2021
Të Bëhemi Kujdestarë më të Mirë të Tokës që Perëndia Krijoi për Ne
Mars 2021


Të Rinjtë e të Rejat në Moshë Madhore

Të Bëhemi Kujdestarë më të Mirë të Tokës që Perëndia Krijoi për Ne

Nga një fjalim i dhënë në simpoziumin vjetor të 18‑të të Qendrës Stegner në Universitetin e Jutës në Solt‑Lejk‑Siti, më 12 prill 2013.

Sa më mirë të kujdesemi për këtë botë dhe gjithçka në të, aq më mirë do t’i mbështetë, frymëzojë, forcojë, gjallërojë dhe gëzojë ajo zemrat dhe shpirtrat tanë.

Pamja
a man standing at the bottom of a Sequoia tree

Ajo që pëlqej është të jem në natyrë, ose të ngjis malin, të bëj ski, të lundroj në det me kajak, të ngas biçikletën ose edhe të shkoj të shoh kafshët në mjedisin e tyre. Kur isha fëmijë, më pëlqente shumë të shkoja në pyje dhe të ndieja dëshminë e qetë dhe shprehëse që pemët e larta gjithmonë të gjelbëruara jepnin për Krijuesin. Tani që jam në moshë madhore, kam mësuar nëpërmjet studimit dhe besimit se nëse e kuptojmë se cilët jemi, qëllimin e jetës dhe arsyen përse u krijua toka – dhe i mbajmë këto gjëra në mendje – ne do ta trajtojmë këtë tokë dhe gjithçka në të, në një mënyrë më të lartë dhe fisnike.

Qëllimi i Perëndisë në Krijimin e Tokës

Zoti, nëpërmjet profetëve të Tij, si të lashtë edhe bashkëkohorë, është përpjekur të na ndihmojë ta kuptojmë dhe vlerësojmë dhuratën e të jetuarit në këtë tokë të bukur. Në Dhiatën e Vjetër, Davidi mori parasysh krijimet madhështore të Perëndisë dhe pyeste me zë të lartë se përse – midis mrekullive të tilla – Perëndia e mban mend njeriun (shih Psalmeve 8:4). Davidi arriti në përfundimin se njerëzimi është i veçantë, “pak më [i] ulët se Perëndia” (Psalmeve 8:5).

Moisiu gjithashtu pa në vegim botë që nuk numëroheshin1 dhe shpalli: “Tani, për këtë shkak, unë e di se njeriu është një hiç, gjë të cilën kurrë nuk e kisha menduar më parë” (Moisiu 1:10).

Moisiu me përulësinë përpara madhështisë së krijimeve të Perëndisë, nuk arriti të kuptonte një të vërtetë të madhe. Kështu që Zoti i tregoi atij sërish krijimet e Tij të pafundme dhe në mënyrë të theksuar shpalli se Ai – Perëndia – i bëri këto krijime që “të bëj[ë] të ndodhë pavdekësia dhe jeta e përjetshme e njeriut” (Moisiu 1:39). Kjo tokë – në të vërtetë i gjithë krijimi – u projektua që të na ndihmojë të fitojmë pavdekësinë dhe jetën e përjetshme.

Duke folur edhe një herë për qëllimin e tokës, Zoti tha: “Ne do të bëjmë një tokë në të cilën këta [duke e pasur fjalën për ne] të mund të banojnë; dhe ne do t’i provojmë me këtë, për të parë nëse ata do t’i bëjnë të gjitha gjërat që Zoti, Perëndia i tyre, do t’i urdhërojë” (Abraham 3:24–25; shih edhe vargun 26). Jeta në këtë tokë, e shoqëruar me dhuratën e lirisë morale të zgjedhjes, na siguron mundësinë që të zgjedhim për të kërkuar dhe një ditë për të marrë gjithçka që Perëndia ofron.2

Kur krijimi i tokës përfundoi, Perëndia ishte i kënaqur sepse Ai pa se ajo do t’i shërbente qëllimit të Tij për ne, fëmijët e Tij.3 Bijtë dhe bijat e Perëndisë dhe familjet që ata krijojnë, nuk janë thjesht furacakë në këtë tokë; përkundrazi, ata janë në qendër të qëllimit të saj.4

Ne Duhet të Jemi Kujdestarë të Mirë

Jeta në këtë tokë është një bekim edhe një përgjegjësi. Zoti shpalli: “Vini re, bishat e fushës dhe shpendët e ajrit, dhe ajo që vjen nga toka, shugurohen për përdorimin e njeriut për ushqim e për veshje dhe që ai të mund të ketë me bollëk” (Doktrina e Besëlidhje 49:19). Megjithatë, për shkak se toka dhe gjithçka në të janë “puna e duarve të [Tij]” (Doktrina e Besëlidhje 29:25), gjithçka i përket Atij.5 Si banorë të përkohshëm të kësaj toke, ne jemi kujdestarë – jo pronarë. Si të tillë, ne jemi përgjegjës përpara Perëndisë – pronarit – për atë që bëjmë me krijimin e Tij: “Sepse është e nevojshme që unë, Zoti, duhet ta bëj këdo të përgjegjshëm, si kujdestar mbi bekime tokësore, të cilat i kam bërë dhe i kam përgatitur për krijesat e mia” (Doktrina e Besëlidhje 104:13).

Pamja
meadow grass and flowers in girl’s hand

Mënyra se si kujdesemi për tokën, se si e përdorim dhe e ndajmë bujarinë e saj dhe se si e trajtojmë gjithçka që është siguruar për ne, është pjesë e provës sonë në vdekshmëri. Ne duhet ta përdorim me mirënjohje atë që Zoti ka siguruar, ta shmangim shpërdorimin e jetës dhe të burimeve dhe ta përdorimin bujarinë e tokës për t’u kujdesur për të varfrit.6 Zoti kujdeset thellësisht për të gjithë jetën dhe veçanërisht për fëmijët e Tij dhe do të na mbajë përgjegjës për atë që zgjedhim të bëjmë (ose të mos bëjmë) me bujarinë e krijimit të Tij.

