Mësime të Presidentëve
Kapitulli 1: Vegimi i Parë: Ati dhe Biri i Shfaqen Jozef Smithit


Kapitulli 1

Vegimi i Parë: Ati dhe Biri i Shfaqen Jozef Smithit

“Unë pashë dy Personazhe, shkëlqimi dhe lavdia e të cilëve i kapërcejnë të gjitha përshkrimet, duke qëndruar mbi mua në ajër. Një prej tyre më foli, duke më thirrur në emër dhe tha, duke treguar tjetrin: Ky është Biri Im i Dashur. Dëgjoje Atë!”

Nga Jeta e Jozef Smithit

Pas vdekjes dhe ringjalljes së Jezu Krishtit, ngadalë braktisja u shtri plotësisht. Apostujt e Shpëtimtarit i hodhën poshtë dhe i vranë, mësimet e Tij i korruptuan dhe priftëria e Perëndisë u hoq nga toka. Profeti i lashtë Amos kishte parashikuar një kohë braktisjeje dhe errësire shpirtërore: “‘Ja, do të vijnë ditët’, thotë Zoti, Zoti, ‘gjatë të cilave unë do të dërgoj urinë në vend, jo uri për bukë dhe etje për ujë, por më tepër për të dëgjuar fjalët e Zotit. Ata do të shkojnë duke u endur nga një det në tjetrin, nga veriu në lindje, do të rendin sa andej dhe këtej në kërkim të fjalës të Zotit, por nuk do ta gjejnë’” (Amosi 8:11–12).

Një nga ata, që kërkonte fjalën e Zotit e cila kishte humbur në tokë, ishte Jozef Smithi, një i ri që jetonte në qytezën bujqësore të Palmirës së Nju-Jorkut, në vitin 1820. Jozefi ishte një i ri i fuqishëm dhe aktiv, me lëkurë të çelët, flokë ngjyrë kafe të çelët dhe sy blu, fëmija i pestë ndër njëmbëdhjetë në familjen e Jozef Smith Plakut dhe Lusi Mak Smithit. Ai punonte me orë të zgjatura në fermën 40,5 hektarëshe e plot me drurë të familjes, për të ndihmuar të atin dhe vëllezërit më të mëdhenj për t’i prerë pemët dhe për të mbjellë të lashtat. Sipas rrëfimit të nënës së tij ai ishte “një fëmijë mjaft i qetë e dashamirës”1 që ishte “shumë më i dhënë pas meditimit dhe studimit të thellë” sesa ndonjë prej vëllezërve dhe motrave të tij2. Djaloshi Jozef punonte për të ndihmuar në mbështetjen e familjes, kështu që arriti të merrte arsimim zyrtar vetëm mjaft sa për të ditur bazat e leximit, shkrimit dhe aritmetikës.

Gjatë kësaj kohe, nëpër rajonin e Nju-Jorkut Perëndimor ku jetonte familja Smith, po përhapej me shpejtësi një gjallërim pasioni fetar. Familja Smith, ashtu si shumë të tjerë, e ndoqi rigjallërimin e sekteve të krishtera në atë zonë. Ndërkohë që disa anëtarë të familjes së tij u bashkuan me një prej kishave, Jozefi nuk e bëri këtë. Më vonë ai shkroi për këtë kohë:

“Mendja ime meditoi seriozisht për sa i përket çështjeve shumë të rëndësishme për mirëqenien e shpirtit tim të pavdekshëm, gjë që më çoi të shqyrtoja shkrimet e shenjta, duke besuar, siç më kishin mësuar, se ato përmbanin fjalën e Perëndisë. Kështu, unë iu kushtova studimit të shkrimeve dhe u njoha me njerëz të sekteve të ndryshme fetare gjë që më çoi të habitesha tej mase, sepse zbulova se ata nuk e paraqisnin bukurinë e profesionit të tyre të besimit me një mënyrë të shenjtë jetese dhe sjellje të mirë që të pajtohej me atë që gjendej në librin e shenjtë. Kjo më pikëlloi shpirtin. …

