Eja, Më Ndiq
18–24 Nëntor. Jakob [Bibël]: ‘Bëhuni Bërës të Fjalës dhe jo Vetëm Dëgjues’


“18–24 Nëntor. Jakob [Bibël]: ‘Bëhuni Bërës të Fjalës dhe jo Vetëm Dëgjues’” Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Re 2019 (2019)

“18–24 Nëntor. Jakob [Bibël]”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2019

Pamja
Abrahami duke u lutur jashtë tendës së vet

Abrahami në Rrafshinat e Mamresë, nga Grant Romney Clawson

18–24 Nëntor

Jakob [Bibël]

“Bëhuni Bërës të Fjalës dhe jo Vetëm Dëgjues”

Teksa lexoni Letrën e Jakobit, kushtojuni vëmendje frazave që ju bëjnë përshtypje, dhe shënojini ato. Si nxiteni t’i jetoni këto të vërteta?

Shënojini Mbresat Tuaja

Ndonjëherë thjesht një varg i shkrimit të shenjtë mund ta ndryshojë botën. Jakobi [Bibël] 1:5 duket si një pjesëz e thjeshtë këshille – nëse keni nevojë për urti, kërkojini Perëndisë. Por, kur Jozef Smithi 14‑vjeçar e lexoi atë varg, iu “duk se hyri me forcë të madhe në çdo ndjenjë të zemrës [së tij]” (Joseph Smith – Historia 1:12). I frymëzuar në këtë mënyrë, Jozefi veproi sipas këshillës së Jakobit dhe kërkoi urtësi nga Perëndia nëpërmjet lutjes. Dhe Perëndia me të vërtetë dha pa kursim, duke i dhënë Jozefit një prej vizitimeve më mbresëlënëse qiellore në historinë njerëzore – Vegimin e Parë. Ky vegim e ndryshoi drejtimin e jetës së Jozefit dhe çoi drejt Rivendosjes së Kishës së Jezu Krishtit mbi tokë. Ne të gjithë bekohemi sot ngaqë Jozef Smithi e lexoi Jakobin [Bibël] 1:5 dhe veproi sipas atij vargu.

Çfarë do të gjeni teksa studioni Letrën e Jakobit? Ndoshta një ose dy vargje do t’ju ndryshojnë ju ose dikë që doni. Ju mund të gjeni udhërrëfim teksa përpiqeni të përmbushni misionin tuaj në jetë. Mund të gjeni nxitje që të flisni me mirësi ose të jeni më të durueshëm. Çfarëdo gjëje që ju frymëzon, lejojini këto fjalë të “hy[jnë] … në çdo ndjenjë të zemrës [suaj]”. Mbani mend të “pranoni me butësi fjalën”, siç shkroi Jakobi, “e cila mund të shpëtojë shpirtrat tuaj” (Jakob [Bibël] 1:21).

Pamja
ikona e studimit vetjak

Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta

Jakob [Bibël]

Kush ishte Jakobi?

Në përgjithësi besohet se autori i Letrës së Jakobit është një bir i Maries, nënës së Jezu Krishtit, dhe si rrjedhojë vëllai nga nëna i Shpëtimtarit. Jakobi përmendet te Mateu 13:55; Marku 6:3; Veprat e Apostujve 12:17; 15:13; 21:18; dhe Galatasve 1:19; 2:9. Prej këtyre shkrimeve të shenjta duket se Jakobi ishte një udhëheqës i Kishës në Jerusalem dhe ishte thirrur si Apostull (shih Galatasve 1:19).

Jakob [Bibël] 1:2–4; 5:7–11

Qëndrueshmëria me durim çon drejt përsosjes.

“Pritja mund të jetë e vështirë”, dha mësim Presidenti Diter F. Uhtdorf. “Ne duam atë që duam dhe e duam tani. Prandaj, vetë ideja e durimit mund të duket e pakëndshme” (“Vazhdoni në Durim”, Ensign ose Liahona, maj 2010, f. 56). Pas leximit të Jakobit [Bibël] 1:2–4; 5:7–11, çfarë do të thoshit se ishte mesazhi kryesor i Jakobit rreth durimit? Çfarë idesh shtesë keni pas leximit të pjesës tjetër të mesazhit të Presidentit Uhtdorf? Si mund t’i tregoni Zotit se jeni të gatshëm që të jeni të duruar?

Jakob [Bibël] 1:3–8, 21–25; 2:14–26; 4:17

Besimi kërkon veprim.

Si e dini nëse keni besim te Jezu Krishti? Si e tregojnë veprat tuaja besimin tuaj te Perëndia? Mendoni për këto pyetje teksa studioni mësimet e Jakobit rreth besimit. Mund të jetë interesante gjithashtu të lexoni rreth Abrahamit dhe Rahabit, dy shembujt që i përmendi Jakobi (shih Zanafilla 22:1–12; Jozueut 2). Si treguan ata se kishin besim te Perëndia?

