2016
Lumturi për Ata që Duam
janar 2016


Mesazhi i Presidencës së Parë, Janar 2016

Lumturi për Ata që Duam

Të gjithë ne dëshirojmë lumturi për ata që duam, dhe dëshirojmë sa më pak dhembje që të jetë e mundur për ta. Kur i lexojmë tregimet e lumturisë – dhe të dhembjes – në Librin e Mormonit, zemrat tona tronditen teksa mendojmë për njerëzit tanë të dashur. Ja ku është një tregim i vërtetë për një kohë lumturie:

“Dhe ndodhi që nuk pati grindje në tokë, për shkak të dashurisë së Perëndisë që jetonte në zemrat e njerëzve.

Dhe nuk pati zili, as luftime, as trazira, as lavirësi, as gënjeshtra, as vrasje, as ndonjë lloj ndyrësie; dhe me siguri nuk mund të kishte një popull më të lumtur mes gjithë njerëzve të krijuar nga dora e Perëndisë.”

Pastaj lexojmë:

“Dhe sa të bekuar ishin ata! Pasi Zoti i bekoi në të gjitha veprimet e tyre; po, madje, ata qenë të bekuar dhe përparuan derisa kaluan njëqind e dhjetë vjet; dhe brezi i parë pas Krishtit kishte vdekur dhe nuk kishte grindje në gjithë vendin” (4 Nefi 1:15–16, 18).

Dishepujt e dashur të Krishtit luten dhe punojnë për një bekim të tillë për të tjerët dhe për vetveten. Nga tregimet në Librin e Mormonit dhe, për shumë prej nesh, nga vetë përvoja jonë, ne e dimë se dhurata e lumturisë është e arritshme. Ne e dimë se shtegu drejt lumturisë është i shenjuar qartë. Ne e dimë edhe se ruajtja e lumturisë nuk është e lehtë, përveç nëse, ashtu si te nefitët pas vizitës së Shpëtimtarit, “dashuri[a e] Perëndisë” jeton në zemrat tona.

Ajo dashuri ishte në zemrat e nefitëve sepse ata e mbajtën ligjin që e bënte atë të mundur. Një përmbledhje e atij ligji gjendet në lutjet e sakramentit, e cila fillon me një përgjërim të ndier ndaj Atit tonë të dashur Qiellor. Ne lutemi me një zemër të mbushur me besim në Të dhe me një dashuri të thellë për Shpëtimtarin tonë vetjak. Ne zotohemi me qëllim të vërtetë që ta marrim mbi vete emrin e Tij, ta kujtojmë Atë dhe t’u bindemi të gjitha urdhërimeve të Tij. Së fundi, ne ushtrojmë besim se Fryma e Shenjtë, anëtari i tretë i Kreut-Perëndi, të mund të jetë gjithnjë me ne, duke u dëshmuar zemrave tona për Atin dhe Birin e Tij të Dashur. (Shih DeB 20:77, 79.)

Me shoqërimin e Frymës së Shenjtë, zemrat tona mund të ndryshojnë në mënyrë të tillë që ne e dëshirojmë dhe e mirëpresim dashurinë e Atit tonë Qiellor dhe të Zotit Jezu Krisht. Mënyra për ta futur dashurinë për Perëndinë në zemrat tona është e thjeshtë, ashtu sikurse është ta humbasësh ndjenjën e asaj dashurie në zemrat tona. Për shembull, dikush mund të zgjedhë t’i lutet më rrallë Atit Qiellor ose të mos paguajë një të dhjetë të plotë apo të ndalojë së ushqyeri me bollëk me fjalën e Perëndisë ose t’i shpërfillë të varfrit e nevojtarët.

Çdo zgjedhje për të mos i mbajtur urdhërimet e Zotit mund të shkaktojë që Shpirti të tërhiqet jashtë nga zemrat tona. Me atë humbje, lumturia pakësohet.

Lumturia që dëshirojmë për njerëzit tanë të dashur, varet nga zgjedhjet e tyre. Sado ta duam një fëmijë, një kërkues apo sado t’i duam miqtë tanë, ne nuk mund t’i detyrojmë ata t’i mbajnë urdhërimet në mënyrë që ata të kualifikohen që Fryma e Shenjtë t’ua prekë e ndryshojë zemrat.

Ndaj, ndihma më e mirë që mund të japim, është çfarëdo që i shtyn ata që duam, që të kenë kujdes për vetë zgjedhjet e tyre. Alma e bëri atë me një ftesë që ju mund ta ofroni:

“Të përuleni para Zotit dhe të thërrisni në emrin e tij të shenjtë dhe të jeni vigjilentë, dhe të luteni vazhdimisht, që ju të mos tundoheni mbi atë që mund të duroni dhe kështu të udhëhiqeni nga Shpirti i Shenjtë, të bëheni të përulur, të bindur, të nënshtruar, të durueshëm, plot dashuri dhe keqardhje;

Të keni besim në Zotin, duke patur shpresë se do të fitoni jetë të përjetshme; duke patur gjithnjë në zemrat tuaja dashurinë e Perëndisë, që të ngriheni në ditën e fundit dhe të hyni në prehjen e tij” (Alma 13:28–29).

Unë lutem që ata që ju doni, të mund ta pranojnë një ftesë të frymëzuar për të zgjedhur shtegun drejt lumturisë së përhershme.

Mësimdhënia nga ky Mesazh

Presidenti Ajring na mëson se lumturia që ndiejmë në jetë, varet nga vendimet që marrim. Ndërsa e diskutoni këtë mesazh, merreni parasysh të përqendroheni te gjërat që Presidenti Ajring përmend që ne mund të zgjedhim të bëjmë (të tilla si të lutemi, të punojmë, të ushtrojmë besim dhe të zotohemi me qëllim të vërtetë) që na çojnë drejt atij shtegu të lumturisë. Mund t’i ftoni ata të cilëve u jepni mësim, që të hedhin në letër dy ose tri veprime të cilat do të dëshironin të ndërmerrnin, që mund t’i drejtojnë më mirë për në “shtegu[n] drejt lumturisë së përjetshme”.