Seminaries and Institutes Callings
Sugjerime për një Larmi Mjedisesh Mësimdhënieje dhe Nxënësish


“Sugjerime për një Larmi Mjedisesh Mësimdhënieje dhe Nxënësish”, Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit: Për të Gjithë Ata që Japin Mësim në Shtëpi dhe në Kishë (2022)

“Sugjerime për një Larmi Mjedisesh Mësimdhënieje dhe Nxënësish”, Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit

Pamja
burra duke u dhënë mësim një familjeje

Sugjerime për një Larmi Mjedisesh Mësimdhënieje dhe Nxënësish

Parimet e mësimdhënies sipas mënyrës së Shpëtimtarit mund të gjejnë zbatim në cilëndo mundësi mësimdhënieje – në shtëpi, në kishë dhe gjetkë. Megjithatë, çdo mundësi vjen me rrethanat e veta të pashoqe. Ky seksion jep sugjerime të mëtejshme që janë të veçanta për nxënës dhe mjedise të ndryshme të mësimdhënies.

Shtëpia dhe Familja

Shtëpia Është Vendi më i Mirë për Mësimdhënien dhe të Mësuarit e Ungjillit

Presidenti Rasëll M. Nelson ka dhënë mësim se shtëpia duhet të jetë “qend[ra e] të mësuarit të ungjillit” (“Të Bëhemi Shenjtorë Shembullorë të Ditëve të Mëvonshme”, Liahona, nëntor 2018, f. 113). Mësimdhënia që ndodh në kishë ose në seminar është e vlefshme dhe e nevojshme, por ka për qëllim ta përkrahë mësimdhënien që ndodh në shtëpi. Mjedisi kryesor – dhe mjedisi më i mirë – për të mësuarit e ungjillit, si për veten edhe për familjet tona, është shtëpia.

Por kjo nuk do të thotë se të mësuarit e mirë të ungjillit ndodh automatikisht në shtëpi; kjo kërkon përpjekje të vetëdijshme. Presidenti Nelson ka sugjeruar se mund t’ju nevojitet “ta shndërro[ni]” ose “ta [rimodeloni] shtëpinë tuaj” – jo medoemos duke shembur muret ose duke vënë dysheme të reja, por ndoshta duke vlerësuar frymën e përgjithshme në shtëpinë tuaj, përfshirë edhe kontributin tuaj për atë frymë (“Të Bëhemi Shenjtorë Shembullorë të Ditëve të Mëvonshme”, f. 113). Për shembull, merrni parasysh muzikën, materialet filmike dhe mjetet e tjera të komunikimit në shtëpinë tuaj; fotografitë nëpër mure; dhe mënyrën se si pjesëtarët e familjes suaj flasin dhe e trajtojnë njëri-tjetrin. A e ftojnë këto gjëra ndikimin e Frymës së Shenjtë? A lini kohë për të mësuarit e ungjillit, individualisht dhe si familje? A ndihen pjesëtarët e familjes se i duan, në siguri dhe pranë Perëndisë kur janë në shtëpinë tuaj?

Ju mund të ndiheni sikur nuk keni kontroll te mjedisi shpirtëror në shtëpinë tuaj. Nëse është kështu, jini ndikimi më i mirë që të mundeni dhe kërkojini ndihmë Zotit. Ai do t’i nderojë përpjekjet tuaja të drejta. Kur përpiqeni që ta jepni mësim dhe ta mësoni ungjillin, edhe nëse nuk i shihni rezultatet e dëshiruara menjëherë, ju jeni duke ia dalë mbanë.

