Marrja e Njohurisë Shpirtërore
Ngaqë Ati ynë Qiellor na do dhe dëshiron që ne të përparojmë drejt bërjes si Ai, Ai na ka nxitur të “kërko[jmë] të mëso[jmë], madje me anë të studimit dhe gjithashtu me anë të besimit” (DeB 88:118). Në kërkimin tonë për të vërtetën, ne mund të mirëbesojmë tërësisht tek Ai, duke u mbështetur tek urtësia e Tij, dashuria e Tij dhe fuqia e Tij për të na dhënë mësim e për të na bekuar. Perëndia i di të gjitha gjërat dhe është burimi i gjithë së vërtetës (shih Mosia 4:9). Ai ka premtuar që t’ia zbulojë të vërtetën mendjes dhe zemrës sonë nëpërmjet Frymës së Shenjtë, në qoftë se do ta kërkojmë Atë me zell (shih DeB 8:2–3).
Për të na ndihmuar, Ati Qiellor na ka mësuar se si të marrim njohuri shpirtërore. Ai ka krijuar kushtet që duhet t’i ndjekim me qëllim që ta fitojmë një njohuri të tillë. Modeli i Tij i shuguruar në mënyrë hyjnore kërkon që ne të kemi një dëshirë të ndershme për ta ditur të vërtetën (shih Moroni 10:4–5) dhe të jemi të gatshëm për të jetuar sipas asaj që ka zbuluar Perëndia (shih Gjoni 7:17). Dëshira jonë e sinqertë do të na drejtojë ta kërkojmë të vërtetën nëpërmjet lutjes (shih Jakobi [Bibël] 1:5–6; 2 Nefi 32:8–9) dhe një studimi serioz të fjalës së Perëndisë (shih 2 Timoteut 3:15–17; 2 Nefi 32:3).
Nganjëherë ne mund të zbulojmë informacion të ri ose të kemi pyetje për sa i përket doktrinës, praktikave apo historisë së Kishës, të cilat duken të vështira për t’u kuptuar. Bërja e pyetjeve dhe kërkimi i përgjigjeve është një pjesë jetike e përpjekjes sonë për ta mësuar të vërtetën. Disa nga pyetjet që vijnë në mendjet tona, mund të jenë të frymëzuara nga Fryma e Shenjtë. Pyetjet e frymëzuara duhet të merren parasysh si dhurata nga Perëndia, të cilat sigurojnë mundësi për ne që ta shtojmë kuptueshmërinë tonë dhe ta forcojmë sigurinë tonë se Zoti është i gatshëm për të na mësuar. Cilido qoftë burimi i pyetjeve tona, ne jemi bekuar me aftësinë për të menduar, për të arsyetuar dhe për ta pasur ndikimin e Zotit që ta zgjerojë mendjen tonë dhe ta thellojë kuptueshmërinë tonë. Qëndrimi dhe synimi me të cilin bëjmë pyetje dhe kërkojmë përgjigje, do ta ndikojë shumë aftësinë tonë për të mësuar nëpërmjet Frymës së Shenjtë.
Tri parimet vijuese mund të na udhërrëfejnë kur përpiqemi ta mësojmë dhe ta kuptojmë të vërtetën e përjetshme dhe kur u japim zgjidhje pyetjeve apo çështjeve: Veproni me besim, shqyrtojini konceptet e pyetjet me një këndvështrim të përjetshëm dhe kërkoni kuptueshmëri të mëtejshme nëpërmjet burimeve të caktuara në mënyrë hyjnore.
1. Veproni me Besim
Ne veprojmë me besim kur zgjedhim ta mirëbesojmë Perëndinë dhe të kthehemi tek Ai fillimisht nëpërmjet lutjes së sinqertë, një studimi të mësimeve të Tij dhe bindjes ndaj urdhërimeve të Tij.
