Manualet dhe Thirrjet
31. Intervistat dhe Takime të Tjera me Anëtarët


“31. Intervistat dhe Takime të Tjera me Anëtarët”, Manuali i Përgjithshëm: Shërbimi në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme (2020).

“31. Intervistat dhe Takime të Tjera me Anëtarët”, Manuali i Përgjithshëm.

31.

Intervistat dhe Takime të Tjera me Anëtarët

31.0

Parathënia

Jezu Krishti shpesh u ofronte shërbesë të tjerëve një e nga një (shih, për shembull te Gjoni 4:5–26; 3 Nefi 17:21). Ai e do secilin prej fëmijëve të Perëndisë. Ai i ndihmon ata individualisht.

Si udhëheqës i Kishës dhe shërbëtor i Jezu Krishtit, ju gjithashtu keni mundësi t’i ndihmoni fëmijët e Perëndisë, individualisht, në përparimin e tyre shpirtëror. Një mënyrë e rëndësishme se si mund ta bëni këtë, është nëpërmjet intervistave dhe takimeve të tjera vetëm për vetëm. Disa nga shërbimet tuaja më domethënëse do të ndodhin një e nga një. Në këto rrethana ju mund të jepni dashuri si e Krishtit, duke i ngritur “duart që varen poshtë” dhe duke i forcuar “gjunjët e këputur” (Doktrina e Besëlidhje 81:5).

Në këtë kapitull, termi intervistë i referohet një takimi midis një udhëheqësi dhe një individi për të përcaktuar nëse personi duhet të marrë pjesë në një ordinancë ose të marrë një thirrje (shih 31.2). Në përgjithësi këto intervista kryhen nga një anëtar i peshkopatës ose presidencës së kunjit. Termi intervistë u referohet edhe intervistave për dhënien e shërbesës që kryhen nga një anëtare e presidencës së Shoqatës së Ndihmës ose një anëtar i presidencës së kuorumit të pleqve (shih 21.3).

Përveç këtyre intervistave, ka shumë arsye të tjera që një udhëheqës i Kishës mund të takohet me anëtarët individualë (shih 31.3). Për shembull, peshkopata ka planifikuar rregullisht takime me secilin të ri dhe të re në lagje (shih 31.3.1). Edhe nëse nuk shërbeni në një peshkopatë, peshkopi mund t’ju kërkojë të takoheni me një anëtar/e që ka nevojë t’i jepet përkrahje dhe shërbesë e vazhdueshme. Ose një anëtar/e mund të vijë te ju kur ai ose ajo po përballet me një sfidë personale ose familjare.

Ky kapitull mund t’i ndihmojë të gjithë udhëheqësit që kanë mundësi të takohen me anëtarë individualë. Këta udhëheqës mund të përfshijnë udhëheqëset e Shoqatës së Ndihmës, udhëheqësit e kuorumit të pleqve dhe udhëheqëset e Të Rejave, vëllezërit dhe motrat shërbestare ose njerëz të tjerë që i cakton peshkopi.

31.1

Parimet Udhëzuese

31.1.1

Përgatituni Shpirtërisht

Nëse keni përgjegjësinë të takoheni me një anëtar/e, Zoti do t’ju bekojë me frymëzimin për të cilin keni nevojë kur e kërkoni atë frymëzim. Përgatituni shpirtërisht nëpërmjet lutjes, studimit të shkrimeve të shenjta dhe të jetuarit në mënyrë të drejtë. Dëgjojini pëshpëritjet e Frymës së Shenjtë. Ai do t’ju udhërrëfejë me mbresa, mendime dhe ndjenja. Ai mund t’ju ndihmojë të sillni ndërmend mësimet që keni studiuar në shkrimet e shenjta dhe fjalët e profetëve të ditëve të mëvonshme që mund ta ndihmojnë personin me të cilin po takoheni (shih te Doktrina dhe Besëlidhje 84:85; 100:5–8).

Programi Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit] ka një koleksion me Burimet për Këshillim. Ndërsa përgatiteni për t’u takuar me një anëtar, merrni parasysh të shqyrtoni informacionin rreth temave që gjejnë zbatim për të.

Fryma e Shenjtë mund ta udhërrëfejë gjithashtu anëtarin me të cilin po takoheni. Mund të merrni parasysh që edhe ta ftoni atë të përgatitet shpirtërisht për takimin tuaj.

Merreni parasysh të luteni me anëtarin kur të filloni takimin. Kjo mund të ftojë një frymë përulësie dhe besimi teksa së bashku i kërkoni Perëndisë ndihmën e Tij (shih te Doktrina e Besëlidhje 6:32; 29:6).

Gjatë intervistës ose takimit, mund të ngrihet një çështje ose pyetje që nuk ndiheni të përgatitur për ta trajtuar. Mund të sugjeroni që ju vetë si edhe anëtari të kërkoni udhërrëfimin e Zotit – për shembull nëpërmjet studimit, lutjes dhe agjërimit. Mund t’u referoheni gjithashtu informacioneve domethënëse te Burimet për Këshillim ose Ndihmë për Jetën në programin Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]. Më pas mund të takoheni sërish për ta diskutuar më tej çështjen.

Nëse anëtari ka kryer një mëkat të rëndë, referojeni te peshkopi.

31.1.2

Ndihmojeni Anëtarin që të Ndiejë Dashurinë e Perëndisë

Si udhëheqës i Kishës, ju përfaqësoni Shpëtimtarin. Një pjesë e rëndësishme e misionit të Tij është t’ua komunikoni dashurinë e Perëndisë fëmijëve të Tij (shih te Gjoni 3:16–17). Kur anëtarët vijnë te ju për një intervistë ose për ndihmë për një sfidë vetjake, shpesh ajo që u nevojitet më shumë, është të dinë se Ati Qiellor i do. Kjo dashuri mund t’i forcojë ata dhe t’i frymëzojë të vijnë te Krishti, të pendohen për mëkatin dhe të bëjnë zgjedhje të mira.

Shkrimet e shenjta dhe fjalët e profetëve të ditëve të mëvonshme e ftojnë Shpirtin dhe na mësojnë doktrinën e kulluar. Përdorini ato shpesh, me ndjeshmëri e dashuri, kur takoheni me anëtarët. Përdorini ato për të frymëzuar dhe nxitur, jo për të dënuar, detyruar ose shkaktuar frikë (shih te Lluka 9:56).

