatiste udhën para tij…. Gjoni ishte prift sipas rendit të Aaronit para Krishtit. …

Çelësat e Priftërisë Aarone iu besuan atij dhe ai ishte si zëri i atij që bërtet në shkretëtirë, duke thënë: ‘Përgatitni udhën e Zotit, drejtoni shtigjet e tij.’ [Mateu 3:3.] …

Shpëtimtari i tha Gjonit: Unë duhet të pagëzohem nga ty. Pse kështu? Për të përmbushur urdhrat e mi [shih Mateu 3:15]. … Jezusi nuk kishte administrues të ligjshëm [përveç] Gjonit.

Nuk ka shpëtim brenda Biblës pa një administrues të ligjshëm.”6

Një njeri që ka shpirtin e Elias ka një punë përgatitore që i është caktuar nga Zoti.

“Është shpirti i Elias për të cilin dëshiroj të flas së pari; dhe për ta paraqitur temën, do të sjell disa dëshmi nga Shkrimi i Shenjtë dhe do të jap timen.

Në radhë të parë, mjafton të them, shkova në pyll që të pyesja Zotin, me lutje, për vullnetin e Tij në lidhje me mua dhe unë pashë një engjëll [Gjon Pagëzorin], dhe ai vuri duart e tij mbi kokën time, dhe më shuguroi një Prift sipas rendit të Aaronit, dhe që të mbaja çelësat e kësaj Priftërie, detyra e së cilës ishte të predikoja pendim dhe pagëzim për heqjen e mëkateve, dhe gjithashtu të pagëzoja. Por unë u informova se kjo detyrë nuk përfshinte vënien e duarve për dhënien e Frymës së Shenjtë; se kjo detyrë ishte një vepër më e madhe, dhe se do të jepej më pas; por se shugurimi im ishte një punë përgatitore, ose një pararendje, që ishte shpirti i Elias; sepse shpirti i Elias ishte një pararendje për të përgatitur udhën për më të madhen, siç ishte rasti me Gjon Pagëzorin. Ai erdhi duke bërtitur në shkretëtirë: ‘Përgatitni udhën e Zotit, drejtoni shtigjet e tij.’ [Mateu 3:3.] Dhe ata u informuan, nëse mund ta merrnin atë, se ai ishte shpirti i Elias [shih Mateu 11:14]; dhe Gjoni u tha posaçërisht njerëzve, se ai nuk ishte Drita, por u dërgua për të dëshmuar për Dritën [shih Gjoni 1:8].

Ai u tha njerëzve se misioni i tij ishte të predikonte pendim dhe të pagëzonte me ujë; por do të ishte Ai që do të vinte pas tij që do të pagëzonte me zjarr dhe me Frymën e Shenjtë [shih Mateu 3:11].

Nëse Gjon Pagëzori do të kishte qenë një mashtrues, ai mund të ishte përpjekur të përfshihej në një punë për të cilën nuk kishte autoritet, dhe të ndërmerrte të kryente ordinanca që nuk i përkisnin asaj shërbese dhe thirrjeje, sipas shpirtit të Elias.

Shpirti i Elias është të përgatisë udhën për një zbulesë më të madhe të Perëndisë, e cila [shpirti i Elias] është Priftëria e Elias, ose Priftëria në të cilën ishte shuguruar Aaroni. Dhe kur Perëndia dërgon një njeri në botë që të përgatisë për një punë më të madhe, i cili mban çelësat e fuqisë së Elias, kjo quhej doktrina e Elias, madje që nga kohët më të hershme të botës.

Misioni i Gjonit ishte i kufizuar në predikimin dhe pagëzimin; por ajo që ai bëri ishte e ligjshme; dhe kur Jezu Krishti shkoi tek cilido nga dishepujt e Gjonit, Ai i pagëzoi ata me zjarr dhe me Frymën e Shenjtë. … Gjoni nuk i kapërceu kufijtë e tij, por me besnikëri kreu atë pjesë që i përkiste detyrës së tij; dhe çdo pjesë e ndërtesës së madhe duhej të përgatitej saktë dhe të vendosej në vendin e duhur; dhe është e nevojshme të dihet se cili i mban çelësat e fuqisë dhe cili jo, ose ka gjasa që ne të mashtrohemi.

Ai person që mban çelësat e Elias ka një punë përgatitore. … Shpirti i Elias m’u zbulua mua dhe unë e di se është i vërtetë; prandaj unë flas me guxim, sepse unë e di saktë se doktrina ime është e vërtetë.”7

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Mbani parasysh këto ide ndërsa studioni kapitullin ose përgatiteni që të jepni mësim. Për ndihmë të mëtejshme, shihni faqet VII–XII.