Kur kërkojmë ta zhvillojmë kuptueshmërinë tonë dhe t’u japim zgjidhje shqetësimeve, është e rëndësishme që ne të mbështetemi te dëshmia që e kemi tashmë për Jezu Krishtin, Rivendosjen e ungjillit të Tij dhe mësimet e profetëve të Tij të shuguruar. Plaku Xhefri R. Holland dha mësim: “Kur ato çaste vijnë dhe shqetësimet shfaqen, zgjidhja e të cilave nuk po afrohet menjëherë, mbahuni fort tek ajo që tashmë e dini dhe qëndroni të paepur derisa të vijë dija e mëtejshme” (“Unë Besoj, o Zot”, Ensign ose Liahona, maj 2013, f. 94). Zoti Vetë na ka ftuar të “sh[ohim] tek [Ai] në çdo mendim; [të] mos dysho[jmë], [të] mos k[emi] frikë” (DeB 6:36).
Gjatë kohëve kur mund të mos i gjejmë menjëherë përgjigjet ndaj pyetjeve tona, është e dobishme të kujtojmë që, edhe pse Ati Qiellor ka zbuluar gjithçka që është e domosdoshme për shpëtimin tonë, Ai ende nuk e ka zbuluar të gjithë të vërtetën. Kur vazhdojmë të kërkojmë përgjigjet, ne duhet të jetojmë me anë të besimit – duke mirëbesuar se më së fundi vërtet do t’i marrim përgjigjet që kërkojmë (shih Fjalët e Urta 3:5–6; Ethëri 12:6). Kur jemi besnikë ndaj së vërtetës dhe dritës që tashmë i kemi marrë, ne vërtet do të marrim më shumë. Përgjigjet ndaj pyetjeve dhe lutjeve tona shpesh vijnë “rresht pas rreshti, parim pas parimi” (2 Nefi 28:30).
2. Shqyrtojini Konceptet e Pyetjet me një Këndvështrim të Përjetshëm
Për t’i shqyrtuar konceptet doktrinore, pyetjet dhe çështjet shoqërore me një këndvështrim të përjetshëm, ne i marrim ato parasysh në kontekstin e planit të shpëtimit dhe të mësimeve të Shpëtimtarit. Ne e kërkojmë ndihmën e Frymës së Shenjtë me qëllim që t’i shohim gjërat ashtu sikurse i sheh ato Zoti. Kjo na lejon ta riformulojmë pyetjen (ta shohim pyetjen ndryshe) dhe të shqyrtojmë ide duke u nisur nga standardi i Zotit për të vërtetën, në vend që të pranojmë kushtin paraprak apo hamendësimet e botës (shih 1 Korintasve 2:5, 9–11). Ne mund ta bëjmë këtë duke bërë pyetje të tilla si: “Çfarë di unë tashmë rreth Atit Qiellor, planit të Tij dhe mënyrës se si Ai vepron me fëmijët e Tij?” dhe “Cilat mësime të ungjillit e qartësojnë ose lidhen me këtë koncept apo çështje?”
Edhe pyetjet që lidhen me ngjarje historike, mund të duhet të shqyrtohen me një këndvështrim të përjetshëm. Teksa qëndrojmë të ngulitur në mirëbesimin tonë tek Ati ynë Qiellor dhe plani i Tij i shpëtimit, ne jemi në gjendje t’i shohim çështjet më qartë. Kjo mund të ndihmojë gjithashtu që të shqyrtohen pyetje historike në kontekstin e duhur historik, duke marrë parasysh kulturën dhe standardet e sjelljes së periudhës kohore në vend që të japim këndvështrime dhe qëndrime bashkëkohore.
Është e rëndësishme të kujtojmë se hollësitë historike nuk mbartin fuqinë shpëtuese të ordinancave, besëlidhjeve dhe doktrinës. Të na tërhiqet vëmendja prej hollësive më pak domethënëse me çmimin e humbjes së mrekullisë në shpalosje e sipër të Rivendosjes, është si të harxhuarit e kohës duke shqyrtuar një kuti dhurate dhe duke mos e përfillur mrekullinë e vetë dhuratës.
3. Kërkoni Kuptueshmëri të Mëtejshme nëpërmjet Burimeve të Caktuara në Mënyrë Hyjnore
Si pjesë e procesit të caktuar nga Zoti për ta fituar njohurinë shpirtërore, Ai ka krijuar burime nëpërmjet të cilave Ai u zbulon vërtetësi dhe udhërrëfim fëmijëve të Tij. Këto burime përfshijnë dritën e Krishtit, Frymën e Shenjtë, shkrimet e shenjta, prindërit dhe udhëheqësit e Kishës. Presidenca e Parë dhe Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve – profetët e Zotit në tokë sot – janë një burim jetik i së vërtetës. Zoti i ka zgjedhur e shuguruar këta individë që të flasin për Të.
