Burime Shtesë për Dhënien Mësim Fëmijëve
Shtojca A: Për Prindërit – Përgatitja e Fëmijëve Tuaj për të Ecur Gjatë Gjithë Jetës në Shtegun e Besëlidhjeve të Perëndisë


“Shtojca A: Për Prindërit – Përgatitja e Fëmijëve Tuaj për të Ecur Gjatë Gjithë Jetës në Shtegun e Besëlidhjeve të Perëndisë”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: Libri i Mormonit 2024 (2023)

“Shtojca A”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: 2024

Shtojca A

Për Prindërit – Përgatitja e Fëmijëve Tuaj për të Ecur Gjatë Gjithë Jetës në Shtegun e Besëlidhjeve të Perëndisë

Ngaqë Ati Qiellor ju do, ka besim te ju dhe e njeh potencialin tuaj, Ai ju ka dhënë mundësinë për t’i ndihmuar fëmijët tuaj të hyjnë dhe të përparojnë përgjatë shtegut të Tij të besëlidhjeve, shtegut që të çon te jeta e përjetshme (shihni te Doktrina e Besëlidhje 68:25–28). Kjo përfshin ndihmën që u japim për t’u përgatitur që të bëjnë dhe të mbajnë besëlidhje të shenjta, të tilla si besëlidhja e pagëzimit dhe besëlidhjet që bëhen në tempull. Nëpërmjet këtyre besëlidhjeve, fëmijët tuaj do ta lidhin veten me Shpëtimtarin, Jezu Krishtin.

Ka shumë mënyra se si t’i përgatitni fëmijët tuaj për këtë udhëtim në shtegun e besëlidhjeve dhe Ati Qiellor do t’ju ndihmojë të zbuloni mënyrën më të mirë për t’i ndihmuar ata. Teksa kërkoni frymëzim, mbani në mendje se jo gjithë të mësuarit ndodh gjatë mësimeve të planifikuara. Në fakt, një pjesë e asaj që e bën të mësuarit në shtëpi kaq të fuqishëm, është mundësia për të mësuar me anë të shembullit dhe nëpërmjet çasteve të vogla, të thjeshta, llojit të çasteve që ndodhin natyrshëm gjatë rrjedhës së jetës së përditshme. Ashtu siç është ndjekja e shtegut të besëlidhjeve një proces i vazhdueshëm për të gjithë jetën, ashtu është edhe të mësuarit rreth shtegut të besëlidhjeve. (Shihni te “Shtëpia dhe Familja”, Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit [2022], f. 30–31.)

Pamja
nënë me fëmijën

Ka shumë mënyra se si t’i përgatitni fëmijët tuaj për udhëtimin e tyre në shtegun e besëlidhjeve me Perëndinë.

Më poshtë janë disa ide që mund t’ju çojnë drejt frymëzimit të mëtejshëm. Ju mund të gjeni ide shtesë për t’u dhënë mësim fëmijëve në moshën e Fillores te “Shtojca B: Për Filloren – Përgatitja e Fëmijëve për të Ecur Gjatë Gjithë Jetës në Shtegun e Besëlidhjeve të Perëndisë”.

Pagëzimi dhe Konfirmimi

Nefi dha mësim se “port[a] nëpër të cilën [ne] duhet të hy[jmë]” në shtegun e besëlidhjeve “është pendimi dhe pagëzimi me anë të ujit” (2 Nefi 31:17). Përpjekjet tuaja për t’i ndihmuar fëmijët tuaj që të përgatiten për pagëzim dhe konfirmim mund t’i vendosin qëndrueshëm këmbët e tyre në atë shteg. Këto përpjekje fillojnë me mësimdhënien rreth besimit te Jezu Krishti dhe pendimit. Ato përfshijnë edhe mësimdhënien rreth mënyrës se si ne e ripërtërijmë besëlidhjen tonë të pagëzimit duke marrë sakramentin çdo javë.

Këtu janë disa burime që mund t’ju ndihmojnë: 2 Nefi 31; botim i veçantë i revistës Miku rreth pagëzimit; Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Pagëzim, Pagëzoj”, Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].