Leximi i Jakobit [Bibël] 1:3–8, 21–25; 2:14–26; 4:17 mund t’ju ndihmojë të mendoni për mënyrat se si mund të jeni një bërës më i mirë i fjalës. Mbajeni shënim ndonjë mbresë që merrni, dhe bëni plane të veproni në përputhje me të.

Shih edhe Alma 34:27–29; 3 Nefi 27:21.

Jakob [Bibël] 1:263:1–18

Fjalët që them, kanë fuqinë t’i lëndojnë ose t’i bekojnë të tjerët.

Mes shprehjeve të pasura figurative që Jakobi i përdori në të gjithë letrën e tij, disa nga shprehjet më të gjalla gjenden në këshillën e tij rreth gjuhës. Merreni parasysh të bëni një listë të të gjitha mënyrave se si Jakobi e përshkroi gjuhën ose gojën. Çfarë sugjeron secili krahasim ose figurë për fjalët që flasim? Mendoni për diçka që mund të bëni për ta bekuar dikë me fjalët tuaja (shih DeB 108:7).

Jakob [Bibël] 2:1–9

Si dishepull i Jezu Krishtit, unë duhet t’i dua të gjithë njerëzit pavarësisht nga rrethanat e tyre.

Jakobi i paralajmëroi shenjtorët veçanërisht kundër përkrahjes së të pasurve dhe përbuzjes së të varfërve, por paralajmërimi i tij mund të zbatohet ndaj çfarëdo njëanësie ose paragjykimi që mund të kemi kundrejt të tjerëve. Mund të jetë e vështirë të dallohen mënyrat sipas të cilave mund t’i gjykojmë negativisht të tjerët, por Zoti ka premtuar se Ai do të na ndihmojë të shohim se ku kemi nevojë për t’u përmirësuar (shih Ethëri 12:27). Teksa studioni me lutje Jakobin [Bibël] 2:1–9, hetoni vetë zemrën tuaj dhe vini vesh për nxitjet e Frymës së Shenjtë. A ndieni ndonjë ndryshim që keni nevojë ta bëni në mënyrën se si i trajtoni të tjerët apo mendoni për ta?

Pamja
ikona e studimit familjar

Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen Familjare

Kur i lexoni shkrimet e shenjta me familjen tuaj, Shpirti mund t’ju ndihmojë ta dini se cilat parime t’i theksoni e diskutoni nisur nga nevojat e familjes suaj. Këtu janë disa sugjerime:

Jakob [Bibël] 1:5

Merreni parasysh të lexoni Jakobin [Bibël] 1:5 dhe të ftoni një pjesëtar të familjes që ta përmbledhë tregimin e Vegimit të Parë (shih Joseph Smith – Historia 1:8–13 ose materialin filmik “Ask of God: Joseph Smith’s First Vision” [“Kërkoji Perëndisë: Vegimi i Parë i Jozef Smithit”] te LDS.org). Ftojini pjesëtarët e familjes t’i japin dëshmitë e tyre për Profetin Jozef Smith dhe përvojat kur Ati Qiellor iu përgjigj lutjeve të tyre.

Jakob [Bibël] 1:26–27

  Më pas lexoni përkufizimin e Jakobit për fenë e pastër dhe diskutoni mënyra se si familja juaj mund ta bëjë ushtrimin e fesë suaj më të pastër.

Jakob [Bibël] 3

Jakobi [Bibël] 3 përfshin shumë përfytyrime që mund të frymëzojnë mësime mbresëlënëse me sende për ta ndihmuar familjen tuaj që të mbajë mend për të folur me mirësi. Për shembull, ju mund të diskutoni se si një shkëndijë apo shkrepëse e vogël mund të fillojë një zjarr të madh dhe pjesëtarët e familjes mund të mendojnë raste kur një fjalë pa mirësi shkaktoi problem (shih vargjet 5–6). Ose mund të shërbeni diçka të thartë apo të hidhur në diçka që zakonisht përdoret për ushqime të ëmbla – të tillë si lëng limoni në një kavanoz mjalti. Kjo mund të çojë te një diskutim rreth sigurimit që fjalët tona të jenë të ëmbla dhe lartësuese (shih vargjet 9–14).

Jakob [Bibël] 4:5–8

Përse duhet të “afroh[emi] te Perëndia” kur përballemi me tundime?

Jakob [Bibël] 5:14–16

Ndoshta tregimi i një përvoje vetjake rreth marrjes së një bekimi priftërie mund t’i nxitë pjesëtarët e familjes që të “kërkojnë një bekim priftërie kur kanë nevojë për fuqi shpirtërore” (Dallin H. Oaks, “The Importance of Priesthood Blessings”, New Era, korrik 2012, f. 4).

Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.

Përmirësimi i Studimit Vetjak

Veproni sipas asaj që mësoni. Teksa studioni, vini vesh për nxitje nga Shpirti rreth mënyrës se si mund ta zbatoni në jetën tuaj atë që po mësoni. Zotohuni t’i ndiqni këto nxitje dhe ta jetoni më tërësisht ungjillin. (Shih Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, f. 35.)