Mësime të Presidentëve
Kapitulli 19: Udhëheqja e Priftërisë në Kishën e Jezu Krishtit


Kapitulli 19

Udhëheqja e Priftërisë në Kishën e Jezu Krishtit

“Zoti po e mbikëqyr këtë punë. Kjo është mbretëria e Tij. Ne nuk jemi si delet pa bari. Ne nuk jemi si një ushtri pa udhëheqës.”

Nga Jeta e Gordon B. Hinklit

Presidenti Gordon B. Hinkli kujtoi: “Përgjegjësia ime e parë në Kishë, detyra e parë fare që mbajta, ishte këshilltar për djalin që kryesonte në kuorumin tonë të dhjakëve. Peshkopi ynë i mirë më thirri dhe bisedoi me mua rreth kësaj thirrjeje. Kjo më bëri shumë përshtypje. Isha i shqetësuar dhe në merak. Nga natyra, besojeni ose jo, isha një djalë disi i turpshëm e i mbyllur dhe mendoj se kjo thirrje për të shërbyer si këshilltar në një kuorum dhjakësh ishte po aq shqetësuese për mua, për sa i takon moshës dhe përvojës sime, sa është edhe përgjegjësia ime e tanishme për sa i takon moshës dhe përvojës sime.”1

Presidenti Hinkli pati ndjenja të ngjashme në vitin 1961, kur ai u thirr të shërbente si anëtar i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Në bisedën e tij të parë në konferencën e përgjithshme si një Apostull, ai tha:

“Mendoj se ndiej një lloj barre për këtë përgjegjësi, për të qëndruar si dëshmitar i Zotit Jezu Krisht përpara një bote që ngurron ta pranojë atë. ‘Qëndroj plot habi kur shoh sa shum’ Krishti më do.’ Jam i përulur nga mirëbesimi i Profetit të Zotit ndaj meje dhe nga dashuria e shprehur e këtyre, vëllezërve të mi. … Lutem për forcë; lutem për ndihmë; dhe lutem për besimin dhe vullnetin që të jem i bindur.”2

Më 1 prill 1995, Presidenti Hinkli foli në sesionin e priftërisë të konferencës së përgjithshme pasi anëtarët e Kishës e kishin mbështetur atë për herë të parë si profetin dhe Presidentin e tyre. Gjatë 14 viteve të mëparshme, ai kishte shërbyer si këshilltar i tre Presidentëve të tjerë të Kishës. Ai kishte dëshmuar vazhdimisht për thirrjen e tyre hyjnore dhe i kishte nxitur shenjtorët e ditëve të mëvonshme që t’i ndiqnin këshillat e tyre. Tani, duke e parë veten në atë pozicion, ndjenjat e tij të varësisë nga Zoti nuk qenë zvogëluar që nga koha kur ishte dhjak apo një Apostull i sapothirrur. Përkundrazi, ai ishte bërë edhe më i vetëdijshëm për nevojën e tij për forcën mbështetëse të Zotit. Ai tha:

“Duart tuaja të ngritura lart në asamblenë solemne këtë mëngjes u bënë një shprehje e gatishmërisë dhe dëshirës suaj për të na mbështetur ne, vëllezërit dhe shërbëtorët tuaj, me mirëbesimin, besimin dhe lutjen tuaj. Jam thellësisht mirënjohës për atë shprehje [të vullnetit]. E falënderoj secilin prej jush. Ju siguroj, ashtu siç tashmë e dini, që në proceset e Zotit, nuk ka aspiratë për post. Ashtu siç Zoti u tha dishepujve të Tij: ‘Nuk më keni zgjedhur ju mua, por unë ju kam zgjedhur juve; dhe ju caktova’ (Gjoni 15:16). Kjo detyrë nuk është nga ato që kërkohet. E drejta për të përzgjedhur i mbetet Zotit. Ai është mjeshtri i jetës dhe i vdekjes. E Tija është fuqia për të thirrur. E Tija është fuqia për të hequr. E Tija është fuqia për të mbajtur. Gjithçka është në duart e Tij.

