2009
Pagëzimi i Gjyshes
Tetor 2009


Pagëzimi i Gjyshes

Marilena Kretli Pretel Busto, San Paolo, Brazil

Më 30 qershor 2001, unë po bëja tortën e ditëlindjes për vajzën time kur ra telefoni. Ishte motra ime në Brazil, që më informonte se gjyshja jonë kishte ndërruar jetë.

Lajmi ishte dëshpërues, por unë nuk u mërzita. Në fund të fundit gjyshja ime e dashur kishte jetuar për afro 102 vite. Unë isha e lumtur që ajo ishte e lirë nga trupi i saj i plakur i vdekshëm dhe kishte shkuar në botën shpirtërore.

Pastaj fillova të mendoj mbi përputhjen e vdekjes së saj me ditëlindjen e vajzës sime dhe mendoja nëse kishte ndonjë domethënie në këtë përputhje kohe. Ndërsa ditët kalonin, unë zbulova se çfarë ishte ajo: do të ishte e lehtë për mua të kujtohesha për t’u pagëzuar për gjyshen time një vit pas ndarjes së saj nga jeta. Unë e mora përsipër këtë përgjegjësi, duke ditur që duhet të prisja pikërisht deri në ditëlindjen tjetër të vajzës sime.

Viti kaloi shpejt. Unë nuk pata rastin të shkoja në tempull në përvjetorin e saktë të vdekjes së gjyshes sime, megjithatë, sepse jetoja në Portugali dhe shkoja në Tempullin e Madridit në Spanjë. Por vështirë të ketë patur ndonjë ditë që të mos mendoja mbi përgjegjësinë për t’u pagëzuar për gjyshen Jozefina.

Ne nuk mundëm të shkonim në tempull para tetorit të 2002. Bashkëshorti dhe unë shoqëruam djalin tonë, Mateun, që do të merrte dhurimin në përgatitje për misionin që do të bënte. Unë isha e lumtur të shkoja në tempull dhe mendoja se mund të ndieja diçka të veçantë kur të isha pagëzuar në emër të gjyshes sime.

Bashkëshorti im më pagëzoi, por nuk ndjeva asgjë. Djali im më konfir-moi, por përsëri asgjë. Ankthi që nuk po ndieja të ndodhte asgjë kaloi dhe unë u gëzova shumë që ordinancat për gjyshen time ishin kryer.

Pas dhurimit, ne shkuam në dhomën e vulosjes për të vulosur gjyshen me prindërit e saj. Kur u gjunjëzuam në altar për të kryer ordinancën dhe vulosësi filloi të flasë, unë ndjeva sikur një tronditje filloi në kokën time dhe më kaloi nëpër trup. Është e vështirë të përshkruhet, por në atë moment djegës, unë isha e sigurt që gjyshja Jozefina gëzonte që vulosej me prindërit e saj.