Meditova shumë gjëra në zemër lidhur me gjendjen e botës së njerëzve – grindjet dhe ndarjet, ligësitë dhe neveritë, si dhe errësirën që mbushte mendjen e njerëzve. Mendja ime u shqetësua jashtë mase pasi u binda për mëkatet e mia dhe, duke shqyrtuar shkrimet e shenjta zbulova se njerëzimi nuk i afrohej Zotit, por se ata kishin braktisur besimin e vërtetë dhe të gjallë dhe se nuk kishte shoqëri apo sekt fetar që të ndërtohej mbi ungjillin e Jezu Krishtit si shënohej në Dhiatën e Re dhe unë e ndjeva se duhet të vajtoja për mëkatet e mia dhe për mëkatet e botës”3.

Kërkimi për të vërtetën i djaloshit Jozef Smith e çoi atë në një korije pemësh që t’i kërkonte Perëndisë urtësinë që i duhej. Si përgjigje për lutjen, Ati Qiellor dhe Jezu Krishti iu shfaqën atij, duke hapur udhën për rivendosjen e ungjillit në ditët e fundit. Kjo ngjarje e mrekullueshme tregohet me fjalët e thjeshta dhe prapë shprehëse të Jozef Smithit.

Mësime të Jozef Smithit

Kërkimi për të vërtetën i Jozef Smithit na mëson se studimi i shkrimeve të shenjta dhe lutja e sinqertë ftojnë zbulesën.

Joseph Smith—Historia 1:5, 7–13: “Pati në vendin ku jetuam një gjallërim të pazakontë lidhur me temën e fesë. Ai filloi me metodistët, por shpejt u bë i përgjithshëm midis të gjitha sekteve në atë krahinë të vendit. Në të vërtetë i tërë distrikti i vendit dukej nën ndikimin e tij dhe morì të mëdha u bashkuan me grupe të ndryshme fetare, të cilat krijuan jo pak ngatërresë dhe ndarje midis njerëzve, disa duke thirrur: “Shih, këtu!” dhe të tjerë: “Shih, atje!” Disa shpallnin besimin metodist, disa presbiterian dhe disa baptist. …

Unë isha në këtë kohë në vitin tim të pesëmbëdhjetë. Familja e atit tim u njoh me besimin presbiterian dhe katër prej tyre u bashkuan me atë kishë, përkatësisht, nëna ime Lucy, vëllezërit e mi Hyrum e Samuel Harrison dhe motra ime Sophronia.

Gjatë kësaj kohe gjallërimi të madh mendja ime u nxit të mendonte seriozisht dhe nuk gjente rehati; por edhe pse ndjenjat e mia ishin të thella dhe shpesh të fuqishme, përsëri unë qëndrova larg nga të gjitha këto grupe, edhe pse i ndoqa disa prej mbledhjeve të tyre, sa herë që ma lejonte rasti. Me kalimin e kohës mendja ime u drejtua disi te sekti metodist dhe ndjeva njëfarë dëshire të bashkohesha me ta; por kaq e madhe ishte ngatërresa dhe grindja midis zotërimeve të ndryshme, sa ishte e pamundur për një njeri, të ri si unë dhe të pamësuar me njerëzit dhe gjërat, të arrija në njëfarë përfundimi se kush kishte të drejtë dhe kush ishte gabim.

Mendja ime herë pas here ishte shumë e shqetësuar, e thirrura dhe ulërima ishte kaq e madhe dhe pa pushim. Presbiterianët ishin më të vendosurit kundër baptistëve e metodistëve dhe i përdornin të gjitha fuqitë e arsyes dhe të sofizmës për të provuar gabimet e tyre, ose, të paktën, t’i bënin njerëzit të mendonin se ata e kishin gabim. Nga ana tjetër, baptistët dhe metodistët, nga ana e tyre, ishin po aq të zellshëm në ndërmarrjen për themelimin e doktrinave të tyre dhe për t’i hedhur poshtë gjithë të tjerët.

Në mes të kësaj lufte fjalësh dhe ngatërrese opinionesh, unë shpesh thashë me vete: Çfarë duhet të bëhet? Cili nga të gjitha grupet ka të drejtë; ose, a janë që të gjithë së bashku gabim? Në qoftë se ndonjëri prej tyre kishte të drejtë, cili është ai dhe si do ta njoh unë atë?