Nuk e di përse, në planin e Tij të madh, do të gjente vend një njeri si unë. Por, pasi më ka rënë ky mantel, tani unë ia ripërkushtoj çfarëdo fuqie, ose kohe, ose talenti, ose jete që unë kam, punës së Mësuesit tim, në shërbim të vëllezërve dhe motrave të mia. Sërish, ju falënderoj … për veprimet tuaja këtë ditë. Barra e lutjes sime është që unë do të jem i denjë. Shpresoj që të mund të më kujtoni në lutjet tuaja.”3

Pamja
Presidenca e Parë

Presidenca e Parë, 1995. Presidenti Gordon B. Hinkli (në qendër); Presidenti Tomas S. Monson, Këshilltar i Parë (majtas); dhe Presidenti Xhejms E. Faust, Këshilltar i Dytë (djathtas).

Mësime të Gordon B. Hinklit

1

Zoti e thërret secilin President të Kishës pasi e vë në provë, e pastron dhe e përgatit atë.

Kam punuar me Presidentët e Kishës, që nga Presidenti Hibër J. Grant e më tej. … I kam njohur këshilltarët e të gjithë këtyre burrave dhe e kam njohur Këshillin e Të Dymbëdhjetëve gjatë viteve të administratës së këtyre Presidentëve. Të gjithë këta burra kanë qenë njerëzorë. Ata kanë pasur tipare njerëzore dhe ndoshta disa dobësi njerëzore. Por, më e rëndësishmja, ka pasur, në jetën e secilit prej tyre, një shfaqje vërshuese të frymëzimit të Perëndisë. Ata që kanë qenë Presidentë, kanë qenë profetë në një mënyrë shumë të vërtetë. Unë e kam dëshmuar nga afër shpirtin e zbulesës mbi ta. Çdo burrë erdhi në Presidencë pas shumë vitesh përvoje si anëtar i Këshillit të Të Dymbëdhjetëve dhe në pozicione të tjera. Zoti e përmirësoi dhe e përgatiti secilin prej tyre, duke e lënë që të njihte shkurajimin dhe dështimin, duke e lënë që të përjetonte sëmundje dhe, në disa raste, pikëllim të thellë. E gjitha kjo u bë pjesë e një procesi të madh përmirësues dhe ndikimi i atij procesi u bë qartësisht i bukur në jetën e tyre.

Miqtë e mi të dashur në ungjill, kjo është puna e Perëndisë. Kjo është Kisha e tij, Kisha e Birit të tij të Dashur, emrin e të cilit ajo mban. Perëndia nuk do të lejojë kurrë që një mashtrues të qëndrojë në krye të saj. Ai do t’i caktojë profetët e tij dhe do t’i frymëzojë e udhëheqë ata.4

Disa shprehin shqetësimin se Presidenti i Kishës ka gjasa që të jetë gjithmonë një burrë i moshuar, të cilit unë i përgjigjem: “Çfarë bekimi!” … Ai nuk ka pse të jetë i ri. Ai ka dhe do të vazhdojë të ketë burra më të rinj që udhëtojnë kudo në tokë në punën e shërbesës. Ai është prifti i lartë kryesues, personi i besuar për të gjithë çelësat e priftërisë së shenjtë dhe zëri i zbulesës nga Perëndia për popullin e tij. …

Mendoj se ka diçka shumë qetësuese kur dimë se … ne do të kemi një President, i cili është i disiplinuar dhe i shkolluar, i vënë në provë e i sprovuar, besnikëria e të cilit në punë dhe integriteti moral për kauzën janë kalitur në farkën e shërbimit, besimi i të cilit është pjekur dhe afërsia e të cilit me Perëndinë është kultivuar për një periudhë prej shumë vitesh.5

Unë flas … me mirënjohje që një profet na udhëheq në këto ditë të mëvonshme. Unë përgjërohem për besnikëri ndaj atij të cilin Zoti e ka thirrur dhe vajosur. Unë përgjërohem për palëkundshmëri për ta përkrahur atë dhe për t’u kushtuar vëmendje mësimeve të tij. E kam thënë … se, nëse kemi një profet, ne kemi gjithçka. Nëse nuk kemi një profet, ne nuk kemi asgjë. Ne e kemi një profet. Ne kemi pasur profetë që nga themelimi i kësaj Kishe. Ne kurrë nuk do të jemi pa një profet, nëse jetojmë të denjë për një profet.

Zoti po e mbikëqyr këtë punë. Kjo është mbretëria e Tij. Ne nuk jemi si delet pa bari. Ne nuk jemi si një ushtri pa udhëheqës.6

2

Kur një President i Kishës vdes, Apostulli më i vjetër në detyrë bëhet Presidenti i radhës.