Planifikoni mjaft kohë për takimin. Anëtari/ja nuk duhet të ndiejë se jeni tepër të zënë me punë. Kushtojini atij ose asaj vëmendje të plotë.

31.1.3

Ndihmojeni Anëtarin të Mbështetet te Fuqia e Shpëtimtarit

Jezu Krishti mori mbi veten e Tij mëkatet tona “që të fshijë shkeljet [tona], sipas fuqisë çliruese të tij” (Alma 7:13). Ai gjithashtu mori mbi veten e Tij hidhërimet, dhembjet dhe dobësitë tona “që ai të mund të dijë … se si t[a] ndihmojë popullin e tij” (shih tek Alma 7:11–12).

Nxitini anëtarët që t’i drejtohen Atij. Ndihmojini ata të mbështeten te fuqia e Tij për të forcuar, ngushëlluar dhe shëlbyer. Kjo fuqi vjen duke ushtruar besim te Jezu Krishti, duke ndjekur shembullin e Tij, duke marrë ordinancat e priftërisë, duke mbajtur besëlidhjet dhe duke vepruar sipas nxitjeve nga Fryma e Shenjtë.

31.1.4

Ndihmojeni Anëtarin të Ndihet Rehat dhe i Sigurt

Disa anëtarë kanë pasur përvoja që i bëjnë të ndihen në ankth ose të mbingarkuar kur takohen me një udhëheqës të Kishës. Kërkoni mënyra që t’i ndihmoni të ndihen të qetë, të sigurt dhe rehat. Zbuloni nga vetë anëtari se çfarë mund të bëni për të ndihmuar.

Gjithmonë jepini mundësinë anëtarit që dikush tjetër të jetë i pranishëm gjatë një interviste ose takimi. Kur takoheni me një anëtar të gjinisë së kundërt, një fëmijë, një të ri apo të re, sigurohuni që të jetë i pranishëm një prind ose një person tjetër në moshë madhore. Personi mund të jetë i pranishëm në takim ose të presë jashtë dhomës, në varësi të parapëlqimeve të anëtarit me të cilin po takoheni.

Nëse anëtari nuk ndihet rehat që të takoheni në shtëpinë e mbledhjeve, vendosni së bashku që të takoheni në një vend tjetër. Gjeni një vend ku Fryma e Shenjtë mund të jetë i pranishëm dhe mund të ruani gjërat konfidenciale. Merrini parasysh gjithashtu sigurinë tuaj dhe sigurinë e anëtarit. Për informacion rreth takimit me anëtarët virtualisht, shihni 31.4.

Një pjesë tjetër e rëndësishme për t’i ndihmuar anëtarët të ndihen të sigurt është t’i mbani gjërat konfidenciale. Sigurojeni edhe një herë anëtarin se bashkëbisedimi juaj do të jetë konfidencial.

Mos ia tregoni informacionin konfidencial askujt – përfshirë bashkëshorten tuaj ose udhëheqës të tjerë të Kishës – në qoftë se anëtari nuk iu jep leje. Vazhdoni t’i mbani këto çështje konfidenciale edhe pasi të liroheni nga thirrja. Mosmbajtja e gjërave konfidenciale mund të dëmtojë besimin, mirëbesimin dhe dëshminë e një anëtari. Anëtarët ka më shumë të ngjarë të kërkojnë ndihmë nga udhëheqësit e Kishës, në qoftë se e dinë se ajo që do të tregojnë, do të mbahet konfidenciale.

Për më shumë informacion mbi konfidencialitetin, shihni 32.4.4.

31.1.5

Bëni Pyetje të Frymëzuara dhe Dëgjoni me Kujdes

Kur takoheni me një anëtar/e, bëni pyetje që ju ndihmojnë ta kuptoni situatën e tij ose të saj. Jepini mundësi anëtarit të shprehë lirisht mendimet dhe ndjenjat e veta.

Ndërkohë që anëtari është duke folur, dëgjoni me kujdes dhe me vëmendje. Përpiquni të kuptoni plotësisht përpara se të përgjigjeni. Nëse nevojitet, bëni pyetje të mëtejshme për t’u siguruar që kuptoni. Por mos hetoni pa qenë nevoja.

Të dëgjuarit ndihmon për të krijuar mirëbesim. Të dëgjuarit i ndihmon të tjerët të ndiejnë që i kuptojnë, vlerësojnë dhe duan. Njerëzit, ndërsa përballen me sfida, shpesh kanë nevojë që t’i dëgjojë dikush që ata e mirëbesojnë. Të dëgjuarit gjithashtu mund t’ju ndihmojë që ta hapni zemrën tuaj ndaj nxitjeve nga Fryma e Shenjtë.

31.1.6

Nxitni Mbështetjen te Vetja

Për shkak të dashurisë suaj për anëtarët, ju mund të doni t’u jepni menjëherë zgjidhje problemeve të tyre. Megjithatë, ju do t’i bekoni ata më shumë duke i ndihmuar t’i gjejnë vetë zgjidhjet e tyre dhe t’i marrin vetë vendimet e tyre (shih te Doktrina e Besëlidhje 9:8).

Ndihmojini t’i analizojnë problemet ose pyetjet e tyre brenda kontekstit të ungjillit të Jezu Krishtit dhe planit të shpëtimit. Mësojuni atyre se si ta kërkojnë udhërrëfimin e Zotit nëpërmjet shkrimeve të shenjta, fjalëve të profetëve të gjallë dhe zbulesës vetjake. Në këtë mënyrë, ju i ndihmoni anëtarët të përgatiten për t’u përballur me sfida të tjera në të ardhmen. Ata gjithashtu do të jenë më në gjendje t’i ndihmojnë të tjerët, përfshirë familjet e tyre.

31.1.7

Përkrahini Përpjekjet për t’u Penduar

Nganjëherë një anëtar mund të kërkojë ndihmë për t’u penduar për mëkatin. Ka shumë gjëra që mund të bëni për të frymëzuar besimin te Jezu Krishti dhe për ta nxitur anëtarin të kërkojë falje.

Vetëm peshkopi ose presidenti i kunjit mund ta ndihmojë një person për të zgjidhur mëkate të rënda. Disa prej këtyre renditen te 32.6. Nëse anëtari ka kryer ndonjë prej këtyre mëkateve, ai ose ajo duhet të takohet menjëherë me peshkopin ose presidentin e kunjit.

