Thirrjet në Mision
Mesazh nga Presidenca e Parë dhe Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve


Pamja
Jezu Krishti duke u larë këmbët apostujve

Mesazh nga Presidenca e Parë dhe Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve

I Dashur Misionar ose Misionare:

Pas Ringjalljes së Tij, Jezu Krishti iu shfaq dishepujve të Tij dhe i urdhëroi të “bëni[n] dishepuj nga” (shihni poshtëshënimin a te Mateu 28:19 te Bibla në anglisht) “të gjithë popujt duke i pagëzuar në emër të Atit e të Birit e të Frymës së Shenjtë, dhe duke i mësuar të zbatojnë të gjitha gjërat që [Ai] ju k[ishte] urdhëruar” (Mateu 28:19–20).

Ju jeni thirrur me anë të zbulesës nëpërmjet shërbëtorëve të zgjedhur të Perëndisë që t’i ndihmoni Apostujt në këtë punë të madhërishme për t’ia çuar botës ungjillin e Jezu Krishtit me qëllim që të bëni dishepuj nga të gjithë popujt.

Kur shërbeni në një mision me gjithë zemrën tuaj, ju ndihmoni që të përmbushni dy urdhërimet e mëdha: “Duaje Zotin, Perëndinë tënd … [dhe] duaje të afërmin tënd porsi veten” (Doktrina e Besëlidhje 59:5–6).

Për të qenë misionar/e i/e efektshëm/me, ju duhet të jeni një dishepull/e besnik/e i/e Jezu Krishtit. Ne ju ftojmë t’i zgjeroni talentet dhe aftësitë tuaja për lavdinë e Perëndisë. Jezu Krishti do t’ju lartësojë. Ati Qiellor ju do dhe Ai do t’ju ndihmojë që t’i doni e t’i bekoni fëmijët e Tij kudo ku shërbeni. Ai do t’ju fuqizojë ju dhe njerëzit të cilëve u shërbeni, nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit, që të jeni me të vërtetë të “kthye[r] në besim te Zoti” (Alma 23:6).

Këto standarde misionare janë miratuar nga Presidenca e Parë dhe Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve. Ato do të ndihmojnë që t’ju mbrojnë fizikisht, shpirtërisht dhe emocionalisht, si dhe t’ju ndihmojnë të jeni dishepulli/ja që Jezu Krishti ka nevojë që ju të bëheni.

Nëse keni pyetje rreth një standardi, me lutje kërkojini Zotit që t’ju ndihmojë të kuptoni rëndësinë e tij dhe më pas, nëse nevojitet, kërkojini ndihmë shokut apo shoqes suaj, udhëheqësve tuaj misionarë në moshë të re ose udhëheqësve tuaj të misionit. Studiojini rregullisht këto standarde me shokun apo shoqen tuaj dhe përpiquni fort t’u bindeni atyre.

Ne ju përgëzojmë që e pranuat thirrjen për të shërbyer në një mision kohëplotë, dhe lutemi që ju do të gjeni paqe dhe gëzim të vërtetë duke i shërbyer Zotit Jezu Krisht.

Presidenca e Parë dhe Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve

Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme