2010–2019
E Vërteta dhe Plani
Tetor 2018


E Vërteta dhe Plani

Kur kërkojmë të vërtetën rreth fesë, ne duhet të përdorim metoda shpirtërore të përshtatshme për atë kërkim.

Zbulesa moderne e përcakton të vërtetën si “dituri për gjërat siç janë dhe siç ishin, dhe siç do të jenë” (Doktrina e Besëlidhje 93:24). Ky është një përkufizim i përsosur për planin e shpëtimit dhe deklaratën “Familja: Një Proklamatë Drejtuar Botës”.

Ne jetojmë në një kohë kur informacioni përhapet dhe komunikohet gjerësisht. Por jo i gjithë ky informacion është i vërtetë. Ne kemi nevojë të jemi të vëmendshëm kur e kërkojmë të vërtetën dhe kur zgjedhim burime për atë kërkim. Nuk duhet ta konsiderojmë famën ose pozitën laike si burime të kualifikuara të së vërtetës. Ne duhet të jemi të vëmendshëm kur mbështetemi tek informacioni ose këshilla e ofruar nga yjet e fushave të argëtimit, sportistët me famë apo burime anonime në internet. Ekspertiza në një fushë nuk duhet të merret si ekspertizë mbi të vërtetën për tema të tjera.

Ne gjithashtu duhet të jemi të vëmendshëm rreth shtysës së atij që e jep informacionin. Kjo është arsyeja përse shkrimet e shenjta na paralajmërojnë kundrejt intrigave të priftërinjve (shih 2 Nefi 26:29). Nëse burimi është anonim ose i panjohur, informacioni mund të jetë gjithashtu i dyshimtë.

Vendimet tona vetjake duhet të bazohen mbi informacione nga burime që janë të kualifikuara për temën dhe të çliruara nga shtysat egoiste.

I.

Kur kërkojmë të vërtetën rreth fesë, ne duhet të përdorim metoda shpirtërore të përshtatshme për atë kërkim: lutjen, dëshminë e Frymës së Shenjtë dhe studimin e shkrimeve të shenjta dhe të fjalëve të profetëve modernë. Jam gjithmonë i trishtuar kur dëgjoj për dikë që raporton humbje të besimit fetar për shkak të mësimeve laike. Ata që dikur patën largpamësi shpirtërore, mund të vuajnë nga verbëria shpirtërore e vetëshkaktuar. Siç tha Presidenti Henri B. Ajring: “Problemi i tyre nuk qëndron tek ajo që mendojnë se e shohin; ai qëndron tek ajo që ende nuk mund ta shohin”.

Metodat e shkencës na çojnë drejt asaj që ne e quajmë e vërtetë shkencore. Por “e vërteta shkencore” nuk është tërësia e jetës. Ata që nuk mësojnë “me anë të studimit dhe gjithashtu me anë të besimit” (Doktrina e Besëlidhje 88:118), e kufizojnë kuptueshmërinë e tyre për të vërtetën në atë që mund ta vërtetojnë nëpërmjet mjeteve shkencore. Kjo vendos kufizime artificiale në kërkimin e tyre për të vërtetën.

Presidenti Xhejms E. Faust tha: “Ata që janë [pagëzuar], e vënë në rrezik qenien e tyre të përjetshme duke ndjekur pa kujdes vetëm burimin laik të të mësuarit. Ne besojmë se Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme ka plotësinë e ungjillit të Krishtit, ungjill i cili është thelbi i së vërtetës dhe njohuria e përjetshme.”

Ne gjejmë gëzim të vërtetë dhe afatgjatë duke arritur të dimë dhe të veprojmë sipas së vërtetës se kush jemi, cili është kuptimi i jetës në vdekshmëri dhe ku do të shkojmë kur vdesim. Ato të vërteta nuk mund të mësohen me anë të metodave shkencore ose laike.

II.

Tani do të flas për të vërtetat e ungjillit të rivendosur, të cilat janë themelore për doktrinën e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Ju lutem, shqyrtojini këto të vërteta me kujdes. Ato shpjegojnë shumë rreth doktrinës dhe praktikave tona, ndofta duke përfshirë disa gjëra që ende nuk kuptohen.