Kalimi i autoritetit [te një President i ri i Kishës], në të cilin unë kam marrë pjesë disa herë, është i bukur në thjeshtësinë e tij. Është tregues i mënyrës se si i bën gjërat Zoti. Sipas procedurës së Tij, një burrë përzgjidhet nga profeti që të bëhet anëtar i Këshillit të Dymbëdhjetë Apostujve. Ai nuk e zgjedh këtë si karrierë. Ai thirret, ashtu siç u thirrën Apostujt në kohën e Jezusit, të cilëve Zoti u tha: “Nuk më keni zgjedhur ju mua, por unë ju kam zgjedhur juve; dhe ju caktova”. (Gjoni 15:16.) Vitet kalojnë. Ai stërvitet dhe disiplinohet në përgjegjësitë e detyrës së tij. Ai udhëton kudo në botë në përmbushje të thirrjes së tij apostolike. Është një rrugë e gjatë përgatitjeje, në të cilën ai arrin t’i njohë shenjtorët e ditëve të mëvonshme kudo ku ata mund të jenë, dhe ata arrijnë ta njohin atë. Zoti e vë në provë zemrën dhe thelbin e tij. Në rrjedhën e natyrshme të ngjarjeve, në atë këshill krijohen vende të lira dhe bëhen caktime të reja. Sipas këtij procesi, një burrë i veçantë bëhet Apostulli më i vjetër në detyrë. Mbeten të paaktivizuar në të dhe në Vëllezërit e tij kolegë, të gjithë çelësat e priftërisë që iu dhanë secilit prej tyre në kohën e shugurimit. Por autoriteti për t’i ushtruar ata çelësa kufizohet te Presidenti i Kishës. Me vdekjen e [profetit], ai autoritet bëhet veprues te Apostulli më i vjetër në detyrë, i cili më pas emërohet, veçohet dhe shugurohet një profet dhe President nëpërmjet kolegëve të tij të Këshillit të Të Dymbëdhjetëve.

Nuk ka kandidim për pozicionin. Nuk ka fushatë zgjedhjeje. Ekziston vetëm procesi i qetë dhe i thjeshtë i një plani hyjnor, i cili siguron udhëheqje të frymëzuar e të provuar.

Unë kam qenë dëshmitar, një dëshmitar vetjak, i këtij procesi të mrekullueshëm. Ju jap dëshminë time se është Zoti që [e zgjedh profetin].7

Me vdekjen e Presidentit [Hauard W.] Hanter, Presidenca e Parë u shkri. Unë dhe Vëllai Monson, që kishim shërbyer si këshilltarët e tij, zumë vendet tona në Kuorumin e Të Dymbëdhjetëve, i cili u bë autoriteti kryesues i Kishës.

… Të gjithë Apostujt e shuguruar të gjallë u mblodhën në një frymë agjërimi dhe lutjeje në dhomën e sipërme të tempullit. Këtu ne kënduam një himn të shenjtë dhe u lutëm së bashku. Ne morëm sakramentin e darkës së Zotit, duke përtërirë në atë testament të shenjtë e simbolik, besëlidhjet tona dhe marrëdhënien tonë me Atë që është Shëlbuesi ynë hyjnor.

Më pas presidenca u riorganizua, duke ndjekur një model të krijuar mirë nëpër brezat e së shkuarës.

Nuk pati as fushatë, as garë, as ambicie për detyrën. Ishte i qetë, paqësor, i thjeshtë dhe i shenjtë. Ai u krye sipas modelit që Vetë Zoti e kishte vendosur.8

3

Zoti ka dhënë parime dhe procedura për qeverisjen e Kishës së Tij nëse Presidenti nuk është në gjendje të funksionojë plotësisht.

Presidenti Hinkli bëri deklaratën vijuese në vitin 1992, kur ai po shërbente si Këshilltar i Parë në Presidencën e Parë: Kreu i Kishës është Zoti Jezu Krisht. Është Kisha e Tij. Por kreu tokësor është profeti ynë. Profetët janë burra që u është dhuruar një thirrje hyjnore. Pavarësisht nga hyjnueshmëria e asaj thirrjeje, ata janë njerëzorë. Ata u nënshtrohen problemeve të vdekshmërisë.

