Mësime të Presidentëve
Kapitulli 8


“Kapitulli 8: Thirrja për Kurajë”, Mësime të Presidentëve të Kishës: Tomas S. Monson (2020)

“Kapitulli 8”, Mësime: Tomas S. Monson

Kapitulli 8

Thirrja për Kurajë

“Qofshim ne gjithmonë të guximshëm dhe të përgatitur që të qëndrojmë për atë që besojmë.”

Nga Jeta e Tomas S. Monsonit

Kur ishte i ri në moshë madhore, Tomas S. Monsoni shërbeu në Rezervën e Flotës Detare të Shteteve të Bashkuara. Gjatë kësaj kohe, ai dhe të tjerë shpesh kishin nevojë për kurajë që të qëndronin të palëkundur për bindjen e tyre. Duke kujtuar një rast të tillë, ai tha:

“Unë besoj se përvoja ime e parë e të pasurit guxim për bindjet e mia ndodhi kur po shërbeja në Marinën e Shteteve të Bashkuara [pak pas] fund[it] të Luftës II Botërore.

Trajnimi për anëtarët e rinj të marinës, nuk ishte një përvojë e lehtë për mua, [as] për kë[do] që e dur[oi] atë. Gjatë tri javëve të para [isha i bindur se jeta ime] ish[te] në rrezik. Marina nuk po përpiqej të më stërviste; po përpiqej të më vriste.

Unë do ta kujtoj gjithmonë kur erdhi sërish e diela pas javës së parë. Na u thanë fjalët e mirëseardhjes nga nënoficeri. Ndërsa po qëndronim drejt në pozicion në zonën e stërvitjes, nën një fllad të akullt të Kalifornisë, ne dëgjuam urdhrin e tij: ‘Sot të gjithë shkojnë në kishë – të gjithë, domethënë, përveç meje. Unë do bëj pushim!’ Pastaj ai bërtiti: ‘Të gjithë ju katolikë, ju do të mblidheni në Kampin Diketër – dhe mos u ktheni deri në orën tre fiks. Para, marsh!’ Një [pjesë] mjaft [e] konsideruesh[me] u largua. Më pas ai dha me ashpërsi urdhrin tjetër: ‘Ata prej jush që janë judenj, ju do të mblidheni në Kampin Henri – dhe mos u ktheni deri në orën tre fiks. Para, marsh!’ Një [pjesë] paksa më [e] vogël marshoi tutje. Pastaj ai tha: ‘Pjesa tjetër prej jush protestantëve, ju do të mblidheni në sallën e Kampit Ferëgat – dhe mos u ktheni deri në orën tre fiks. Para, marsh!’

Në çast në mendje më lindi mendimi: ‘Monson ti nuk je as katolik, nuk je as jude; nuk je as protestant. Ti je mormon, kështu që ti thjesht qëndro këtu!’ Unë mund t’ju siguroj se [u ndjeva] krejtësisht vetëm. I guximshëm dhe i vendosur, po – por i vetëm.

Dhe më pas dëgjova fjalët më të ëmbla që kisha dëgjuar ndonjëherë të shqiptoheshin nga ai nënoficer. Ai pa drejt meje dhe pyeti: ‘Po ju djema si e quani veten?’ Deri në atë çast unë nuk e kisha kuptuar se të tjerë kishin qëndruar [pranë ose] pas meje në zonën e stërvitjes. Pothuajse njëzëri, secili prej nesh u përgjigj: ‘Mormonë!’ Është e vështirë ta përshkruaj gëzimin që mbushi zemrën time kur u ktheva dhe pashë disa marinarë të tjerë.

Nënoficeri kruajti kokën me një shprehje hutimi, por së fundi tha: ‘Mirë, shkoni gjeni një vend për t’u mbledhur. Dhe mos u ktheni deri në orën tre fiks. Para, marsh!’

Ndërkohë që ne marshonim tutje, unë mendova për fjalët e një poezie që kisha mësuar në Fillore vite më parë:

Guxo të jesh mormon;

Guxo që i vetëm të qëndrosh.

