Mësime të Presidentëve
Kapitulli 44: Rivendosja e të Gjitha Gjërave: Periudha Ungjillore e Plotësisë së Kohëve


Kapitulli 44

Rivendosja e të Gjitha Gjërave: Periudha Ungjillore e Plotësisë së Kohëve

“[Kjo] është vërtet periudha e plotësisë së kohëve, kur të gjitha gjërat që janë në Krishtin Jezus, qoftë në qiell apo në tokë, do të mblidhen së bashku tek Ai dhe kur të gjitha gjërat do të rivendosen.”

Nga Jeta e Jozef Smithit

Profeti Jozef Smith e donte Tempullin e Navusë dhe qe i etur ta shihte të përfunduar. Banorja e Navusë Marta Korej qe e pranishme në një fjalim ku pa Profetin të zgjaste dorën drejt tempullit e të thoshte me një ton melankolik: “Sikur të ishte … vullneti i Perëndisë që të mund të jetoja sa ta shihja atë tempull të plotësuar e të përfunduar nga themeli tek guri i kryes, do të thosha: ‘O Zot, mjafton. Zot, shërbëtori yt le të shkojë në paqe.’”1

Xhorxh Q. Kenon, që më vonë u bë këshilltar në Presidencën e Parë, kujtoi: “Përpara se të vdiste, Profeti Jozef shfaqi merak të madh që ta shihte tempullin [e Navusë] të plotësuar, ashtu si shumica prej jush, që qetë me Kishën gjatë kohës së tij, e dini mirë. ‘Shpejtoni punën, vëllezër’, e kishte zakon të thoshte, – ‘le ta përfundojmë tempullin; Zoti ka gati për ju një indaument të madh dhe unë kam merak që vëllezërit t’i marrin indaumentet e tyre dhe të marrin plotësinë e priftërisë.’ Ai i nxiste vazhdimisht shenjtorët të shkonin përpara, duke u predikuar atyre rëndësinë e përfundimit të asaj ndërtese, që atje brenda të mund t’i administroheshin gjithë popullit ordinancat e jetës e të shpëtimit, por veçanërisht kuorumeve të priftërisë së shenjtë; ‘atëherë’, tha ai, ‘Mbretëria do të vendoset dhe unë s’kam gajle se çfarë do të bëhet me mua.’”2

Planet për Tempullin e Navusë kërkonin një ndërtesë që do të ishte më e madhe e madje më e bukur se Tempulli i Kirtlandit. I vendosur në majë të një rrëpire të lartësuar mbi lumin Misisipi, Tempulli i përfunduar i Navusë do të ishte një nga ndërtesat më madhështore në Ilinois. Ai u ndërtua me gur gëlqeror të siguruar nga guroret pranë Navusë dhe lëndë druri të transportuar nëpër lumë nga pishnajat në Viskonsin. Kur të përfundohej, ai do të ishte 39 metra i gjatë, gati 27 metra i gjerë dhe pak më tepër se 50 metra i lartë në majën e shtizës. Pjesa e jashtme qe zbukuruar me gurë të gdhendur me detaje që paraqisnin hënën, diellin e yjet, ndërsa drita e diellit që derdhej përmes shumë dritaresh ndriçonte mjedisin e brendshëm.

Jozef Smithi nuk jetoi sa ta shihte të përfunduar Tempullin e Navusë, por pas vdekjes së tij, mijëra shenjtorë morën ordinancat e shenjta në tempull nën drejtimin e Brigam Jangut. Pasi shenjtorët u detyruan të braktisnin Navunë, tempulli i tyre i mrekullueshëm u shkatërrua. Ai u shkatërrua nga zjarri në vitin 1848 dhe në vitin 1850 një tornado sheshoi disa nga muret, duke i lënë aq të dobët muret e mbetur saqë u desh t’i rrafshonin. Rreth 150 vjet më vonë, filloi ndërtimi për një Tempull të ri të Navusë, të ndërtuar në vendin fillestar. Tempulli i rindërtuar u përkushtua më 27 qershor 2002, duke u bërë një prej më shumë se njëqind tempujve në mbarë botën. Secili prej këtyre tempujve është një simbol që plotësia e bekimeve të Perëndisë për fëmijët e Tij, të gjallë e të vdekur, është rivendosur në këtë periudhë të fundit ungjillore.