Ne e duam dhe e respektojmë, dhe e nderojmë, dhe i mbajmë sytë te profeti i kësaj dite, Presidenti Ezra Taft Benson. Ai ka qenë një udhëheqës i madh dhe i talentuar, një njeri zëri i të cilit ka kumbuar duke dëshmuar për këtë punë kudo në botë. Ai i mban të gjithë çelësat e priftërisë në tokë në këtë kohë. Por ka arritur një moshë kur ai nuk mund të bëjë shumë prej gjërave që bënte dikur. Kjo nuk e shpërqendron nga thirrja e tij si profet. Por vendos kufizime në veprimtaritë e tij fizike.9

Presidenti Hinkli bëri deklaratën vijuese në vitin 1994, kur ai u thirr të shërbente si Këshilltar i Parë në Presidencën e Parë: Njerëzit në mbarë Kishën janë natyrshëm në ankth për të ditur gjendjen e Presidentit. Presidenti Benson tani është në vitin e tij të nëntëdhjetë e pestë. … Ai vuan shumë nga ndikimi i moshës dhe i sëmundjes dhe nuk ka qenë në gjendje të përmbushë përgjegjësi të rëndësishme të kësaj detyre të shenjtë. Kjo nuk është një situatë që nuk ka ndodhur më parë. Presidentë të tjerë të Kishës kanë qenë gjithashtu të sëmurë ose të paaftë të funksionojnë plotësisht në muajt ose vitet përmbyllëse të jetës së tyre. Ka mundësi që kjo të ndodhë sërish në të ardhmen.

Parimet dhe procedurat që Zoti ka vendosur për qeverisjen e Kishës së Tij, marrin masa për cilëndo rrethanë të tillë. Është e rëndësishme … që të mos ketë asnjë dyshim apo shqetësim lidhur me qeverisjen e Kishës dhe ushtrimin e dhuntive profetike, përfshirë të drejtën për frymëzim e zbulesë në administrimin e punëve dhe programeve të Kishës, kur Presidenti mund të sëmuret apo nuk është në gjendje të funksionojë plotësisht.

Presidenca e Parë dhe Këshilli i Dymbëdhjetë Apostujve, të thirrur e të shuguruar për të mbajtur çelësat e priftërisë, kanë autoritetin dhe përgjegjësinë për të qeverisur Kishën, për të administruar ordinancat e saj, për të shpjeguar doktrinën e saj dhe për të caktuar e ruajtur procedurat e saj. Çdo burrë që është shuguruar Apostull dhe është mbështetur si anëtar i Këshillit të Të Dymbëdhjetëve, mbështetet si profet, shikues dhe zbulues. Ashtu si ata që kanë qenë përpara tij, Presidenti Benson ishte Apostulli më i vjetër në detyrë në kohën kur u thirr si President i Kishës. Këshilltarët e tij u përzgjodhën nga Këshilli i Të Dymbëdhjetëve. Prandaj, të gjithë anëtarët në detyrë të Kuorumit të Presidencës së Parë dhe të Këshillit të Të Dymbëdhjetëve kanë qenë marrës të çelësave, të të drejtave dhe të autoritetit që lidhet me apostullimin e shenjtë.

Citoj nga Doktrina e Besëlidhje:

“Nga Priftëria Melkizedeke, tre Priftërinj të Lartë Kryesues, të zgjedhur nga grupi, të caktuar e shuguruar në atë detyrë dhe të mbështetur nga mirëbesimi, besimi dhe lutja e kishës, përbëjnë një kuorum të Presidencisë së Kishës” (DeB 107:22).

Kur Presidenti është i sëmurë apo i paaftë për të funksionuar plotësisht në të gjitha përgjegjësitë e detyrës së tij, dy Këshilltarët e tij së bashku përbëjnë një Kuorum të Presidencës së Parë. Ata vazhdojnë punën e përditshme të Presidencës. Në rrethana të jashtëzakonshme, kur vetëm njëri mund të jetë në gjendje të funksionojë, ai mund të veprojë në autoritetin e detyrës së Presidencës, sikurse përvijohet te Doktrina e Besëlidhje, seksioni 102, vargjet 10–11. …

… Këshilltarët në Presidencën e Parë vazhdojnë me punën e zakonshme të kësaj detyre. Por çfarëdo pyetje e rëndësishme lidhur me rregulloren, procedurat, programet ose doktrinën merret në shqyrtim me maturi dhe lutje nga ana e Presidencës së Parë dhe e Të Dymbëdhjetëve së bashku. Këto dy kuorume, Kuorumi i Presidencës së Parë dhe Kuorumi i Të Dymbëdhjetëve, duke u mbledhur së bashku, ku çdo burrë ka liri të plotë të shprehë veten e tij, marrin në shqyrtim çdo pyetje të rëndësishme.