Guxo të kesh një [qëllim të palëkundur];

Guxo që të tjerëve t’ua tregosh.

Megjithëse përvoja doli ndryshe nga ajo që prisja, unë kisha qenë i gatshëm të qëndroja vetëm, nëse kjo do të kishte qenë e nevojshme.

Që nga ajo ditë, ka pasur [raste] kur nuk ka pasur asnjë që të qëndronte pas meje dhe kështu unë vërtet qëndrova i vetëm. Sa mirënjohës jam që e kam marrë shumë kohë më parë vendimin për të qëndruar i fortë dhe i vërtetë, gjithmonë i përgatitur dhe gati për të mbrojtur [fenë] tim[e], kur të ishte e nevojshme.”1

Gjatë gjithë jetës së tij, Presidenti Monson theksoi parimet që ilustron kjo përvojë. “Qofshim ne gjithmonë të guximshëm dhe të përgatitur që të qëndrojmë për atë që besojmë”, – tha ai, “dhe nëse do të na duhet të qëndrojmë vetëm në këtë proces, e bëfshim këtë me guxim, të forcuar nga njohuria se në të vërtetë ne nuk jemi kurrë vetëm kur ne qëndrojmë për Atin tonë në Qiell.”2

Pamja
Presidenti Monson në foltore

Presidenti Tomas S. Monson në konferencën e përgjithshme të tetorit 2008

Mësime të Tomas S. Monsonit

1

Shkrimet e shenjta japin modele guximi.

Ndërsa [mendoj për] gjithçka që hasni juve sot në botë, një fjalë më vjen në mendje. Ajo përshkruan një [cilësi] që na nevojitet të gjithëve. … A[jo cilësi] është kuraja.3

Kërkohet gjithmonë kurajë. Shkrimet e shenjta portretizojnë provën e kësaj të vërtete. Jozefi, djali i Jakobit, i njëjti Jozef që u shit në Egjipt, tregoi vendosmëri të patundur kuraje kur gruas së Potifarit, e cila u përpoq ta joshte, ai i shpalli: “Si mund ta bëj unë këtë të keqe të madhe dhe të kryej një mëkat kundër Perëndisë? … Ai nuk pranoi të binte në shtrat me të” dhe u largua (Zanafilla 39:9–10).

Në kohën tonë, një baba e zbatoi këtë shembull të kurajës në jetën e fëmijëve të tij duke shpallur: “Nëse e gjeni veten ndonjëherë në një vend ku nuk duhet të jeni, largohuni!”

Profeti Daniel tregoi kurajë të jashtëzakonshme duke e mbrojtur atë që e dinte se ishte e drejtë dhe duke treguar kurajën për t’u lutur edhe pse kërcënohej me vdekje po ta bënte atë (shih te Daniel 6).

Kuraja e karakterizoi jetën e Abinadit, siç tregohet në Librin e Mormonit, nga gatishmëria e tij për të dhënë jetën në vend që të mohonte të vërtetën (shih te Mosia 11:20; 17:20).

Kush nuk mund të frymëzohet nga jeta e dymijë djemve të rinj, bij të Helamanit, të cilët dhanë mësim dhe demonstruan nevojën për kurajë për të ndjekur mësimet e prindërve … ? (Shih tek Alma 56.)

Pamja
luftëtarët e rinj

“Dymijë djemtë e rinj, bij të Helamanit … dhanë mësim dhe demonstruan nevojën për kurajë për të ndjekur mësimet e prindërve.”

Ndoshta secili prej këtyre rrëfimeve kurorëzohet me shembullin e Moronit, i cili pati kurajën për të ngulmuar deri në fund me drejtësi (shih te Moroni 1–10).4

Asnjë përshkrim i modeleve që duhet të ndjekim, nuk do të ishte i plotë pa përfshirë Jozef Smithin, profetin e parë të kësaj periudhe ungjillore. Kur ishte vetëm 14 vjeç, ky i ri guximtar hyri në një korije pemësh, e cila më vonë do të quhej e shenjtë, dhe mori një përgjigje ndaj lutjes së tij të sinqertë.