Ndërsa unë po punoja nën vështirësitë ekstreme të shkaktuara nga grindjet midis këtyre grupeve të besimtarëve, një ditë po lexoja Letrën e Jakobit, kapitulli i parë dhe vargu i pestë, që thotë: Në qoftë se ndonjërit nga ju i mungon urtia, le të kërkojë nga Perëndia, që u jep të gjithëve pa kursim dhe pa qortuar, dhe atij do t’i jepet.

Kurrë ndonjë pjesë e shkrimit të shenjtë nuk erdhi më me fuqi në zemrën e një njeriu, sesa ky varg erdhi tek unë në këtë kohë. M’u duk se hyri me forcë të madhe në çdo ndjenjë të zemrës sime. Mendova për të herë pas here, duke ditur që, nëse ndonjë njeriu i nevojitej urtësi nga Perëndia, mua më duhej; sepse nuk e dija se si të veproja dhe nëse nuk do të fitoja më shumë urtësi sesa kisha atëherë, unë nuk do ta dija kurrë; sepse mësuesit e fesë të sekteve të ndryshme i kuptonin të njëjtat pjesë të shkrimit të shenjtë kaq ndryshe, sa ta shkatërronin gjithë besimin në zgjidhjen e një pyetjeje duke iu drejtuar Biblës.

Me kalimin e kohës erdha në përfundimin se unë ose duhej të mbetesha në errësirë dhe ngatërresë, ose përndryshe duhej të bëja ashtu siç udhëzon Jakobi, që është, t’i kërkoja Perëndisë. Me kalimin e kohës arrita në përfundimin “t’i kërkoja Perëndisë”, duke përfunduar se, nëse ai u jepte urtësi atyre që iu mungonte urtësia dhe e jepte lirisht e pa qortuar, unë mund ta provoja”4.

Jozef Smithi u çlirua nga fuqia e armikut të të gjithë drejtësisë.

Joseph Smith—Historia 1:14–16: “Kështu, në përputhje me këtë, vendosmërinë time për t’i kërkuar Perëndisë, unë u tërhoqa në pyll për t’u përpjekur. Ishte në mëngjesin e një dite të bukur, të kthjellët, në fillim të pranverës së njëmijetetëqindenjëzetës. Ishte hera e parë në jetën time që kisha bërë një përpjekje të tillë, sepse në mes të gjithë shqetësimeve të mia, unë kurrë nuk kisha bërë përpjekje për t’u lutur me zë.

Pasi isha tërhequr tek vendi ku kisha vendosur më përpara për të shkuar, pasi pashë përreth meje dhe mësova se isha vetëm, rashë në gjunjë dhe fillova t’i tregoj dëshirat e zemrës sime Perëndisë. Sapo kisha filluar ta bëja këtë, kur papritur u mbërtheva nga një fuqi që më pushtoi të tërin dhe që kishte një ndikim kaq të mahnitshëm mbi mua, sa të ma lidhte gjuhën, kështu që unë nuk mund të flisja. Errësira e thellë më rrethoi dhe m’u duk për njëfarë kohe, sikur fati im ishte shkatërrimi i menjëhershëm.

Por, duke i ushtruar të gjitha fuqitë e mia për t’i thirrur Perëndisë që të më çlironte nga fuqia e këtij armiku që më kishte mbërthyer dhe pikërisht në çastin kur isha gati të zhytesha në dëshpërim e ta braktisja veten në shkatërrim—jo në një shkretim të përfytyruar, por fuqisë së njëfarë qenieje reale nga bota që nuk shihej, e cila kishte fuqi të tillë të mrekullueshme sa nuk e kisha ndier kurrë më parë në ndonjë qenie—pikërisht në këtë çast paniku të madh, unë pashë një shtyllë drite tamam mbi kokën time, më e shkëlqyeshme se dielli, e cila zbriti gradualisht derisa ra mbi mua”5.

Ati Qiellor dhe Jezu Krishti iu shfaqën Jozef Smithit, në përgjigje të lutjes së tij të përulur.