Dhe tani unë citoj sërish nga fjala e Zotit: “Dhe çdo vendim, i bërë nga secili prej këtyre kuorumeve, duhet të jetë me anë të zërit unanim të tyre; që është, që çdo anëtar i secilit kuorum duhet të bjerë dakord me vendimet e tij, me qëllim që t’i bëjnë vendimet e tyre të së njëjtës fuqi ose vlefshmëri njëri me tjetrin” (DeB 107:27). …

… Le të kuptohet nga të gjithë se Jezu Krishti qëndron në krye të kësaj kishe, e cila mban emrin e Tij të shenjtë. Ai po e mbikëqyr atë. Ai e udhëheq atë. Duke qëndruar në krah të djathtë të Atit të Tij, Ai e drejton këtë punë. I Tiji është privilegji, fuqia, mundësia për t’i thirrur burrat sipas mënyrës së Tij në detyra të larta e të shenjta dhe për t’i liruar ata sipas vullnetit të Tij duke i thirrur në shtëpi. Ai është Mjeshtri i jetës dhe i vdekjes. Nuk shqetësohem nga rrethanat në të cilat gjendemi. I pranoj këto rrethana si një shprehje të vullnetit të Tij. Unë po ashtu e pranoj përgjegjësinë, duke vepruar me Vëllezërit e mi, për të bërë gjithçka që mundemi për ta çuar përpara këtë punë të shenjtë në frymën e përkushtimit, dashurisë, përulësisë, detyrës dhe besnikërisë.10

4

Apostujt janë dëshmitarë të veçantë të emrit të Krishtit në të gjithë botën.

Pasi shugurohen në apostullimin e shenjtë dhe … veçohen si anëtarë të Këshillit të Të Dymbëdhjetëve, [prej Apostujve] pritet që t’ia përkushtojnë veten e tyre kryesisht punës së shërbesës. Ata … vënë të parën në jetën e tyre, mbi gjithë interesimet e tjera, përgjegjësinë për të qëndruar si dëshmitarë të veçantë të emrit të Krishtit në të gjithë botën. …

Si me të gjithë ne, ata janë burra që janë njerëzorë. Ata kanë pikat e tyre të forta dhe të dobëta. Por tani e tutje, për pjesën tjetër të jetës së tyre, për aq kohë sa mbeten besnikë, shqetësimi i tyre kryesor duhet të jetë përparimi i punës së Perëndisë në tokë. Ata duhet të shqetësohen për mirëqenien e fëmijëve të Atit tonë, si për ata brenda Kishës edhe për ata jashtë Kishës. Ata duhet të bëjnë gjithçka që munden për t’u dhënë ngushëllim atyre që vajtojnë, për t’u dhënë forcë atyre që janë të dobët, për t’u dhënë kurajë atyre që ligështohen, për t’u miqësuar me ata që janë pa miq, për të ushqyer skamësit, për të bekuar të sëmurët, për të dhënë dëshmi, jo nga besimi, por nga një njohuri e sigurt për Birin e Perëndisë, Mikun dhe Mësuesin e tyre, shërbëtorë të të cilit ata janë. …

… Dua të dëshmoj për vëllazërinë e tyre, përkushtimin e tyre, besimin e tyre, zellin e tyre dhe shërbimin e tyre të jashtëzakonshëm në çuarjen përpara të mbretërisë së Perëndisë.11

Pamja
Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve

Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve, 1965. Të ulur nga e majta në të djathtë: Ezra Taft Benson, Mark E. Petersen (në mbështetësen e kolltukut), Jozef Filding Smith (president i kuorumit) dhe LeGrand Riçards. Në këmbë, nga e majta në të djathtë: Gordon B. Hinkli, Delbert L. Stepli, Tomas S. Monson, Spenser W. Kimball, Harold B. Li, Marion G. Romni, Riçard L. Evans dhe Hauard W. Hanter.