  • Lexoni rrëfimin për Gjon Pagëzorin që u jep Priftërinë Aarone Jozef Smithit dhe Oliver Kaudrit (faqet 83–84, 89). Çfarë ndikimi pati kjo ngjarje për Jozefin dhe Oliverin? Çfarë ndikimi ka pasur kjo ngjarje në jetën tuaj?

  • Lexoni paragrafin e parë në faqen 84, duke vënë re se Gjon Pagëzori i quajti Jozefin dhe Oliverin “bashkëshërbëtorët” e tij. Në cilat mënyra kjo frazë mund të ndihmojë mbajtësit e priftërisë? Në cilat mënyra kjo frazë mund të ndikojë ndërveprimin tonë me të rinjtë që mbajnë Priftërinë Aarone?

  • Rishikoni pjesën e kapitullit që fillon në faqen 84. Cilat janë mendimet dhe ndjenjat tuaja për Gjon Pagëzorin dhe misionin që ai kreu gjatë jetës së tij të vdekshme?

  • Profeti Jozef na mësoi se Gjon Pagëzori ishte “administruesi i ligjshëm” (faqet 86–89). Si mendoni, çfarë do të thotë termi “administrues i ligjshëm” në lidhje me priftërinë? Përse “nuk ka shpëtim … pa një administrues të ligjshëm”? (faqe 89).

  • Ndërkohë që lexoni pjesën e fundit në kapitull (faqet 89–90), rishikoni gjithashtu përkufizimin për termin “Elias” që jepet në Udhëzuesin për Shkrimet e Shenjta (shih Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, faqe 40). Cili ishte shpirti i Elias? Si e përgatiti udhën Gjon Pagëzori për ardhjen e Shpëtimtarit?

  • Jozef Smithi tha se dhënia e Priftërisë Aarone është “një punë përgatitore” sepse ajo përgatit udhën për diçka më të madhe (faqe 89). Çfarë mund të bëjnë mbajtësit e Priftërisë Aarone që të përgatiten për të marrë Priftërinë Melkizedeke? Çfarë mund të bëjnë prindërit, gjyshërit, mësuesit dhe udhëheqësit për t’i ndihmuar ata që të përgatiten?

Shkrime të Shenjta Përkatëse: Mateu 3:1–17; 1 Nefi 10:7–10; Përkthimi i Jozef Smithit, Mateu 3:43–46

Shënime

  1. Joseph Smith, History 1832, f. 6; Letter Book 1, 1829–1835, Joseph Smith, Collection, Arkivat e Kishës, Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, Salt Lake City, Utah.

  2. Oliver Cowdery, cituar në Joseph Smith—Historia 1:71, shënim në fund të faqes, prej një letre të Oliver Cowdery drejtuar William W. Phelps, 7 shtator 1834, Norton, Ohio, botuar në Messenger and Advocate, tetor 1834, f. 15.

  3. Oliver Cowdery, deklaratë e regjistruar në shtator 1835 në “The Book of Patriarchal Blessings, 1834”, f. 8–9; Patriarchal Blessings, 1833–2005, Arkivat e Kishës.

  4. History of the Church, 5:260–261; fjalët në kllapa në paragrafin e fundit në origjinal; është modernizuar përdorimi i germës së madhe; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith më 29 janar 1843, në Nauvoo, Illinois; raportuar nga Willard Richards dhe një korrespondent i paidentifikuar i Boston Bee. Letra e Boston Bee u shkrua më 24 mars 1843, në Nauvoo, Illinois dhe u botua në Times and Seasons, 15 maj 1843, f. 200. Shih gjithashtu shtojcën, faqe 598, zëri 3.

  5. History of the Church, 5:256–259; është modernizuar drejtshkrimi dhe përdorimi i shenjave të pikësimit; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith më 22 janar 1843, në Nauvoo, Illinois; raportuar nga Wilford Woodruff.

  6. Fjalim i mbajtur nga Joseph Smith më 23 korrik 1843, në Nauvoo, Illinois; Joseph Smith, Collection, Addresses, 23 korrik 1843, Arkivat e Kishës.

  7. History of the Church, 6:249–251; janë ndryshuar ndarjet në paragrafë; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith më 10 mars 1844, në Nauvoo, Illinois; raportuar nga Wilford Woodruff.

Pamja
Joseph and Oliver receiving Aaronic priesthood

Gjon Pagëzori u rivendosi Priftërinë Aarone Jozef Smithit dhe Oliver Kaudrit më 15 maj 1829, duke thënë: “Mbi ju, bashkëshërbëtorët e mi, në emër të Mesias, unë jap Priftërinë e Aaronit”.

Pamja
John the Baptist baptizing Christ

Shpëtimtari shkoi tek Gjon Pagëzori që të pagëzohej sepse Gjoni “mbante Priftërinë Aarone dhe ishte administrues i ligjshëm”.