Shërbimi në Kishë
Faleminderit, Vëllai Xhej
Autorja jeton në Nevada, SHBA.
Sa mirënjohëse jam për shpirtin, zotimin, përgatitjen dhe dashurinë e shërbëtorëve të zellshëm e të panumërt në mbarë Kishën.
“Nesër është e diel”, i thashë bijës sime pesëvjeçare teksa strukej në prehrin tim. Fytyra iu çel nga një buzëqeshje.
“O, sa mirë”, tha ajo. “Atëherë do të mund të takoj Vëllanë Xhej.”
Mirënjohja e mbushi zemrën time. Sa mirënjohëse u ndjeva për një mësues të dashur, përkujdesës të Fillores i cili na e kishte lehtësuar kalimin tonë te një lagje e re pas një shpërnguljeje. Largimi nga shtëpia jonë në Miduest të SHBA-së dhe rivendosja 2.173 km larg kishte qenë tronditëse për të gjithë familjen, por veçanërisht për parashkolloren tonë, Sizënin. E ndrojtur nga natyra, ajo u druhej situatave të reja dhe ishte e shqetësuar për pjesëmarrjen në kishë javën tonë të parë në një lagje të re.
Vëllai Xhej, një burrë i dhembshur e i përkushtuar, ndërthuri pikërisht masën e duhur të humorit dhe ngrohtësisë për të fituar mirëbesimin e Sizënit. Në atë të diel të parë, ai u përkul, e kapi për dore, e pa në sy dhe i tha: “Eja, e dashur. Do të zbavitesh në klasën tonë”.
Teksa javët kalonin, Sizëni e priste të dielën me më shumë padurim se çdo ditë tjetër të javës. Sapo mbërrinim në kishë, ajo hetonte bashkësinë për të gjetur mësuesin e saj. Ai i buzëqeshte duke e përshëndetur.
Gjatë gjithë viteve Vëllai Xhej e kujtonte çdo nxënës me dhurata të vogla për festa e ditëlindje. Kur po afrohej ditëlindja e Sizënit, i ftuari më i rëndësishëm që dëshironte të ftonte ajo në festën e saj, ishte Vëllai Xhej.
A mund të kishte ai ndonjë ide se sa ndikues ishte bërë në jetën e vogëlushes sonë? A do t’i shkonte ndonjëherë mendja atij se sa shumë fjalët dhe veprimet e veta do të futeshin në brendësi të grupit të tij të nxënësve pesëvjeçarë të Fillores? A mund ta dinte ai se sa domethënie kishte për mua si nënë, që ta kisha atë si pjesë të jetës së bijës sime?
Më vonë, Sizëni kaloi në klasën e Vëllait Eduard dhe përvoja e saj e mrekullueshme në Fillore vazhdoi. Sa mirënjohëse jam për të gjithë burrat dhe gratë e ndërgjegjshme, të mirëpërgatitura e të përulura që patën një ndikim shpirtëror pozitiv në jetën e Sizënit.
E gjithë familja jonë është bekuar nga individë të përkushtuar që na kanë shërbyer në shtegun tonë të përparimit shpirtëror. Më kujtohet një mjeshtër skautistësh, një këshillues i duruar i kuorumit të priftërinjve, një mësues i duruar i seminarit, një presidencë e jashtëzakonshme e Të Rejave dhe një peshkop përkujdesës.
Megjithëse familja jonë ka qenë aq e bekuar, e di se nuk jemi të vetmit. “Vëlla Xhej” mund të jenë shumë njerëz, sepse ka shumë vëllezër e motra të përkushtuara, shërbimi i të cilëve ka prekur jetën e familjeve si e jona. Sa mirënjohëse jam për shpirtin, zotimin, përgatitjen dhe dashurinë e tyre.
Faleminderit shërbëtorëve të panumërt e të zellshëm në mbarë Kishën, që i kanë ardhur në ndihmë familjes sonë.