Eja, Më Ndiq
1–7 Qershor. Alma 5–7: “A e Keni Provuar Këtë Ndryshim të Madh në Zemrat Tuaja?”


“1–7 Qershor. Alma 5–7: ‘A e Keni Provuar Këtë Ndryshim të Madh në Zemrat Tuaja?’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Libri i Mormonit 2020 (2020)

“1–7 Qershor. Alma 5–7”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2020

Pamja
Jezusi duke mbajtur një qengj

Nuk Je i Braktisur, nga Jon McNaughton

1–7 Qershor

Alma 5–7

“A e Keni Provuar Këtë Ndryshim të Madh në Zemrat Tuaja?”

Alma 5–7 mund t’ju ndihmojë të reflektoni për kthimin tuaj në rritje në besimin te Jezu Krishti. Ndërsa lexoni, mbajeni shënim atë çfarë Shpirti ju mëson.

Shënojini Mbresat Tuaja

Alma nuk dinte gjë për kirurgjitë e sotme të transplantit të zemrës që shpëtojnë jetë, të cilat e zëvendësojnë një zemër të dëmtuar apo të sëmurë me një zemër të shëndetshme. Por ai dinte për një “ndryshim të zemrës” më mrekullibërës (Alma 5:26) – një ndryshim me anë të të cilit Shpëtimtari na jep një risi të jetës shpirtërore, njësoj si të “lind[emi] përsëri” (shih Alma 5:14, 49). Alma mund ta kuptonte se ky ndryshim i zemrës ishte pikërisht ajo për të cilën kishin nevojë shumë prej nefitëve. Disa ishin të pasur dhe të tjerë të varfër, disa krenarë dhe të tjerë të përulur, disa përndjekës dhe të tjerë të pikëlluar nga përndjekja (shih Alma 4:6–15). Por të gjithë ata kishin nevojë të vinin te Jezu Krishti që të shëroheshin – njësoj si ne të gjithë. Qoftë nëse po përpiqemi ta mposhtim krenarinë apo t’i durojmë pikëllimet, mesazhi i Almës është i njëjti: “Ejani dhe mos kini frikë” (Alma 7:15). Lëreni Shpëtimtarin ta ndryshojë një zemër të ngurtësuar, mëkatare apo të lënduar në një zemër që është e përulur, e kulluar dhe e re.

Pamja
ikona e studimit vetjak

Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta

Alma 5:14–32

Unë duhet të provoj – dhe të vazhdoj ta ndiej – një ndryshim të madh të zemrës.

Pyetjet vetëshqyrtuese që Alma i bëri popullit të Zarahemlës, të cilat gjenden tek Alma 5:14–33, mund t’ju ndihmojnë të shqyrtoni vetë shpirtin tuaj dhe të kuptoni se çfarë do të thotë të provosh një “ndryshim të madh të zemrës” gjatë gjithë jetës suaj. Presidenti M. Rasëll Ballard shpjegoi vlerën e këtyre pyetjeve: “Unë duhet të gjej kohë rregullisht që ta pyes veten time: ‘Si po ia kalon?’ Është si të kesh një intervistë personale, vetjake me veten tënde. … Si një udhërrëfyes për mua gjatë kësaj interviste vetjake, personale, më pëlqen të lexoj e të përsiat mbi fjalët vetëshqyrtuese që gjenden te kapitulli i pestë i Almës” (“Të Kthehemi dhe të Marrim”, Ensign ose Liahona, maj 2017, f. 64).

Merrni parasysh t’i lexoni pyetjet e Almës sikur të ishit duke intervistuar veten dhe duke shqyrtuar zemrën tuaj. Ju mund të doni t’i shënoni përgjigjet tuaja për pyetjet. Çfarë ndiheni të frymëzuar të bëni si pasojë e intervistës suaj?

Shih edhe Dejll G. Renland, “Mbajtja e Ndryshimit të Fuqishëm të Zemrës”, Ensign ose Liahona, nëntor 2009, f. 97–99.

Pamja
vajzë duke u lutur pranë një shtrati

Çdo dishepull i Krishtit duhet të provojë një “ndryshim të zemrës”.

Alma 5:33–62

Unë mund të fitoj dëshminë time vetjake për Shpëtimtarin dhe ungjillin e Tij nëpërmjet Frymës së Shenjtë.

Alma dha dëshmi të fuqishme për Shpëtimtarin dhe ungjillin e Tij dhe shpjegoi gjithashtu se si e fitoi atë dëshmi. Kur dëshmoi, ai nuk e përmendi përvojën e tij se si pa dhe dëgjoi një engjëll (shih Mosia 27:10–17), por përkundrazi ai përshkroi çmimin që pagoi për ta ditur të vërtetën për vete. Çfarë mësoni nga Alma 5:44–51 rreth mënyrës se si Alma arriti ta dinte të vërtetën? Si mund ta ndiqni shembullin e tij në përpjekjet tuaja për ta fituar apo forcuar dëshminë tuaj? Çfarë mësoni për Shpëtimtarin nga mësimet e Almës tek Alma 5:33–35, 48–50 dhe 57–60?

Alma 7

Bindja me zell do të më ndihmojë të qëndroj në “shtegun që të çon në mbretërinë e Perëndisë”.