Të Mësuarit në Shtëpi Bazohet te Marrëdhëniet

Shprehja “Duajini ata të cilëve u jepni mësim” zbatohet për të gjitha mjediset e mësimdhënies së ungjillit, por në shtëpi, dashuria duhet të vijë më natyrshëm dhe të ndihet më thellësisht. Edhe nëse shtëpia juaj nuk i përafrohet ideales, qëllimi është që të jetë qendra e mësimdhënies së ungjillit sepse aty ndërtohen marrëdhëniet tona më afatgjatë. Mësuesit jashtë shtëpisë mund të kenë më shumë përvojë ose trajnim si mësues, por kurrë nuk mund ta dublojnë potencialin për marrëdhënie të dashura e të përjetshme që ekzistojnë në shtëpi. Pra, kultivojini ato marrëdhënie. Kushtojuni kohë dhe bëni përpjekjet e nevojshme për t’i dëgjuar pjesëtarët e familjes suaj dhe për të ndërtuar mirëbesim e mirëkuptim me ta. Kjo do të ndihmojë që të krijojë një themel të fortë për përpjekjet tuaja që ta jepni mësim e ta mësoni ungjillin në shtëpi.

Të Mësuarit në Shtëpi Mund të Jetë i Planifikuar por Edhe Spontan

Shumica e klasave të Kishës ndodhin një herë në javë, me një fillim dhe fund të planifikuar, por nuk është ky gjithmonë rasti në shtëpi. Mund të bëni një mësim të planifikuar për mbrëmjen në shtëpi ose studimin familjar të shkrimeve të shenjta, por mundësitë për mësimdhënie në familje shpesh ndodhin në mënyra joformale, në çastet e përditshme – ndërkohë që hamë një vakt, bëjmë punët e shtëpisë, luajmë një lojë, shkojmë për në punë ose shkollë, lexojmë një libër ose shohim një film së bashku. Një stuhi shiu mund të jetë një rast për të folur rreth mënyrës se si Shpëtimtari na jep strehë nga stuhitë shpirtërore. Një adoleshent/e që ka një vendim të vështirë për të marrë mund të jetë gati të mësojë për zbulesën vetjake. Një fëmijë që ka frikë mund të gjejë dobi nga dëshmia juaj për Ngushëlluesin. Fëmijëve që sillen keq ose e keqtrajtojnë njëri‑tjetrin mund t’u mësohet për pendimin dhe faljen.

Për shkak se çaste të tilla janë të paplanifikuara, ju nuk mund të përgatiteni për to siç do të përgatiteshit për një mësim tradicional. Megjithatë, ju mund të përgatiteni duke qenë të ndjeshëm ndaj Shpirtit dhe duke u përpjekur fort që të “jini gjithnjë gati” (1 Pjetër 3:15). Çdo çast mund të bëhet një çast mësimdhënieje ose të mësuari.

Mësimi në Shtëpi Përbëhet nga Përpjekje të Vogla, të Thjeshta, të Qëndrueshme

Prindërit nganjëherë shkurajohen kur përpjekjet e tyre për ta dhënë mësim ungjillin në shtëpi duket sikur nuk kanë sukses. Po ta marrësh individualisht, një mbrëmje e vetme në shtëpi, një fashë kohore e studimit të shkrimeve të shenjta, apo një bashkëbisedim mbi ungjillin mund të duket sikur nuk po arrin të japë edhe aq rezultate. Por grumbullimi i përpjekjeve të vogla, të thjeshta, të përsëritura dhe të qëndrueshme me kalimin e kohës, mund të jetë më i fuqishëm dhe më forcues se një çast i rastësishëm monumental ose mësim i spikatur. “Por gjithë gjërat duhet të ndodhin në kohën e tyre”, – ka thënë Zoti. “Prandaj, mos u lodhni së bëri mirë, sepse ju po ngrini themelin e një vepre të madhe. Dhe nga gjëra të vogla vjen ajo që është e madhe” (Doktrina e Besëlidhje 64:32–33; shih edhe Alma 37:6–7). Pra, mos hiqni dorë dhe mos u shqetësoni për arritjen e diçkaje madhështore çdo herë. Thjesht jini të qëndrueshëm në përpjekjet tuaja.