Çdo peshkop dhe president kunji është “një gjykatës në Izrael” (Doktrina e Besëlidhje 107:72). Me anë të këtij autoriteti, ata i ndihmojnë anëtarët të pendohen për mëkatin dhe të vijnë te Krishti, i cili e fal mëkatin (shih 32.1 dhe 32.3).

Në këto përgjegjësi, këta udhëheqës përfaqësojnë Zotin. Ata përpiqen fort të përdorin “gjykimi[n] që [Ai] do t[’u] jap[ë atyre]” (3 Nefi 27:27). Ata japin mësim se pendimi përfshin ushtrimin e besimit te Jezu Krishti, pasjen e një shpirti të penduar, braktisjen e mëkatit, kërkimin e faljes, bërjen e shpagimit dhe zbatimin e urdhërimeve me zotim të ripërtërirë.

Për t’i ndihmuar ata që të përmbushin rolin e tyre, peshkopët dhe presidentët e kunjeve bekohen me dhuratën shpirtërore të dallimit. Kjo dhuratë i ndihmon ata të dallojnë të vërtetën, të kuptojnë zemrën e një anëtari/eje dhe të përcaktojnë nevojat e tij ose të saj (shih te 1 Mbretërve 3:6–12; Doktrina e Besëlidhje 46:27–28).

Ndonëse rrëfimi ndodh me një “gjykatës në Izrael”, me lejen e anëtarit, udhëheqës të tjerë mund të japin përkrahje gjatë përpjekjeve të tij ose të saj për t’u penduar. Kjo është veçanërisht e dobishme kur pendimi do të kërkojë mjaft kohë. Shihni pjesën e fundit te 32.8.1 për orientime.

31.1.8

Përgjigjja siç Duhet ndaj Keqtrajtimit

Keqtrajtimi nuk mund të tolerohet në asnjë formë. Merrini me seriozitet raportimet për keqtrajtim. Nëse viheni në dijeni që dikush është keqtrajtuar, raportojeni keqtrajtimin tek autoritetet civile dhe këshillohuni me peshkopin. Orientimet për raportimin dhe përgjigjen ndaj keqtrajtimit jepen te 38.6.2.

Për informacion rreth asaj që peshkopët dhe presidentët e kunjeve duhet të bëjnë kur vihen në dijeni për keqtrajtimin, shihni 38.6.2.1.

Për informacion rreth ofrimit të ndihmës ndaj viktimave të keqtrajtimit, shihni “Keqtrajtimi (Ndihma për Viktimën)” te Burimet për Këshillim. Gjithashtu mund t’i referoni anëtarët te burimet e dobishme rreth keqtrajtimit te Life Help [Ndihmë për Jetën].

Për informacion rreth ofrimit të ndihmës ndaj viktimave të përdhunimit ose sulmeve të tjera seksuale, shihni 38.6.18.2.

31.2

Intervistat

31.2.1

Qëllimet e Intervistave

Në përgjithësi, udhëheqësit e Kishës i intervistojnë anëtarët për të përcaktuar nëse:

  • Janë të përgatitur për ta kryer ose për të marrë pjesë në një ordinancë.

  • Duhet të thirren në një pozicion në Kishë.

Shumica e intervistave të këtij lloji kryhen nga një anëtar i peshkopatës ose presidencës së kunjit. Ato nuk mund t’u delegohen udhëheqësve të tjerë të lagjes. Sidoqoftë, një president kunji mund t’ua delegojë disa intervista këshilltarëve të lartë siç përvijohet tek Tabela e Thirrjeve (shih 30.8).

31.2.2

Llojet e Intervistave

Peshkopi thirret si një “gjykatës i përbashkët” në lagjen e tij (Doktrina e Besëlidhje 107:74; shih edhe 7.1.3). Presidenti i kunjit gjithashtu shërben si gjykatës i përbashkët (shih 6.2.3). Këta udhëheqës mbajnë çelësat e priftërisë për autorizimin e ordinancave. Për këto arsye, ka intervista të caktuara që vetëm ata mund t’i bëjnë. Ata mund t’ua delegojnë këshilltarëve intervistat e tjera. Tabela në vijim rendit se kush mund ta kryejë secilën intervistë.

Kush mund ta kryejë intervistën

Qëllimi i intervistës

Kush mund ta kryejë intervistën

Vetëm peshkopi

Qëllimi i intervistës

  • Lëshon një rekomandim tempulli për një anëtar/e që po kryen ordinancën e dhurimit për veten e tij ose të saj ose që po vuloset me një bashkëshort/e (shih 26.3.1).

  • Lëshon një rekomandim tempulli për një të kthyer të ri në besim (shih 26.4.2).

  • Shuguron një të sapokthyer në besim mashkull në një detyrë në Priftërinë Aarone (shih 38.2.9.1).

  • Shuguron një të ri ose burrë në detyrën e priftit (shih 18.10.2).

  • Rekomandon një burrë që të shugurohet plak ose prift i lartë (shih 31.2.6). Kërkohet miratimi nga presidenca e kunjit për ta kryer këtë intervistë.

  • Rekomandon një anëtar/e të shërbejë si misionar/e kohëplotë (shih 24.4.2).

  • Thërret një anëtar të shërbejë si president i një organizate të lagjes.

  • Thërret një prift që të shërbejë si ndihmës në kuorumin e priftërinjve.

  • Ndihmon një anëtar të pendohet për një mëkat të rëndë (shih kapitullin 32).

  • Jep miratimin që një anëtar/e të regjistrohet në një universitet ose kolegj të Kishës.

  • Jep miratimin që një anëtar të marrë hua nga Fondi i Qarkullueshëm Arsimor, atje ku është në dispozicion.

  • Lejon një anëtar të deklarojë gjendjen e tij ose të saj si pagues i së dhjetës (shih 34.3.1.2).

  • Autorizon përdorimin e fondeve të ofertave të agjërimit (shih 31.3.4 dhe 22.6.1).

Kush mund ta kryejë intervistën

Peshkopi ose një këshilltar që ai cakton

Qëllimi i intervistës

  • Rinovon një rekomandim tempulli (shih 26.3.1).

  • Lëshon një rekomandim tempulli për të marrë pjesë në pagëzimet dhe konfirmimet si mëkëmbës (shih 26.4.3).

  • Lëshon një rekomandim tempulli për t’u vulosur te prindërit ose për të dëshmuar vulosjen e vëllezërve apo motrave te prindërit (shih 26.4.4).