Vijuan për Jozefin përndjekjet e vazhdueshme ndërsa ai u tregoi të tjerëve rrëfimin e vegimit të lavdishëm që mori në atë korije. Megjithëse e tallën dhe e përbuzën, ai qëndroi i vendosur. Ai tha: “Unë kisha parë një vegim; unë e dija atë dhe e dija se Perëndia e dinte atë dhe nuk mund ta mohoja” [Joseph Smith – Historia 1:25].

Hap pas hapi, duke u përballur me kundërshtim thuajse në çdo drejtim dhe, megjithatë, gjithmonë i udhëhequr nga dora e Zotit, Jozefi organizoi Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Ai tregoi guxim në gjithçka që bëri.

[Nga] fundi [i] jetës së tij, ndërsa e çuan me vëllanë e tij, Hajrëm[in], në burgun e Karthixhit, ai me guxim i bëri ballë asaj që pa dyshim e dinte se e priste, dhe e vulosi dëshminë e tij me gjakun e vet.

Ndërsa përballemi me provat e jetës, le të pasqyrojmë gjithmonë guximin e madh të mishëruar nga Profeti Jozef Smith!5

Në çdo ditë të jetës sonë nevojitet guxim – jo vetëm për ngjarjet madhështore, por shumë më shpesh kur ne marrim vendime ose reagojmë ndaj rrethanave përreth nesh. Poeti dhe romancieri skocez Robert Luis Stivenson tha: “Guximi i përditshëm ka pak dëshmitarë. Por [guximi] juaj nuk është më pak fisnik ngaqë daullet nuk bien për ju dhe turmat nuk e thërrasin emrin tuaj” [në Hal Urban, Choices That Change Lives (2006), f. 122].6

2

Shpesh kërkohet kurajë për të bërë atë që është e drejtë, dhe për ta mbrojtur atë.

Ne jetojmë në një botë ku vlerat morale, në masë të madhe, janë flakur mënjanë, ku mëkati vihet në dukje në mënyrë të hapur dhe ku na rrethojnë tundimet për t’u larguar nga shtegu i ngushtë dhe i ngushtuar. Ne përballemi me trysni të vazhdueshme dhe ndikime tinëzare që po e shkatërrojnë atë që është e denjë, dhe po përpiqen ta zëvendësojnë me filozofitë dhe praktikat e cekëta të një shoqërie laike. …

… Ne pothuajse në mënyrë të sigurt do të thirremi për të mbrojtur atë që besojmë. A do ta kemi guximin për ta bërë këtë? …

Guximi vjen në shumë forma. Shkroi autori i krishterë Çarls Suindoll: “Guximi nuk kufizohet në fushën e betejës … ose në kapjen me trimëri të një vjedhësi në shtëpinë tuaj. Provat e vërteta të guximit janë shumë më të heshtura. Ato janë prova të brendshme, si të qëndruarit besnikë kur askush nuk po vështron, … si të qëndruarit i vetëm kur jeni keqkuptuar” [Growing Strong in the Seasons of Life (1983), f. 398]. Unë do të shtoja se ky guxim i brendshëm gjithashtu përfshin bërjen e [gjësë së duhur] edhe pse mund të kemi frikë, mbrojtjen e bindjeve tona përballë rrezikut të përqeshjes dhe ruajtjen e atyre bindjeve edhe kur kërcënohemi me humbjen e miqve ose të gjendjes shoqërore. Ai, i cili mbron vendosmërisht atë që është e drejtë, duhet të rrezikojë që me raste të kundërshtohet dhe të bëhet i papëlqyeshëm.

