Manualet dhe Thirrjet
2. Përkrahja e Individëve dhe Familjeve në Veprën e Shpëtimit dhe të Ekzaltimit


“2. Përkrahja e Individëve dhe Familjeve në Veprën e Shpëtimit dhe të Ekzaltimit”, Manuali i Përgjithshëm: Shërbimi në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme (2020).

“2. Përkrahja e Individëve dhe Familjeve”, Manuali i Përgjithshëm.

Pamja
fotografi familjare

2.

Përkrahja e Individëve dhe Familjeve në Veprën e Shpëtimit dhe të Ekzaltimit

2.0

Parathënia

Si udhëheqës/e në Kishën e Jezu Krishtit, ju përkrahni individë dhe familje në përmbushjen e veprës së Perëndisë për shpëtimin dhe ekzaltimin (shihni 1.2). Qëllimi përfundimtar i kësaj vepre është t’i ndihmojë të gjithë fëmijët e Perëndisë që të marrin bekimet e jetës së përjetshme dhe një plotësi të gëzimit.

Shumica e veprës së shpëtimit dhe të ekzaltimit përmbushet nëpërmjet familjes. Për të gjithë anëtarët e Kishës, kjo vepër e ka qendrën në shtëpi. Ky kapitull do t’ju ndihmojë të fitoni një vizion për:

  • Rolin e familjes në planin e Perëndisë.

  • Veprën e shpëtimit dhe të ekzaltimit në shtëpi.

  • Marrëdhënien midis shtëpisë dhe Kishës.

2.1

Roli i Familjes në Planin e Perëndisë

Familja shugurohet nga Perëndia dhe është në qendër të planit të Tij. Secili prej nesh “është një bir ose bijë shpirtërore e dashur e prindërve qiellorë” me “një natyrë dhe destinacion hyjnor” (“Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”, ChurchofJesusChrist.org). Ne jemi pjesë e familjes së tyre. Ne jetuam me ta përpara se të lindnim në tokë.

Si pjesë e planit të Tij, Ati Qiellor ka krijuar familje në tokë. Ai ka si qëllim që familjet të na sjellin lumturi. Familjet sigurojnë mundësi për të mësuar, për t’u rritur, për të shërbyer, për t’u penduar dhe për të falur. Ato mund të na ndihmojnë të përgatitemi për jetën e përjetshme.

Në këtë jetë, shumë njerëz kanë mundësi të kufizuara për marrëdhënie të dashura familjare. Asnjë familje nuk është pa sfida, dhembje dhe pikëllim. Individët dhe familjet ushtrojnë besim te Zoti dhe përpiqen fort të jetojnë sipas të vërtetave që Ai i ka zbuluar lidhur me familjen. Shpëtimtari ka premtuar se Ai do të ndihmojë për t’i mbartur barrët për të gjithë ata që vijnë tek Ai (shihni te Mateu 11:28–30).

Plani i Atit Qiellor për lumturinë siguron që të gjithë fëmijët e Tij do të kenë mundësinë për ta pranuar ungjillin e Tij dhe për të marrë bekimet e Tij më të mëdha (shihni te Doktrina e Besëlidhje 137:7–10). Të gjithë që bëjnë dhe mbajnë besëlidhje me Perëndinë, mund të përjetojnë gëzim dhe “paqe në këtë botë dhe jetë të përjetshme në botën që vjen” (Doktrina e Besëlidhje 59:23; shihni edhe te Mosia 2:41).

Premtimi i Perëndisë për jetën e përjetshme përfshin martesë të përjetshme, fëmijë dhe të gjitha bekimet e tjera të një familjeje të përjetshme. Ky premtim gjen zbatim për ata që nuk janë aktualisht të martuar ose janë pa familje në Kishë (shihni 38.1.4). Megjithëse koha dhe mënyra e saktë në të cilën merren bekimet e ekzaltimit nuk dihen, këto bekime u sigurohen atyre që përpiqen fort të jetojnë si dishepuj të Jezu Krishtit.