  • Thërret një anëtar që të shërbejë në një thirrje të lagjes siç tregohet te 30.8.

  • Autorizon pagëzimin dhe konfirmimin e një fëmije 8-vjeçar që është anëtar me dokument ose ka një prind apo kujdestar që është anëtar i Kishës (shih 31.2.3.1).

  • Autorizon shugurimin e një të riu në detyrën e dhjakut ose mësuesit (shih 18.10.2).

  • Lëshon Rekomandimin për një Bekim Patriarkal (shih 18.17).

  • Autorizon një mbajtës të priftërisë që të kryejë një ordinancë të priftërisë në një lagje tjetër, nëse ai nuk ka një rekomandim tempulli. (Shih formularin Rekomandim për të Kryer një Ordinancë.)

  • Jep miratimin që një anëtar/e të vazhdojë regjistrimin në një universitet ose kolegj të Kishës.

Kush mund ta kryejë intervistën

Vetëm presidenti i kunjit

Qëllimi i intervistës

  • Lëshon një rekomandim tempulli për një anëtar/e që po kryen ordinancën e dhurimit për veten e tij ose të saj ose që po vuloset me një bashkëshort/e (shih 26.3.1).

  • Rekomandon një anëtar/e të shërbejë si misionar/e kohëplotë (shih 24.4.2).

  • Liron nga thirrja një misionar/e kohëplotë që është kthyer në shtëpi (shih 24.8.2).

  • Kur autorizohet, thërret një anëtar të shërbejë si këshilltar në presidencën e kunjit, patriark ose peshkop (shih 30.8.1 dhe 30.8.3).

  • Thërret një anëtar të shërbejë si president i kuorumit të pleqve ose një anëtare si presidente e Shoqatës së Ndihmës në Kunj.

  • Ndihmon një anëtar të pendohet për një mëkat të rëndë (shih kapitullin 32).

Kush mund ta kryejë intervistën

Presidenti i kunjit ose një këshilltar që ai cakton

Qëllimi i intervistës

  • Rinovon një rekomandim tempulli (shih 26.3.1).

  • Autorizon shugurimin e një burri në detyrën e plakut ose priftit të lartë (shih 18.10.1).

  • Thërret anëtarë që të shërbejnë në thirrje siç tregohet te 30.8.1 dhe 30.8.3.

  • Verifikon shëndetin dhe denjësinë e një misionari/eje pak kohë përpara se të veçohet (shih 24.5.3).

  • Jep miratimin që një anëtar/e të regjistrohet në një universitet ose kolegj të Kishës.

Misionarët kohëplotë i intervistojnë të kthyerit në besim për pagëzim dhe konfirmim (shih 31.2.3.2).

Anëtarët e presidencave të kuorumit të pleqve dhe Shoqatës së Ndihmës kryejnë intervistat për dhënien e shërbesës (shih 21.3).

31.2.3

Intervistat për Pagëzim dhe Konfirmim

31.2.3.1

Fëmijët që Janë Anëtarë me Dokument

Peshkopi mban çelësat e priftërisë për pagëzimin e anëtarëve me dokument të moshës 8‑vjeçare në lagjen e tij. Për këtë arsye, ai ose një këshilltar i caktuar intervistojnë personat në vijim për pagëzim:

  • Fëmijë të moshës 8 vjeç që janë anëtarë me dokument.

  • Fëmijë të moshës 8 vjeç që nuk janë anëtarë me dokument, por kanë një prind ose kujdestar që është anëtar.

  • Anëtarët me dokument të moshave 9 vjeç e lart, pagëzimi i të cilëve u vonua për shkak të aftësive të kufizuara intelektuale.

Në intervistë, anëtari i peshkopatës sigurohet që fëmija i kupton qëllimet e pagëzimit (shih te 2 Nefi 31:5–20). Ai gjithashtu sigurohet që fëmija e kupton besëlidhjen e pagëzimit dhe zotohet që të jetojë sipas saj (shih te Mosia 18:8–10). Ai nuk ka nevojë të përdorë një listë të specifikuar me pyetje. Kjo nuk është një intervistë për të përcaktuar denjësinë, pasi “fëmijët … [e] vegjël nuk kanë nevojë për pendim” (Moroni 8:11).

Kërkohet leja e prindërve ose kujdestarëve përpara se një i mitur të mund të pagëzohet (shih 38.2.8.2).

31.2.3.2

Të Kthyerit në Besim

Presidenti i misionit mban çelësat e priftërisë për pagëzimin e të kthyerve në besim. Për këtë arsye, një misionar kohëplotë interviston:

  • Persona të moshave 9 vjeç e lart të cilët kurrë nuk janë pagëzuar dhe konfirmuar. Shihni 31.2.3.1 për një përjashtim për personat me aftësi të kufizuar intelektuale.

  • Fëmijët e moshave 8 vjeç e lart, prindërit e të cilëve nuk janë anëtarë të Kishës.

  • Fëmijët e moshave 8 vjeç e lart të cilët kanë një prind që gjithashtu po pagëzohet dhe konfirmohet.

Udhëheqësi i distriktit ose udhëheqësi i zonës për misionarët e kryen intervistën. Për informacion rreth rasteve që kërkojnë autorizim të veçantë, shihni 38.2.8.7.

Çdo i kthyer në besim i ardhshëm duhet të takohet edhe me peshkopin përpara pagëzimit. Megjithatë, peshkopi nuk e interviston atë për pagëzimin. Dhe as nuk e përcakton denjësinë. Qëllimi i këtij takimi është të ndërtohet një marrëdhënie me personin.

Gjatë intervistës, misionari ndjek udhërrëfimin e Shpirtit për të përcaktuar nëse personi i plotëson kualifikimet e përshkuara te Doktrina e Besëlidhje 20:37 (shih edhe te Mosia 18:8–10; Moroni 6:1–4). Misionari përdor pyetjet në vijim. Ai i përshtat ato për moshën, pjekurinë dhe rrethanat e personit.

  1. A besoni se Perëndia është Ati ynë i Përjetshëm? A besoni se Jezu Krishti është Biri i Perëndisë dhe Shpëtimtari e Shëlbuesi i botës?

  2. A besoni se Kisha dhe ungjilli i Jezu Krishtit janë rivendosur nëpërmjet Profetit Jozef Smith? A besoni se [Presidenti i tanishëm i Kishës] është një profet i Perëndisë? Ç’kuptim ka kjo për ju?