Teksa shërbeja në Flotën Detare të Shteteve të Bashkuara [pak pas] Luftë[s] II Botërore, mësova për veprime të guximshme, raste trimërie dhe shembuj guximi. Një rast, të cilin nuk do ta harroj kurrë, ishte guximi i heshtur i një detari 18-vjeçar – jo i [besimit] [t]onë – i cili nuk ishte tepër krenar për t’u lutur. Nga 250 burra në kompani, ai ishte i vetmi që çdo natë binte në gjunjë pranë [krevatit të tij të marinarit], nganjëherë në mes të [fishkëllimave] të [atyre që e ngacmonin] dhe përqeshjeve të [jobesimtarëve]. Me kokë të ulur, ai i lutej Perëndisë. Kurrë nuk u lëkund. Kurrë nuk u ligështua. Ai kishte guxim. …

Ne të gjithë do të hasim frikë, do të përjetojmë tallje dhe do të ndeshemi me kundërshtim. Paçim – ne të gjithë – guximin për t’iu kundërvënë mendimit të përgjithshëm, guximin për ta mbrojtur parimin. Guximi, jo kompromisi, e sjell buzëqeshjen [e] miratimi[t të] Perëndisë. Guximi bëhet një virtyt i gjallë dhe tërheqës kur mbahet parasysh jo vetëm si një gatishmëri për të vdekur si burrë, por si vendosmëria për të jetuar denjësisht. Ndërsa ecim përpara, duke u përpjekur që të jetojmë siç duhet, ne sigurisht do të marrim ndihmë nga Zoti dhe mund të gjejmë ngushëllim në fjalët e Tij.7

K[i]ni kurajë për të qëndruar të [vendosur] për të vërtetën dhe drejtësinë. Meqenëse prirja në shoqëri sot është larg prej vlerave dhe parimeve që Zoti na ka dhënë, ju thuajse me siguri do të thirreni për të mbrojtur atë që ju besoni. Po qe se rrënjët e dëshmisë suaj nuk janë mbjellë me vendosmëri, do të jetë e vështirë për ju të përballoni talljet e atyre që [e sfidojnë] besimin tuaj. Kur mbillet me vendosmëri, dëshmia juaj për ungjillin, për Shpëtimtarin dhe për Atin tonë Qiellor, do të ndikojë te gjithçka bëni gjatë gjithë jetës tuaj. Kundërshtari nuk do të dëshironte asgjë më shumë sesa të lejoni që komente tallëse dhe kritika për Kishën t’ju bëjnë të [vini në pikëpyetje] e të dyshoni. Dëshmia juaj, kur ushqehet vazhdimisht, do t’ju mbajë të sigur[t].

Sillni ndër mend bashkë me mua vegimin e Lehit të pemës së jetës. Ai pa se shumë [vetë] që ishin kapur pas shufrës së hekurit dhe kishin [çarë] përpara përmes mjegullës së errësirës, madje derisa arritën te pema e jetës dhe hëngrën nga frut[a e] pemës, më pas “hodhën sytë përreth, sikur të ishin të turpëruar” [1 Nefi 8:25]. Lehi vrau mendjen për shkakun e sikletit të tyre. Kur hodhi sytë rreth e qark, ai “vur[i] re nga ana tjetër e lumit të ujit një ndërtesë të gjerë dhe të madhe. …

Dhe ishte mbushur me njerëz, si pleq dhe të rinj, si meshkuj dhe femra dhe mënyra e tyre e veshjes ishte jashtëzakonisht e mirë; dhe ata ishin duke u tallur dhe duke treguar me gisht drejt atyre që … po hanin frut[ë]n” [1 Nefi 8:26–27].

Ndërtesa e gjerë dhe e madhe në vegimin e Lehit përfaqëson ata njerëz në botë që e përqeshin fjalën e Perëndisë dhe që tallen me ata që e përqafojnë atë dhe që e duan Shpëtimtarin, dhe [i] jetojnë urdhërimet. Çfarë u ndodh atyre që turpërohen kur ndodhin përqeshje? Lehi na thotë: “Dhe pasi ata kishin shijuar nga frut[a], u turpëruan për shkak të atyre që po i përqeshnin; dhe ata u larguan nëpër shtigje të ndaluara dhe humbën” [1 Nefi 8:28].