2.1.1

Familjet e Përjetshme

Familjet e përjetshme formohen kur anëtarë të Kishës bëjnë besëlidhje teksa marrin ordinancat vulosëse në tempull. Bekimet e një familjeje të përjetshme realizohen kur anëtarët i mbajnë ato besëlidhje, si edhe kur pendohen kur nuk ia dalin t’i mbajnë. Udhëheqësit e Kishës i ndihmojnë anëtarët të përgatiten për t’i marrë këto ordinanca dhe për t’i nderuar besëlidhjet e tyre.

Çdo person mund të përmbushë një numër rolesh në një familje të përjetshme. Të gjitha rolet në familje janë të shenjta dhe të rëndësishme. Këto role mund të përfshijnë nënën e babanë, bijën e birin, motrën e vëllanë, teton dhe ungjin, gjyshen dhe gjyshin. Përmbushja e këtyre roleve me dashuri i ndihmon fëmijët e Perëndisë që të përparojnë drejt jetës së përjetshme.

Një aspekt shtesë në krijimin e familjeve të përjetshme është kryerja e ordinancave në tempull, të cilat i lejojnë anëtarët të vulosen me paraardhësit e tyre të vdekur.

Me një kuptueshmëri për planin e Perëndisë, anëtarët kërkojnë bekimet e një familjeje të përjetshme. Kjo përfshin përgatitjen për t’u bërë një bashkëshort/e dhe një prind i denjë dhe i dashur.

2.1.2

Bashkëshorti dhe Bashkëshortja

Martesa midis një burri dhe një gruaje shugurohet nga Perëndia (shihni te Doktrina e Besëlidhje 49:15). Një bashkëshort e një bashkëshorte kanë për qëllim që të përparojnë së bashku drejt jetës së përjetshme (shihni te 1 Korintasve 11:11).

Njëra nga kërkesat për të fituar jetë të përjetshme është që një burrë e një grua të hyjnë në besëlidhjen e martesës çelestiale (shihni te Doktrina e Besëlidhje 131:1–4). Një çift e bën këtë besëlidhje kur ata e marrin në tempull ordinancën vulosëse të martesës. Kjo besëlidhje është themeli i një familjeje të përjetshme. Kur mbahet me besnikëri, ajo lejon që martesa e tyre të durojë përgjithmonë. Më së fundi, ata mund të bëhen si Perëndia (shihni te Doktrina e Besëlidhje 132:19–20).

Perëndia i ka urdhëruar bashkëshortët e bashkëshortet të kapen pas njëri‑tjetrit (shihni te Zanafilla 2:24; Doktrina e Besëlidhje 42:22). Në këtë kontekst, fjala kapesh do të thotë të jesh plotësisht i përkushtuar dhe besnik ndaj dikujt. Çiftet e martuara kapen së bashku duke e dashur njëri‑tjetrin dhe duke i shërbyer njëri‑tjetrit.

Kapja gjithashtu përfshin besnikëri të plotë martesore midis bashkëshortit e bashkëshortes. Intimiteti fizik midis bashkëshortit e bashkëshortes synohet që të jetë i bukur dhe i shenjtë. Ai është shuguruar nga Perëndia për krijimin e fëmijëve dhe për shprehjen e dashurisë midis bashkëshortit e bashkëshortes. Butësia dhe respekti – jo egoizmi – duhet ta udhërrëfejnë marrëdhënien e tyre intime.

Perëndia ka urdhëruar që intimiteti seksual duhet të rezervohet për martesën midis një burri dhe një gruaje. Qëndrimi të pastër seksualisht përpara martesës dhe besnikë gjatë martesës i ndihmon individët që të jenë vërtet të lumtur dhe të shmangin dëmtimin shpirtëror, emocional e fizik. Prindërit dhe udhëheqësit/et e Kishës nxiten të bëjnë gjithçka munden për ta përforcuar këtë mësim. (Shihni 38.6.5.)