Profeti Jozef Smith u thirr nga Perëndia për të rivendosur në tokë këto bekime të shkëlqyera dhe për të qëndruar në krye të periudhës së plotësisë së kohëve. Gjatë shërbesës së Profetit, gjithë gjërat u rivendosën, që qenë të nevojshme për të vendosur themelin e periudhës më të shkëlqyer të të gjithë kohës. Priftëria, me çelësat e saj thelbësorë, u rivendos; Libri i Mormonit u përkthye; Kisha u organizua; dhe doktrinat, ordinancat dhe besëlidhjet u zbuluan, përfshirë ordinancat e besëlidhjet e indaumentit dhe të vulosjes martesore. Zoti deklaroi se Ai ia kishte besuar Jozef Smithit “çelësat e mbretërisë sime dhe një periudhë të ungjillit për kohët e fundit; dhe për plotësinë e kohëve, në të cilën unë do të mbledh së bashku në një të gjitha gjërat, si ato që janë në qiell, dhe ato që janë në tokë” (DeB 27:13).

Mësime të Jozef Smithit

Në këtë periudhë të fundit ungjillore, gjithë autoriteti, ordinancat dhe dijenia e periudhave më të hershme janë rivendosur.

“Është në rendin e gjërave qiellore që Perëndia duhet të dërgojë gjithmonë një periudhë të re në botë, kur njerëzit kanë braktisur të vërtetën dhe kanë humbur priftërinë.”3

Më 6 shtator 1842, Profeti Jozef Smith u shkroi sa vijon shenjtorëve, që u regjistrua më vonë në Doktrina e Besëlidhje 128:18: “Është e nevojshme në fillimin e periudhës së plotësisë së kohëve, periudhë e cila po fillon të hyjë tani, që një bashkim i plotë dhe i tërë, dhe i përsosur, dhe lidhja së bashku e periudhave të kujdestarisë dhe e çelësave, dhe e fuqive, dhe e lavdive të ndodhë dhe të zbulohet nga ditët e Adamit madje deri në kohën e tanishme. Dhe jo vetëm kjo, por ato gjëra që kurrë nuk janë zbuluar që nga krijimi i botës, por janë mbajtur të fshehta për të urtët dhe të mençurit, do t’u zbulohen foshnjave dhe të vegjëlve në këtë, periudhën e plotësisë së kohëve.”4

“Vërtet kjo është një ditë për t’u mbajtur mend gjatë nga shenjtorët e ditëve të fundit, – një ditë në të cilën Perëndia i qiellit ka filluar të rivendosë rendin e lashtë të mbretërisë së Tij për shërbëtorët e Tij dhe popullin e Tij, – një ditë në të cilën gjithë gjërat po veprojnë së bashku për të sjellë përfundimin e plotësisë së Ungjillit, një plotësi të periudhës së periudhave, madje plotësinë e kohëve; një ditë në të cilën Perëndia ka filluar të shfaqë e të vendosë në rregull në Kishën e Tij ato gjëra që kanë qenë dhe ato gjëra që profetët e lashtë e njerëzit e urtë kanë dëshiruar t’i shohin por vdiqën pa i parë ato; një ditë në të cilën ato gjëra filluan të shfaqen, që ishin fshehur që përpara themelimit të botës dhe të cilat Jehovai ka premtuar do të bëheshin të ditura në kohën e caktuar prej Tij për shërbëtorët e Tij, për të përgatitur tokën për kthimin e lavdisë së Tij, madje një lavdi çelestiale dhe një mbretëri Priftërinjsh e mbretërish për Perëndinë dhe Qengjin, përgjithmonë, në malin Sion.”5