  • Sa herë që keni një përvojë që jua forcon besimin tek Ati Qiellor dhe Jezu Krishti, tregojani atë fëmijës suaj. Ndihmojeni të kuptojë se besimi është diçka që mund të bëhet gjithnjë e më i fortë gjatë gjithë jetës. Cilat janë disa gjëra që fëmija juaj mund të bëjë për të zhvilluar besim më të fortë te Krishti përpara se ai ose ajo të pagëzohet?

  • Kur fëmija juaj bën një zgjedhje të gabuar, flitni me gëzim rreth dhuratës së pendimit. Dhe kur ju bëni një zgjedhje të gabuar, tregoni për gëzimin që vjen kur pendoheni. Dëshmoni se ngaqë Jezu Krishti vuajti dhe vdiq për mëkatet tona, Ai na dha fuqi për të ndryshuar. Kur fëmija juaj kërkon falje, falni lirisht dhe me gëzim.

  • Tregojini fëmijës suaj rreth pagëzimit tuaj. Tregoni fotografi dhe flisni për kujtime. Flisni për mënyrën se si u ndiet, se si ju kanë ndihmuar besëlidhjet tuaja të pagëzimit që të arrini ta njihni më mirë Jezu Krishtin dhe se si ato besëlidhje vazhdojnë ta bekojnë jetën tuaj. Nxiteni fëmijën tuaj që të bëjë pyetje.

  • Kur të ketë një pagëzim në familjen tuaj ose në lagjen tuaj, çojeni fëmijën tuaj për ta parë atë. Bisedoni së bashku për atë që ndiet ju dhe fëmija juaj. Nëse është e mundur, bisedoni me personin që do të pagëzohet, dhe bëjini pyetje të tilla si ato që vijojnë: “Si e more këtë vendim? Si u përgatite?”

  • Sa herë që e vëreni fëmijën tuaj të bëjë diçka që ai ose ajo premtoi ta bënte, përgëzojeni me çiltërsi. Vini në dukje se mbajtja e zotimeve na ndihmon të përgatitemi për të mbajtur besëlidhjet që bëjmë kur pagëzohemi. Çfarë i premtojmë Perëndisë kur pagëzohemi? Çfarë na premton Ai neve? (Shihni te Mosia 18:8–10, 13.)

  • Kur ju dhe fëmija juaj keni një përvojë të shenjtë së bashku (të tilla si kur jeni në Kishë, ndërkohë që lexoni shkrimet e shenjta ose teksa i shërbeni dikujt), tregojini atij ose asaj për ndjenjat shpirtërore ose mbresat që keni. Ftojeni fëmijën tuaj që t’ju tregojë se si ndihet. Vini re larminë e mënyrave se si Shpirti mund t’u flasë njerëzve, përfshirë mënyrat se si Ai ju flet juve personalisht. Ndihmojeni fëmijën tuaj të dallojë çastet kur mund të jetë duke përjetuar ndikimin e Frymës së Shenjtë.

  • Shikoni së bashku disa materiale filmike te koleksioni me titull “Dëgjojeni Atë!” në Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]. Bisedoni së bashku për mënyrat e ndryshme se si shërbëtorët e Zotit e dëgjojnë zërin e Tij. Ftojeni fëmijën tuaj që të bëjë një vizatim ose një material filmik për mënyrën se si ai ose ajo e dëgjon zërin e Shpëtimtarit.

  • Bisedoni për mënyrën se si bërja anëtar i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme ju ka bekuar ju. Si jeni afruar më shumë me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin kur u keni shërbyer të tjerëve dhe kur të tjerët ju kanë shërbyer juve? Ndihmojeni fëmijën tuaj të mendojë për mënyra se si t’u shërbejë të tjerëve dhe t’i forcojë ata si anëtarë të Kishës.

  • Bëjeni sakramentin një ngjarje të shenjtë dhe të gëzueshme në familjen tuaj. Ndihmojeni fëmijën tuaj që të planifikojë mënyra se si të përqendrohet te Jezu Krishti gjatë sakramentit. Si do ta tregojmë që sakramenti është i shenjtë për ne?

  • Shumë botime të revistës Miku përfshijnë artikuj, histori dhe veprimtari për t’i ndihmuar fëmijët që të përgatiten për pagëzimin dhe konfirmimin. Lëreni fëmijën tuaj që të zgjedhë diçka për ta lexuar dhe për t’u kënaqur me ju. (Shihni edhe koleksionin “Preparing for Baptism” [“Përgatitja për Pagëzim”] te pjesa për fëmijët në Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit] në anglisht.)