Në Shtëpi, të Mësuarit dhe të Jetuarit Janë të Pandashme

Ungjilli gjen lidhje konkrete në shtëpi. Atje, njerëzit me të cilët po e mësoni ungjillin, janë njerëzit me të cilët do ta jetoni atë – çdo ditë. Në fakt, në shumicën e kohës, të jetuarit e ungjillit është mënyra se si e mësojmë ungjillin. Pra, nëse e mësoni dhe e jepni mësim ungjillin në shtëpi, kërkoni mënyra për ta lidhur atë që po mësoni me atë që po bëni. Në shtëpinë tuaj, le të jetë ungjilli diçka sipas të cilit përpiqeni fort të jetoni, jo thjesht diçka për të cilin bisedoni.

Pamja
grua duke u dhënë mësim fëmijëve

Mundësitë e mësimdhënies në familje shpesh ndodhin në çaste joformale dhe të përditshme.

Mësimdhënia ndaj Fëmijëve

Fëmijët Kanë Nevojë për Larmi

Të gjithë fëmijët janë të ndryshëm dhe ndërsa zhvillohen nevojat e tyre do të ndryshojnë. Ndryshimi i metodave tuaja të mësimdhënies, do t’ju ndihmojë që të plotësoni nevojat e tyre të ndryshme. Për shembull, merrni parasysh të përdorni sa vijon:

  • Historitë. Historitë i ndihmojnë fëmijët të kuptojnë se si zbatohet ungjilli në jetën e përditshme. Përdorni histori nga shkrimet e shenjta, nga vetë jeta juaj, nga historia juaj familjare, ose nga revistat e Kishës, veçanërisht historitë për Shpëtimtarin. Planifikoni mënyra për t’i përfshirë fëmijët në histori – duke mbajtur figura, duke përsëritur fraza apo duke i interpretuar pjesët e tyre.

  • Mjetet ndihmëse pamore. Figurat, materialet filmike dhe objektet mund t’i ndihmojnë fëmijët t’i kuptojnë e t’i mbajnë mend parimet e ungjillit. Shumë figura dhe materiale filmike mund të gjenden te Media Library [Biblioteka e Mjeteve të Informimit]ChurchofJesusChrist.org.

  • Muzika. Himnet dhe këngë të tjera të shenjta mund t’i ndihmojnë fëmijët të ndiejnë dashurinë e Perëndisë, të ndiejnë Shpirtin dhe të mësojnë të vërtetat e ungjillit. Meloditë, ritmet dhe rimat e thjeshta mund t’i ndihmojnë fëmijët t’i kujtojnë të vërtetat e ungjillit për vitet që vijnë. Teksa këndoni me fëmijët, ndihmojini ata t’i zbulojnë dhe kuptojnë parimet e dhëna mësim te këngët.

Shumica e fëmijëve mësojnë më mirë kur përfshihen shqisa të shumta. Gjeni mënyra për t’i ndihmuar fëmijët që t’i përdorin shqisat e tyre të të shikuarit, dëgjuarit dhe të prekurit teksa mësojnë. Në disa situata, ju madje mund të gjeni mënyra për të përfshirë shqisat e tyre të të nuhaturit dhe të shijuarit!

Fëmijët Janë Krijues

Kur i ftoni fëmijët të vizatojnë, formojnë, ngjyrosin ose shkruajnë diçka që lidhet me një parim të ungjillit, ju i ndihmoni ata ta kuptojnë më mirë parimin dhe u jepni atyre një kujtues konkret për atë që kanë mësuar. Ata gjithashtu mund ta përdorin atë që kanë krijuar për t’u treguar të tjerëve atë që mësuan. Secili botim i revistës Miku përfshin veprimtari krijuese për fëmijët.

Fëmijët Janë Kureshtarë

Kur fëmijët bëjnë pyetje, shikojini ato si mundësi, jo si shpërqendrime. Pyetjet e fëmijëve janë një tregues se ata janë gati të mësojnë, dhe pyetjet e tyre ju japin ide me vlerë për atë që ata po mendojnë dhe ndiejnë. Ndihmojini ata të kuptojnë se përgjigjet e pyetjeve të tyre shpirtërore mund të gjenden në shkrimet e shenjta dhe fjalët e profetëve të gjallë.