Një çift përpiqet të ketë unitet në krijimin e familjes së vet (shihni te Zanafilla 2:24). Të paturit unitet në martesë kërkon bashkëpjesëmarrje të plotë, ndarje të përgjegjësive. Një bashkëshort e një bashkëshorte janë të barabartë në sytë e Perëndisë. Njëri nuk duhet të sundojë mbi tjetrin. Vendimet e tyre duhet të merren në unitet e dashuri, me pjesëmarrje të plotë nga të dy.

Adami dhe Eva dhanë një shembull për bashkëshortët e bashkëshortet. Ata punuan, u lutën dhe adhuruan së bashku (shihni te Moisiu 5:1, 4). Ata ua mësuan fëmijëve të tyre ungjillin dhe vajtuan së bashku për sprovat e tyre (shihni te Moisiu 5:12, 27). Ata ishin në unitet me njëri‑tjetrin dhe me Perëndinë.

2.1.3

Prindërit dhe Fëmijët

Përpara se fëmijët e Perëndisë të mund të marrin “pavdekësi[në] dhe jet[ën] e përjetshme”, ata duhet të marrin një trup të vdekshëm (Moisiu 1:39). Urdhërimi i parë nga Perëndia që iu dha Adamit dhe Evës si bashkëshort e bashkëshorte, ishte që të kishin fëmijë (shihni te Zanafilla 1:28). Profetët e ditëve të mëvonshme kanë dhënë mësim se “urdhërimi i Perëndisë për fëmijët e Tij që të shumohen dhe të mbushin tokën, mbetet i vlefshëm” (“Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”; shihni edhe te Doktrina e Besëlidhje 49:16–17).

Është privilegj dhe përgjegjësi e shenjtë për një bashkëshort e një bashkëshorte që të kujdesen për fëmijët që ata janë në gjendje të lindin ose të birësojnë. Prindërit birësues kanë të njëjtat bekime dhe përgjegjësi si edhe prindërit biologjikë.

Një bashkëshort e një bashkëshorte që e duan njëri‑tjetrin, sigurojnë së bashku mjedisin më të mirë për t’i rritur dhe ushqyer shpirtërisht fëmijët. Rrethanat individuale mund t’i pengojnë prindërit që t’i rritin fëmijët e tyre së bashku. Megjithatë, Zoti do t’i bekojë ata kur kërkojnë ndihmën e Tij dhe përpiqen fort t’i mbajnë besëlidhjet e tyre me Të.

Prindërit kanë përgjegjësinë jetike që t’i ndihmojnë fëmijët e tyre të përgatiten për të marrë bekimet e jetës së përjetshme. Ata u mësojnë fëmijëve të tyre t’i duan dhe t’u shërbejnë Perëndisë dhe njerëzve të tjerë (shihni te Mateu 22:36–40). Ata u mësojnë t’i luten Atit Qiellor dhe ta studiojnë fjalën e Perëndisë (shihni tek Alma 37:36–37, 44–46). Ata i ndihmojnë fëmijët e tyre të kuptojnë doktrinën e besimit te Jezu Krishti, të pendimit, pagëzimit dhe dhuratës së Frymës së Shenjtë (shihni te Doktrina e Besëlidhje 68:25). Ata gjithashtu i ndihmojnë të përgatiten për të bërë besëlidhje ndërkohë që marrin ordinancat e shpëtimit dhe të ekzaltimit.

“Etërit duhet të kryesojnë familjet e tyre me dashuri e drejtësi dhe janë përgjegjës për të siguruar gjërat e nevojshme të jetës dhe mbrojtje për familjet e tyre” (“Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”). Kur në shtëpi nuk ka një bashkëshort ose baba, nëna kryeson mbi familjen.

Kryesimi në familje është përgjegjësia për të ndihmuar që të udhëhiqen pjesëtarët e familjes për t’u kthyer që të banojnë në praninë e Perëndisë. Kjo bëhet nëpërmjet shërbimit dhe mësimdhënies me butësi, përulësi dhe dashuri të pastër, duke ndjekur shembullin e Jezu Krishtit (shihni te Mateu 20:26–28). Kryesimi në familje përfshin udhëheqjen e pjesëtarëve të familjes në lutje, studim të rregullt të shkrimeve të shenjta dhe aspekte të tjera të adhurimit. Prindërit veprojnë në unitet për t’i përmbushur këto përgjegjësi.