  3. Çfarë do të thotë për ju të pendoheni? A ndieni se jeni penduar për mëkatet tuaja të mëparshme?

  4. Juve ju është mësuar se anëtarësia në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme përfshin të jetuarit e standardeve të ungjillit. Çfarë kuptoni rreth standardeve vijuese? A jeni i gatshëm t’u bindeni atyre?

    • Ligji i dëlirësisë, që ndalon çfarëdo marrëdhënie seksuale jashtë lidhjeve të një martese të ligjshme midis një burri dhe një gruaje

    • Ligji i së dhjetës

    • Fjala e Urtësisë

    • Mbajtja e ditës së Shabatit të shenjtë, përfshirë marrjen e sakramentit çdo javë dhe shërbimin ndaj të tjerëve

  5. A keni kryer ndonjëherë një krim të rëndë? Nëse po, a jeni ju tani në kohën e provës apo në liri me kusht?

  6. A keni marrë pjesë ndonjëherë në një abort? (Shih 38.6.1.)

  7. Kur pagëzoheni, ju besëlidhni me Perëndinë se jeni i gatshëm të merrni mbi vete emrin e Krishtit, t’u shërbeni të tjerëve, të qëndroni si dëshmitar i Perëndisë në të gjitha kohërat dhe t’i zbatoni urdhërimet e Tij gjatë gjithë jetës suaj. A jeni i gatshëm ta bëni këtë besëlidhje dhe të përpiqeni fort të jeni besnik ndaj saj?

Për udhëzime nëse personi përgjigjet pozitivisht për pyetjen 5 ose 6, shihni 38.2.8.7. Shihni edhe 38.2.8.8.

Nëse personi është i përgatitur për pagëzimin, intervistuesi plotëson Dokumentin e Pagëzimit dhe Konfirmimit (shih 18.8.3).

31.2.4

Intervistat për Shugurimin në një Detyrë në Priftërinë Aarone

Peshkopi mban çelësat e priftërisë për dhënien e Priftërisë Aarone. Ai mban edhe çelësat për shugurimin në detyrat e dhjakut, mësuesit dhe priftit. Peshkopi ose një këshilltar i caktuar i interviston ata që duhet të shugurohen dhjakë ose mësues për të përcaktuar nëse janë të përgatitur shpirtërisht. Peshkopi interviston ata që do të shugurohen priftërinj.

Për më shumë informacion, shihni 18.10.2.

31.2.5

Intervistat për Rekomandime Tempulli

Tempulli është shtëpia e Zotit. Hyrja në tempull dhe marrja pjesë në ordinanca atje është një privilegj i shenjtë. Ky privilegj rezervohet për ata që janë të përgatitur shpirtërisht dhe përpiqen fort t’i jetojnë standardet e Zotit, siç përcaktohen nga udhëheqësit e autorizuar të priftërisë.

Për ta marrë këtë vendim, udhëheqësit e priftërisë e intervistojnë anëtarin duke përdorur pyetjet te BUN [LCR] (shih edhe orientimet te 26.3). Udhëheqësit nuk duhet të shtojnë ose të heqin ndonjë kërkesë. Megjithatë, ata mund t’i përshtatin pyetjet për moshën dhe rrethanat e anëtarit.

31.2.6

Intervistat për Shugurimin në një Detyrë në Priftërinë Melkizedeke

Presidenti i kunjit mban çelësat e priftërisë për dhënien e Priftërisë Melkizedeke. Ai mban edhe çelësat për shugurimin në detyrat e plakut dhe të priftit të lartë.

Me miratimin e presidencës së kunjit, peshkopi interviston anëtarin duke përdorur pyetjet e dhëna më poshtë. Përpara se ta bëjë këtë, ai verifikon se dokumenti i anëtarësisë së personit nuk përfshin një shënim shpjegues, një kufizim ordinance ose një kufizim të anëtarësisë në Kishë.

Nëse, pas intervistës, peshkopi ndien se anëtari është i përgatitur për t’u shuguruar, ai plotëson dhe dorëzon Dokumentin e Shugurimit në Priftërinë Melkizedeke. Më pas një anëtar i presidencës së kunjit e interviston anëtarin, duke përdorur gjithashtu pyetjet më poshtë.

Një burrë që merr Priftërinë Melkizedeke, hyn në betimin dhe besëlidhjen e priftërisë. Kjo përshkruhet te Doktrina e Besëlidhje 84:33–44. Gjatë intervistave, peshkopi dhe anëtari i presidencës së kunjit sigurohen që anëtari i kupton këtë betim dhe besëlidhje dhe bie dakord të jetojë sipas tyre. Më pas udhëheqësi bën pyetjet në vijim:

  1. A keni besim dhe një dëshmi për Perëndinë, Atin e Përjetshëm; Birin e Tij, Jezu Krishtin; dhe Frymën e Shenjtë?

  2. A keni një dëshmi për Shlyerjen e Jezu Krishtit dhe për rolin e Tij si Shpëtimtari dhe Shëlbuesi juaj?

  3. A keni një dëshmi për Rivendosjen e ungjillit të Jezu Krishtit?

  4. A e mbështetni Presidentin e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme si profet, shikues dhe zbulues dhe si të vetmin njeri në tokë të autorizuar që t’i ushtrojë të gjithë çelësat e priftërisë?

    A i mbështetni anëtarët e Presidencës së Parë dhe të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve si profetë, shikues e zbulues?

    A i mbështetni Autoritetet e tjera të Përgjithshme dhe udhëheqësit vendorë të Kishës?

  5. Zoti ka thënë se të gjitha gjërat do të “bëhe[n] … në pastërti” përpara Tij (Doktrina e Besëlidhje 42:41).

    A përpiqeni fort për pastërti morale në mendimet dhe sjelljen tuaj?

    A i bindeni ligjit të dëlirësisë?

  6. A i ndiqni mësimet e Kishës së Jezu Krishtit në sjelljen tuaj më vete dhe publike me pjesëtarët e familjes suaj dhe të tjerët?

  7. A përkrahni ose nxitni ndonjë mësim, praktikë ose doktrinë në kundërshtim me ato të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme?

  8. A përpiqeni fort ta mbani të shenjtë ditën e Shabatit, si në shtëpi edhe në kishë; të frekuentoni mbledhjet tuaja; të përgatiteni për sakramentin dhe ta merrni atë me denjësi; dhe ta jetoni jetën tuaj në harmoni me ligjet dhe urdhërimet e ungjillit?