5

Presidenca e Parë dhe Të Dymbëdhjetët kërkojnë zbulesë dhe harmoni të plotë përpara se të marrin vendime.

Asnjë vendim nuk buron nga diskutimi i Presidencës së Parë dhe të Të Dymbëdhjetëve pa njëzëshmërinë e plotë midis gjithë të pranishmëve. Kur parashtrohen çështje të rëndësishme, mund të ketë mospërputhje të mendimeve. Këto janë të pritshme. Këta burra vijnë nga rrethana të ndryshme. Këta janë burra që kanë një mendje të tyren. Por, përpara se të merret një vendim përfundimtar, arrihet njëzëshmëria e mendjes dhe e zërit.

Kjo është diçka që pritet nëse ndiqet fjala e zbuluar e Zotit [shih DeB 107:27, 30–31]. …

… [Kur] shërbeva si anëtar i Këshillit të Të Dymbëdhjetëve dhe [kur] kam shërbyer në Presidencën e Parë, kurrë nuk është ndërmarrë një veprim madhor pa u zbatuar kjo gjë. … Nga i gjithë ky proces ku burrat kanë thënë atë që mendojnë, ka ardhur një shoshitje e shqyrtim i ideve dhe koncepteve. Por kurrë nuk kam parë mospërputhje të rënda apo armiqësi vetjake midis Vëllezërve të mi. Për më tepër, kam vërejtur një gjë të bukur dhe të mrekullueshme – ardhjen së bashku, nën ndikimin udhëzues të Shpirtit të Shenjtë dhe nën fuqinë e zbulesës, të pikëpamjeve të ndryshme derisa të ketë harmoni tërësore dhe pajtim të plotë. …

Nuk njoh asnjë trup tjetër qeverisës të çfarëdo lloji, për të cilin mund të thuhet kjo.12

6

Një president kunji thirret me anë të frymëzimit për të shërbyer si këshillues për peshkopët dhe udhëheqës për popullin.

Presidenti i kunjit është drejtuesi i thirrur me anë të zbulesës për të qëndruar midis peshkopëve të lagjeve dhe Autoriteteve të Përgjithshme të Kishës. Është një përgjegjësi shumë e rëndësishme. Ai trajnohet nga Autoritetet e Përgjithshme dhe, pastaj, ai trajnon peshkopët. …

Presidenti i kunjit shërben si një këshilltar për peshkopët. Çdo peshkop e di se, kur duhet të përballet me një problem të vështirë, është dikush lehtësisht në dispozicion tek i cili ai mund të shkojë për të ndarë barrën e tij dhe për të marrë këshilla.

Ai jep një masë të dytë sigurie për të përcaktuar ata që janë të denjë për të shkuar në shtëpinë e Zotit. … Presidenti gjithashtu bëhet një filtër i dytë për të përcaktuar denjësinë e atyre që shkojnë për të përfaqësuar Kishën në fushën e misionit. Ai gjithashtu e interviston kandidatin/en dhe, vetëm kur ai është i kënaqur me denjësinë e tij ose të saj, e miraton rekomandimin. Atij po ashtu i është dhënë autoriteti për të veçuar ata që thirren në misione, dhe për të dhënë lirimin kur ta kenë përfunduar shërbimin e tyre.

Më e rëndësishmja, ai është drejtuesi kryesor disiplinues i kunjit. … Ai mban barrën tepër të rëndë të përgjegjësisë për të siguruar që doktrina e dhënë mësim në kunj të mbahet e pastër dhe e panjollë. Është përgjegjësia e tij që të sigurohet se nuk jepen mësim doktrina të rreme, as nuk ndodhin praktika të rreme. Nëse ka ndonjë mbajtës të Priftërisë Melkizedeke që nuk po sillet në mënyrë të përshtatshme, apo cilido njeri tjetër po ashtu, në disa situata, ai duhet të këshillohet me ta dhe, nëse individi këmbëngul në praktikën e tij apo të saj, atëherë presidenti është i detyruar të ndërmarrë veprim. Ai do ta thërrasë shkelësin/en që të dalë para një këshilli disiplinor, ku mund të ndërmerren veprime për të caktuar një periudhë prove, ose për ta përjashtuar atë nga shoqërimi, ose për ta shkishëruar nga Kisha.