Fëmijët Kanë Nevojë për Dashuri Edhe Kur të Ndërpresin

Nganjëherë një fëmijë vepron në mënyra që e ndërpresin të mësuarin e të tjerëve. Shumica e ndërprerjeve të shkaktuara nga sjellja vjen nga një nevojë e paplotësuar. Kur kjo ndodh, jini të duruar, të dashur dhe mirëkuptues për sfidat që fëmija mund të jetë duke hasur. Ai ose ajo mund të ketë nevojë për më shumë mundësi që të marrë pjesë në mësim në mënyra pozitive – për shembull, duke mbajtur një figurë, duke vizatuar diçka ose duke lexuar një shkrim të shenjtë.

Nëse një fëmijë vazhdon të ndërpresë, mund të jetë e dobishme që të flisni individualisht me të. Me një frymë dashurie dhe durimi, shpjegoni pritshmëritë tuaja dhe vetëbesimin tuaj se ai ose ajo mund t’i plotësojë ato. Përgëzojeni fëmijën kur ai ose ajo bën zgjedhje më të mira.

Fëmijët Kanë Shumë për të Treguar

Kur fëmijët mësojnë diçka të re, ata natyrshëm dëshirojnë t’ua tregojnë atë të tjerëve. Nxiteni këtë dëshirë duke u dhënë fëmijëve mundësi për t’i dhënë mësim parime të ungjillit njëri-tjetrit, pjesëtarëve të familjes së tyre dhe shokëve ose shoqeve të tyre. Gjithashtu kërkojuni atyre t’ju thonë mendimet, ndjenjat dhe përvojat e tyre lidhur me parimet që po u jepni mësim. Ju do të zbuloni se ata kanë ide që janë të thjeshta, të pastra dhe të fuqishme.

Fëmijët Mund ta Ndiejnë Shpirtin por Mund t’u Nevojitet Ndihmë që ta Dallojnë Ndikimin e Tij

Edhe fëmijët që nuk e kanë marrë ende dhuratën e Frymës së Shenjtë mund ta ndiejnë ndikimin e Tij, sidomos kur po mësojnë për Jezu Krishtin dhe ungjillin e Tij. Kur bëjnë zgjedhje të drejta, ata mund ta ndiejnë miratimin e Shpëtimtarit nëpërmjet Shpirtit. Mësojuni fëmijëve mënyrat e ndryshme se si Shpirti komunikon me ne. Ndihmojini ata që ta kuptojnë zërin e Tij teksa Ai u flet atyre. Kjo do t’i ndihmojë ata të zhvillojnë një zakon të të kërkuarit dhe të vepruarit sipas zbulesës vetjake gjatë jetës së tyre.

Mësimdhënia ndaj të Rinjve dhe të Rejave

Të Rinjtë e të Rejat Kanë Potencial të Madh

Të rinjtë e të rejat kanë potencialin për të bërë gjëra mbresëlënëse në shërbim të Zotit. Shumë përvoja të shënuara në shkrimet e shenjta ilustrojnë se Perëndia ka besim tek aftësitë shpirtërore të të rinjve e të rejave. Nëse të rinjtë e të rejat e ndiejnë që ju u mirëbesoni atyre, vetëbesimi i tyre në potencialin e tyre hyjnor do të rritet dhe ata do t’ju mahnitin me atë që mund të përmbushin. Me dashuri ndihmojini ata të shohin atë që Ati Qiellor e di se mund të bëhen. Ndiqeni shembullin e Shpëtimtarit duke vazhduar që t’i doni dhe nxitni ata, duke punuar me durim me ta dhe duke mos hequr dorë kurrë prej tyre.