    Pamja
    djalë duke u pagëzuar

    Nefi dha mësim se “port[a] nëpër të cilën [ne] duhet të hy[jmë]” në shtegun e besëlidhjeve “është pendimi dhe pagëzimi me anë të ujit” (2 Nefi 31:17).

Fuqia, Autoriteti dhe Çelësat e Priftërisë

Priftëria është autoriteti dhe fuqia e Perëndisë me anë të të cilit Ai i bekon fëmijët e Tij. Priftëria e Perëndisë është sot në tokë në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Të gjithë anëtarët e Kishës që i mbajnë besëlidhjet e tyre, përfshirë fëmijët, bekohen me fuqinë e priftërisë së Perëndisë në shtëpitë e tyre për të forcuar veten dhe familjet e tyre (shihni te Manuali i Përgjithshëm: Shërbimi në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, 3.5, Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]). Kjo fuqi do t’i ndihmojë anëtarët në kryerjen e veprës së Perëndisë për shpëtimin dhe ekzaltimin në jetën e tyre vetjake dhe në familjet e tyre (shihni te Manuali i Përgjithshëm2.2).

Ne marrim ordinanca me anë të autoritetit të priftërisë. Kur burrat dhe gratë shërbejnë në thirrjet e Kishës, ata e bëjnë këtë me autoritetin e priftërisë, nën drejtimin e atyre që mbajnë çelësat e priftërisë. Të gjithë fëmijët e Atit Qiellor, bijtë e Tij dhe bijat e Tij, do të bekohen teksa arrijnë ta kuptojnë më mirë priftërinë.

Për të mësuar më shumë për priftërinë, shihni bisedën nga Rasëll M. Nelson, “Thesaret Shpirtërore”, Liahona, nëntor 2019, f. 76–79; Rasëll M. Nelson, “Çmimi i Fuqisë së Priftërisë”, Liahona, maj 2016, f. 66–69; “Parimet e Priftërisë”, kapitulli 3 te Manuali i Përgjithshëm.

  • Bëjini ordinancat e priftërisë një pjesë të vazhdueshme të jetës suaj familjare. Për shembull, ndihmojeni fëmijën tuaj që të përgatitet shpirtërisht për sakramentin çdo javë. Nxiteni fëmijën tuaj që të kërkojë bekimet e priftërisë kur është i sëmurë ose ka nevojë për ngushëllim apo drejtim. Bëjeni zakon që të vini në dukje mënyrat se si Zoti po e bekon familjen tuaj nëpërmjet fuqisë së priftërisë.

  • Teksa i lexoni shkrimet e shenjta së bashku, kërkoni aty mundësi për të diskutuar se si Perëndia i bekon njerëzit nëpërmjet fuqisë së Tij. Tregoni përvojat tuaja vetjake të rasteve kur Perëndia ju ka bekuar nëpërmjet priftërisë së Tij. Për shembuj të bekimeve që marrim nga Perëndia nëpërmjet priftërisë, shihni te Manuali i Përgjithshëm, 3.23.5.

  • Mësojeni linjën e autoritetit të priftërisë së dikujt në familjen tuaj. (Mbajtësit e Priftërisë Melkizedeke mund të marrin një kopje të linjës së tyre të autoritetit duke dërguar një mesazh me postë elektronike te LineofAuthority@ChurchofJesusChrist.org; shihni edhe te “Request a Priesthood Line of Authority” [“Kërko një Linjë të Autoritetit të Priftërisë”] te Help Center [Qendra e Ndihmës] në ChurchofJesusChrist.org.) Bisedoni për arsyen pse është e rëndësishme të dini që autoriteti i priftërisë vjen nga Jezu Krishti Vetë. Përse Ai na e jep këtë edhe neve?

  • Mësojini fëmijës suaj se pas pagëzimit, ai ose ajo mund ta marrë fuqinë e priftërisë duke e mbajtur besëlidhjen e pagëzimit. Rishikoni së bashku mesazhin e Presidentit Rasëll M. Nelson “Thesaret Shpirtërore” (Liahona, nëntor 2019, f. 76–79). Tregojini fëmijës suaj se si ordinancat e priftërisë e kanë sjellë fuqinë e Perëndisë në jetën tuaj. Për një listë të disa prej mënyrave se si jemi bekuar nëpërmjet fuqisë së priftërisë, shihni te Manuali i Përgjithshëm3.5.