Kjo është një detyrë shumë e vështirë dhe jo e mirëpritur, por presidenti duhet ta përballojë pa frikë ose pa bërë favorizime. E gjitha kjo bëhet në harmoni me udhëheqjen e Shpirtit dhe ashtu siç përshkruhet në seksionin 102 të Doktrinës e Besëlidhjeve.

Më pas, ai duhet të bëjë gjithçka që mundet për të punuar me njeriun që u disiplinua dhe për ta kthyer atë në kohën e duhur.

E gjitha kjo dhe shumë më tepër, përbëjnë përgjegjësitë e tij. Prandaj, si rrjedhojë, jeta e tij duhet të jetë një shembull përpara popullit të tij. …

… Për shkak se kemi mirëbesim të tillë te [presidentët e kunjeve], ne i nxitim anëtarët vendorë që të mos kërkojnë Autoritetet e Përgjithshme për t’u dhënë këshilla dhe për t’i bekuar ata. Presidentët e tyre të kunjeve janë thirrur sipas të njëjtit frymëzim me anë të të cilit u thirrën Autoritetet e Përgjithshme.13

7

Peshkopët janë barinjtë e tufës.

[Kisha] mund të rritet e të shumëfishohet në numra dhe me siguri kjo do të ndodhë. Ky ungjill duhet t’i çohet çdo kombi, fisi, gjuhe dhe populli. Nuk mund të ketë kurrë në të ardhmen e afërt një qëndrim në vend ose mosarritje për ta shtrirë, për ta çuar përpara, për ta ndërtuar, për ta zgjeruar Sionin kudo në botë. Por me gjithë këtë, duhet të vazhdojë të ketë një marrëdhënie të afërt kujdestarie shpirtërore të çdo anëtari me një peshkop apo president dege të mençur e përkujdesës. Këta janë barinjtë e tufës, përgjegjësia e të cilëve është që të kujdesen për njerëzit në një numër relativisht të vogël, kështu që asnjëri të mos braktiset, harrohet ose shpërfillet. Jezusi qe bariu i vërtetë, i cili i ndihmoi ata që po vuanin, një e nga një, duke u dhënë një bekim vetjak.14

Peshkopët e Kishës … në një kuptim të vërtetë të fjalës, janë barinjtë e Izraelit. Çdokush [në Kishë] është i përgjegjshëm ndaj një peshkopi apo presidenti dege. Të pamasa janë barrët që ata mbajnë, dhe unë e ftoj çdo anëtar/e të Kishës që të bëjë gjithçka që ai ose ajo mundet për ta ngritur barrën nën të cilën punojnë peshkopët dhe presidentët e degëve tona.

Ne duhet të lutemi për ta. Atyre u nevojitet ndihmë ndërsa i mbajnë barrët e tyre të rënda. Ne mund të jemi më mbështetës dhe më pak të varur prej tyre. Ne mund t’i ndihmojmë ata në çdo mënyrë të mundshme. Ne mund t’i falënderojmë për gjithçka që bëjnë për ne. Ne po i rraskapitim ata në një kohë të shkurtër me anë të barrëve që ne u ngarkojmë atyre.

… Çdo [peshkop] është një burrë që është thirrur nga shpirti i profecisë e i zbulesës dhe është veçuar e shuguruar me anë të vendosjes së duarve. Çdonjëri prej tyre mban çelësat e presidencës së lagjes së tij. Secili është një prift i lartë, prifti i lartë kryesues i lagjes së tij. Secili mban përgjegjësi shumë të mëdha kujdestarie. Secili qëndron si një atë i popullit të tij.

Askush nuk merr para për shërbimin e tij. Asnjë peshkop lagjeje nuk shpërblehet nga Kisha për punën e tij si peshkop.

Kriteret për një peshkop sot janë ashtu siç ishin në kohën e Palit, i cili i shkroi Timoteut [shih 1 Timoteut 3:2–6]. …

Në letrën e tij drejtuar Titit, Pali shton se “peshkopi, si administrues i shtëpisë së Perëndisë duhet të jetë i paqortueshëm; …

që mban fort fjalën besnike siç i është mësuar, që të jetë në gjendje me doktrinën e shëndoshë të këshillojë dhe bindë ata që kundërshtojnë” (Titit 1:7, 9).