Të Rinjtë e të Rejat po Mësojnë për Vetveten

Të rinjtë e të rejat të cilët ju po i mësoni po formojnë themelet e dëshmisë së tyre. Ata janë në procesin e zbulimit të bindjeve dhe qëndrimeve të tyre. Ata po marrin vendime që do të ndikojnë në rrjedhën e jetës së tyre. Për të mbijetuar shpirtërisht në këto kohë të vështira dhe për të përmbushur misionin e Zotit për ta, të rinjtë e të rejat të cilët po i mësoni, do të kenë nevojë të dinë se si të gjejnë forcë gjatë sprovave të veta, përgjigje për pyetjet e tyre dhe kurajë për të “qëndr[uar] si dëshmitarë të Perëndisë” (Mosia 18:9).

Të rinjtë e të rejat kanë dëshirë më të madhe për t’i mësuar gjërat nëpërmjet arsyetimit dhe përvojës sesa thjesht kur ua thoni gjërat. Kjo do të thotë se mësimdhënia ndaj të rinjve e të rejave do të kërkojë zotësi të mira të të dëgjuarit. Kur të rinjtë e të rejat ndiejnë se mirëkuptohen, ata do të jenë më të hapur ndaj këshillës dhe udhërrëfimit. Sigurojini ata se Zoti i njeh dhe do t’i ndihmojë teksa luftojnë me pyetje dhe sprova. Ata mund ta ushtrojnë besimin e tyre tek Ai duke zhvilluar një zakon të përditshëm të lutjes dhe studimit të shkrimeve të shenjta e duke u shërbyer të tjerëve. Nxitja e të rinjve e të rejave për të marrë pjesë në klasat e Kishës dhe për të studiuar në mënyrë të pavarur, mund t’i ndihmojë ata të kenë përvoja vetjake që do t’ia ndërtojnë dëshminë për trashëgiminë e tyre hyjnore.

Shumë të Rinj e të Reja e Kanë më Praktike të Përdorin Teknologjinë

Në qoftë se të rinjtë e të rejat të cilëve u jepni mësim, kanë pajisjet e veta elektronike, mbani mend që këto pajisje janë mjete për ta rritur të mësuarit. Mësojuni atyre se si t’i përdorin shkrimet e tyre të shenjta elektronike dhe burimet e tjera që gjenden te programi Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]. Ju gjithashtu mund t’u dërgoni të rinjve dhe të rejave mesazhe dhe hallka lidhëse që t’i ndihmoni të përgatiten për mësimet e ardhshme.

Pamja
klasë e Shkollës të së Dielës

Të rinjtë e të rejat kanë nevojë të kuptojnë atë që Ati Qiellor e di se ata mund të bëhen.

Mësimdhënia ndaj të Rriturve

Të Rriturit Mund të Mbajnë Përgjegjësi për të Mësuarit e Tyre

Nxënësit e rritur janë të aftë të veprojnë për veten e tyre në mjediset ku mësohet ungjilli (shih 2 Nefi 2:26). Ftojini ata të përgatiten për diskutime mbi ungjillin duke e studiuar diçka paraprakisht dhe nxitini të tregojnë atë që po mësojnë me anë të Shpirtit. Ju gjithashtu mund t’i pyetni se për cilat parime të ungjillit do të donin të kalonin kohë duke mësuar së bashku.

Të Rriturit Bazohen te Përvojat e Tyre Kur Mësojnë

Jobi shpalli: “Ndër pleqtë gjejmë diturinë, dhe gjatësia e ditëve u jep edhe gjykimin” (Jobit 12:12). Në përgjithësi, dituria dhe kuptueshmëria shpirtërore vijnë pas vitesh përvojë. Teksa u jepni mësim të rriturve, ftojini ata të tregojnë përvoja që ua kanë ndërtuar besimin tek Ati Qiellor dhe Jezu Krishti. Kjo do t’u japë atyre mundësi të dëshmojnë për mënyrën se si kanë arritur ta dinë se parimet e ungjillit që po studiojnë janë të vërteta. Tregimi i përvojave do të ndërtojë gjithashtu marrëdhënie ndërmjet atyre të cilëve u jepni mësim, duke i ndihmuar “të gjithë [që] të jenë lartësuar prej gjithçkaje” (Doktrina e Besëlidhje 88:122).