“Periudha e plotësisë së kohëve do të nxjerrë në dritë gjërat që kanë qenë zbuluar në gjithë periudhat e mëparshme; gjithashtu gjëra të tjera që nuk kanë qenë zbuluar më parë. Ai do të dërgojë Elijan, Profetin etj. dhe do të rivendosë gjithë gjërat në Krishtin.”6

“‘Duke bërë të njohur tek ne misterin e vullnetit të tij sipas pëlqimit të tij, që ai e kish përcaktuar me veten e tij, që, kur të plotësoheshin kohët, t’i sillte në një krye të vetëm, në Krishtin, të gjitha gjërat, ato që janë në qiejt dhe ato që janë mbi dhe.’ [Efesianëve 1:9–10.]

Tani qëllimi që kishte në Vetvete në skenën përfundimtare të periudhës së fundit ungjillore është që të gjitha gjërat që i përkisnin asaj periudhe duhet të silleshin përpikmërisht në përputhje me periudhat pararendëse.

Dhe përsëri. Perëndia kish përcaktuar me Veten e Tij se nuk do të kishte plotësi të përjetshme derisa çdo periudhë të plotësohej dhe të mblidheshin së bashku në një dhe që të gjitha gjërat çfarëdo qofshin, që do të mblidheshin së bashku në një në ato periudha nën të njëjtën plotësi dhe lavdi të përjetshme, duhet të ishin në Krishtin Jezus. …

… Gjithë ordinancat dhe detyrat që janë kërkuar gjithmonë nga Priftëria, nën drejtimet dhe urdhërimet e të Plotfuqishmit në cilëndo prej periudhave, të gjitha do të ekzistojnë në periudhën e fundit ungjillore, prandaj gjithë gjërat që ekzistuan nën autoritetin e Priftërisë në çfarëdo periudhe të mëparshme, do të ekzistojnë përsëri, duke bërë të ndodhë rivendosja e thënë nga goja e tërë Profetëve të Shenjtë.”7

Jozef Smithi mban çelësat e periudhës së plotësisë së kohëve.

“Unë … mbaj çelësat e mbretërisë së fundit, në të cilën është periudha e plotësisë së gjithë gjërave të thëna nga gojët e gjithë Profetëve të shenjtë, që kur bota filloi, nën fuqinë vulosëse të Priftërisë Melkizedeke.”8

“Çdo njeri që ka një thirrje për t’i shërbyer banorëve të botës u shugurua tamam për atë qëllim në Këshillin e Madh të qiellit përpara se të ishte kjo botë. Supozoj se unë u shugurova tamam për këtë detyrë në Këshillin e Madh. Është dëshmia që dua se jam shërbëtor i Perëndisë dhe ky popull, populli i Tij. Profetët e lashtë deklaruan se në ditët e fundit Perëndia i qiellit duhej të nxirrte një mbretëri që nuk do të shkatërrohej kurrë, as nuk do t’i lihej një populli tjetër. …

Unë besoj të jem një prej mjeteve për ngritjen e mbretërisë së Danielit nëpërmjet fjalës së Zotit dhe kam qëllim të hedh një themel që do të revolucionarizojë gjithë botën.”9

“Unë e kam të tërë planin e mbretërisë përpara meje dhe asnjë person tjetër nuk e ka.”10

Lusi Mak Smith qe e pranishme kur Jozef Smithi predikoi në Kirtland të Ohajos, në vitin 1832. Ajo kujtoi këto fjalë të Profetit: “Unë vetë mbaj çelësat e kësaj periudhe të fundit ungjillore dhe do t’i mbaj ato përgjithmonë në kohë e në përjetësi. Prandaj qetësojini zemrat tuaja, sepse gjithçka shkon mirë.”11

Kjo periudhë e fundit ka një rëndësi të tillë të madhe sa kërkon përkushtimin e plotë, bujar të shenjtorëve.