Ato fjalë përshkruajnë me vend një peshkop sot në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.15

Unë i nxit njerëzit në Kishë, kudo ku ju mund të jeni, që, kur hasni probleme, së pari përpiquni t’i zgjidhni vetë ato probleme. Mendoni rreth tyre, studiojini alternativat që janë në dispozicion, lutuni për to dhe shikoni te Zoti për udhëheqje. Nëse nuk jeni në gjendje që t’i zgjidhni vetë, atëherë bisedoni me peshkopin apo presidentin tuaj të degës. Ai është një njeri i Perëndisë, i thirrur nën autoritetin e priftërisë së shenjtë si bariu i tufës.16

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Pyetje

  • Përse kemi nevojë për profetë të gjallë? Çfarë ju bën më shumë përshtypje rreth “procesi[t] përmirësues” të Zotit në përgatitjen dhe thirrjen e një Presidenti të Kishës? (Shih pjesën 1.)

  • Cilat janë mbresat tuaja ndërsa rishikoni përshkrimin e Presidentit Hinkli për mënyrën se si zgjidhet një President i ri i Kishës? (Shih pjesën 2.) Përse është e rëndësishme të dimë se Presidenti zgjidhet sipas “një plani hyjnor, i cili siguron udhëheqje të frymëzuar e të provuar”?

  • Çfarë parimesh dhe procedurash ka vendosur Zoti për qeverisjen e Kishës nëse Presidenti nuk është në gjendje të funksionojë plotësisht në të gjitha detyrat e tij? (Shih pjesën 3.)

  • Si e tregojnë shqetësimin Apostujt e ditëve të mëvonshme për të gjithë fëmijët e Perëndisë, “si për ata brenda Kishës edhe për ata jashtë Kishës”? (Shih pjesën 4.) Si e pasqyrojnë këtë shqetësim bisedat e konferencës së fundit? Si keni përfituar nga mësimet e profetëve dhe të apostujve të gjallë?

  • Studiojini mësimet e Presidentit Hinkli për të parë mënyrën se si arrin në vendimmarrje Presidenca e Parë dhe Kuorumi i Të Dymbëdhjetëve (shih pjesën 5). Çfarë mund të mësojmë nga mënyra se si ata i marrin vendimet? Si mund t’i zbatojmë këto parime në familjet tona dhe në Kishë?

  • Teksa e rishikoni pjesën 6 dhe 7, çfarë mësoni rreth thirrjeve të presidentit të kunjit dhe të peshkopit? Si mund t’i mbështetim më mirë udhëheqësit tanë të Kishës?

Shkrime të Shenjta Përkatëse

Efesianëve 2:19–20; 4:11–14; DeB 1:38; 21:1–6; Abraham 3:22–23; Nenet e Besimit 1:5–6

Ndihmë për Mësimdhënien

“Jepni dëshmi kurdoherë që Shpirti ju nxit ta bëni këtë, jo vetëm në fund të çdo mësimi. Krijoni mundësi për ata, të cilëve u jepni mësim, që të japin dëshmitë e tyre” (Teaching, No Greater Call [1999], f. 45).

Shënime

  1. “In … Counsellors There Is Safety”, Ensign, nëntor 1990, f. 49.

  2. Në Conference Report, tetor 1961, f. 115–116; duke cituar “Qëndroj Plot Habi”, Himne dhe Këngë të Fëmijëve, f. 22.

  3. “This Work Is Concerned with People”, Ensign, maj 1995, f. 51.

  4. “Strengthening Each Other”, Ensign, shkurt 1985, f. 5.

  5. “He Slumbers Not, nor Sleeps”, Ensign, maj 1983, f. 6–7.

  6. “Believe His Prophets”, Ensign, maj 1992, f. 53.

  7. “Come and Partake”, Ensign, maj 1986, f. 46–47.

  8. “This Is the Work of the Master”, Ensign, maj 1995, f. 69.

  9. “The Church Is on Course”, Ensign, nëntor 1992, f. 53–54.

  10. “God Is at the Helm”, Ensign, maj 1994, f. 54, 59.

  11. “A New Witness for Christ”, Ensign, maj 1984, f. 49–51.

  12. “God Is at the Helm”, f. 54, 59.

  13. “The Stake President”, Ensign, maj 2000, f. 50–51.

  14. “This Work Is Concerned with People”, f. 52–53.

  15. “The Shepherds of Israel”, Ensign ose Liahona, nëntor 2003, f. 60.

  16. “Live the Gospel”, Ensign, nëntor 1984, f. 86.