  • Diskutoni për pyetjen: “Çfarë cilësish ka një shërbëtor i Zotit?” Lexoni së bashku te Doktrina e Besëlidhje 121:36–42 dhe kërkoni përgjigjet. Sa herë që vini re se fëmija juaj (ose dikush tjetër) po e vë në zbatim njërin nga parimet ose tiparet në këto vargje, vëreni atë në dukje.

  • Kur ju ose fëmija juaj i përdorni çelësat për të hapur një derë ose për të ndezur një makinë, gjeni një çast për t’i krahasuar ata çelësa me çelësat që mbajnë udhëheqësit e priftërisë. (Për një përkufizim të çelësave të priftërisë, shihni te Manuali i Përgjithshëm, 3.4.1.) Çfarë “hapin” ose “ndezin” çelësat e priftërisë për ne? Shihni edhe Geri E. Stivenson, “Ku Janë Çelësat dhe Autoriteti i Priftërisë?”, Liahona, maj 2016, f. 29–32; “Where Are the Keys?” [“Ku Janë Çelësat?”] (material filmik), Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].

  • Kur veçoheni për një thirrje, ftojeni fëmijën tuaj që të jetë i pranishëm, nëse është e mundur. Lëreni fëmijën tuaj të shohë se po e përmbushni thirrjen tuaj. Mund të kërkoni edhe për mënyra të përshtatshme se si ai ose ajo mund t’ju ndihmojë. Përshkruani se si e ndieni fuqinë e Zotit në thirrjen tuaj.

Vajtja në Tempull – Pagëzimet dhe Konfirmimet për të Vdekurit

Tempujt janë pjesë e planit të Atit Qiellor për fëmijët e Tij. Në tempuj ne bëjmë besëlidhje të shenjta me Atin Qiellor teksa marrim pjesë në ordinanca të shenjta, të cilat që të gjitha na drejtojnë te Jezu Krishti. Ati Qiellor ka siguruar një mënyrë për të gjithë fëmijët e Tij që të bëjnë besëlidhje dhe të marrin pjesë në ordinanca, përfshirë edhe njerëzit që nuk i kanë marrë ato në këtë jetë. Në fillim të vitit që ai ose ajo mbush 12 vjeç, fëmija juaj është mjaft i rritur për t’u pagëzuar e konfirmuar në tempull për paraardhës të vdekur.

  • Frekuentojeni tempullin aq shpesh sa jua lejojnë rrethanat tuaja. Bisedoni me fëmijën tuaj se përse po shkoni në tempull dhe se si tempulli ju ndihmon të ndiheni më pranë Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit.

  • Shqyrtojini dhe diskutojini së bashku pyetjet për rekomandimin e tempullit. Bisedoni me fëmijën tuaj për atë që ndodh në një intervistë për rekomandim tempulli. Tregoni arsyen pse është e rëndësishme për ju që të keni një rekomandim tempulli.

  • Lexoni së bashku te Malakia 4:6. Bisedoni se si zemrat tuaja mund të kthehen te paraardhësit tuaj. Mësoni më shumë për paraardhësit tuaj duke eksploruar historinë tuaj familjare së bashku te FamilySearch.org. Kërkoni paraardhës që kanë nevojë të pagëzohen dhe konfirmohen. Mund t’ju ndihmojë një këshillues në lagje për tempullin dhe historinë familjare.

  • Shqyrtoni së bashku disa nga burimet te koleksioni me titull “Temple” [“Tempulli”] te pjesa e fëmijëve në Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit] [në anglisht]. (Shihni edhe te “Preparing Your Child for Temple Baptisms and Confirmations” [“Përgatitja e Fëmijës Suaj për Pagëzime dhe Konfirmime në Tempull”] te ChurchofJesusChrist.org.)