Në shtator 1840, Jozef Smithi dhe këshilltarët e tij në Presidencën e Parë u bënë deklaratën që vijon anëtarëve të Kishës: “Puna e Zotit në këto ditët e fundit është e një madhësie të gjerë dhe thuajse përtej kuptueshmërisë së të vdekshmëve. Lavditë e saj janë përtej përshkrimit dhe madhështia e saj e pakapërcyeshme. Është motivi që ka gjallëruar kraharorin e profetëve dhe njerëzve të drejtë që nga krijimi i botës përmes çdo brezi pasues deri në kohën e tanishme; dhe është vërtet periudha e plotësisë së kohëve, kur të gjitha gjërat që janë në Krishtin Jezus, qoftë në qiell apo në tokë, do të mblidhen së bashku tek Ai dhe kur të gjitha gjërat do të rivendosen, siç është folur nga gjithë profetët e shenjtë që nga fillimi i botës; sepse në të do të ndodhë përmbushja e lavdishme e premtimeve të bëra etërve, ndërsa shfaqjet e fuqisë së Më Të Lartit do të jenë të shkëlqyera, të lavdishme dhe sublime. …

… Ne ndihemi të prirur të ecim përpara e të bashkojmë energjitë tona për ndërtimin e Mbretërisë dhe vendosjen e Priftërisë në plotësinë dhe lavdinë e tyre. Puna që duhet të përmbushet në ditët e fundit është e një rëndësie të madhe dhe do të thërrasë në veprim energjinë, aftësinë, talentin dhe zotësinë e shenjtorëve, që të mund të shpaloset me atë lavdi e madhështi të përshkruar nga profeti [shih Danieli 2:34–35, 44–45]; dhe si rrjedhim do të kërkojë përqendrimin e shenjtorëve, për të përmbushur punë të një madhësie dhe madhështie të tillë.

Puna e mbledhjes e thënë në Shkrimet e Shenjta do të jetë e domosdoshme për të sjellë lavditë e periudhës së fundit ungjillore. …

Të dashur vëllezër, duke ndier dëshirën për të kryer qëllimet e Perëndisë, punë për të cilën jemi thirrur; dhe për të qenë bashkëpunëtorë me Të në këtë periudhë të fundit ungjillore; ne ndiejmë nevojën që të kemi bashkëpunimin me gjithë shpirt të shenjtorëve në mbarë këtë tokë dhe mbi ishujt e detit. Do të jetë e nevojshme që shenjtorët ta dëgjojnë këshillën dhe ta kthejnë vëmendjen e tyre tek Kisha, vendosja e Mbretërisë, dhe të lënë mënjanë çdo parim egoist, gjithçka të ulët e të rëndomtë; dhe të qëndrojnë me guxim në kauzën e së vërtetës, dhe të ndihmojnë me fuqinë e tyre maksimale, ata të cilëve u është dhënë modeli e projekti i saj. …

Këtu, atëherë, vëllezër të dashur, është një punë ku të përfshihemi, e denjë për kryeengjëjt – një punë që do t’i lërë në hije gjërat që janë përmbushur deri tani; një punë të cilën mbretërit dhe profetët, dhe njerëzit e drejtë në epoka të mëparshme e kanë kërkuar, e kanë pritur dhe e kanë dëshiruar ta shohin me zell, por që vdiqën pa atë pamje; dhe mirë do të jetë për ata që do të ndihmojnë për të vënë në jetë veprimet e fuqishme të Jehovait.”12

