Eja, Më Ndiq
15–21 Prill. Pashka: ‘O Ferr, Ku Është Fitorja Jote?’


“15–21 Prill. Pashka: ‘O Ferr, Ku Është Fitorja Jote?’” Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Re 2019 (2019)

“15–21 Prill. Pashka”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2019

Pamja
Varri i Kopshtit

15–21 Prill

Pashka

“O Ferr, Ku Është Fitorja Jote?”

Ndërsa i lexoni dëshmitë e Ringjalljes së Shpëtimtarit në këtë përvijim të mësimit, shkruajini ndjenjat dhe mbresat që ju vijnë nga Fryma e Shenjtë.

Shënojini Mbresat Tuaja

Gjatë javës së fundit të jetës së Shpëtimtarit, shumë judenj përreth Tij po merrnin pjesë në traditat e Pashkës. Ata përgatitnin vakte, këndonin këngë dhe mblidheshin së bashku për të kujtuar çlirimin e shtëpisë së Izraelit nga skllavëria e egjiptianëve. Familjet dëgjonin historinë për engjëllin shkatërrues që kaloi mbi shtëpitë e paraardhësve të tyre, të cilët i kishin shenjuar dyert e tyre me gjakun e qengjit. Mes gjithë këtyre kremtimeve kaq të pasura me simbolikën e çlirimit, përkatësisht pak veta ishin të vetëdijshëm se Jezu Krishti, Qengji i Perëndisë, ishte gati t’i çlironte nga skllavëria e mëkatit dhe e vdekjes – nëpërmjet vuajtjes së Tij, vdekjes së Tij dhe Ringjalljes së Tij. Megjithatë, kishte nga ata që e njohën Jezusin si Mesian e tyre të premtuar, Çliruesin e tyre të përjetshëm. Që nga ajo ditë e tutje, dishepuj të Jezu Krishtit i kanë dëshmuar të gjithë botës “se Krishti vdiq për mëkatet tona … ; se ai u varros dhe u ringjall të tretën ditë” (1 Korintasve 15:3–4).

Pamja
ikona e studimit vetjak

Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta

Mateu 21–28

Jezu Krishti ka fuqi për të më ndihmuar që t’i mposht mëkatin, vdekjen, sprovat dhe sëmundjet.

Një mënyrë për t’u përqendruar te bekimet e Shlyerjes së Shpëtimtarit këtë javë është që të shpenzoni kohë çdo ditë duke lexuar rreth javës së fundit të jetës së Jezusit (më poshtë vijon një program i mundshëm leximi). Çfarë gjeni në këta kapituj që ju ndihmon ta ndieni dashurinë e Shpëtimtarit? Çfarë mësoni rreth fuqisë së Tij për t’ju çliruar nga mëkati e vdekja? Çfarë mësoni rreth durimit të sprovave dhe mposhtjes së dobësive? Si po ushtroni besim te fuqia e Tij për të çliruar?

Pamja
Darka e Fundit

Darka e Fundit, nga Carl Heinrich Bloch

Mateu 28:1–10; Lluka 24:13–35; Gjoni 20:19–29; 1 Korintasve 15:1–8, 55

Shumë dëshmitarë dëshmojnë për Ringjalljen e Jezu Krishtit.

Përfytyroni se si mund të ketë qenë për dishepujt që ta shikonin Jezusin të përqeshej, të keqtrajtohej e të kryqëzohej. Ata kishin qenë dëshmitarë të fuqisë së Tij, e kishin ndier të vërtetën e mësimeve të Tij dhe kishin besimin se Ai ishte Biri i Perëndisë. Dëshmimi i vdekjes së Tij mund të ketë qenë një sprovë për besimin e disave, por shpejt ata u bënë dëshmitarë të mrekullisë së madhe të Ringjalljes.

Çfarë mund të mësoni nga tregimet e atyre njerëzve që e dëshmuan Shpëtimtarin e Ringjallur? Shenjojeni ose vini re përvojën e secilit individ te Mateu 28:1–10; Lluka 24:13–35; Gjoni 20:19–29 dhe 1 Korintasve 15:1–8, 55. (Vini re se dëshmi të tjera për Krishtin e ringjallur mund të gjenden te 3 Nefi 11; Mormoni 1:15; Ethëri 12:38–39; Doktrina e Besëlidhje 76:19–24; 110:1–10 dhe Joseph Smith – Historia 1:15–17.) Në këto tregime, çfarë e forcon besimin tuaj në Ringjalljen e vërtetë të Zotit? Pas Ringjalljes së Shpëtimtarit, të tjerë u ringjallën dhe iu shfaqën shumë njerëzve (shih Mateu 27:52–53; 3 Nefi 23:9). Si mendoni ju, përse është e rëndësishme që kjo të shënohej si në Bibël dhe në Librin e Mormonit?

