2022
Të Shohim Fytyrën e Perëndisë tek Armiqtë Tanë
Mars 2022


“Të Shohim Fytyrën e Perëndisë tek Armiqtë Tanë”, Liahona, Mars/Prill 2022.

Të Shohim Fytyrën e Perëndisë tek Armiqtë Tanë

Këto mësime për kapërcimin e konflikteve nga libri i Zanafillës mund të sigurojnë një model për vetë jetën tonë.

Pamja
dy duar që tërheqin një litar në një lojë me tërheqje litari

Ilustrimet nga David Green

Si një ndërmjetës konfliktesh, kam mbledhur shumë urtësi lidhur me mënyrën se si ta shndërrojmë konfliktin dhe të ftojmë pajtim duke parë shembullin dhe mësimet e Jezu Krishtit në Dhiatën e Re. Megjithatë, Dhiata e Re nuk është i vetmi libër i shkrimeve të shenjta që më ka udhërrëfyer përgjatë karrierës sime. Dhiata e Vjetër ka disa këndvështrime çuditërisht të thella që mund të na ndihmojnë kur ngecim në një konflikt shkatërrues.

Çfarë është konflikti shkatërrues? Ai është kur paaftësia jonë për t’i zgjidhur problemet me të tjerët na çon në lëndimin e të tjerëve ose të vetes.

Bashkë me konfliktin shkatërrues vjen frika e dhembjes si përpara konfliktit ashtu edhe si rrjedhojë e konfliktit, frika se nuk na duan apo nuk na shohin në mënyrën që duam të na shohin, dhe frika se mos nuk arrijmë të gjejmë zgjidhje për problemet që na rrethojnë. Kur e lëmë atë frikë të marrë kontrollin, ne nuk ndihemi më të përgatitur për t’i zgjidhur problemet që ndeshim, dhe shpesh përjetojmë emocione si dëshpërimi, turpi ose pafuqia.

Ky lloj konflikti është i rrezikshëm për shumicën e njerëzve, që është arsyeja pse përfundojmë duke përdorur stile të padobishme konfliktesh si shmangia, përshtatja ose konkurrenca si një mënyrë për t’u përpjekur për ta larguar konfliktin. Fatkeqësisht, në konfliktin shkatërrues, asnjë nga këto zgjidhje nuk do të funksionojë vërtet.

Po, ne duhet ta shmangim grindjen (shih 3 Nefi 11:29). Por ne kurrë nuk duhet t’i shmangim, të heqim dorë prej njerëzve me të cilët jemi në konflikt ose t’i sulmojmë ata. Përkundrazi, ne duhet të mësojmë se si t’i duam njerëzit me të cilët jemi në konflikt. Kjo kërkon vënien në zbatim të dashurisë hyjnore, dashurisë së pastër të Krishtit, kundrejt armiqve tanë (shih Moroni 7:47).

Jezusi dha mësim se t’i duash ata që të duan, është e lehtë. Ai gjithashtu tha: “Por unë po ju them: ‘Duani armiqtë tuaj, bekoni ata që ju mallkojnë, u bëni të mirë atyre që ju urrejnë’” (Mateu 5:44). Shpëtimtari na kërkon të duam sikurse do Ai dhe të bëhemi të përsosur sikurse është Ai (shih Gjoni 13:34; 3 Nefi 12:48). Kjo mund të nënkuptojë që të jemi të gatshëm t’i duam të tjerët edhe kur një dashuri e tillë duket e rrezikshme. Ne mund të ngurrojmë sepse në mënyrë të natyrshme e shmangim rrezikun. Por të vendosim t’i duam ata që mund të na lëndojnë, na lejon ta mposhtim frikën dhe të mbushemi me dashuri hyjnore.

Kjo lloj dashurie kërkon guxim përballë konfliktit. Ajo na bën thirrje që të jemi të hapur me njerëzit me të cilët jemi në konflikt në një mënyrë që “është e durueshme; plot mirësi; … nuk kërkon të sajat, nuk pezmatohet, nuk dyshon për keq; … i duron të gjitha, i beson të gjitha, i shpreson të gjitha, i mban çdo gjë. … Dashuria nuk ligshtohet kurrë” (1 Korintasve 13:4–5, 7–8). Dashuria hyjnore e tregon këtë lloj dashurie pa asnjë garanci se njerëzit në anën tjetër të konfliktit do të bëjnë të njëjtën gjë.

Dashuria na lejon t’i shohim vëllezërit dhe motrat tona me të cilët jemi në konflikt, me aq qartësi se nevojat dhe dëshirat e tyre kanë po aq rëndësi për ne sa nevojat dhe dëshirat tona, pavarësisht se si na shohin ata. Ne do të bëjmë gjithçka që duhet për të gjetur zgjidhje që i përmbushin nevojat e tyre si dhe vetë nevojat tona.