Joseph Smith—Historia 1:17–20: “Sapo u shfaq ajo, unë e gjeta veten time të çliruar nga armiku që më mbante të mbërthyer. Kur drita pushoi mbi mua, unë pashë dy Personazhe, shkëlqimi dhe lavdia e të cilëve i kapërcejnë të gjitha përshkrimet, duke qëndruar mbi mua në ajër. Një prej tyre më foli, duke më thirrur në emër dhe tha, duke treguar tjetrin: Ky është Biri Im i Dashur. Dëgjoje Atë!

Qëllimi im i vajtjes për t’i kërkuar Zotit ishte të dija se cili nga të gjitha sektet ishte i drejti, që unë të mund të dija me cilin të bashkohesha. Si rrjedhim, sapo e zotërova përsëri veten, aq sa të isha në gjendje të flisja, atëherë u kërkova Personazheve që qëndronin mbi mua në dritë, se cili nga të gjitha sektet ishte i drejti (sepse në këtë kohë kurrë nuk më kishte shkuar në mendje se të gjithë ishin gabim)—dhe me cilin të bashkohesha.

Mora përgjigjen se unë nuk duhej të bashkohesha me asnjë prej tyre, sepse ata ishin të gjithë të gabuar; dhe Personazhi i cili m’u drejtua, tha se të gjitha besimet e tyre ishin një fëlliqësi në sytë e tij, se ata profesorë ishin të gjithë të korruptuar, se “ata më afrohen me buzët e tyre, por zemrat e tyre janë larg prej meje, ata u mësojnë për doktrina urdhërimet e njerëzve, duke pasur një formë shenjtërie, por e mohojnë fuqinë e saj”.

Ai përsëri më ndaloi të bashkohesha me ndonjë prej tyre; dhe shumë gjëra të tjera më tha ai, të cilat nuk mund t’i shkruaj në këtë kohë. Kur erdha përsëri në vete, e gjeta veten të shtrirë në shpinë, duke parë drejt qiellit. Kur drita ishte larguar, nuk kisha asnjë fuqi; por shpejt, duke e mbledhur veten në njëfarë mase, shkova në shtëpi. Dhe ndërsa u përkula drejt vatrës, nëna më pyeti se çfarë më shqetësonte. Iu përgjigja: “Mos u shqetëso, gjithçka është në rregull. Tani jam mjaft mirë.” Më pas i thashë nënës sime: “Kam mësuar vetë se presbiterizmi nuk është i vërtetë.” Duket sikur kundërshtari e dinte, qysh në një kohë të hershme të jetës sime, se unë isha destinuar të isha një shqetësues dhe një mërzitës i mbretërisë së tij; përndryshe përse duhej të ndërthureshin kundër meje fuqitë e errësirës? Përse kundërshtimi dhe përndjekja u ngritën kundër meje, pothuajse që në fëmijërinë time?”6

Kur dëshmitë tona janë të forta, përndjekja nuk mund të na bëjë të mohojmë atë që e dimë se është e vërtetë.

Joseph Smith—Historia 1:21–26: “Disa ditë pasi pata vegimin, unë u ndodha në shoqërimin e një prej predikuesve metodistë, që ishte shumë aktiv në lëvizjen fetare të përmendur më parë; dhe, duke biseduar me të lidhur me çështjen e fesë, pata rastin t’i jap atij një rrëfim të vegimit që kisha pasur. U habita shumë nga sjellja e tij; ai e trajtoi komunikimin tim jo vetëm si të parëndësishëm, por me shumë mllef, duke thënë se e gjitha ishte nga djalli, se nuk kishte gjëra të tilla si vegime ose zbulesa në këto ditë; se të gjitha këto gjëra kanë mbaruar me apostujt dhe se nuk do të kishte më të tilla.

Shpejt mësova, megjithatë, se tregimi im i historisë kishte nxitur shumë paragjykim kundër meje midis profesorëve të fesë dhe ishte shkaku i përndjekjes së madhe, e cila vazhdoi të rritej; dhe, edhe pse unë isha një djalë i panjohur, në moshën midis katërmbëdhjetë dhe pesëmbëdhjetë vjeç dhe rrethanat e mia të jetës ishin të tilla që të më bënin një djalë pa pasoja për botën, përsëri njerëz të pozitave të larta do të më kushtonin rëndësi të mjaftueshme për të nxitur mendjen e publikut kundër meje dhe të krijonin një përndjekje të hidhur; dhe kjo ishte e përbashkët mes të gjitha sekteve—të gjithë të bashkuar për të më përndjekur mua.