Ka një Perëndi, i cili është Ati i dashur i shpirtrave të të gjithë atyre që kanë jetuar ose që do të jetojnë ndonjëherë.

Gjinia është e përjetshme. Përpara se të lindeshim në këtë tokë, ne të gjithë jetuam si shpirtra meshkuj ose femra në praninë e Perëndisë.

Sapo e kemi dëgjuar Korin e Tabernakullit te Sheshi i Tempullit të këndojë “I Will Follow God’s Plan” [“Do Ndjek Planin e Perëndis’”]. Ai është plani që krijoi Perëndia, në mënyrë që të gjithë fëmijët e Tij shpirtërorë të mund të përparonin përjetësisht. Ai plan është jetik për secilin prej nesh.

Sipas atij plani, Perëndia e krijoi këtë tokë si një vend ku fëmijët e Tij të dashur shpirtërorë të mund të lindeshin në vdekshmëri për të marrë një trup fizik dhe për të pasur mundësinë për përparim të përjetshëm duke bërë zgjedhje të drejta.

Që të jenë domethënëse, zgjedhjet në vdekshmëri duhej të bëheshin midis forcave kundërshtuese të së mirës dhe së keqes. Duhej të kishte kundërshtim dhe, si rrjedhojë, një kundërshtar, i cili u flak tej për shkak të rebelimit dhe u lejua t’i tundonte fëmijët e Perëndisë që të vepronin në kundërshtim me planin e Perëndisë.

Qëllimi i planit të Perëndisë ishte që t’u jepte fëmijëve të Tij mundësinë që të zgjidhnin jetë të përjetshme. Kjo mund të arrihet vetëm nëpërmjet përvojës në vdekshmëri dhe, pas vdekjes, nëpërmjet rritjes pas vdekshmërisë në botën e shpirtrave.

Gjatë jetës në vdekshmëri, ne të gjithë do të ndoteshim nga mëkati kur u hapnim udhë tundimeve të liga të kundërshtarit dhe përfundimisht do të vdisnim. Ne i pranuam ato sfida duke u mbështetur te siguria e planit se Perëndia, Ati ynë, do të jepte një Shpëtimtar, Birin e Tij të Vetëmlindur, i cili do të na shpëtonte nëpërmjet një ringjalljeje të përbotshme drejt një jete me një trup pas vdekjes. Shpëtimtari gjithashtu do të siguronte një shlyerje për të paguar çmimin që të gjithë të pastroheshin nga mëkati sipas kushteve që caktoi Ai. Ato kushte përfshinin besimin te Krishti, pendimin, pagëzimin, dhuratën e Frymës së Shenjtë dhe ordinanca të tjera të kryera nëpërmjet autoritetit të priftërisë.

Plani i madh i Perëndisë për lumturinë siguron një baraspeshim të përsosur midis drejtësisë së përjetshme dhe mëshirës që mund ta marrim nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit. Ai gjithashtu na aftëson të shndërrohemi në krijesa të reja në Krishtin.

Një Perëndi i dashur ia shtrin dorën secilit prej nesh. Ne e dimë se nëpërmjet dashurisë së Tij dhe për shkak të Shlyerjes së Birit të Tij të Vetëmlindur, “i gjithë njerëzimi mund të shpëtohet, me anë të bindjes ndaj ligjeve dhe ordinancave të Ungjillit [të Tij]” (Nenet e Besimit 1:3; theksimi i shtuar).

Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme njihet me të drejtë si një Kishë e përqendruar te familja. Por ajo që nuk kuptohet mirë, është se përqendrimi i vëmendjes sonë te familja vendoset mbi diçka më shumë sesa marrëdhëniet në vdekshmëri. Marrëdhëniet e përjetshme janë gjithashtu themelore për teologjinë tonë. “Familja shugurohet nga Perëndia.” Sipas planit të madh të Krijuesit tonë të dashur, misioni i Kishës së Tij të rivendosur është që t’i ndihmojë fëmijët e Perëndisë për të arritur bekimin hyjnor të ekzaltimit në mbretërinë çelestiale, i cili mund të merret vetëm nëpërmjet një martese të përjetshme midis një burri dhe një gruaje (shih Doktrina e Besëlidhje 131:1–3). Ne i pohojmë mësimet e Zotit se “gjinia është një karakteristikë thelbësore e identitetit dhe qëllimit individual të jetës para lindjes, të jetës së vdekshme dhe asaj të përjetshme” dhe se “martesa midis burrit dhe gruas është thelbësore në planin e Tij të përjetshëm”.