Dy histori nga Dhiata e Vjetër janë shembuj të mrekullueshëm të kësaj dashurie.

Esau dhe Jakobi

Pamja
Esau dhe Jakobi takohen

Esau and Jacob Embracing [Esau dhe Jakobi duke u Përqafuar], nga Robert T. Barrett

Te Zanafilla 25, ne ndeshim një konflikt familjar midis dy vëllezërve, Esaut dhe Jakobit, bijve të Isakut. Esau ia shiti trashëgiminë Jakobit për një tas supë (shih Zanafilla 25:30–31). Më vonë, duke ndjekur këshillën e së ëmës, Jakobi u shtir si Esau me qëllim që të merrte bekimin e fundit të Isakut (shih Zanafilla 27:6–29).

Esau e urrente Jakobin dhe u betua se do ta vriste vëllanë e vet. Jakobi ia mbathi për të jetuar me dajën e tij, Labanon. (Shih Zanafilla 27:41–45.) Përfundimisht Jakobi pati telashe me dajën e tij dhe u detyrua që të rikthehej në shtëpi (shih Zanafilla 31). Jakobi e dinte se kjo do të thoshte të përballej me Esaun, i cili kishte një ushtri më të madhe. Ai druhej për jetën e vet dhe jetën e familjes së vet (shih Zanafilla 32:7–8).

Ditën që do të takoheshin, Jakobi dërgoi një dhuratë të madhe me dhi, deve, lopë, dele dhe gomarë si një ofertë paqeje. Më pas u përkul shtatë herë ndërsa i afrohej të vëllait. Esau reagoi në një mënyrë që Jakobi nuk e priste. Esau qau, e përqafoi të vëllanë dhe i tha se nuk ishin të nevojshme ofertat për paqe.

Jakobi u prek nga dashuria e Esaut dhe u përgjigj:

“Jo, të lutem; në qoftë se kam gjetur hir në sytë e tu, prano dhuratën time nga dora ime, sepse kur pashë fytyrën tënde, për mua ishte njëlloj sikur të shikoja fytyrën e Perëndisë, dhe ti më ke pritur mirë.

Pranoje, pra, dhuratën që të është sjellë, sepse Perëndia është treguar shumë i mirë me mua dhe unë kam gjithçka. Dhe nguli këmbë aq shumë, sa që Esau pranoi” (Zanafilla 33:10–11).

Tri Elemente të Nevojshme për të Jetuar në Paqe

Këtu Jakobi mishëroi një model dashurie që kam zbuluar se është mënyra më e efektshme për të ftuar pajtimin me ata ndaj të cilëve kemi bërë padrejtësi ose që na kanë bërë padrejtësi.

Vargu te Psalmeve 85:10 përshkruan kushtet e pajtimit: “Mirësia dhe e vërteta u takuan; drejtësia dhe paqja janë puthur njëra me tjetrën”. Vepra e paqebërjes nga ana e Jakobit dhe Esaut, i përmbush kushtet që gjenden te libri i Psalmeve.

Jakobit dhe Esaut iu desh kurajë që ta pranonin të vërtetën se nuk ishin armiq – ata ishin vëllezër. Iu desh mëshirë për ta falur njëri-tjetrin. Iu desh drejtësi – lloji i drejtësisë që korrigjon atë që ne ose të tjerët kemi bërë padrejtësisht – që Jakobi t’i ofronte Esaut një pjesë të asaj me të cilën ishte bekuar. Kur që të trija këto elemente ishin të pranishme, kjo i lejoi ata të jetonin në paqe.

Ne mund të ndjekim të njëjtin model në jetën tonë.

Kur ngecim në konfliktin shkatërrues, frika jonë nga konflikti dhe frika jonë nga të tjerët mund të na paralizojnë ose të na bëjnë të veprojmë në mënyra që i përkeqësojnë gjërat, nuk i përmirësojnë. Ne shpesh arsyetojmë se çdo gjë që mund të bëjmë për ta kthyer mbrapsht ciklin e shkatërrimit, nuk do të funksionojë. Ne bëhemi cinikë ndaj faktit se të tjerët mund të ndryshojnë.

Megjithatë, shembulli i Jakobit gjithashtu na ofron një rrugëdalje nga ai lloj konflikti. Jakobi u përball me frikën nga vëllai i tij dhe frikën nga konflikti me të. Në atë çast ai ishte më i shqetësuar për “ruajtjen e marrëdhënies së tyre” sesa “ruajtjen e interesit të vet”, ndaj ai u kthye nga i vëllai, duke i ofruar atij të vërtetën edhe drejtësi për çdo padrejtësi që kishte bërë. Zemra e Esaut, që dikur ishte e vendosur për ta vrarë Jakobin, u zbut; si rrjedhim, u tregua mëshirë dhe paqe. Jakobi gjeti një mënyrë për ta dashur armikun e tij dhe, duke e bërë këtë, pa “fytyrën e Perëndisë” duke e vështruar sërish ngultas.