Të Rriturit Kërkojnë Zbatim Praktik

Të rriturit të cilëve u jepni mësim, mund të kenë shumë role dhe përgjegjësi në profesionet, komunitetet, thirrjet në Kishë dhe familjet e tyre. Kur e studiojnë ungjillin, shpesh ata mendojnë se si ajo që po mësojnë mund t’i ndihmojë ata në ato role. Ftojini ata të shohin se sa lidhje gjen fjala e Perëndisë me rrethanat e tyre të pashoqe. Mund ta bëni këtë duke i pyetur se si parimet e ungjillit janë domethënëse dhe të zbatueshme për jetën e tyre.

Të Rriturit Mund të Mendojnë në Mënyra të Ndërlikuara

Për shkak të përvojës dhe njohurisë së tyre, të rriturit e dinë se nuk ka gjithmonë përgjigje të lehta për pyetjet e ungjillit. Ata mund të kuptojnë se një fragment i shkrimit të shenjtë mund të ketë kuptime të shumta dhe mund ta zbatojnë një parim të ungjillit në një larmi situatash të jetës. Ftojini ata të përsiatin për atë se si parimet e ungjillit lidhen me njëri‑tjetrin dhe për atë që po ndodh në jetën e tyre. Nxitni pjesëmarrje dhe diskutim që ata të mund të mësojnë nga këndvështrimet e pashoqe të njëri‑tjetrit.

Pamja
grua duke i dhënë mësim një klase

Të rriturit mund të tregojnë shumë përvoja që e kanë ndërtuar besimin e tyre tek Ati Qiellor dhe Jezu Krishti.

Mësimdhënia ndaj Njerëzve me Aftësi të Kufizuara

Ndihmojeni Secilin Person të Rritet dhe të Përparojë

Jozef Smithi dha mësim: “Të gjitha mendjet dhe shpirtrat që ka dërguar ndonjëherë Perëndia në botë janë të prirur për t’u përmirësuar” (Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2009], f. 220). Hamendësoni sikur të gjithë fëmijët e Perëndisë të jenë të aftë të rriten në njohuri dhe të përparojnë. Kërkojini Zotit t’ju ndihmojë të dini se si ta ndihmoni secilin person.

Mësoni për Nevojat e Veçanta

Bisedoni me nxënësit ose prindërit apo kujdestarët e tyre. Zbuloni se si mëson më së miri secili individ dhe cilat strategji janë më të dobishmet. Ju mund të këshilloheni gjithashtu me udhëheqës e mësues të tjerë të cilët kanë përvojë dhe ide për të treguar. Për strategji të dobishme të mësimdhënies, shih disabilities.ChurchofJesusChrist.org.

Krijoni një Atmosferë Pozitive

Krijoni një atmosferë pozitive ku çdokush të ndihet në siguri dhe se e duan. Mos hamendësoni se të gjithë nxënësit me aftësi të kufizuara janë njësoj dhe trajtojeni çdo njeri me dashuri e respekt. Nxitini të tjerët të jenë dashamirës dhe pranues.

Sigurohuni që të Gjithë të Mund të Marrin Pjesë

Veprimtarive mund t’u bëhen ndryshime të vogla për t’u siguruar që të gjithë nxënësit të mund të mësojnë, përfshirë ata me kufizime fizike apo vështirësi në të mësuar. Për shembull, nëse një veprimtari sugjeron që të paraqitni një figurë, në vend të kësaj, ju mund të këndoni një këngë që ka lidhje me figurën, për të përfshirë nxënësit që kanë probleme me shikimin.