Kjo më bëri të mendoja thellë atëherë dhe shpesh, që nga ajo kohë, se sa e çuditshme ishte që një djalë i panjohur, vetëm pak më tepër se katërmbëdhjetë vjeç, dhe një djalë, gjithashtu, që ishte i detyruar të siguronte një jetesë të varfër me anë të punës së tij të përditshme, duhej të mendohej si një person mjaft i rëndësishëm për të tërhequr vëmendjen e njerëzve të famshëm të sekteve më popullore të kohës dhe në një mënyrë që të krijonte në ta një shpirt të përndjekjes dhe sharjes më të hidhur. Por, e habitshme ose jo, ishte kështu dhe shpesh ishte shkaku i një hidhërimi të madh për mua.

Megjithatë, mbetej në të vërtetë një fakt që unë kisha parë një vegim. Kisha menduar që nga ajo kohë, se isha ndier si Pali, kur ai u mbrojt përpara mbretit Agripa dhe tregoi rrëfimin e vegimit që pati kur pa një dritë dhe dëgjoi një zë; por përsëri nuk pati veçse pak vetë që e besuan atë; disa thanë se ai ishte i pandershëm, të tjerët thanë se ishte i çmendur; dhe ai u tall dhe u përqesh. Por e gjithë kjo nuk e shkatërroi realitetin e vegimit të tij. Ai kishte parë një vegim, ai e dinte se e kishte parë dhe e gjithë përndjekja nën qiell nuk mund ta ndryshonte atë; dhe, edhe pse ata do ta përndiqnin deri në vdekje, përsëri ai e dinte dhe do ta dinte deri në frymën e tij të fundit, se kishte parë një dritë dhe kishte dëgjuar një zë duke i folur atij dhe e gjithë bota nuk mund ta bënte të mendonte ose të besonte ndryshe.

Kështu ishte me mua. Unë kisha parë me të vërtetë një dritë dhe në mes të asaj drite pashë dy Personazhe dhe ata me të vërtetë më folën; edhe pse urrehesha dhe përndiqesha, sepse kisha thënë se kisha parë një vegim, përsëri ai ishte i vërtetë; dhe ndërsa ata më përndiqnin, më tallnin dhe flisnin në çfarëdo mënyre të ligë kundër meje pa të drejtë, ngaqë kisha thënë kështu, unë u nxita të them në zemrën time: Përse më përndiqni ngaqë them të vërtetën? Unë me të vërtetë e kam parë një vegim; dhe kush jam unë që mund t’i bëj ballë Perëndisë, ose përse bota mendon të më bëjë ta mohoj atë që kam parë me të vërtetë? Sepse unë kisha parë një vegim; unë e dija atë dhe e dija se Perëndia e dinte atë dhe nuk mund ta mohoja, as nuk guxoja ta bëja atë; të paktën e dija se duke e bërë këtë, do ta fyeja Perëndinë dhe do të isha nën dënim.

Tani unë e kisha kënaqur mendjen time përsa i përket botës sektare—se nuk ishte detyra ime të bashkohesha me ndonjë prej tyre, por të vazhdoja siç isha, derisa të merrja udhëzim të mëtejshëm. Unë kisha mësuar se dëshmia e Jakobit ishte e vërtetë—se një njeri të cilit i mungon urtësia, mund t’i kërkojë Perëndisë dhe të marrë e të mos qortohet”7.

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Mbani parasysh këto ide ndërsa studioni kapitullin ose përgatiteni që të jepni mësim. Për ndihmë të mëtejshme, shihni faqet VII–XII.

  • Rishihni faqet 29–33. Mendoni se si Jozef Smithi na jep shembull kur kërkojmë përgjigje për pyetjet tona. Ndërsa studioni rrëfimin e tij për Vegimin e Parë, çfarë mësoni për leximin e shkrimeve të shenjta? Për meditimin? Për lutjen?