Marrja e Bekimit Patriarkal

Një bekim patriarkal mund të jetë një burim udhërrëfimi, ngushëllimi dhe frymëzimi. Ai përmban këshillë personale nga Ati Qiellor për ne dhe na ndihmon të kuptojmë identitetin dhe qëllimin tonë të përjetshëm. Ndihmojeni fëmijën tuaj të përgatitet për të marrë një bekim patriarkal duke i mësuar atij ose asaj për rëndësinë dhe natyrën e shenjtë të bekimeve patriarkale.

Për të mësuar më shumë, shihni tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Bekime Patriarkale”, Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].

  • Tregojani fëmijës suaj përvojën tuaj të marrjes së bekimit patriarkal. Mund të flisni për gjëra të tilla: si u përgatitët për ta marrë atë, si ju ka ndihmuar të afroheni më shumë me Perëndinë dhe si e përdorni bekimin në jetën tuaj. Mund ta ftoni gjithashtu fëmijën tuaj që të bisedojë me pjesëtarë të tjerë të familjes që e kanë marrë bekimin e tyre patriarkal.

  • Gjeni kohë që të shqyrtoni së bashku disa prej burimeve tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Bekime Patriarkale”. Për të mësuar për procesin e marrjes së një bekimi patriarkal, shihni te Manuali i Përgjithshëm18.17.

  • Nëse keni paraardhës/e që e kanë marrë bekimin patriarkal, mund të jetë frymëzuese po t’ia lexoni një pjesë të tij fëmijës suaj. Për të kërkuar bekimet e paraardhësve që kanë vdekur, hyni te ChurchofJesusChrist.org, klikoni tek ikona e llogarisë në cepin e sipërm djathtas të ekranit dhe përzgjidhni “Patriarchal Blessing” [“Bekimi Patriarkal”].

  • Pasi fëmija juaj të ketë marrë një bekim patriarkal, ftoni ndonjë pjesëtar të familjes që ishte i pranishëm, për të mbajtur shënim ndjenjat e veta dhe për t’ia treguar ato fëmijës suaj.

Vajtja në Tempull – Dhurimi

Perëndia dëshiron t’i dhurojë, ose bekojë, të gjithë fëmijët e Tij me “fuqi nga lart” (Doktrina e Besëlidhje 95:8). Ne shkojmë në tempull për të kryer ordinancën e dhurimit për veten tonë vetëm një herë, por besëlidhjet që bëjmë me Perëndinë dhe fuqia shpirtërore që Ai na e jep si pjesë të dhurimit, mund të na bekojnë çdo ditë të jetës sonë.

  • Paraqitni një figurë të tempullit në shtëpinë tuaj. Tregojani fëmijës suaj ndjenjat që përjetuat në tempull. Bisedoni shpesh rreth dashurisë suaj për Zotin dhe shtëpinë e Tij, si edhe besëlidhjet që keni bërë atje.

  • Eksploroni së bashku temples.ChurchofJesusChrist.org. Lexoni së bashku artikuj si “About the Temple Endowment” [“Rreth Dhurimit në Tempull”] dhe “Prepare for the House of the Lord” [“Përgatituni për Shtëpinë e Zotit”]. Lejojeni fëmijën tuaj të bëjë çfarëdo pyetje që ka rreth tempullit. Për udhërrëfim lidhur me atë se për çfarë mund të bisedoni jashtë tempullit, shihni mesazhin e Plakut Dejvid A. Bednar “Të Përgatitur për të Fituar Çdo Gjë të Nevojshme” (Ensign ose Liahona, maj 2019, f. 101–104; shihni veçanërisht pjesën e titulluar “Mësimi i Ungjillit i Përqendruar te Shtëpia dhe i Përkrahur nga Kisha”).

  • Ndërsa ju dhe fëmija juaj merrni pjesë ose jeni dëshmitarë të ordinancave të tjera (të tilla si sakramenti ose një bekim shërimi), gjeni një çast për të diskutuar mbi simbolikën që përfshihet në ordinancë. Çfarë përfaqësojnë simbolet? Si dëshmojnë ato për Jezu Krishtin? Kjo mund ta ndihmojë fëmijën tuaj që të përgatitet për të përsiatur kuptimin simbolik të ordinancave të tempullit, të cilat dëshmojnë gjithashtu për Jezu Krishtin.