Pamja
vegimi i Lehit për pemën e jetës

Një pasqyrim i vegimit të Lehit për pemën e jetës (shih te 1 Nefi 811). Presidenti Monson i nxiti anëtarët e Kishës që të kenë kurajë për bindjet e tyre dhe të jenë të patundur kur njerëzit i tallin dhe përqeshin.

… Me kurajën e bindjeve tuaja, deklarofshi bashkë me Apostullin Pal: “Unë nuk kam turp për ungjillin e Krishtit, sepse ai është fuqia e Perëndisë për shpëtimin” [Romakëve 1:16].

Që të mos ndiheni të papërshtatshëm për detyrat që shtrihen përpara, po ju kujtoj një tjetër prej deklaratave energjike të Apostullit Pal, prej së cilës mund të marrim kurajë: “Sepse Perëndia nuk na ka dhënë frymë frike, por force, dashurie dhe urtësie” [2 Timoteut 1:7]. … Me ndihmën e Tij, ju do të keni kurajën që t’i bëni ballë çfarëdo gjëje që do të vijë.8

3

Ne mund të kemi kurajën morale për të qenë një dritë për të tjerët.

Filozofitë e njerëzve janë përreth nesh. Fytyra e mëkatit sot maskohet shpesh me tolerimin. Mos u mashtroni; pas asaj pamjeje të jashtme ka pikëllimi, hidhërim dhe dhimbj[e]. Ju e dini ç’është e drejtë dhe ç’është e gabuar, dhe asnjë maskim, sado tërheqës, nuk [mund ta] ndrysho[jë] këtë. Natyra e shkeljes mbetet po ajo. Nëse të ashtuquajturit miq ju nxisin të bëni diçka që e dini se është e gabuar, ju bëhuni ai që [e] mbështet të drejtën, edhe nëse ju duhet t[ë qëndroni] vetëm. Kini kurajën morale të jeni një dritë që të tjerët ta ndjekin. Nuk ka [miqësi] më të çmuar sesa ndërgjegjja juaj e pastër, pastërtia juaj morale – dhe sa ndjenjë e lavdishme është të dish se qëndron i pastër në vendin tënd të caktuar dhe me [vetëbesimin] se je i denjë të veprosh kështu.9

Mesazhet që p[ortretizohen] në televizor, në filma dhe në media të tjera janë shpesh në kundërshtim të drejtpërdrejtë me ato që duam që fëmijët tanë të përqafojnë dhe t’i mbajnë si të çmuara. Është përgjegjësia jonë që jo vetëm që t’i mësojmë të jenë të shëndetshëm në besim [e] doktrinë, por gjithashtu t’i ndihmojmë ata të qëndrojnë në atë mënyrë, pavarësisht nga forcat e jashtme [që mund të ndeshin]. Kjo do të kërkojë mjaft kohë dhe përpjekje nga ana jonë – dhe në mënyrë që t’i ndihmojmë të tjerët, neve vetë na duhet kuraj[ë] shpirtërore dhe morale për t’i [bërë ballë] së ligës të cilën e shohim nga të gjitha anët.10

Shërbeva si president i Misionit të Kanadasë. Në Ontario të Kanadasë, dy nga misionarët tanë po predikonin derë më derë në një pasdite të ftohtë me dëborë. Nuk kishin pasur kurrfarë suksesi. Njëri elder [plak] ishte me përvojë, tjetri ishte i ri.

Të dy trokitën në shtëpinë e z. Elmer Pollard, dhe ai, duke ndier keqardhje për misionarët pothuajse të ngrirë, i ftoi të hynin brenda. Ata paraqitën mesazhin e tyre dhe i kërkuan nëse do të bashkohej në lutje. Ai ra dakord, por me kusht që të mund ta bënte ai lutjen.