Së fundi, dashuria e Perëndisë është kaq e madhe sa, përveç disave që me dëshirë bëhen bij të humbjes, Ai ka siguruar një fat lavdie për të gjithë fëmijët e Tij. Fraza “të gjithë fëmijët e Tij” përfshin të gjithë ata që kanë vdekur. Ne kryejmë ordinanca për ta në mënyrë mëkëmbëse në tempujt tanë. Qëllimi i Kishës së Jezu Krishtit është t’i kualifikojë fëmijët e Tij për shkallën më të lartë të lavdisë, që është ekzaltimi ose jeta e përjetshme. Për ata që nuk kanë dëshirë ose që nuk janë të denjë për të, Perëndia ka siguruar mbretëri të tjera, edhe pse më të pakta, lavdie.

Kushdo që i kupton këto të vërteta të përjetshme, mund ta kuptojë përse ne anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme mendojmë në mënyrën që mendojmë dhe sillemi në mënyrën që sillemi.

III.

Tani do të përmend disa zbatime të këtyre të vërtetave të përjetshme, të cilat mund të kuptohen vetëm nën dritën e planit të Perëndisë.

Së pari, ne e nderojmë lirinë individuale të zgjedhjes. Shumica e njerëzve janë të vetëdijshëm për përpjekjet e mëdha të Kishës së rivendosur që të nxitë lirinë fetare në Shtetet e Bashkuara dhe anembanë botës. Këto përpjekje nuk nxitin thjesht interesat tona vetjake, por, në përputhje me planin e Tij, ato përpiqen t’i ndihmojnë të gjithë fëmijët e Perëndisë që të gëzojnë lirinë për të zgjedhur.

Së dyti, ne jemi një popull misionar. Nganjëherë na pyetin përse dërgojmë misionarë në kaq shumë vende, edhe mes popullatave të krishtera. E njëjta pyetje na bëhet rreth arsyes se përse u japim shumë miliona dollarë si ndihmë humanitare njerëzve që nuk janë anëtarë të Kishës sonë dhe përse nuk e lidhim këtë ndihmë me përpjekjet tona misionare. E bëjmë këtë ngaqë ne i vlerësojmë të gjithë njerëzit e vdekshëm si fëmijë të Perëndisë – si vëllezërit e motrat tona – dhe duam ta ndajmë begatinë tonë shpirtërore dhe materiale me çdo njeri.

Së treti, jeta në vdekshmëri është e shenjtë për ne. Zotimi ynë ndaj planit të Perëndisë na kërkon që ta kundërshtojmë abortin dhe eutanazinë [vdekjen pa vuajtje].

Së katërti, disa njerëz shqetësohen nga disa prej qëndrimeve të Kishës sonë mbi martesën dhe fëmijët. Njohuria jonë për planin e zbuluar nga Perëndia për shpëtimin na kërkon që t’i kundërshtojmë trysnitë e tanishme shoqërore dhe ligjore për t’u larguar prej martesës tradicionale dhe për të bërë ndryshime që e ngatërrojnë ose ndryshojnë gjininë apo që i njëtrajtësojnë dallimet midis burrave dhe grave. Ne e dimë se marrëdhëniet, identitetet dhe funksionet e burrave dhe të grave janë thelbësore për ta përmbushur planin e madh të Perëndisë.

Së pesti, ne gjithashtu kemi një këndvështrim të dallueshëm lidhur me fëmijët. Ne e shohim lindjen dhe rritjen e fëmijëve si pjesë të planit të Perëndisë dhe si një detyrë të gëzueshme dhe të shenjtë për ata të cilëve u është dhënë fuqia të marrin pjesë në të. Sipas pikëpamjes sonë, thesaret më të mëdha në tokë dhe në qiell janë fëmijët tanë dhe pasardhësit tanë. Si rrjedhim, ne duhet të japim mësim dhe të mbrojmë parime e praktika që sigurojnë kushtet më të mira për zhvillimin dhe lumturinë e fëmijëve – të të gjithë fëmijëve.

