2017
Qëndroni të Palëkundur
Tetor 2017


Qëndroni të Palëkundur

Autorja jeton në Juta, SHBA.

Miqtë sjellin një ndryshim të madh në atë se sa e lehtë – ose e vështirë – është t’i jetosh standardet tona.

Pamja
surrounded by a circle of friends

Unë u rrita me miq që ishin anëtarë të Kishës, dhe gëzohesha që do të pagëzohesha dhe do të bëhesha anëtare edhe vetë. Kur u zhvendosa në anën tjetër të vendit për kolegjin, fillova të merrja mësime nga misionarët. Fatkeqësisht, trysnia nga bashkëmoshatarët e mi të rinj e bëri të vështirë të ndiqja standardet e ungjillit. Shokët e mi të vitit të parë kalonin shumë kohë në argëtime duke pirë alkool. Unë nuk kisha provuar kurrë më parë alkool, por miqtë e mi të rinj ushtronin vazhdimisht trysni që të pija.

Unë e dija se ungjilli ishte i vërtetë, por ishte vështirë t’i rezistoje tundimit nga bashkëmoshatarët e mi.

Unë fillova t’i lutem Atit Qiellor për forcë që të merrja vendimin e drejtë. Unë nuk i pata ulur ende standardet, por kisha frikë se nuk do ta kisha forcën ta kundërshtoja alkoolin herën tjetër që do të ofrohej. Kisha mall për miqtë e mi që kishin të njëjtat vlera.

Një natë të shtune shkova në një mbrëmje me njerëzit e fjetores sime. Menjëherë të gjithë miqtë e mi po pinin dhe po më nxitnin të provoja shijimin tim të parë të alkoolit.

Isha e tunduar. Mora gotën e birrës që më dhanë. E afrova drejt gojës sime, në siklet por e kënaqur që kisha vëmendjen e miqve të mi. Atëherë Niku, një djalë që shquhej në pije, erdhi te rrethi ynë.

“Ti nuk e pive, apo jo?” pyeti ai.

“Ende jo”, u përgjigja.

“Nëse do ta pish”, tha Niku, “ti do të pendohesh për të çdo ditë të jetës tënde.”

U trondita. E dija se kishte të drejtë. Unë nuk doja të pija. Unë doja t’i bashkohesha Kishës. Unë e ktheva mbrapsht gotën dhe u largova nga argëtimi, mirënjohëse që nuk pata marrë një vendim të keq.

Mëngjesin tjetër unë shkova në kishë, gjeta misionarët dhe vendosa një datë për pagëzimin tim. Qysh nga ajo ditë unë qëndrova larg festave me alkool. Unë zura miq të rinj në kishë që kishin vlerat dhe standardet e mia. Unë mbeta mike përsëri me njerëzit në fjetoren time, por i bëra të qarta standardet e mia. Kur ata mësuan sa të rëndësishme ishin vlerat e mia për mua, ata i respektonin ato dhe e ndalën trysninë ndaj meje. Ata e vërenin dhe e respektonin këtë kur unë lija dhomën ndërsa ata shihnin filma të papërshtatshëm apo dëgjonin muzikë të papërshtatshme.

Dëshmia ime u forcua nga kjo përvojë dhe unë do të përpiqem që të mos i ul kurrë standardet e mia për shkak të trysnisë së bashkëmoshatarëve. Unë gjithashtu e di se mënyra më e mirë për të përballuar vendimet e vështira është të njohësh standardet e tua dhe të mbahesh fort tek ato qysh nga fillimi.

Unë e di se Ati Qiellor iu përgjigj lutjeve të mia për fuqi që t’i rezistoj tundimit. Unë jam mirënjohëse që Fryma e Shenjtë më nxiti të marr vendimin e drejtë. Unë e di se standardet e Kishës janë për të na mbrojtur dhe unë jam mirënjohëse që zgjedhja për t’i ndjekur ato, më ndihmoi të zgjedh t’i bashkohem Kishës.