Pavarësisht nga ankthi që mund të ndiejmë kur i qasemi konfliktit në këtë mënyrë, ajo është shumë më e efektshme në shndërrimin e një konflikti të tillë sesa çdo gjë tjetër. Dashuria si e Krishtit krijon hapësirë që ne t’i shohim vërtet njerëzit që po hasin vështirësi, në një mënyrë që na ndryshon rrënjësisht ne dhe ata.

Jozefi dhe Vëllezërit e Tij

Pamja
Jozefi i Egjiptit duke u pajtuar me vëllezërit e tij

Joseph of Egypt [Jozefi i Egjiptit], nga Michael T. Malm

Një brez pas Jakobit, ne shohim një shembull tjetër të fuqishëm të dashurisë nga biri më i vogël i Jakobit, Jozefi.

Jozefin e shitën si skllav vëllezërit e tij ziliqarë kur ishte i ri në moshë. Ashtu si Esau, vëllezërit e Jozefit mendonin se babai i tyre kishte fëmijë të parapëlqyer dhe se Jozefi ishte më i favorizuari. Jozefi vuajti shumë për shkak të keqdashjes së vëllezërve të vet ndaj tij. Ai u nda nga familja e tij për vite të tëra, përfundoi si shërbëtor dhe e burgosën për njëfarë kohe. Përfundimisht, Zoti e ndihmoi atë ta kapërcente këtë fatkeqësi dhe u bë një sundues i fuqishëm në Egjipt. (Shih Zanafilla 37–45.)

Vëllezërit e tij vuajtën gjithashtu dhe, gjatë një kohe zie buke, erdhën në Egjipt, të uritur dhe të munduar. Kur u takuan me Jozefin, nuk e njohën dhe iu përgjëruan për ndihmë.

Jozefi kishte çdo të drejtë për t’i futur në burg vëllezërit e tij me qëllim që të vendoste drejtësi mbi ta. Kjo ishte ajo që ata meritonin. Në vend të kësaj, ai zgjodhi të ushtronte hir – t’i falte ata, t’i donte ata.

“Afrohuni, pra, tek unë”, – iu tha atyre. “Ata iu afruan dhe ai u tha: ‘Unë jam Jozefi, vëllai juaj, që ju e shitët që ta çonin në Egjipt.

Por tani mos u trishtoni dhe mos t’ju vijë keq që më shitët me qëllim që të çohesha këtu poshtë, sepse Perëndia më ka dërguar para jush për të ruajtur jetën tuaj’” (Zanafilla 45:4–5).

Jozefi jo vetëm që i fali vëllezërit e tij, por gjithashtu pa një qëllim frytdhënës në konfliktin e tyre. Ai e kuptoi që dora e Perëndisë ishte në gjithçka dhe se pavarësisht nga vuajtja që duruan të gjithë, [ai tha]: “Perëndia më ka dërguar para jush, me qëllim që të ruhet diçka mbi tokë dhe për t’ju shpëtuar jetën me një çlirim të madh” (Zanafilla 45:7).

Pamja
duar me litar të lirshëm

Edhe një herë, një model i ngjashëm mund të ndikojë në jetën tonë kur e pranojmë se dhembja nga konflikti faktikisht mund të na çojë në rezultate që do t’i forcojnë familjet dhe komunitetet tona nëse punojmë së bashku për të gjetur zgjidhje.

Të gjithë do të ndeshemi me konflikte. Kjo do të na lëndojë. Ndonjëherë pa masë. Kam gjithmonë druajtje për dhembjen që ndiejnë të tjerët kur futen në konflikte, veçanërisht me njerëzit e tyre të dashur. Megjithatë, ajo dhembje dhe frikë nuk ka përse të jetë fundi i historisë.

Ne mund të zgjedhim që t’i shohim ndryshe konfliktin dhe njerëzit me të cilët jemi në konflikt, ashtu siç bëri Jozefi. Ne mund të zgjedhim që ta lëmë pas zemërimin, mërinë e fajësimin dhe t’i përqafojmë armiqtë tanë.

Ne mund të zgjedhim dashurinë mbi frikën dhe të zbulojmë – siç bënë Jakobi, Esau, Jozefi dhe vëllezërit e tij – se armiqtë tanë janë vëllezërit dhe motrat tona. Nëpërmjet përpjekjes për t’u pajtuar me ta, edhe ne mund ta shohim fytyrën e Perëndisë.