Së fundi, ne jemi fëmijë të dashur të një Ati Qiellor, i cili na ka mësuar se të qenit mashkull e femër, martesa midis një burri e një gruaje, lindja dhe rritja e fëmijëve janë të gjitha thelbësore në planin e Tij të madh për lumturinë. Qëndrimet tona ndaj këtyre pjesëve thelbësore shpesh shkaktojnë kundërshtim ndaj Kishës. Ne e konsiderojmë këtë të pashmangshme. Kundërshtimi është pjesë e planit dhe kundërshtimi më i madh i Satanit drejtohet ndaj çdo gjëje që është më e rëndësishmja për planin e Perëndisë. Ai përpiqet ta shkatërrojë veprën e Perëndisë. Metodat e tij kryesore janë që të diskreditojë Shpëtimtarin dhe autoritetin e Tij hyjnor, të fshijë efektet e Shlyerjes së Jezu Krishtit, të shkurajojë pendimin, të falsifikojë zbulesën dhe të kundërshtojë përgjegjshmërinë individuale. Ai gjithashtu përpiqet ta ngatërrojë gjininë, ta shtrembërojë martesën dhe ta shkurajojë lindjen e fëmijëve – veçanërisht nga prindërit që do t’i rritin fëmijët me të vërtetën.

IV.

Vepra e Zotit po ecën përpara pavarësisht nga kundërshtimi i organizuar dhe i vazhdueshëm me të cilin përballemi, teksa përpiqemi fort të ushtrojmë mësimet e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Për ata që lëkunden për shkak të atij kundërshtim, unë ofroj këto sugjerime.

Mbani mend parimin e pendimit që u bë i mundur nga fuqia e Shlyerjes së Jezu Krishtit. Siç na nxiti Plaku Nil A. Maksuell, mos jini mes atyre “të cilët do të donin të përpiqeshin të ndryshonin Kishën, në vend që të ndryshonin vetveten”.

Ashtu siç na nxiti Plaku Xhefri R. Holland:

Mbahuni fort tek ajo që tashmë e dini dhe qëndroni të paepur derisa vjen dija e mëtejshme. …

Në këtë Kishë, ajo që dimë gjithmonë do ta kapërcejë atë që nuk e dimë.

Ushtroni besim te Zoti Jezu Krisht, që është parimi i parë i ungjillit.

Së fundi, kërkoni ndihmë. Udhëheqësit tanë të Kishës ju duan dhe kërkojnë udhërrëfim shpirtëror për t’ju ndihmuar. Ne sigurojmë shumë burime si ato që do t’i gjeni nëpërmjet faqes LDS.org në internet dhe përkrahje të tjera për studimin e ungjillit në shtëpi. Ne gjithashtu kemi vëllezër e motra shërbestare, që janë thirrur të japin ndihmë plot dashuri.

Ati ynë i dashur Qiellor dëshiron që fëmijët e Tij të kenë gëzimin që është qëllimi i krijimit tonë. Ai fat plot gëzim është jeta e përjetshme, të cilën mund ta fitojmë duke shkuar përpara nëpër atë shteg që profeti ynë, Presidenti Rasëll M. Nelson, shpesh e quan “shtegu i besëlidhjeve”. Ja se çfarë tha ai në mesazhin e tij të parë si President i Kishës: “Qëndroni në shtegun e besëlidhjeve. Zotimi juaj për ta ndjekur Shpëtimtarin nëpërmjet bërjes së besëlidhjeve me Të dhe më pas nëpërmjet mbajtjes së atyre besëlidhjeve, do ta hapë derën drejt çdo bekimi dhe privilegji shpirtëror në dispozicion të burrave, grave dhe fëmijëve kudo.”

Unë dëshmoj solemnisht se gjërat që kam thënë, janë të vërteta dhe ato janë bërë të mundura nëpërmjet mësimeve dhe Shlyerjes së Jezu Krishtit, i cili e bën gjithçka të mundur sipas planit të madh të Perëndisë, Atit tonë të Amshuar. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.