Krijoni Rutina dhe Struktura të Qëndrueshme

Një mënyrë për të krijuar një rutinë është të krijoni një afishe me një program. Programi juaj mund të përfshijë lutjet, kohën e mësimdhënies dhe kohën e veprimtarisë. Ndjekja e një programi mund të ndihmojë në zvogëlimin e ndjenjave të pasigurisë dhe të ankthit për disa nxënës.

Kuptoni Arsyen Përse Ndodhin Sjellje Problematike

Mësoni rreth aftësive të kufizuara ose rrethanave që mund të ndikojnë te një njeri për të vepruar në mënyrë të papërshtatshme. Kushtojini vëmendje me kujdes asaj që po ndodh kur shfaqen sjellje problematike. Merreni parasysh plot lutje se si ta ndryshoni situatën me qëllim që t’i përkrahni më mirë nxënësit.

Për më shumë informacion për mësimdhënien ndaj njerëzve me aftësi të kufizuara, shihni disabilities.ChurchofJesusChrist.org.

Pamja
klasë e Të Rejave

Mësuesit/et mund të krijojnë një mjedis pozitiv të të mësuarit ku cilado të ndihet e pranuar dhe se e duan.

Mësimdhënia Virtuale

Familjarizohuni me Teknologjinë

Përpara orës mësimore apo mbledhjes suaj, kaloni pak kohë për t’u njohur me teknologjinë që do të përdorni. Hulumtoni disa nga veçoritë e saj, si për shembull, si të shpërndani materiale filmike ose fotografi. Kini parasysh të zhvilloni një mbledhje “provë” me pjesëtarët e familjes ose miqtë.

Shumica e lagjeve dhe kunjeve kanë një specialist për teknologjinë. Ju mund të njihni edhe të tjerë që kanë përvojë me mbledhjet virtuale. Kërkoni këshilla ose udhërrëfim prej tyre.

Eliminojini Shpërqendrimet e Mundshme

Nëse është e mundur, gjeni një vend të qetë ku të frekuentoni mbledhjen. Zhurmat në sfond mund të jenë shpërqendruese. Nxitini nxënësit të bëjnë të njëjtën gjë ose t’i vënë pa zë mikrofonat e tyre nëse nuk janë duke folur.

Përdorni Kamerën

Nëse është e mundur, mbajeni kamerën ndezur, në mënyrë që nxënësit të mund t’jua shohin fytyrën. Ftojini (por mos ua kërkoni) edhe nxënësit t’i ndezin kamerat e tyre. Kjo mund të ndihmojë që të krijohet një frymë uniteti dhe përkrahje e ndërsjellë.

Përdorni Veçorinë Virtuale të Bashkëbisedimit

Shumë programe virtuale për mbledhje i lejojnë pjesëmarrësit të shkruajnë pyetje ose komente në një dritare për bashkëbisedim. Disa mund të lejojnë edhe që pjesëmarrësit ta ngrenë dorën virtualisht. Vërini në dijeni nxënësit për këto veçori. Ju mund të doni të caktoni dikë që të vëzhgojë se cili e ka ngritur dorën ose ka bërë koment te veçoria për bashkëbisedim, që ju të mund ta përqendroheni vëmendjen tuaj te drejtimi i diskutimit.

Gjeni Mënyra për t’i Përfshirë Nxënësit

Mjediset virtuale të të mësuarit nganjëherë e bëjnë të vështirë që njerëzit të shihen ose të dëgjohen. Bëni një përpjekje të vetëdijshme për të përfshirë ata që duan të përfshihen. Nganjëherë kjo nënkupton të krijoni grupe më të vogla (për shembull, duke e ndarë virtualisht një klasë të madhe të Shkollës të së Dielës). Nganjëherë nënkupton t’u kërkoni nxënësve paraprakisht që të marrin pjesë në një mënyrë të veçantë. Mos lejoni që kufizimet e teknologjisë të bëjnë që t’i harroni apo anashkaloni njerëzit që janë të etur e të gatshëm të mësojnë.