“Nënat janë kryesisht përgjegjëse për edukimin e fëmijëve të tyre” (“Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”). Të edukosh do të thotë të ushqesh shpirtërisht, të japësh mësim dhe përkrahje, duke ndjekur shembullin e Shpëtimtarit (shihni te 3 Nefi 10:4). Në unitet me bashkëshortin e saj, një nënë e ndihmon familjen e saj të mësojë të vërtetat e ungjillit dhe të zhvillojë besim tek Ati Qiellor dhe Jezu Krishti. Së bashku ata nxitin në familje një mjedis dashurie.

“Në këto përgjegjësi të shenjta, etërit dhe nënat kanë detyrimin ta ndihmojnë njëri-tjetrin si partnerë të barabartë” (“Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”). Ata me lutje këshillohen së bashku dhe me Zotin. Ata i marrin vendimet së bashku në unitet e dashuri, me pjesëmarrje të plotë nga të dy.

Pamja
baba duke i dhënë mësim familjes

2.2

Vepra e Shpëtimit dhe e Ekzaltimit në Shtëpi

Presidenca e Parë tha: “Shtëpia është baza e një jete të drejtë” (letër e Presidencës së Parë, 11 shkurt 1999). Në shtëpitë e tyre, individët dhe familjet përfshihen në veprën e shpëtimit dhe të ekzaltimit. Kjo vepër përbëhet nga katër përgjegjësi të caktuara në mënyrë hyjnore:

  • Të jetuarit e ungjillit të Jezu Krishtit (shihni 1.2.1)

  • Përkujdesja për njerëzit nevojtarë (shihni 1.2.2)

  • Ftesa ndaj të gjithë njerëzve që ta pranojnë ungjillin (shihni 1.2.3)

  • Bashkimi i familjeve për përjetësinë (shihni 1.2.4)

Për t’i përkrahur anëtarët në kryerjen e veprës së shpëtimit dhe të ekzaltimit në shtëpi, udhëheqësit e Kishës i nxitin ata që të krijojnë një shtëpi ku Shpirti është i pranishëm. Ata gjithashtu i nxitin anëtarët që ta nderojnë ditën e Shabatit, ta studiojnë e ta mësojnë ungjillin në shtëpi dhe të mbajnë mbrëmje të shtëpisë çdo javë. Udhëheqësit i japin theksim të veçantë përkrahjes së individëve që mund të mos kenë ndihmë ose inkurajim nga pjesëtarët e familjes.

2.2.1

Një Shtëpi Ku Shpirti Është i Pranishëm

Anëtarët e Kishës nxiten që t’i bëjnë shtëpitë e tyre një vend të forcës shpirtërore dhe gëzimit. Ata mund ta ftojnë Shpirtin e Zotit në shtëpitë e tyre nëpërmjet përpjekjeve të thjeshta. Çdo shtëpi mund të jetë një “shtëpi lutjeje, një shtëpi agjërimi, një shtëpi besimi, një shtëpi mësimi, një shtëpi lavdie, një shtëpi rregulli, një shtëpi [e] Perëndisë” (Doktrina e Besëlidhje 88:119).

2.2.2

Respektimi i Shabatit

Perëndia i ka urdhëruar fëmijët e Tij të “mbaj[në] mend ditën e shtunë [shabatit] për ta shenjtëruar” (Eksodi 20:8). Anëtarët e Kishës mblidhen në Shabat për të marrë sakramentin në kujtim të Jezu Krishtit dhe Shlyerjes së Tij (shihni te Doktrina e Besëlidhje 59:12). Shabati është një ditë e të mësuarit dhe mësimdhënies së ungjillit në kishë dhe në shtëpi. Anëtarët mund të forcohen në Shabat teksa përfshihen në veprimtari të tilla si:

  • Adhurimi vetjak nëpërmjet lutjes dhe agjërimit.