  • Rishihni faqen 33. Mendoni për të vërtetat që mësoi Jozef Smithi për Perëndinë Atë dhe Jezu Krishtin kur mori Vegimin e Parë. Përse secili prej nesh duhet të ketë një dëshmi për Vegimin e Parë?

  • Kur Jozefi u tregoi të tjerëve për Vegimin e Parë, shumë njerëz e paragjykuan për keq dhe e përndoqën atë (faqe 34). Si mendoni, përse njerëzit reaguan në atë mënyrë? Meditoni për përgjigjen e Jozefit ndaj përndjekjes (faqet 34–35). Si mund ta ndjekim shembullin e tij kur përballemi me përndjekje ose sprova të tjera?

  • Kur mësuat së pari për Vegimin e Parë, çfarë ndikimi pati rrëfimi tek ju? Çfarë ndikimi ka pasur ai tek ju që atëherë? Në çfarë mënyrash jeni forcuar kur e studiuat rrëfimin sërish në këtë kapitull?

Shkrime të Shenjta Përkatëse:Isaia 29:13–14; Joeli 2:28–29; Amosi 3:7; Mormoni 9:7–9

Shënime

  1. Lucy Mack Smith, “The History of Lucy Smith, Mother of the Prophet”, dorëshkrim i 1845-ës, f. 72, Arkivat e Kishës, Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, Salt Lake City, Utah. Lucy Mack Smith, nëna e Profetit, ia diktoi historinë e saj, e cila përmban shumë nga jeta e Profetit, Martha Jane Knowlton Coray-it duke filluar në 1844 dhe duke vazhduar në 1845. Martha Coray i referohet këtij dorëshkrimi të parë si “History rough manuscript” [“Historia, dorëshkrim i papërpunuar“]. Më vonë në 1845, Lucy Mack Smith, Martha Coray dhe bashkëshorti i Martha-s, Howard Coray, rishikuan dhe zgjeruan dorëshkrimin fillestar. Dorëshkrimi i 1845-ës titullohet “The History of Lucy Smith, Mother of the Prophet” [“Historia e Lusi Smithit, Nëna e Profetit”]. Ky libër citon nga dorëshkrimi i 1844–1845-ës, përveç disa rasteve kur dorëshkrimi i 1845-ës përfshin material që nuk gjendet në dorëshkrimin e 1844–1845-ës.

  2. Lucy Mack Smith, “The History of Lucy Smith, Mother of the Prophet”, dorëshkrim i 1844–1845-ës, libri 4, f. 1, Arkivat e Kishës.

  3. Joseph Smith, History 1832, f. 1–2; Letter Book 1, 1829–1835, Joseph Smith, Collection, Arkivat e Kishës.

  4. Joseph Smith—Historia 1:5, 7–13. Profeti Joseph Smith shkroi ose diktoi në disa raste rrëfime të hollësishme të Vegimit të Parë. Citimet në këtë kapitull janë nga rrëfimi i Vegimit të Parë të botuar së pari në 1842 në “History of Joseph Smith”, Times and Seasons, 15 mars 1842, f. 726–728; 1 prill 1842, f. 748–749; dhe të përfshira më vonë në Perla me Vlerë të Madhe dhe të botuara në History of the Church, vëll. 1, f. 1–8. Ky është rrëfimi zyrtar si shkrim i shenjtë. Profeti Joseph Smith e përgatiti këtë rrëfim në 1838 dhe 1839 me ndihmën e shkruesve të tij.

  5. Joseph Smith—Historia 1:14–16.

  6. Joseph Smith—Historia 1:17–20.

  7. Joseph Smith—Historia 1:21–26.

Pamja
Joseph in Sacred Grove

“Unë pashë një shtyllë drite tamam mbi kokën time, më e shkëlqyeshme se dielli, e cila zbriti gradualisht derisa ra mbi mua.”

Pamja
Joseph reading

“Kurrë ndonjë pjesë e shkrimit të shenjtë nuk erdhi më me fuqi në zemrën e një njeriu, sesa ky varg erdhi tek unë në këtë kohë.”[[13]]