Lutja që bëri ai, i habiti misionarët. Ai tha: “Atë Qiellor, bekoji këta dy misionarë të ngratë, të dalë nga udha, që të mund të kthehen në shtëpitë e tyre dhe të mos e çojnë kohën e tyre dëm duke u treguar njerëzve në Kanada për një mesazh që është kaq i pabesueshëm dhe për të cilin ata dinë aq pak”.

Kur u ngritën nga të qëndruarit në gjunjë, z. Pollard u kërkoi misionarëve të mos ktheheshin më kurrë në shtëpinë e tij. Teksa u larguan, ai u tha me tallje: “Gjithsesi, ju nuk mund të më thoni se besoni vërtet që Jozef Smithi ishte një profet i Perëndisë!” dhe përplasi derën.

Misionarët kishin bërë vetëm pak rrugë kur shoku misionar më i ri tha me druajtje: “Elder, nuk iu përgjigjëm z. Pollard”.

Misionari me më shumë kohë në mision, u përgjigj: “Ne nuk u pranuam. Le të vazhdojmë.”

Megjithatë, misionari më i ri nguli këmbë, dhe që të dy u kthyen te dera e z. Pollard. Z. Pollard e hapi derën dhe tha me zemërim: “Mendova se ju thashë juve djelmosha që të mos ktheheshit kurrë!”

Shoku më i ri atëherë tha me të gjithë guximin që mundi të mblidhte brenda vetes: “Z. Pollard, kur u larguam nga dera juaj, ju thatë se ne nuk e besonim vërtet se Jozef Smithi ishte profet i Perëndisë. Unë dua të të dëshmoj ty, z. Pollard, se unë e di se Jozef Smithi ishte një profet i Perëndisë, se me anë të frymëzimit ai përktheu analin e shenjtë të njohur si Libri i Mormonit, se ai vërtet e pa Perëndinë, Atin, dhe Jezusin, Birin.” Misionarët më pas u larguan nga pragu i derës.

E dëgjova po këtë person, z. Pollard, në një mbledhje dëshmish të tregonte përvojat e asaj dite të paharrueshme. Ai tha: “Atë natë nuk kisha gjumë. U ktheva e u rrotullova. Pareshtur dëgjoja në mendjen time fjalët: ‘Jozef Smithi ishte një profet i Perëndisë. Unë e di këtë. … Unë e di këtë. … Unë e di këtë.’ Mezi po prisja të vinte mëngjesi. I mora në telefon misionarët, duke përdorur numrin e tyre që ishte i shtypur në një kartë të vogël, e cila përmbante Nenet e Besimit. Ata u kthyen dhe këtë herë bashkëshortja ime, familja ime dhe unë iu bashkuam diskutimit si kërkues të zellshëm të së vërtetës. Si rrjedhojë, të gjithë ne e kemi përqafuar ungjillin e Jezu Krishtit. Ne do të jemi gjithmonë mirënjohës për dëshminë mbi të vërtetën që na sollën ata dy misionarë të guximshëm e të përulur.”11

Më lejoni të flas … për kurajën për t’u përmbajtur që të mos t’i gjykojmë të tjerët. Oh, ju mund të pye[s]ni: ‘A duhet vërtet kurajë për këtë?’ Dhe do të përgjigjesha se unë besoj se ka mjaft [raste] kur përmbajtja që të mos gjykojmë – apo thashethemet, ose kritika, që sigurisht janë të ngjashme me gjykimin – kërkon një akt kuraje.

Fatkeqësisht, ka nga ata që e ndiejnë të domosdoshme t’i kritikojnë dhe t’i nënvleftësojnë të tjerët. Pa dyshim që keni qenë në prani të njerëzve të tillë, siç do të jeni në të ardhmen. … Ne nuk na duhet të vrasim mendjen se si duhet të jetë sjellja jonë në situata të tilla. … [Shpëtimtari] këshilloi: “Pushoni së gjeturi faj njëri me tjetrin” [Doktrina e Besëlidhje 88:124]. Kur [të] jeni të rrethuar nga [bashkëmoshatarët t]uaj dhe të ndieni trysninë për të marrë pjesë në kritika dhe gjykime të tilla, do t’ju duhet kurajë e vërtetë që të përmbaheni [që të mos të bashkoheni me ta] …

… Unë ju përgjërohem të keni kurajën të përmbaheni që të mos t’i gjykoni dhe kritikoni njerëzit rreth jush, si dhe kurajën që të siguroni që gjithkush të përfshihet dhe të ndiejë se e duan dhe e vlerësojnë.12

4

Na duhet kurajë për t’i duruar sfidat e jetës.