Zoti na premton se nëse e ndjekim Atë dhe me mençuri i përdorim burimet e tokës me mirënjohje dhe respekt, “plotësia e tokës do të jetë [e jona], bishat e fushës dhe shpendët e ajrit. … Dhe Perëndia gëzohet që ia ka dhënë gjithë këto gjëra njeriut; sepse për këtë qëllim u bënë ato të përdoreshin, me gjykim, pa e tepruar, pa detyruar” (Doktrina e Besëlidhje 59:16, 20).

Ne duhet t’i përdorim këto burime me gjykim dhe mirënjohje, me qëllim që t’i ndihmojmë të tjerët – brezat e tanishëm, të kaluar dhe të ardhshëm – të marrin bekimet që Ati ynë Qiellor dëshiron për fëmijët e Tij.

Të Shohim përtej Vetvetes

Për fat të keq, sot jetojmë në një botë ku individët mund të zgjedhin ta refuzojnë Perëndinë dhe ta trajtojnë krijimin e Tij me përbuzje. Kur kjo ndodh, Perëndia dhe krijimi vuajnë nga dhembja.

Enoku shënon se Perëndia vajtoi për shkak të zgjedhjeve të gabuara dhe egoizmit mbytës të fëmijëve të Tij.7 Moroni profetizoi se në ditët e mëvonshme, do të ketë “zjarre dhe … stuhi dhe … avuj tymi … [dhe] mbi faqe të dheut … fëlliqësi të mëdha” dhe se gjendje të tilla do të shoqëroheshin me “të gjitha llojet e neverive; kur do të ketë shumë që do të thonë: Bëj këtë ose bëj atë dhe nuk ka rëndësi” (Mormoni 8:29, 31). Kur njeriu e ndot këtë botë shpirtërisht ose materialisht, nuk vuan vetëm Perëndia por edhe natyra!8

Më e rëndësishmja, bekimet dhe fuqia e vënë në dispozicion nëpërmjet Kishës dhe ungjillit të rivendosur të Zotit, kanë aftësinë për ta shtrirë dhe ndryshuar shpirtin njerëzor përtej vetvetes, për të frymëzuar dashuri për Perëndinë dhe krijimet e Tij, dhe për të na ndihmuar të mendojmë për mirëqenien e të tjerëve dhe për të marrë parasysh nevojat e brezave të ardhshëm.

Natyra na Sjell më Afër Perëndisë

Toka dhe e gjithë jeta janë më shumë sesa gjëra që duhen konsumuar dhe/ose konservuar; disa pjesë dhe racione të saj edhe duhen ruajtur! Natyra e pacenuar dhe “gjithë gjërat që vijnë nga toka … bëhen për të mirën … e njeriut … për të kënaqur syrin, edhe për të gëzuar zemrën … dhe për të gjallëruar shpirtin” (Doktrina e Besëlidhje 59:18–19).

Natyra në gjendjen e saj të pacenuar na sjell më afër Perëndisë, na qartëson mendjen e zemrën nga zhurma dhe shpërqendrimet e materializmit, na ngre në një sferë më të lartë dhe më të ekzaltuar dhe na ndihmon ta njohim më mirë Perëndinë tonë: “Toka rrotullohet me krahët e saj dhe dielli e jep dritën e tij ditën, dhe hëna jep dritën e saj natën, dhe yjet gjithashtu japin dritën e tyre. … Kushdo që ka parë ndonjërën ose më të voglën e këtyre, ka parë Perëndinë duke lëvizur në madhështinë dhe fuqinë e tij” (Doktrina e Besëlidhje 88:45, 47).

Ende më pëlqen shumë të ngjitem në lartësi nëpër male mes shkëmbinjve dhe majave madhështore prej graniti. Ndonëse të heshtur, ata na flasin për fuqinë dhe madhështinë e Perëndisë – dhe gjeninë e Tij të pashoqe për bukurinë. Ashtu siç dëshmoi Alma: “Të gjitha gjërat tregojnë se ka një Perëndi; po, madje edhe toka e të gjitha gjërat që gjenden mbi faqe të saj … dëshmojnë se ka një Krijues Suprem” (Alma 30:44).

Më pëlqen shumë të vështroj yjet natën, duke u përpjekur ta rrok me mendje përjetësinë e kohës dhe hapësirës që më sheh syri. Përherë mrekullohem nga njohuria që vjen në ato çaste të qeta se, pavarësisht pafundësisë së kozmosit, Zoti i universit më njeh mua vocërrakun. Dhe Ai e njeh secilin prej nesh. Krijimi dëshmon për Krijuesin dhe nëse i ruajmë këto vende të veçanta, të pacenuara, ato do të dëshmojnë në mënyrë elokuente dhe të thellë për Perëndinë tonë dhe do të na frymëzojnë më tej.

Sa më mirë të kujdesemi për këtë botë dhe gjithçka në të, aq më mirë do t’i mbështetë, frymëzojë, forcojë, gjallërojë dhe gëzojë ajo zemrat dhe shpirtrat tanë – dhe do të na përgatitë që të banojmë me Atin tonë Qiellor me familjet tona në një sferë çelestiale, që do të jetë pikërisht toka në të cilën qëndrojmë sot, por në një gjendje të lavdishme.9

U kujdesshim me mirënjohje për këtë tokë – shtëpinë tonë aktuale dhe të mundshme në të ardhmen!