  9. A përpiqeni fort të jeni i ndershëm në gjithçka që bëni?

  10. A jeni pagues i së dhjetës së plotë?

  11. A e kuptoni dhe i bindeni Fjalës së Urtësisë?

  12. A keni ndonjë detyrim financiar ose detyrime të tjera ndaj një bashkëshorteje të mëparshme apo ndaj fëmijëve?

    Nëse po, a jeni i rregullt në përmbushjen e këtyre detyrimeve?

  13. A ka mëkate të rënda në jetën tuaj që nevojitet të zgjidhen me autoritetet e priftërisë si pjesë e pendimit tuaj?

  14. A e konsideroni veten tuaj të denjë për t’u shuguruar në një detyrë në Priftërinë Melkizedeke?

31.3

Mundësi të Tjera për Udhëheqësit që të Takohen me Anëtarët

Udhëheqësit kanë mundësi të shumta për t’u takuar me anëtarët individualisht. Për shembull:

  • Anëtarëve mund t’u kërkohet të takohen me një udhëheqës të Kishës kur kanë nevojë për udhërrëfim shpirtëror ose kanë probleme të rënda personale. Në disa raste, udhëheqësi mund të ndihet i nxitur për të planifikuar një takim me një anëtar. Anëtarët nuk inkurajohen që të vihen në kontakt me Autoritetet e Përgjithshme për çështje vetjake (shih 38.8.24).

    Për të kaluar më shumë kohë me të rinjtë dhe të rejat, peshkopi mund t’ia delegojë disa nga këto takime udhëheqësve të tjerë në lagje. Anëtarët e presidencës së kuorumit të pleqve dhe anëtaret e presidencave të Shoqatës së Ndihmës dhe të Të Rejave mund të ndihmojnë veçanërisht. Megjithatë, peshkopi nuk duhet të delegojë çështje që kërkojnë rolin e tij si gjykatës i përbashkët, siç është pendimi për një mëkat të rëndë.

  • Peshkopi ose dikush që ai cakton, takohet me anëtarët që kanë nevoja materiale (shih 31.3.4 dhe 22.6).

  • Presidenti i kuorumit të pleqve takohet me secilin anëtar të kuorumit veçmas një herë në vit. Ata diskutojnë për mirëqenien e anëtarit dhe familjes së tij. Ata gjithashtu diskutojnë për detyrat e tij të priftërisë. (Shih 8.3.3.2.)

  • Presidentja e Shoqatës së Ndihmës takohet me secilën anëtare të Shoqatës së Ndihmës një herë në vit. Ato diskutojnë për mirëqenien e motrës dhe të familjes së saj. (Shih 9.3.2.2.)

  • Një anëtar i peshkopatës takohet me çdo fëmijë 11‑vjeçar ndërsa ai ose ajo kalon nga Fillorja në kuorumin e dhjakëve ose në një klasë të Të Rejave. Gjatë këtij takimi, anëtari i peshkopatës gjithashtu interviston të rinjtë që marrin Priftërinë Aarone (shih 18.10.2).

  • Një anëtar i peshkopatës takohet me anëtarët që hyjnë në shërbimin ushtarak (shih 38.9.2).

  • Një anëtar i peshkopatës takohet me çdo të ri dhe të re dy herë në vit (shih 31.3.1).

  • Një anëtar i peshkopatës takohet me çdo të ri ose të re në moshë madhore beqare të paktën një herë në vit (shih 31.3.2).

  • Anëtarët e presidencës së kunjit, peshkopatës dhe udhëheqës të tjerë takohen rregullisht me udhëheqësit që shërbejnë nën drejtimin e tyre (shih 31.3.3).

Kur udhëheqësit takohen me anëtarët, ata ndjekin parimet te 31.1.

Për informacione të dobishme rreth temave specifike që mund të dalin kur takoheni me anëtarët, shihni Burimet për Këshillim në programin Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]. Udhëheqësit gjithashtu mund t’i referojnë anëtarët tek informacioni në Life Help [Ndihmë për Jetën].

31.3.1

Takimi me Të Rinjtë dhe Të Rejat

Përgjegjësia kryesore e peshkopit është të ndihmojë brezin e ri në lagjen e tij që të përparojë shpirtërisht. Një mënyrë e rëndësishme se si ai e bën këtë është duke u takuar me të rinjtë dhe të rejat individualisht (ose me një person tjetër në moshë madhore të pranishëm; shih 31.1.4). Peshkopi ose një nga këshilltarët e tij takohet me çdo të ri dhe të re dy herë në vit. Të paktën njëri nga këto takime çdo vit duhet të jetë me peshkopin. Duke filluar nga viti kur i riu ose e reja mbush 16 vjeç, të dyja takimet gjatë vitit duhet të jenë me peshkopin, nëse është e mundur.

Përveç këtyre takimeve, të rinjtë duhet të ndihen të lirë për t’u këshilluar me peshkopin sa herë që kanë nevojë për udhërrëfim ose përkrahje. Peshkopi përpiqet fort të ndërtojë marrëdhënie të forta dhe mirëbesuese me të rinjtë, kështu që ata të ndihen rehat për t’u këshilluar me të.

Presidentja e Të Rejave gjithashtu ka përgjegjësi për t’i dhënë shërbesë secilës prej të rejave. Ajo mund ta bëjë këtë duke u takuar me të rejat një e nga një (ose me një person tjetër në moshë madhore të pranishëm; shih 31.1.4).

Kur takohen me të rinjtë e të rejat, udhëheqësit ndjekin parimet te 31.1. Shumë prej këtyre parimeve janë veçanërisht të rëndësishme kur takohen me të rinjtë e të rejat.

31.3.1.1

Komunikimi me Prindërit

Gjatë përpjekjeve të tyre për t’i forcuar të rinjtë e të rejat, udhëheqësit punojnë ngushtë me prindërit. Ata përpiqen t’i përkrahin prindërit në përgjegjësinë e tyre për t’ua mësuar fëmijëve të tyre ungjillin e Jezu Krishtit.

Udhëheqësit i japin informacionin në vijim të riut ose të resë dhe prindërve të tij ose të saj para takimit të tyre të parë:

  • Prindërit kanë përgjegjësinë parësore për t’i mësuar dhe ushqyer shpirtërisht fëmijët e tyre.