“Ndërtimi i Sionit është një kauzë që i ka interesuar popullit të Perëndisë në çdo kohë; është një temë mbi të cilën profetët, priftërinjtë dhe mbretërit janë ndalur me ëndje të veçantë; ata e kanë shpresuar me pritje të gëzuar ditën në të cilën jetojmë ne; dhe të frymëzuar me pritje qiellore dhe të gëzueshme ata kanë kënduar dhe shkruar, dhe profetizuar për këtë ditën tonë; por ata vdiqën pa e parë; ne jemi populli i favorizuar që Perëndia e ka zgjedhur për ta sjellë në lavdinë e ditës së mëvonshme; na është lënë neve që ta shohim, të marrim pjesë dhe të ndihmojmë për ta çuar përpara lavdinë e ditës së mëvonshme, ‘periudhën e plotësisë së kohëve, kur Perëndia do të mbledhë së bashku gjithë gjërat që janë në qiell dhe gjithë gjërat që janë mbi dhe, madje në një’ [shih Efesianëve 1:10], kur shenjtorët e Perëndisë do të mblidhen në një nga çdo komb dhe fis, dhe popull, dhe gjuhë, kur çifutët do të mblidhen në një, të ligjtë gjithashtu do të mblidhen së bashku për t’u shkatërruar, siç është thënë nga profetët; Shpirti i Perëndisë gjithashtu do të banojë me popullin e Tij dhe do të tërhiqet nga kombet e tjera, dhe gjithë gjërat, qoftë në qiell apo në tokë do të jenë në një, madje në Krisht.

Priftëria qiellore do të bashkohet me tokësoren, për të sjellë ato qëllime të shkëlqyera; dhe ndërsa ne jemi të bashkuar kështu në kauzën e vetme të përbashkët, për të shpalosur mbretërinë e Perëndisë, Priftëria qiellore nuk është spektatore e plogët, Shpirti i Perëndisë do të derdhet që nga sipër dhe do të banojë mes nesh. Bekimet e Më Të Lartit do të qëndrojnë mbi tabernakujt tanë dhe për emrin tonë do të flitet tek epokat e ardhshme; bijtë tanë do të ngrihen e do të na shpallin fatlumë; dhe breza që s’kanë lindur ende, do të mbajnë vëmendjen me ëndje të veçantë tek skenat ku kemi kaluar ne, mungesat që kemi duruar, zellin e palodhur që kemi shfaqur, gjithë vështirësitë e pakapërcyeshme që kemi mposhtur gjatë hedhjes së themelit të një pune që solli lavdinë dhe bekimet për të cilat do të jenë të vetëdijshëm; një punë që Perëndia dhe engjëjt e kanë kundruar me kënaqësi për brezat e kaluar; që frymëzuan shpirtin e patriarkëve dhe profetëve të lashtë; një punë që është e destinuar të sjellë shkatërrimin e forcave të errësirës, ripërtëritjen e tokës, lavdinë e Perëndisë dhe shpëtimin e familjes njerëzore.”13

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Mbani parasysh këto ide ndërsa studioni kapitullin ose përgatiteni që të jepni mësim. Për ndihmë të mëtejshme, shihni faqet VII–XII.

  • Rishihni faqet 541–543. Përse tempujt janë kaq të rëndësishëm në përmbushjen e punës së Zotit?

  • Si mendoni ju, përse profetët dhe të urtët e lashtësisë shpresonin për kohën tonë? (Për disa shembuj, shihni faqet 544–545.) Mendoni për privilegjin e të qenit anëtar i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme në periudhën e plotësisë së kohëve.

  • Studioni paragrafin që fillon në fund të faqes 545. Ndërsa mendoni këtë deklaratë, cilat janë mendimet dhe ndjenjat tuaja për thirrjet tuaja për të shërbyer në Kishë?

  • Lexoni tre paragrafët e parë të plotë të faqes 546. Si e forcojnë këto deklarime dëshminë tuaj për misionin e Profetit Jozef Smith?

  • Profeti Jozef Smith tha: “Puna e Zotit në këto ditët e fundit është e një madhësie të gjerë” (faqe 546). Studioni faqet 546–549, duke medituar për përgjegjësinë tonë për të ndihmuar në përmbushjen e punës së Zotit në periudhën e fundit ungjillore. Përse ne duhet të “bashkojmë energjitë tona” nëse do të duhet ta përmbushim këtë punë? Përse ne duhet “të [lëmë] mënjanë çdo parim egoist”? Mendoni se si mund të përdorni “energjinë, aftësinë, talentin dhe zotësinë” tuaj për të kontribuar në punën e Zotit.

