Dhiata e Vjetër 2022
12–18 Dhjetor. Malakia: “‘Unë ju Kam Dashur’, Thotë Zoti”


“12–18 Dhjetor. Malakia: ‘Unë ju Kam Dashur’, Thotë Zoti”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Vjetër 2022 (2021)

“12–18 Dhjetor. Malakia”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2022

Pamja
statuja e Krishtit

12–18 Dhjetor

Malakia

“‘Unë ju Kam Dashur’, Thotë Zoti”

Emri Malakia do të thotë “lajmëtari im” (Bible Dictionary [Fjalori Biblik], “Malachi” [“Malakia”]). Ndërsa e studioni mesazhin e Malakias drejtuar Izraelit, çfarë mesazhesh gjeni për jetën tuaj? Si lidhen fjalët e Malakias me kohën tonë?

Shënojini Mbresat Tuaja

“Unë ju kam dashur”, i tha Zoti popullit të Tij nëpërmjet profetit Malakia. Por izraelitët, që kishin vuajtur për breza të tërë mundime dhe robëri, e pyetën Zotin: “Si na ke dashur?” (Malakia 1:2.) Pas gjithçkaje që Izraeli kishte kaluar, ata mund të kenë pyetur veten nëse historia e Izraelit të lashtë është me të vërtetë një histori e dashurisë së Perëndisë për popullin e Tij të besëlidhjes.

Ndërsa reflektoni mbi atë që keni lexuar te Dhiata e Vjetër këtë vit, çfarë prove të dashurisë së Perëndisë gjeni? Është e lehtë të shohësh shumë shembuj të dobësisë dhe rebelimit njerëzor. Megjithatë gjatë gjithë atyre përvojave, Perëndia nuk rreshti kurrë së ndihmuari me dashuri. Kur bijtë e Jakobit e keqtrajtuan vëllanë e tyre, Jozefin, Zoti ende përgatiti një mënyrë për t’i shpëtuar ata nga zija e bukës (shih Zanafilla 45:4–8). Kur izraelitët murmuritën në shkretëtirë, Perëndia i ushqeu ata me mana (shih Eksodi 16:1–4). Madje edhe kur Izraeli e braktisi Atë, u kthye nga perënditë e tjera dhe e shpërndanë, Perëndia kurrë nuk i braktisi ata njerëz plotësisht, por premtoi që, në qoftë se ata do të pendoheshin, Ai do t’i mblidhte dhe shëlbonte “me dhembshuri të pamasë” (shih Isaia 54:7).

E parë në këtë mënyrë, Dhiata e Vjetër është historia e dashurisë së duruar të Perëndisë. Dhe kjo histori vazhdon sot. “Do të lindë dielli i drejtësisë me shërimin në krahët e tij”, profetizoi Malakia (Malakia 4:2). Jezu Krishti erdhi vërtet, duke iu sjellë shërim fizik dhe shpirtëror të gjithë atyre që vijnë tek Ai. Ai është prova më e madhe e dashurisë së Perëndisë për Izraelin e lashtë dhe për të gjithë ne.

Për më shumë informacion rreth librit Malakia, shih “Malakia” tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta.

Pamja
ikona e studimit vetjak

Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta

Malakia 1–4

“Kthehuni tek unë dhe unë do të kthehem tek ju.”

Në kohën e Malakias, izraelitët tashmë e kishin rindërtuar tempullin në Jerusalem, por si popull ata kishin ende nevojë të rindërtonin marrëdhënien e tyre me Zotin. Ndërsa e studioni librin Malakia, kërkoni pyetjet që Zoti u bëri izraelitëve ose që ata i bënë Atij. Merreni parasysh t’i bëni vetes pyetje të ngjashme (disa shembuj sugjerohen më poshtë) për t’ju ndihmuar të vlerësoni marrëdhënien tuaj me Zotin dhe të vini më pranë Tij.

  • Si e kam ndier dashurinë e Zotit për mua? (Shih Malakia 1:2.)

  • A e nderojnë vërtet Zotin ofertat e mia ndaj Tij? (Shih Malakia 1:6–11.)

  • Në çfarë mënyrash më nevojitet të “kthehem” te Zoti? (Shih Malakia 3:7.)

  • A po e vjedh Perëndinë në ndonjë mënyrë? (Shih Malakia 3:8–11.)

  • Si i pasqyron qëndrimi im gjatë kohëve të vështira ndjenjat e mia ndaj Zotit? (Shih Malakia 3:13–15; shih edhe 2:17.)

Shih edhe D. Tod Kristoferson, “Unë të Gjithë Ata që i Dua, i Qortoj dhe i Ndëshkoj”, Ensign ose Liahona, maj 2011, f. 97–100.

Malakia 1:6–14

Zoti kërkon “një blatim [të] pastër”.