Çfarë do të thotë të durosh? Më pëlqen shumë ky përkufizim: të rezistosh me kurajë. Kuraja mund të jetë e nevojshme që ju të besoni; nganjëherë do të jetë e nevojshme ndërsa ju bindeni. Me sigurinë më të madhe do të kërkohet ndërsa ju duroni deri në atë ditë kur ta lini këtë ekzistencë në vdekshmëri.13

Më pëlqejnë shumë këto fjalë nga poetja Ela Uiler Uilkoks:

Është mjaft e thjeshtë të kënaqesh,

Kur jeta si një këngë rrjedh,

Por njeriu që vlen, është ai që buzëqesh,

Edhe kur gjithçka shkon ters.

[“Worth While”, në Ella Wheeler Wilcox, Poems of Sentiment (1906), f. 11]

I tillë njeri ishte Pol Tingi. … Poli u rrit në një shtëpi të mirë shenjtorësh të ditëve të mëvonshme dhe shërbeu në një mision të nderuar për Zotin në Gjermani. Një prej shokëve të tij në fushën e misionit ishte Plaku Brus D. Porter, i Kuorumit të Parë të Të Shtatëdhjetëve. Plaku Porter e përshkroi Plakun Tingi si një nga misionarët më të përkushtuar dhe të suksesshëm që kishte njohur ndonjëherë.

Në fund të misionit të tij, Plaku Tingi u kthye në shtëpi, përfundoi studimet në universitet, u martua me të dashurën e zemrës së vet dhe bashkë me të krijuan familjen e tyre. Ai shërbeu si peshkop dhe ishte i suksesshëm në profesionin e vet.

Më pas, pa shumë paralajmërim, simptomat e një sëmundjeje të frikshme goditën sistemin e tij nervor – madje sklerozë e shumëfishtë. I mbajtur rob nga kjo sëmundje, Pol Tingi luftoi me guxim, por më pas u mbyll në një godinë përkujdesjeje për pjesën tjetër të jetës. Atje ai i gëzoi të pikëlluarit dhe i bëri të gjithë të ndiheshin të gëzuar [shih “A Kam Bër’ Ndonjë të Mir’?Himne, nr. 139]. Kurdoherë që frekuentoja mbledhjet e Kishës atje, Poli më ngrinte shpirtërisht, ashtu bënte me të gjithë të tjerët.

Kur u zhvilluan Lojërat Olimpike Botërore në Solt-Lejk-Siti në vitin 2002, Poli u zgjodh që të mbante pishtarin olimpik për një largësi të caktuar. Kur kjo gjë u njoftua në godinën e përkujdesjes, një brohoritje shpërtheu nga ata pacientë të mbledhur dhe një duartrokitje e përzemërt jehoi nëpër salla. Teksa e përgëzova Polin, ai tha me diksionin e tij të mangët: “Shpresoj të mos më bjerë pishtari nga duart”.

… Pol Tingit nuk i ra pishtari olimpik nga duart. Për më tepër, ai e mbajti me guxim pishtarin që iu dorëzua në jetë dhe e bëri këtë deri në ditën që ndërroi jetë.

Shpirtshmëri, besim, vendosmëri, kurajë – Pol Tingi i kishte të gjitha këto.14

Duhet kurajë për të bërë një hap fillestar drejt synimit të lakmuar, por nevojitet kurajë edhe më e madhe kur pengohesh dhe të duhet të bësh një përpjekje të dytë për ta arritur.

