2018
Lumturia: Më Shumë se një Gjendje Shpirtërore
Nëntor 2018


Lumturia: Më Shumë se një Gjendje Shpirtërore

Pamja
happy breakfast plate

Na mësohet se qëllimi i ekzistencës sonë është që të kemi gëzim (shih 2 Nefi 2:25). Pra përse nganjëherë lumturia duket kaq e pakapshme? Ndoshta ndodh ngaqë nuk e kuptojmë se çfarë është në të vërtetë lumturia … dhe çfarë nuk është.

Çfarë Është Lumturia?

Në nivelin më të thjeshtë, lumturia është lartësimi i përkohshëm i gjendjes suaj mendore në një nivel më të lartë se ai i baraspeshës tuaj të zakonshme emocionale.1 Me fjalë të tjera, do të thotë të ndihesh mirë.

Ka plot mënyra se si ta bëjmë të ndodhë një gjendje e lartë emocionale – bërja e shakave me një mik, luajtja e një loje argëtuese ose madje ngrënia e një cope ëmbëlsire – por ajo kurrë nuk zgjat për shumë kohë. Shpesh përfundojmë duke u hedhur nga një burim kënaqësie në tjetrin, në përpjekje për ta kapur sërish atë gjendje të lartë emocionale. Por a nuk ka ndonjë lumturi afatgjatë?

Po – por është shumë më e fshehur nga ç’e mendoni, gjë që është arsyeja përse shpesh nuk e arrijmë synimin. Bota na thotë se një jetë plot vlerë duhet të mbushet me aventurë, se ditët tuaja duhet të jenë një udhëtim drithërues, i pandalshëm përgjatë një udhe të lehtë, të mbushur me kënaqësi. Por e vërteta është se ju nuk keni nevojë për eufori të vazhdueshme, me qëllim që të jetoni “sipas mënyrës së lumturisë” (2 Nefi 5:27). Lumturia afatgjatë – ajo që mund ta quajmë lumturi e vërtetë – është më shumë një ndjenjë e qetë, e qëndrueshme mirëqenieje sesa një ndjenjë e dukshme euforike. Argëtimi dhe kënaqësia veniten, por lumturia e vërtetë nuk është një gjendje shpirtërore kalimtare – ajo zgjat shumë më tepër. Nëse përjetimi i kënaqësisë po i ngre emocionet tuaja mbi baraspeshën, arritja e lumturisë së vërtetë është si të ngrihej vetë baraspesha.2

Mund të mendoni se lumturia e qëndrueshme kërkon begati dhe çlirim të qëndrueshëm nga dhembja ose sprovat. Por studimet tregojnë se rrethanat e favorshme nuk garantojnë lumturi dhe rrethanat e pafavorshme nuk e parandalojnë atë. Përkundrazi, mes gjithë faktorëve që ndikojnë te lumturia juaj, zgjedhjet tuaja kanë disa nga ndikimet më të mëdha.3 Plaku Ulises Soaresh, i Presidencës së Të Shtatëdhjetëve, dha mësim: “Lumturia përcaktohet nga zakonet, sjelljet dhe modelet e mendimit, të cilat mund t’i kthejmë drejtpërsëdrejti me veprim të qëllimshëm”. Lumturia është më shumë sesa thjesht një gjendje e mirë shpirtërore ose një jetë pa kokëçarje – ajo është një mënyrë të menduari dhe të jetuari që mund ta kontrollojmë. Nivelet e përgjithshme të gjendjes shpirtërore sigurisht që ndikohen nga përbërja gjenetike dhe mënyra se si rritemi, por zgjedhjet tona vetjake luajnë një rol të rëndësishëm. Shkurt, “lumturia është një zgjedhje që mund ta bëjë kushdo”4.

Si Mund të Jem i Lumtur?

Pra, si mund të “zgjedhim” saktësisht që të jemi të lumtur? Cili është përbërësi i fshehtë i ëmbëlsirës sonë të lumturisë? Siç e shpjegoi Plaku Soaresh, lumturia e vërtetë kërkon “një përpjekje që vazhdon gjatë, për diçka më të rëndësishme në jetë”. Në mënyrë të ngjashme, Viktor Frankli, një i mbijetuar i Holokaustit dhe psikiatër i mirënjohur, sugjeroi që lumturia është “efekti anësor i përkushtimit vetjak të një njeriu ndaj një kursi më të lartë se vetvetja”5.

Dhe çfarë mund të jetë një kurs më i lartë se ai që Perëndia e ka hartuar për ne? Në kërkimin tonë për lumturi, nuk kemi nevojë të shohim më tej se plani i Atit Qiellor. Në fund të fundit, ka një arsye pse ai quhet “plani [i] lumturisë”! (Alma 42:8, 16). Shkrime të shenjta njëri pas tjetrit dëshmojnë se ndjekja e planit të Perëndisë sjell lumturi (shih 2 Nefi 2:13; Helamani 13:38). Edhe pse të jetuarit e drejtë nuk do të na shpëtojë nga çdo dhembje, ai do të na vërë në një pozitë ku jemi në gjendje më të mirë që të përjetojmë lumturi në këtë jetë dhe do të na çojë drejt ekzaltimit dhe gëzimit tonë të përjetshëm në botën që vjen.

Shumë ngjashëm me besimin, lumturia mund të dobësohet ose forcohet, në varësi nga veprimet tuaja. Nëse e harxhoni kohën tuaj duke kërkuar kënaqësi monetare, lumturia juaj do të “transport[ohet] nga çdo erë” (Efesianëve 4:14). Por nëse përpiqeni të jetoni me drejtësi, ju do të zhvilloni një ndjenjë të pandryshueshme paqeje dhe mirëqenieje të qëndrueshme, e cila mund t’i bëjë ballë çdo stuhie. Dhe kur i jepni përparësi besimit kundrejt argëtimit, ju mund të zbuloni gëzim të vërtetë – të llojit që mund të gjendet vetëm nga “i penduari i vërtetë dhe kërkuesi i përulur i lumturisë” (Alma 27:18).

Shënime

  1. Shih Carolyn Gregoire, “This Is Scientific Proof That Happiness Is a Choice”, HuffPost, 13 dhjetor 2013, huffingtonpost.com/2013/12/09/scientific-proof-that-you_n_4384433.html.

  2. Shih Alex Lickerman, “How to Reset Your Happiness Set Point”, Pyschology Today, 21 prill 2013, psychologytoday.com/blog/happiness-in-world/201304/how-reset-your-happiness-set-point.

  3. Shih Michael Mendelsohn, “Positive Psychology: The Science of Happiness”, ABC News, 11 janar 2008, abcnews.go.com/Health/story?id=4115033&page=1.

  4. Carolyn Gregoire, “This Is Scientific Proof That Happiness Is a Choice”.

  5. Viktor E. Frankl, Man’s Search for Meaning (1984), f. 17.