  • Ndihmojeni fëmijën tuaj që të vërejë se si ai ose ajo po e mban besëlidhjen e pagëzimit që përshkruhet te Mosia 18:8–10, 13. Gjithashtu ndihmojeni fëmijën tuaj që të vërë re se si Zoti po e bekon atë. Ndërtojeni vetëbesimin e fëmijës suaj tek aftësia e tij ose e saj që të mbajë besëlidhjet.

  • Bisedoni hapur dhe shpesh për mënyrën se si besëlidhjet tuaja të tempullit i udhërrëfejnë zgjedhjet tuaja dhe ju ndihmojnë të vini më pranë Jezu Krishtit. Ju mund të përdorni librin Manuali i Përgjithshëm, 27.2, për të shqyrtuar besëlidhjet që bëjmë në tempull.

Shërbimi në një Mision

Plaku Dejvid A. Bednar dha mësim: “Gjëja e vetme, më me rëndësi që mund të bëni për t’u përgatitur për një thirrje që të shërbeni, është të bëheni një misionar shumë kohë përpara se të shkoni në mision. … [Çështja nuk është tek të shkuarit në mision]; [përkundrazi, çështja është te bërja një misionar dhe shërbimi gjatë gjithë jetës sonë me gjithë zemrën, fuqinë, mendjen dhe forcën tonë]. … Ju po përgatiteni për shërbimin misionar për gjithë jetën” ([“Të Bëhesh Misionar”, Konferenca e Përgjithshme, tetor 2005, f. 63–65]). Përvojat që ka fëmija juaj kur bëhet një misionar/e, do ta bekojnë atë përjetësisht dhe jo vetëm për periudhën e kohës që mund të shërbejë si misionar/e.

Për të mësuar më shumë, shihni bisedën nga Rasëll M. Nelsoni, “Predikimi i Ungjillit të Paqes”, Liahona, maj 2022, f. 6–7; M. Rasëll Ballard, “Shërbimi Misionar e Bekoi Jetën Time Përgjithmonë”, Liahona, maj 2022, f. 8–10; Missionary Preparation: Adjusting to Missionary Life [Përgatitja e Misionarëve/eve: Përshtatja me Jetën si Misionar/e], Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].

  • Tregoni me shembull se si ta përhapni ungjillin në mënyra të natyrshme. Jini gjithnjë vigjilentë ndaj mundësive që dalin për t’ua shprehur të tjerëve ndjenjat tuaja për Atin Qiellor e Shpëtimtarin dhe bekimet që merrni si një anëtar i Kishës së Tij. Ftojini të tjerët të bashkohen me familjen tuaj në aktivitete të Kishës dhe që kanë lidhje me familjen.

  • Kërkoni mundësi për familjen tuaj që të ndërveprojë me misionarët. Ftojini ata që t’u japin mësime miqve tuaj ose jepuni mundësinë që t’u japin mësim njerëzve në shtëpinë tuaj. Pyetini misionarët rreth përvojave që po kalojnë dhe se si shërbimi misionar po i ndihmon ata të afrohen më pranë Jezu Krishtit. Pyetini gjithashtu se çfarë bënë (ose do të donin të kishin bërë) që të përgatiteshin për të qenë misionarë.

  • Nëse keni shërbyer në një mision, bisedoni hapur dhe shpesh për përvojat tuaja. Ose ftoni miq apo pjesëtarë të familjes që shërbyen në misione, që të flasin për përvojat e tyre. Ju mund të bisedoni edhe për mënyrat se si e keni përhapur ungjillin tek të tjerët gjatë gjithë jetës suaj. Ndihmojeni fëmijën tuaj të mendojë për mënyra se si ai ose ajo mund ta përhapë ungjillin.

  • Jepini mundësi fëmijës suaj që t’ia mësojë parimet e ungjillit familjes suaj. Fëmija juaj mund të ushtrojë edhe se si t’u flasë të tjerëve për bindjet e veta fetare. Për shembull, ju mund të diskutoni pyetje si: “Si do t’ia paraqitnim Librin e Mormonit dikujt që nuk ka dëgjuar kurrë për të?” ose “Si do t’ia përshkruanim nevojën për Shpëtimtarin dikujt që nuk është i krishterë?”