Ne gjithashtu mund ta mësojmë të vërtetën nëpërmjet burimeve të tjera të denja për t’u besuar. Megjithatë, kërkuesit e sinqertë të së vërtetës duhet të jenë të vëmendshëm ndaj burimeve të pasigurta të informacionit. Ne jetojmë në një kohë kur shumë “e quajnë të mirë të keqen dhe të keqe të mirën” (Isaia 5:20). Satani është ati i gënjeshtrave dhe kërkon ta shtrembërojë të vërtetën dhe të na bindë që të largohemi prej Zotit dhe shërbëtorëve të caktuar të Tij. Kur kthehemi te burimet e Zotit të caktuara në mënyrë hyjnore për përgjigje dhe drejtim, ne mund të bekohemi që të dallojmë midis së vërtetës dhe gabimit. Të mësuarit për t’i dalluar dhe për t’iu shmangur burimeve të pasigurta mund të na mbrojë nga keqinformimi dhe nga ata që përpiqen ta shkatërrojnë besimin.
Të Ndihmuarit e të Tjerëve që të Marrin Njohuri Shpirtërore
Kur të tjerët vijnë tek ne duke bërë pyetje ose duke hetuar doktrinën, praktikat ose historinë e Kishës, si mund t’i ndihmojmë më së miri ata në kërkimin e tyre për të vërtetën? Sa vijon janë disa nga mënyrat se si mund t’i ndihmojmë ata:
Dëgjoni me kujdes dhe me lutje: Dëgjoni me vëmendje përpara se të përgjigjeni, duke u përpjekur t’i qartësoni dhe kuptoni pyetjet e vërteta që po bëjnë ata. Kërkoni plot mendim që të kuptoni qëllimin e vërtetë të pyetjeve të tyre dhe të ndjenjave e bindjeve të tyre.
Jepni mësim dhe dëshmoni për të vërtetat e ungjillit: Tregoni për mësime të zbatueshme nga shkrimet e shenjta dhe profetët modernë dhe për mënyrën se si ju kanë sjellë ndryshim në jetën tuaj. Ndihmojini ata me të cilët flisni, që t’i shqyrtojnë ose riformulojnë pyetjet e tyre në kontekstin e ungjillit dhe të planit të shpëtimit.
Ftojini të veprojnë me besim: Mbani mend që Zoti na kërkon që të gjejmë njohuri shpirtërore për veten tonë. Si rrjedhim, ne duhet t’i ftojmë të tjerët që të veprojnë me besim nëpërmjet lutjes, bindjes ndaj urdhërimeve dhe studimit të zellshëm të fjalës së Perëndisë, duke përdorur burime të caktuara në mënyrë hyjnore, veçanërisht Librin e Mormonit. Nëse zbatohet, ftojini të kujtojnë përvoja që mund t’i kenë pasur kur e ndien Frymën e Shenjtë, dhe të mbahen fort tek të vërtetat e përjetshme që i kanë mësuar derisa të vijë njohuri shtesë.
Ndiqeni ecurinë: Ofroni që t’i kërkoni përgjigjet dhe më pas ndiqeni ecurinë duke e treguar atë që mësoni. Ju gjithashtu mund t’i kërkoni përgjigjet së bashku. Shpreheni mirëbesimin tuaj te premtimi i Zotit për të siguruar zbulesë vetjake.
Referenca përkatëse: Jeremia 1:4–5; Amos 3:7; Mateu 5:14–16; Mateu 16:15–19; Gjoni 15:16; Gjoni 17:3; Efesianëve 2:19–20; Efesianëve 4:11–14; 2 Nefi 2:27; Mosia 18:8–10; 3 Nefi 18:15, 20–21; DeB 1:37–38; DeB 18:15–16; DeB 21:4–6
Tema doktrinore përkatëse: Kreu-Perëndi: Fryma e Shenjtë; Shlyerja e Jezu Krishtit: Besim në Jezu Krishtin; Profetët dhe Zbulesa; Urdhërimet