Kini vendosmërinë për ta bërë përpjekjen, për ta ndarë mendjen që të punoni drejt një qëllimi të vlefshëm dhe kurajën që jo vetëm t’u bëni ballë sfidave që vijnë pashmangshmërisht, por gjithashtu të bëni një përpjekje të dytë, nëse do të jetë e nevojshme.15

Udhëtimi i jetës nuk përshkohet në një autostradë pa pengesa, gracka dhe kurthe. Përkundrazi, është një shteg që shënohet nga degëzime dhe kthesa. Vazhdimisht na shtrohen vendime. Për t’i marrë ato me urtësi, nevojitet kurajë: kurajë për të thënë jo, kurajë për të thënë po. Vendimet vërtet e përcaktojnë fatin.16

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Pyetje

  • Shqyrtojini shembujt te pjesa 1 e njerëzve që treguan kurajë të madhe. Çfarë mund të mësojmë nga këta shembuj?

  • Shqyrtojini llojet e kurajës që përmendi Presidenti Monson te pjesa 2. Cilat janë disa situata në jetën tuaj që kanë kërkuar kurajë? Si mund ta forcojmë kurajën tonë për të bërë atë që është e drejtë?

  • Presidenti Monson theksoi nevojën që ne të jemi shembuj të kurajës morale (shih te pjesa 3). Çfarë mund të mësojmë nga misionari që u kthye për t’i dëshmuar Elmer Pollardit? Përse kërkohet kurajë për t’u përmbajtur që të mos t’i gjykojmë dhe kritikojmë të tjerët? Si mund ta mposhtim prirjen për të gjykuar ose kritikuar?

  • Çfarë mund të na mësojë historia e Pol Tingit rreth kurajës në kohë sprove? (Shih te pjesa 4.) Si ju kanë frymëzuar njerëzit e tjerë nga kuraja e tyre në kohë vështirësish?

Shkrime të Shenjta Përkatëse

Jozueut 1:5–7; Psalmeve 27:14; 31:23–24; Mateu 5:10–12; Gjoni 14:27; Mosia 17:8–10; Alma 53:18–21; Doktrina e Besëlidhje 3:6–8; 128:22

Ndihmë për Studimin

“Shumë njerëzve kanë zbuluar se koha më e mirë për të studiuar është në mëngjes pas pushimit të natës. … Të tjerë parapëlqejnë të studiojnë në orët e qeta pasi puna dhe shqetësimet e ditës kanë mbaruar. … Ndoshta ajo që është më e rëndësishme sesa ora e ditës, është që të veçohet një kohë e rregullt për studim” (Howard W. Hunter, “Reading the Scriptures”, Ensign, nëntor 1979, f. 64).

Shënime

  1. Kini Guxim të Qëndroni Vetëm”, Liahona, nëntor 2011, f. 61.

  2. Kini Guxim të Qëndroni Vetëm”, f. 67.

  3. Paçi Kurajë”, Liahona, maj 2009, f. 124.

  4. Courage Counts”, Ensign, nëntor 1986, f. 41.

  5. Ata Lanë Gjurmët Mbi Shtegun që Duhet të Ndjekim”, Ensign, tetor 2007, f. 5–6.

  6. Ji i Fortë dhe Trim”, Liahona, maj 2014, f. 67.

  7. Ji i Fortë dhe Trim”, f. 66, 67, 69.

  8. Paçi Kurajë”, f. 126–127.

  9. Shembuj Drejtësie”, Liahona, maj 2008, f. 65.

  10. Tre Qëllime Për T’ju Udhëhequr”, Liahona, nëntor 2007, f. 118–119.

  11. The Prophet Joseph Smith: Teacher by Example”, Liahona, nëntor 2005, f. 69.

  12. Paçi Kurajë”, f. 124–125.

  13. Besoni, Binduni dhe Duroni”, Liahona, maj 2012, f. 129.

  14. The Call for Courage”, Liahona, maj 2004, f. 56.

  15. Living the Abundant Life”, Ensign, janar 2012, f. 5.

  16. Courage Counts”, f. 40.