Shkrime të Shenjta Përkatëse: DeB 27:12–13; 90:2–3; 112:30–32; 124:40–41

Shënime

  1. Cituar nga Martha Jane Knowlton Coray, që raporton për një fjalim të mbajtur nga Joseph Smith në Nauvoo, Illinois; Martha Jane Knowlton Coray, Notebook, Arkivat e Kishës, Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, Salt Lake City, Utah; ky fjalim datohet 19 korrik 1840 në fletoren e shënimeve të Motrës Coray, por fjalimi ndoshta është mbajtur në një datë më të vonshme.

  2. George Q. Cannon, Deseret News: Semi-Weekly, 14 dhjetor 1869, f. 2.

  3. History of the Church, 6:478–479; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith-i më 16 qershor 1844, në Nauvoo, Illinois; raportuar nga Thomas Bullock; shih gjithashtu shtojcën, faqe 598, zëri 3.

  4. Doktrina e Besëlidhje 128:18; një letër e Joseph Smith-it drejtuar shenjtorëve, 6 shtator 1842, Nauvoo, Illinois.

  5. History of the Church, 4:492–493; nga një shënim ditari i Joseph Smith-it, 6 janar 1842, Nauvoo, Illinois.

  6. History of the Church, 4:426; nga protokolli i një konference të Kishës mbajtur më 3 tetor 1841, në Nauvoo, Illinois; botuar në Times and Seasons, 15 tetor 1841, f. 578.

  7. History of the Church, 4:208, 210–211; nga një fjalim i përgatitur nga Joseph Smith-i dhe i lexuar në një konferencë të Kishës mbajtur më 5 tetor 1840, në Nauvoo, Illinois.

  8. History of the Church, 6:78; është modernizuar drejtshkrimi; nga një letër e Joseph Smith-it drejtuar James Arlington Bennet, 13 nëntor 1843, Nauvoo, Illinois; mbiemri i James Bennet shkruhet pasaktësisht “Bennett” në History of the Church.

  9. History of the Church, 6:364–365; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith-i më 12 maj 1844, në Nauvoo, Illinois; raportuar nga Thomas Bullock.

  10. History of the Church, 5:139; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith-i më 29 gusht 1842, në Nauvoo, Illinois; raportuar nga William Clayton.

  11. Cituar nga Lucy Mack Smith, që raporton për një fjalim të mbajtur nga Joseph Smith-i nga fillimi i vitit 1832 në Kirtland, Ohio; Lucy Mack Smith, “The History of Lucy Smith, Mother of the Prophet”, 1844–1845 manuscript, libri 13, f. 5, Arkivat e Kishës.

  12. History of the Church, 4:185–187; është modernizuar përdorimi i shenjave të pikësimit; nga një letër e Joseph Smith-it dhe këshilltarëve të tij në Presidencën e Parë drejtuar shenjtorëve, shtator 1840, Nauvoo, Illinois, botuar në Times and Seasons, tetor 1840, f. 178–179.

  13. History of the Church, 4:609–610; është modernizuar përdorimi i shenjave të pikësimit; janë ndryshuar ndarjet në paragrafë; nga “The Temple”, një kryeartikull botuar në Times and Seasons, 2 maj 1842, f. 776; Joseph Smith ishte botuesi i periodikut.

Pamja
Nauvoo Temple construction

Profeti Jozef Smith qe i etur ta shihte të përfunduar Tempullin e Navusë. “‘Shpejtoni punën, vëllezër’, e kishte zakon të thoshte, – ‘le ta përfundojmë tempullin; Zoti ka gati për ju një indaument të madh.’”

Pamja
missionaries at MTC

Misionarë kohë-plotë në Qendrën e Trajnimit të Misionarëve në Provo të Jutas. Jozef Smithi deklaroi se në periudhën e fundit ungjillore, “do të jetë e nevojshme që shenjtorët ta dëgjojnë këshillën dhe … të qëndrojnë me guxim në kauzën e së vërtetës”.