2016
Mbrojtja e Lirisë Fetare
Nëntor  2016


Mbrojtja e Lirisë Fetare

Shenjtorët e ditëve të mëvonshme duhet të përfshihen “në një mënyrë dobiprurëse në betejën jetike për liri fetare”, tha Plaku Dallin H. Ouks, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, në një konferencë mbi lirinë fetare në Teksas të SHBA-së, në shtator të vitit 2016. “Gjithsecili, me plot kuptimin e fjalës, nga fëmijët e kopshtit deri te radhët e profesionistëve dhe nënave, etërve, miqve dhe fqinjëve, mund dhe duhet ta kuptojë se çfarë është liria fetare dhe arsyen pse është e rëndësishme.”

Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, foli gjithashtu në mbrojtje të lirisë fetare në një shërbesë patriotike në Jutë të SHBA-së në qershor. “Kohët e fundit”, tha ai, “është bërë e modës të jepet argumenti se liria e fesë është në të vërtetë vetëm e drejta për të adhuruar dhe jo e drejta për ta ushtruar lirisht besimin tuaj në jetën tuaj të përditshme.” Ai i nxiti njerëzit besimtarë që të ngrihen për lirinë fetare duke u vënë në dijeni, duke folur hapur dhe duke u përfshirë në organizime dhe ngjarje kulturore, qytetare e politike.

Udhëheqësit e Kishës e kanë trajtuar në mënyrë të përsëritur temën e lirisë fetare, duke mbajtur fjalime dhe duke marrë pjesë në konferenca në Australi, Brazil, Meksikë e në Mbretërinë e Bashkuar dhe në vendndodhje të ndryshme në SHBA. Gjejini bisedat e tyre dhe mësoni rreth lirisë fetare dhe asaj që mund të bëni për ta mbrojtur atë duke vizituar religiousfreedom.lds.org. Një pjesë e përmbajtjes atje është posaçërisht për Shtetet e Bashkuara, por parimet mund të përshtaten për vende të tjera.