  • Peshkopi ose një nga këshilltarët e tij takohet me çdo të ri ose të re të paktën dy herë në vit. Presidentja e Të Rejave mund të takohet gjithashtu me çdo të re herë pas herë. Në këto takime, udhëheqësit mund t’u përgjigjen pyetjeve, të japin përkrahje, të caktojnë detyra dhe të diskutojnë temat e renditura te 31.3.1.2.

  • Për t’i ndihmuar të rinjtë dhe të rejat që të përgatiten shpirtërisht, kërkohen intervista për çështje të shenjta të tilla si rekomandime tempulli, shugurime në priftëri dhe thirrje për mision. Udhëheqësit punojnë me prindërit për t’i ndihmuar të rinjtë e të rejat të përgatiten për këto intervista.

  • Prindërit i nxitin fëmijët e tyre të këshillohen me peshkopin ose një udhëheqës tjetër të Kishës kur të kenë nevojë për ndihmë për udhërrëfim shpirtëror ose për pendimin.

  • Kur një i ri ose e re takohet me një udhëheqës të Kishës, një prind ose një person tjetër në moshë madhore duhet të jetë i pranishëm. I riu ose e reja mund ta ftojë personin në moshë madhore të jetë i pranishëm në takim ose të presë jashtë dhomës.

31.3.1.2

Temat për t’u Diskutuar

Qëllimi kryesor i takimeve me të rinjtë e të rejat është të ndërtohet besimi tek Ati Qiellor dhe Jezu Krishti dhe t’i ndihmojë të rinjtë e të rejat t’i ndjekin Ata. Këto takime duhet të jenë përvoja shpirtërore lartësuese. Udhëheqësit përpiqen fort ta ndihmojnë çdo të ri e të re të ndiejë se e duan dhe të ndihet i nxitur e i frymëzuar për t’u bërë më shumë si Shpëtimtari.

I riu ose e reja dhe udhëheqësi mund të diskutojnë:

  • Përvojat shpirtërore që po e ndërtojnë dëshminë e të riut apo të resë për Atin Qiellor, Jezu Krishtin dhe ungjillin e rivendosur.

  • Se si i riu apo e reja po i mban besëlidhjet e tij ose të saj të pagëzimit.

  • Përgatitjet e të riut apo të resë për t’i bërë dhe mbajtur besëlidhjet e tempullit.

  • Synimet vetjake të të riut ose të resë për t’u bërë më shumë si Shpëtimtari në të gjitha fushat e jetës (shih librin udhëzues “Fëmijët dhe Rinia”).

  • Rëndësinë e lutjes vetjake e familjare dhe të studimit të shkrimeve të shenjta.

  • Si t’i forcojnë marrëdhëniet me prindërit dhe pjesëtarë të tjerë të familjes.

  • Parimet dhe standardet në broshurën Për Forcën e Rinisë.

  • Mënyrat se si të rinjtë e të rejat mund të marrin pjesë në punën e Perëndisë për shpëtimin dhe ekzaltimin (shih 1.2).

  • Me një të ri, përvojat e tij për përmbushjen e detyrave të tij të priftërisë dhe përgatitjen e tij për t’u shuguruar në detyrën tjetër të priftërisë.

  • Bekimet e pjesëmarrjes në seminar.

  • Përgatitjen për të shërbyer në një mision kohëplotë (shih 24.3). Zoti pret që çdo i ri i aftë të përgatitet për të shërbyer. Të rejat që dëshirojnë të shërbejnë, gjithashtu duhet të përgatiten. Udhëheqësit duhet të jenë të ndjeshëm ndaj atyre që mund të justifikohen për mospjesëmarrje në shërbimin misionar kohëplotë (shih 24.4.4). Për informacion rreth misioneve të shërbimit, shihni 24.2.2.

Kur diskutojnë për bindjen ndaj urdhërimeve, udhëheqësit mund t’u referohen pyetjeve për intervistën për rekomandim tempulli dhe broshurës Për Forcën e Rinisë. Ata sigurohen që diskutimet rreth pastërtisë morale nuk nxitin kureshtje ose eksperimentim.

31.3.2

Takimi me Të Rinjtë në Moshë Madhore Beqarë

Peshkopi i jep përparësi të lartë përparimit shpirtëror të të rinjve e të rejave në moshë madhore beqare në lagjen e tij. Ai ose një këshilltar i caktuar takohet me çdo të ri ose të re në moshë madhore beqare të paktën një herë në vit.

Anëtari i peshkopatës dhe i riu ose e reja në moshë madhore beqare mund të diskutojnë çështjet domethënëse te 31.3.1.2. Ata gjithashtu mund të diskutojnë çështjet me rëndësi të veçantë për të rinjtë në moshë madhore, si zhvillimin e mbështetjes te vetja.

31.3.3

Takimi me Anëtarët për të Diskutuar për Thirrjet dhe Përgjegjësitë e Tyre

Presidencat e kunjeve, peshkopatat dhe udhëheqës të tjerë takohen individualisht me anëtarët që u raportojnë atyre për thirrjet e tyre. Për shembull:

  • Presidenti i kunjit takohet rregullisht me çdo peshkop në kunj (shih 6.2.1.2).

  • Një anëtar i presidencës së kunjit takohet rregullisht me çdo president të kuorumit të pleqve në kunj (shih 8.3.1).

  • Peshkopi takohet çdo muaj me presidenten e Shoqatës së Ndihmës (shih 9.3.1). Ai takohet rregullisht edhe me presidentin e kuorumit të pleqve dhe presidenten e Të Rejave (shih 8.3.1 dhe 11.3.1).

  • Një anëtar i peshkopatës takohet rregullisht me presidenten e Fillores dhe presidentin e Shkollës të së Dielës (shih 12.3.1 dhe 13.2.1).

  • Anëtarët e presidencës së kuorumit të pleqve dhe anëtaret e presidencës së Shoqatës së Ndihmës takohen me vëllezërit dhe motrat shërbestare (shih 21.3).

Në këto takime, udhëheqësi e frymëzon dhe udhëzon anëtarin ose anëtaren për përgjegjësitë e tij ose të saj. Udhëheqësi shpreh mirënjohje për shërbimin e anëtarit dhe jep inkurajim. Anëtari raporton mbi përparimin dhe mirëqenien e njerëzve të cilëve ai ose ajo u shërben. Së bashku diskutojnë për synimet, sfidat dhe mundësitë. Nëse gjen zbatim, ata shqyrtojnë gjithashtu buxhetet dhe shpenzimet.