  • Ndihmojeni fëmijën tuaj të ndihet rehat kur bisedon me të tjerët. Cilat janë disa mënyra të mira për ta nisur një bashkëbisedim? Nxiteni fëmijën tuaj që të mësojë se si të dëgjojë se çfarë thonë të tjerët, si ta kuptojë atë që është në zemrën e tyre, dhe të tregojë të vërteta rreth ungjillit që mund ta bekojnë jetën e tyre.

  • Kërkoni mundësi për fëmijën tuaj që të mësojë rreth kulturave dhe besimeve të tjera. Ndihmojeni atë që t’i vlerësojë dhe respektojë parimet e mira dhe të vërteta në bindjet fetare të të tjerëve.

Vajtja në Tempull – Vulosja

Në tempull, një bashkëshort dhe bashkëshorte mund të martohen për përjetësinë. Kjo ndodh në një ordinancë që quhet vulosje. Edhe pse kjo ordinancë mund të jetë shumë vite larg për birin apo bijën tuaj, gjërat e vogla, të thjeshta dhe të vazhdueshme që bëni së bashku gjatë atyre viteve, mund ta ndihmojnë atë të përgatitet për këtë bekim të mrekullueshëm.

  • Lexoni së bashku materialin “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës” te Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]. Çfarë na mëson kjo proklamatë rreth lumturisë në jetën familjare dhe rreth martesave të suksesshme? Me fëmijën tuaj zgjidhni për të studiuar njërin nga parimet e renditura te proklamata. Ju mund të kërkoni edhe shkrime të shenjta që lidhen me atë parim tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta. Ju mund të vendosni gjithashtu synime për ta zbatuar atë parim më plotësisht në familjen tuaj. Teksa punoni për synimet tuaja, diskutoni së bashku ndikimin që ka të jetuarit e atij parimi në jetën familjare.

  • Me fëmijën tuaj, lexoni mesazhin nga Presidenti Diter F. Uhtdorf “Në Lavdërim të Atyre që Shpëtojnë” (Ensign ose Liahona, maj 2016, f. 77–80). Kur të arrini te pjesa e titulluar “Një Shoqëri e të Flakurve Tej”, mund të kërkoni në shtëpinë tuaj gjëra që janë për t’u flakur dhe gjëra të tjera që nuk janë për t’u flakur. Diskutoni për mënyrën se si i trajtoni gjërat ndryshe kur dëshironi që ato të zgjatin për një kohë të gjatë. Çfarë sugjeron kjo për mënyrën se si duhet ta trajtojmë martesën dhe marrëdhëniet familjare? Çfarë tjetër mësojmë nga mesazhi i Presidentit Uhtdorf për mënyrën se si Shpëtimtari mund të na ndihmojë që të ndërtojmë martesa dhe familje të forta?

  • Nëse jeni të martuar, jini të çiltër me fëmijën tuaj për gjërat që ndieni se po i bëni mirë si çift, gjërat që po mësoni dhe mënyrat se si po përpiqeni të përmirësoheni. Nëse ju dhe bashkëshorti ose bashkëshortja juaj jeni vulosur në tempull, tregojini fëmijës suaj me anë të shembullit se si përpiqeni fort për t’i mbajtur besëlidhjet tuaja me njëri‑tjetrin dhe me Zotin. Tregojini fëmijës suaj se si përpiqeni fort për ta bërë Atin Qiellor dhe Shpëtimtarin qendrën e marrëdhënies suaj dhe se si Ata po ju ndihmojnë.

  • Kur është e nevojshme të merren vendime familjare, zhvilloni këshilla dhe diskutime familjare. Sigurohuni që të dëgjohen dhe vlerësohen opinionet e të gjithë pjesëtarëve të familjes. Përdorini këto diskutime si mundësi për të krijuar komunikim të shëndetshëm dhe dashamirësi në marrëdhëniet familjare, madje edhe kur jo çdo pjesëtar i familjes i sheh gjërat në të njëjtën mënyrë.

  • Kur ka mosmarrëveshje ose konflikt në familje, tregoni durim e dhembshuri. Ndihmojeni fëmijën tuaj që të kuptojë se si përballimi i konfliktit sipas mënyrës së Krishtit mund ta ndihmojë atë të përgatitet për një martesë të lumtur. Lexoni së bashku te Doktrina e Besëlidhje 121:41–42 dhe bisedoni se si parimet në këto vargje mund të gjejnë zbatim në martesë.