Populli i Gideonit nuk po luftonte me të njëjtat dilema si populli i Zarahemlës, kështu që Shpirti e ndihmoi Almën t’i dallonte nevojat e tyre dhe t’u jepte mësim në mënyrë të ndryshme atyre (shih Alma 7:17, 26). Ju mund të vini re disa ndryshime ndërmjet mesazheve të Almës në Zarahemla (shih Alma 5) dhe në Gideon. Për shembull, Alma e dalloi që populli i Gideonit ishte në “shtegun që të çon në mbretërinë e Perëndisë” (Alma 7:19). Gjatë gjithë predikimit të tij drejtuar atyre, Alma u mësoi shumë gjëra rreth mënyrës se si të qëndronin në atë shteg (shih Alma 7). Çfarë këshille u dha ai atyre? Çfarë mund ta zbatoni në jetën tuaj tani?

Alma 7:7–16

Shpëtimtari mori përsipër mëkatet, dhembjet dhe hidhërimet e mia.

A jeni ndier ndonjëherë se asnjë nuk i kupton vështirësitë ose sfidat tuaja? Nëse po, të vërtetat që na mësohen tek Alma 7:7–16 mund të jenë të dobishme. Plaku Dejvid A. Bednar dëshmoi: “Por Biri i Perëndisë di dhe kupton në mënyrë të përsosur, sepse Ai i ka ndier dhe i ka mbajtur barrët tona vetjake. Dhe për shkak të flijimit të Tij të pafund dhe të përjetshëm (shih Alma 34:14), Ai ka dhembshuri të përsosur dhe mund të na e shtrijë krahun e Tij të mëshirës” (“I Duronin Barrët e Tyre me Lehtësi”, Ensign ose Liahona, maj 2014, f. 90).

Ndërsa lexoni vargjet tek Alma 7:7–16, reflektoni se çfarë na ndihmojnë të kuptojmë këto vargje rreth qëllimeve të sakrificës së Shpëtimtarit. Si e marrim të drejtën për ta pasur fuqinë e Tij në jetën tonë? Merreni parasysh t’i shënoni mendimet tuaja.

Shih edhe Isaia 53:3–5.

Pamja
ikona e studimit familjar

Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen Familjare

Ndërsa i lexoni shkrimet e shenjta me familjen tuaj, Shpirti mund t’ju ndihmojë të dini se cilat parime të theksoni e diskutoni me qëllim që të plotësoni nevojat e familjes suaj. Ja ku janë disa ide.

Alma 5:6–13

Përse donte Alma që populli i tij ta kujtonte mëshirën e Zotit ndaj paraardhësve të tyre? Cilat ngjarje nga historia juaj familjare ju mësojnë për mëshirën e Tij? Ndofta ju mund të shkoni te familysearch.org/myfamily për t’i shënuar këto ngjarje.

Alma 5:14–33

Anëtarët e familjes suaj mund ta njohin ndjesinë e të qenit i përgatitur – ose i papërgatitur – për një udhëtim për kamp, për një provim në shkollë ose intervistë pune. Çfarë përvojash të kohëve të fundit mund të tregojnë ata për ta ilustruar rëndësinë e të qenit të përgatitur? Ju mund t’i ftoni pjesëtarët e familjes ta shqyrtojnë Almën 5:14–33 dhe të gjejnë pyetjet që bëri Alma për ta përgatitur popullin e tij të takohet me Perëndinë. Ndoshta çdo pjesëtar i familjes mund të zgjedhë një pyetje dhe të tregojë se si mund të na ndihmojë ajo që të përgatitemi për ta takuar Perëndinë. Familja juaj gjithashtu mund t’i ekspozojë disa nga pyetjet e Almës nëpër shtëpinë tuaj që pjesëtarët e familjes t’i përsiatin.

Alma 6:4–6

Cilat janë disa nga arsyet përse ne mblidhemi si shenjtorë? Si mund ta bëjmë kohën që kalojmë në kishë, më të dobishme për veten dhe të tjerët?

Alma 7:9–16

Çfarë mësojmë nga këto vargje që na ndihmon të “mos k[emi] frikë” (Alma 7:15) kur kemi nevojë të pendohemi dhe ndryshojmë? Çfarë na mësojnë këto vargje rreth kthimit te Shpëtimtari kur kemi nevojë për mbështetje? Çfarë gjërash të tjera kemi bërë për ta marrë mbështetjen e Tij? Si na ka ndihmuar Ai?

Alma 7:23

Kë njohim që është shembull i mirë i njërës apo më shumë prej cilësive të renditura në këtë varg? Përse është e rëndësishme që t’i zhvillojmë këto cilësi?

Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Bëni pyetje që i ftojnë pjesëtarët e familjes të veprojnë. Merrni në shqyrtim pyetje që i nxitin pjesëtarët e familjes suaj të reflektojnë për mënyrën se si mund ta jetojnë më plotësisht ungjillin. “Këto zakonisht nuk janë pyetje për diskutim; ato janë për meditim vetjak” (Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, f. 31; Bëni Pyetje që i Ftojnë Nxënësit të Veprojnë).

Pamja
Jezusi i veshur me një rrobë të kuqe

Avokati Ynë, nga Jay Bryant Ward