31.3.4

Takimi me Anëtarët për të Diskutuar për Nevojat Materiale dhe Mbështetjen te Vetja

Kujdesi për njerëzit nevojtarë është pjesë e punës së Perëndisë për shpëtimin dhe ekzaltimin (shih 1.2). Ndërsa udhëheqësit takohen me anëtarët që kanë nevoja materiale, ata i ndihmojnë të trajtojnë nevojat afatshkurtra dhe të ndërtojnë mbështetje afatgjatë te vetja (shih 22.3).

Peshkopi mund të caktojë anëtarë të tjerë në lagje, si presidencat e Shoqatës së Ndihmës dhe të kuorumit të pleqve, për t’u takuar me anëtarët që kanë nevoja materiale. Megjithatë, vetëm peshkopi mund ta miratojë përdorimin e fondeve të ofertave të agjërimit (shih 22.6.1).

Parimet dhe rregulloret shtesë për të ndihmuar njerëzit për nevojat e tyre materiale përshkruhen te kapitulli 22.

31.3.5

Takimi me Anëtarët për Martesën dhe Shkurorëzimin

Udhëheqësit e Kishës nuk duhet ta këshillojnë një person se me kë të martohet. As nuk duhet ta këshillojnë një person që të shkurorëzohet ose jo nga bashkëshorti ose bashkëshortja e vet. Ndërsa shkurorëzimi është një mundësi e përshtatshme në disa situata, vendime të tilla duhet të merren nga individi.

Duke ndjekur udhërrëfimin e Shpirtit, udhëheqësit e Kishës takohen shpesh me çifte dhe individë që po ndahen ose po shkurorëzohen. Udhëheqësit gjithashtu mund të përpiqen që ta ndihmojnë një çift për ta forcuar martesën e tyre. Ata u mësojnë për forcën dhe shërimin që vijnë nga mbajtja e besëlidhjeve që i kanë bërë me Zotin dhe të jetuarit e mësimeve të Tij. Këto mësime përfshijnë besimin, pendimin, faljen, dashurinë dhe lutjen.

Një anëtar/e që ndahet nga bashkëshortja/i e/i vet ose po shkurorëzohet, nuk duhet të dalë në takime derisa shkurorëzimi të bëhet përfundimtar.

31.3.6

Këshillimi dhe Terapia nga Profesionistët

Udhëheqësit e Kishës nuk thirren për të qenë këshillues profesionistë ose për të dhënë terapi. Ndihma që ata ofrojnë, është shpirtërore, përqendrohet te fuqia forcuese, ngushëlluese dhe shëlbuese e Jezu Krishtit. Përveç kësaj ndihme të rëndësishme dhe frymëzuese, disa anëtarë mund të përfitojnë nga këshillimi profesional, atje ku është në dispozicion. Një këshillim ose terapi e tillë mund t’i ndihmojë anëtarët që t’i kuptojnë dhe të reagojnë ndaj sfidave të jetës në mënyra të shëndetshme.

Takimi me një këshillues profesionist për të fituar njohuri dhe zotësi për mirëqenien emocionale nuk është shenjë dobësie. Përkundrazi, mund të jetë shenjë përulësie dhe force.

Anëtarët duhet të zgjedhin me kujdes këshillues profesionistë me famë të mirë, të cilët kanë një licencë të vlefshme. Këshilluesit duhet t’i respektojnë lirinë e zgjedhjes, vlerat dhe bindjet e personave që kërkojnë ndihmë. Përfshirja e këtyre vlerave është e përshtatshme nga pikëpamja etike në këshillimin profesional.

Kisha është kundër çdo terapie, duke përfshirë terapinë e konvertimit ose riparuese për orientimin seksual ose identitetin gjinor, që e nënshtron një person ndaj praktikave keqtrajtuese. (Shih “Same-Sex Attraction” [“Tërheqja ndaj së Njëjtës Gjini”] dhe “Transgjinorët” te Life Help [Ndihmë për Jetën].)

Në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada, peshkopët dhe presidentët e kunjeve mund të vihen në kontakt me sektorin Shërbimet për Familjen për të përcaktuar burimet që ofrojnë këshillim profesional në përputhje me parimet e ungjillit. Informacioni i kontaktit jepet më poshtë:

1–801–240–1711

1-800–453–3860, numri i brendshëm 2–1711

FamilyServices.ChurchofJesusChrist.org

Në zona të tjera, udhëheqësit mund të vihen në kontakt me personelin e Shërbimeve për Familjen ose përgjegjësin për mirëqenien dhe mbështetjen te vetja në zyrën e zonës.

Nëse anëtarët nuk mund të paguajnë vetë ose nëpërmjet siguracionit për këshillim profesional, peshkopët mund të përdorin ofertat e agjërimit për të ofruar ndihmë (shih 22.4).

31.4

Takimi me Anëtarët në Mënyrë Virtuale

Zakonisht, udhëheqësit takohen me anëtarët me prani fizike për intervistat dhe për të ofruar ndihmë shpirtërore dhe për të dhënë shërbesë. Megjithatë, si përjashtim, ata mund të takohen në mënyrë virtuale kur takimi me prani fizike nuk është i mundshëm. Për shembull, një anëtar mund të takohet me një udhëheqës në mënyrë virtuale kur anëtari:

  • Jeton në një vend të largët dhe ka aftësi të kufizuara për të udhëtuar.

  • Ka sfida të shëndetit fizik, mendor ose emocional.

  • Po kujdeset për dikë që nuk del dot nga shtëpia dhe nuk mund të lihet vetëm.

Intervistat midis presidentëve të misioneve dhe misionarëve kohëplotë mund të zhvillohen gjithashtu në mënyrë virtuale, aty ku miratohet.

Intervistat dhe takimet e tjera midis udhëheqësve dhe anëtarëve nuk duhet të regjistrohen.

Ashtu si me intervistat dhe takimet me prani fizike, anëtari mund të ftojë dikë tjetër që të jetë i pranishëm gjatë një interviste ose takimi virtual.

Kur një intervistë për një rekomandim tempulli zhvillohet në mënyrë virtuale, rekomandimi i ri i tempullit mund t’i dërgohet anëtarit pasi të nënshkruhet nga udhëheqësit e priftërisë. Megjithatë, nëpunësi i kunjit nuk duhet ta aktivizojë atë deri sa të verifikohet që anëtari e ka marrë.