Fjalët e Zotit te Malakia 1 tregojnë se priftërinjtë izraelitë po ofronin kafshë me të meta dhe të sëmura si flijime në tempull, gjë që Zoti e kishte ndaluar (shih Levitiku 22:17–25). Çfarë sugjerojnë këto flijime për ndjenjat e priftërinjve kundrejt Zotit? (Shih Malakia 1:13.) Përse Zoti kërkon nga ne që t’i japim Atij ofertat tona më të mira? Mendoni për sakrificat që Zoti ju ka kërkuar të bëni. Çfarë mund të bëni që t’i jepni Atij “një blatim [të] pastër”? (Malakia 1:11; shih edhe 3:3.)

Shih edhe Moroni 7:5–14.

Malakia 3–4

Profecitë e Malakias po përmbushen në ditët e fundit.

Kur Shpëtimtari vizitoi kontinentin amerikan, Ai u citoi nefitëve kapitujt te Malakia 3–4 (shih 3 Nefi 24–25). Në vitin 1823, engjëlli Moroni i tregoi Jozef Smithit pjesë të po këtyre kapitujve (shih Joseph Smith – Historia 1:36–39; shih edhe Doktrina e Besëlidhje 2). Si mendoni, përse fjalët e Malakias përsëriten kaq shpesh në shkrimet e shenjta? (Shih edhe Doktrina e Besëlidhje 27:9; 110:13–16; 128:17–18.) Sipas mendimit tuaj, cilat mesazhe nga Malakia 3–4 duken veçanërisht të rëndësishme për kohën tonë?

Kur Moroni i citoi Jozef Smithit vargjet te Malakia 4:5–6, ai e bëri këtë “me pak ndryshim nga mënyra se si lexohet” në Bibël (Joseph Smith – Historia 1:36). Çfarë i shton varianti i Moronit kuptueshmërisë sonë për këtë profeci? Për të lexuar më shumë rreth ardhjes së Elijas dhe se si kjo profeci po përmbushet sot, shihni vargjet te Doktrina e Besëlidhje 110:13–16 dhe mesazhin e Plakut Dejvid A. Bednar, “Zemrat e Fëmijëve Do të Kthehen” (Ensign ose Liahona, nëntor 2011, f. 24–27). Përse jeni mirënjohës që Elija ka ardhur?

Pamja
Elija u shfaqet Jozef Smithit dhe Oliver Kaudërit në Tempullin e Kirtlandit

Ilustrim i Elijas që i shfaqet Jozef Smithit dhe Oliver Kaudërit në Tempullin e Kirtlandit, nga Robert T. Barrett

Malakia 3:8–12

Pagimi i së dhjetës hap pragjet e qiellit.

Ndërsa lexoni vargjet te Malakia 3:8–12, mendoni për përvojat tuaja me pagimin e së dhjetës. Çfarë do të thotë për ju fraza “hap pragjet e qiellit” (vargu 10)?

Pamja
ikona e studimit familjar

Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen e Shtëpisë

Malakia 1:2.Si do t’i përgjigjej familja juaj pyetjes që gjendet te Malakia 1:2 – “Si na k[a] dashur [Zoti]?” Cilat janë disa prova të dashurisë së Zotit për ne?

Malakia 3:8–12.Ndërsa lexoni vargjet te Malakia 3:8–12, ftojini pjesëtarët e familjes të japin mendimet ose të tregojnë ndjenjat e tyre rreth së dhjetës. Çfarë bekimesh materiale dhe shpirtërore keni parë nga pagimi i së dhjetës? (Shih Dejvid A. Bednar, “Pragjet e Qiellit”, Ensign ose Liahona, nëntor 2013, f. 17–20.) Pjesëtarët e familjes mund të kënaqen duke vizatuar figura që t’i përfaqësojnë këto bekime dhe t’i varin figurat në një dritare.

Malakia 3:13–18.Çfarë do të thotë për ju t’i përkasësh Zotit dhe të jesh një prej “thesar[eve]” të Tij?

Malakia 4:5–6.Pasi t’i lexoni këto vargje, familja juaj mund të identifikojë përgjigjet për pyetjet në vijim lidhur me profecinë e Malakias: Për kë? Për çfarë? Kur? Ku? Përse? (Shih edhe Doktrina e Besëlidhje 2.)

Si ua kthejmë zemrat tona etërve tanë? Si bekohemi kur e bëjmë këtë? Ju mund t’i përsiatni këto pyetje ndërsa shihni materialin filmik “The Promised Blessings of Family History” [“Bekimet e Premtuara të Historisë Familjare”] (ChurchofJesusChrist.org). Çfarë do të bëjmë si familje për t’i marrë këto bekime?

Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.

Kënga e sugjeruar: “Historin’ Familjare Un’ po Bëj”, Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 100.

Përmirësimi i Studimit Vetjak

Bëni pyetje ndërsa studioni. Ndërsa i studioni shkrimet e shenjta, mund t’ju lindin pyetje në mendje. Përsiatini këto pyetje dhe kërkoni përgjigje.

Pamja
grua duke valëvitur shaminë e bardhë me shumë paraardhës pas vetes

Hosana e Mourningut, nga Rose Datoc Dall. Një grua e quajtur Mourning [E Pikëlluara], qëndron në botën e shpirtrave, e rrethuar nga paraardhësit e saj. Ajo feston çlirimin e tyre nga robëria shpirtërore.