Shih edhe “Jesus Is Resurrected” [“Jezusi Është Ringjallur”], “The Risen Lord Appears to the Apostles” [“Zoti i Ringjallur u Shfaqet Apostujve”], “Blessed Are They That Have Not Seen, and Yet Have Believed” [“Lum Ata që Kanë Parë dhe Kanë Besuar”] (materiale filmike, LDS.org).

1 Pjetër 1:3–11

Jezu Krishti më jep shpresë dhe gëzim.

Vajza e Plakut Pol V. Xhonson, Alisa, e cila vuajti nga një kancer i pashërueshëm dhe duroi shumë operacione, ishte shembulli i “shpresë[s së] gjallë” që Pjetri e përshkroi te 1 Pjetër 1:3–11. Plaku Xhonson tregoi një letër që Alisa e shkroi në kohën e Pashkës, pak përpara se të ndërronte jetë: “Pashka është një kujtesë e gjithçkaje që shpresoj për veten time. Se një ditë do të shërohem dhe një ditë do të bëhem e plotë. Një ditë unë nuk do të kem asgjë metalike apo plastike brenda meje. Një ditë zemra ime do të jetë e lirë nga frika dhe mendja ime e lirë nga ankthet. … Jam shumë e lumtur që besoj me të vërtetë në një jetë të përtejme të bukur” (“Dhe Vdekja Nuk Do Të Jetë Më”, Ensign ose Liahona, maj 2016, f. 121).

Çfarë fjalësh apo frazash te 1 Pjetër 1:3–11 ju japin shpresë për shkak të Jezu Krishtit? Kur e keni ndier atë shpresë? Si mund t’ia tregoni shpresën që ju keni nëpërmjet Jezu Krishtit njerëzve që ju i doni?

Shih edhe Alma 27:28; 36:1–24; 3 Nefi 9:11–17; Moroni 7:40–41.

Pamja
ikona e studimit familjar

Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen Familjare

Kur i lexoni shkrimet e shenjta me familjen tuaj, Shpirti mund t’ju ndihmojë të dini se cilat parime të theksoni e diskutoni me qëllim që të plotësohen nevojat e familjes suaj. Këtu janë disa sugjerime:

Mormon.org

Pjesa “Holy Week” [“Java e Shenjtë”] e mormon.org/easter përmban një kronologji kohore dhe një përshkrim të asaj që ndodhi çdo ditë në javën e fundit të jetës së Shpëtimtarit. Çdo ditë të javës, familja juaj mund t’i rishikojë këto përshkrime për të parë atë që bëri Shpëtimtari atë ditë, ose ju mund të lexoni rreth javës së Tij të fundit në shkrimet e shenjta si familje (shih një listë të sugjeruar në pjesën “Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta”).

Himne dhe Children’s Songbook [Libri i Këngëve të Fëmijëve]

Gjatë kësaj jave merrni parasysh që të këndoni së bashku këngë rreth Shlyerjes dhe Ringjalljes së Shpëtimtarit, përfshirë disa këngë që janë më pak të njohura për ju (shih indeksin e temave për Himnet ose Children’s Songbook [Librin e Këngëve të Fëmijëve], nën tema të tilla si “Shlyerje”, “Pashkë” apo “Ringjallje”). Për t’i ndihmuar pjesëtarët e familjes që t’i mësojnë këngët, ju mund të tregoni figura që përputhen me fjalët.

“Krishti i Gjallë: Dëshmia e Apostujve”

Si një familje, lexoni dokumentin “Krishti i Gjallë: Dëshmia e Apostujve” (Ensign ose Liahona, prill 2000, f. 2–3; shih edhe LDS.org) dhe ftojeni çdo pjesëtar të familjes të zgjedhë një mesazh për Pashkë nga kjo dëshmi për t’ia treguar të tjerëve. Për shembull, ju mund të krijoni afishe që t’i shfaqni në mjetet e informimit shoqëror, në portën kryesore apo në dritaren tuaj.

Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.

Përmirësimi i Studimit Vetjak

Vendosni synime të arritshme. Shpenzimi i madje disa minutave në ditë duke i studiuar shkrimet e shenjta mund ta bekojë jetën tuaj. Zotohuni që të studioni çdo ditë, të gjeni një mënyrë për t’i kujtuar vetes zotimin tuaj dhe për të bërë më të mirën ndërkaq.

Pamja
Krishti në Gjetseman

Gjetsemani, nga Adam Abram