  • Studimi dhe të mësuarit e ungjillit.

  • Dhënia e shërbesës dhe shërbimi ndaj të tjerëve.

  • Historia familjare.

  • Koha e gëzueshme me familjen.

  • Takime të tjera të përshtatshme.

2.2.3

Studimi dhe të Mësuarit e Ungjillit në Shtëpi

Mësimdhënia dhe të mësuarit e ungjillit janë të përqendruara te shtëpia dhe të përkrahura nga Kisha. Udhëheqësit e Kishës i nxitin të gjithë anëtarët ta studiojnë ungjillin në shtëpi në ditën e Shabatit dhe gjatë gjithë javës. Studimi i ungjillit në shtëpi i forcon individët dhe familjet. Ai e thellon kthimin në besimin tek Ati Qiellor dhe Zoti Jezu Krisht.

Një studim i shkrimeve të shenjta siç përvijohet tek Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet është kursi i sugjeruar për studimin e ungjillit në shtëpi. Eja Më Ndiq i përputh mësimet në Fillore, Shkollën e së Dielës, Të Rejat, kuorumet e Priftërisë Aarone dhe në seminar me studimin e ungjillit në shtëpi.

Individët dhe familjet kërkojnë frymëzim teksa zgjedhin të studiojnë atë që do t’i plotësojë më mirë nevojat e tyre. Përveç fragmenteve të shkrimeve të shenjta, të sugjeruara tek Eja, Më Ndiq, ata mund të marrin parasysh me lutje studimin e:

  • Librit të Mormonit dhe shkrimeve të tjera të shenjta.

  • Mesazheve të konferencës së përgjithshme.

  • Revistave të Kishës dhe botimeve të tjera që lartësojnë shpirtërisht.

2.2.4

Mbrëmja e Shtëpisë dhe Veprimtari të Tjera

Profetët e ditëve të mëvonshme i kanë këshilluar anëtarët e Kishës që të mbajnë mbrëmje të shtëpisë çdo javë. Kjo është një kohë e shenjtë që individët dhe familjet të mësojnë ungjillin, të forcojnë dëshmitë, të ndërtojnë unitet dhe të gëzohen me njëri‑tjetrin.

Mbrëmja e shtëpisë është e ndryshueshme sipas rrethanave të anëtarëve. Mund të zhvillohen në Shabat ose në ditë dhe kohë të tjera. Ajo mund të përfshijë:

  • Studimin dhe udhëzimin e ungjillit (materialet e programit Eja, Më Ndiq mund të përdoren sipas dëshirës).

  • Shërbimin ndaj të tjerëve.

  • Të kënduarit ose të luajturit e himneve dhe këngëve të Fillores (shihni kapitullin 19).

  • Përkrahjen e pjesëtarëve të familjes në zhvillimin e Fëmijëve dhe Rinisë.

  • Një këshill familjar që të vendosë synime, të zgjidhë probleme dhe të bashkërendojë oraret.

  • Veprimtaritë argëtuese.

Anëtarët beqarë dhe njerëz të tjerë mund të mblidhen në grupe jashtë shërbesave të zakonshme të adhurimit në Shabat që të marrin pjesë në mbrëmjen e shtëpisë dhe ta forcojnë njëri‑tjetrin nëpërmjet studimit të ungjillit. Programi Eja, Më Ndiq mund të jetë një burim për ata që dëshirojnë të studiojnë së bashku.

Udhëheqësit i kushtojnë vëmendje të veçantë ndihmës ndaj atyre që janë pa përvojë në mbajtjen e mbrëmjes së shtëpisë dhe në studimin e ungjillit.

Përveç mbrëmjes së shtëpisë, udhëheqësit i nxitin familjet t’i japin përparësi kohës së bashku gjatë gjithë javës. Kjo mund të përfshijë ngrënien së bashku të vakteve, punën dhe shërbimin së bashku, si edhe veprimtaritë argëtuese.

