2017
Qëllimi i Shoqatës së Ndihmës
janar 2017


Mesazhi i Vizitave Mësimore, Janar 2017

Qëllimi i Shoqatës së Ndihmës

Studiojeni këtë material me lutje dhe kërkoni frymëzim për të ditur se çfarë të thoni.

Besim, Familje, Ndihmë

Qëllimi i Shoqatës së Ndihmës është t’i “përgatitë gratë për bekimet e jetës së përjetshme”, thotë Linda K. Barton, Presidente e Përgjithshme e Shoqatës së Ndihmës.1 Pikërisht nëpërmjet besimit, familjes dhe ndihmës ne përfshihemi në “pjesën [tonë] jetësore në vepër”2.

Shoqata e Ndihmës “është një punë tokësore dhe shpirtërore”, thotë Karol M. Stivens, Këshilltare e Parë në Presidencën e Përgjithshme të Shoqatës së Ndihmës. “Kjo punë është ajo që gratë bënë në kohën e Shpëtimtarit, dhe është ajo që ne vazhdojmë të bëjmë.”3

Teksa e hedhim vështrimin te gruaja samaritane te pusi, e cila e la kovën e saj dhe vrapoi t’u thoshte të tjerëve se Jezusi ishte profet (shih Gjoni 4:6–42), ose te Feba, e cila u shërbeu me gëzim të tjerëve gjatë gjithë jetës së saj (shih Romakëve 16:1–2), ne shohim shembuj të grave në kohën e Shpëtimtarit, të cilat morën pjesë aktive në ardhjen te Krishti. Është Ai që e hap udhën tonë drejt jetës së përjetshme (shih Gjoni 3:16).

Teksa e hedhim vështrimin te motrat tona pioniere në Nauvu në Ilinois, të cilat u mblodhën në shtëpinë e Sara Kimballit në vitin 1842 për të formuar vetë organizatën e tyre, ne shohim planin e Perëndisë për ta krijuar Shoqatën e Ndihmës dhe për ta vënë në përputhje me parimet e priftërisë. Pasi Eliza R. Snou shkroi një kushtetutë, Profeti Jozef Smith e shqyrtoi atë. Ai e kuptoi se Kisha nuk ishte e organizuar plotësisht derisa gratë të ishin organizuar. Ai tha se Zoti e pranoi ofertën e tyre, por se kishte diçka më të mirë. “Unë do t’i organizoj gratë nën priftërinë, sipas modelit të priftërisë”, tha ai.4

“Shoqata e Ndihmës nuk ishte thjesht një tjetër grup grash që po përpiqeshin të bënin mirë në botë. Ishte e ndryshme. Ishte ‘diçka më [e] mirë’ sepse u organizua nën autoritetin e priftërisë. Organizimi i saj ishte një hap i domosdoshëm në shpalosjen e veprës së Perëndisë në tokë.”5

Shkrime të Shenjta dhe Informacion i Mëtejshëm

Doktrina e Besëlidhje 25:2–3, 10; 88:73; reliefsociety.lds.org

Shënime

  1. Linda K. Burton, në Sarah Jane Weaver, “Relief Society Celebrates Birthday and More March 17”, Church News, 13 mars 2015, news.lds.org.

  2. Linda K. Burton, në Weaver, “Relief Society Celebrates Birthday”.

  3. Carole M. Stephens, në Weaver, “Relief Society Celebrates Birthday”.

  4. Joseph Smith, në Daughters in My Kingdom: The History and Work of Relief Society (2011), f. 11–12.

  5. Daughters in My Kingdom, f. 16.

Merreni Parasysh Këtë

Në ç’mënyrë Shoqata e Ndihmës i ndihmon gratë ta përmbushin rolin hyjnor të Atit Qiellor për to dhe i udhëheq drejt jetës së përjetshme?