Për të siguruar kohë që familjet të jenë së bashku, udhëheqësit duhet t’i mbajnë mbrëmjet e të hënave pa mbledhje dhe aktivitete të Kishës.

Udhëheqësit i nxitin anëtarët që të jenë të vazhdueshëm në mbajtjen e mbrëmjes së shtëpisë dhe në kalimin e kohës së bashku si familje (shihni te Doktrina e Besëlidhje 64:33).

2.2.5

Përkrahja e Individëve

Udhëheqësit e Kishës i ndihmojnë anëtarët të cilëve u mungon përkrahja familjare. Anëtarët të cilëve mund t’iu nevojitet përkrahje shtesë, përfshijnë:

  • Fëmijët, rininë dhe personat në moshë madhore familjet e të cilëve nuk po marrin pjesë aktivisht në mbledhjet dhe aktivitetet e Kishës.

  • Personat në moshë madhore beqarë të të gjitha moshave, përfshirë prindërit e vetëm dhe anëtarët/et e ve/ja.

Udhëheqësit i ndihmojnë këta anëtarë dhe familjet e tyre që të kenë mundësi shoqërimi, përvoja të dobishme shoqërore dhe rritje shpirtërore. Udhëheqësit i nxitin dhe i ndihmojnë ata në përpjekjet e tyre për ta mësuar e jetuar ungjillin e Jezu Krishtit. Udhëheqësit gjithashtu u japin atyre mundësi për të shërbyer në Kishë.

2.3

Marrëdhënia midis Shtëpisë dhe Kishës

Vepra e shpëtimit dhe e ekzaltimit është e përqendruar te shtëpia dhe e përkrahur nga Kisha. Parimet vijuese gjejnë zbatim në marrëdhënien midis shtëpisë dhe Kishës.

  • Udhëheqësit/et dhe mësuesit/et i nderojnë rolet e prindërve dhe i ndihmojnë ata. Udhëheqësit/et dhe mësuesit/et krijojnë dhe ruajnë komunikim të efektshëm me prindërit.

  • Udhëheqësit/et përpiqen të sigurojnë që mbledhjet, aktivitetet dhe programet e Kishës i përkrahin individët dhe familjet në kryerjen e veprës së shpëtimit dhe të ekzaltimit në shtëpitë e tyre.

  • Disa mbledhje të Kishës janë thelbësore në çdo lagje ose degë. Këto përfshijnë mbledhjen e sakramentit, klasat dhe mbledhjet e kuorumeve që zhvillohen në Shabat. Shumë mbledhje, aktivitete dhe programe të tjera nuk janë thelbësore. Udhëheqësit i organizojnë ato siç nevojitet, që të ndihmojnë në plotësimin e nevojave të individëve dhe familjeve. Udhëheqësit marrin parasysh rrethanat dhe burimet vendore.

  • Individët dhe familjet i marrin parasysh rrethanat e tyre kur marrin vendime lidhur me pjesëmarrjen në programet e Kishës që nuk janë thelbësore.

  • Shërbimi dhe pjesëmarrja në Kishë përfshijnë një masë sakrifice. Zoti do t’i bekojë anëtarët teksa shërbejnë dhe sakrifikojnë në Kishën e Tij. Sidoqoftë sasia e kohës që i kushtohet shërbimit në Kishë, nuk duhet ta zvogëlojë aftësinë e anëtarëve për të përmbushur përgjegjësitë e tyre në shtëpi, në punë dhe kudo tjetër. Udhëheqësit dhe anëtarët nuk duhet të jenë shumë të zënë me përgjegjësitë tepër të shumta të Kishës. As nuk duhet t’u kërkohet atyre që të bëjnë sakrifica të tepruara për të përkrahur programet ose aktivitetet e Kishës.

Kur anëtarët i ndjekin këto parime dhe nxitjet e Shpirtit, Ati Qiellor do t’i bekojë përpjekjet e tyre.

Pamja
çift duke qeshur