Shabati Është një Kënaqësi
Si mund të siguroheni që sjellja juaj në ditën e Shabatit do të çojë drejt gëzimit dhe ngazëllimit?
Të dashur vëllezër e motra, këto dy ditë të konferencës kanë qenë të lavdishme. Ne jemi lartësuar nga muzika frymëzuese dhe lutjet e bukura. Shpirtrat tanë janë forcuar nëpërmjet mesazheve të dritës dhe së vërtetës. Këtë të diel Pashke, në mënyrë të bashkuar dhe të sinqertë, ne e falënderojmë sërish Perëndinë për profetin!
Pyetja për secilin prej nesh është: për shkak të asaj që kam dëgjuar e ndier gjatë kësaj konference, si do të ndryshoj unë? Cilado qoftë përgjigja juaj, lejomëni t’ju ftoj gjithashtu të shqyrtoni ndjenjat tuaja rreth ditës së Shabatit dhe sjelljen tuaj gjatë asaj dite.
Më ngjallin kureshtje fjalët e Isaias, i cili e quajti Shabatin “[një] kënaqësi”. Prapëseprapë unë pyes veten, a është Shabati me të vërtetë një kënaqësi për ju dhe për mua?
Unë gjeta kënaqësi për herë të parë në Shabat shumë vite më parë kur, si një kirurg i zënë me punë, unë e dija se Shabati u bë një ditë për shërim vetjak. Në fund të çdo jave, duart e mia ishin plagë nga fërkimi i vazhdueshëm me sapun, ujë dhe një furçë me qime të ashpra. Unë gjithashtu kisha nevojë për pushim nga barra e një profesioni kërkues. E diela siguronte lehtësimin e shumënevojitur.
Çfarë nënkuptoi Shpëtimtari kur Ai tha se “e shtuna është bërë për njeriun dhe jo njeriu për të shtunën”? Unë besoj se Ai donte që ne të kuptonim se Shabati qe dhurata e Tij për ne, duke na dhënë frymëmarrje të vërtetë nga ashpërsitë e jetës së përditshme dhe mundësi për ripërtëritje shpirtërore e fizike. Perëndia na e dha këtë ditë të veçantë, jo për zbavitje apo punë të përditshme, por për një çlodhje nga detyra, me lehtësim fizik e shpirtëror.
Në hebraisht, fjala Shabat do të thotë “çlodhje.” Qëllimi i Shabatit daton që nga Krijimi i botës, kur pas gjashtë ditë pune, Zoti u çlodh nga puna e krijimit. Kur Ai më vonë i zbuloi Moisiut Dhjetë Urdhërimet, Perëndia urdhëroi që ne “[ta] mbaj[më] mend ditën e shtunë për ta shenjtëruar”. Më vonë, Shabati u respektua si një kujtues i çlirimit të Izraelit nga skllavëria e tyre në Egjipt. Ndoshta më e rëndësishmja, Shabati u dha si një besëlidhje e përhershme, një kujtues i vazhdueshëm se Zoti mund ta shenjtërojë popullin e Tij.
Përveç kësaj, ne tani marrim pjesë në sakrament ditën e Shabatit, në përkujtim të Shlyerjes së Jezu Krishtit. Sërish, ne besëlidhim se jemi të gatshëm të marrim mbi vete emrin e Tij të shenjtë.
Shpëtimtari e përcaktoi Veten e Tij si Zoti i Shabatit. Është dita e Tij! Në mënyrë të vazhdueshme, Ai na ka kërkuar ta respektojmë Shabatin ose ta shenjtërojmë ditën e Shabatit. Ne jemi nën besëlidhje për ta bërë këtë.
Si e shenjtërojmë ne ditën e Shabatit? Në vitet e mia më të hershme, unë studiova veprën e njerëzve të tjerë, të cilët kishin hartuar lista lidhur me gjërat që duheshin bërë dhe nuk duheshin bërë në Shabat. Kohë më vonë mësova nga shkrimet e shenjta se sjellja ime dhe qëndrimi im për Shabatin përbënte një shenjë midis meje dhe Atit tim Qiellor. Me atë kuptueshmëri, unë nuk kisha më nevojë për lista të gjërave që duheshin bërë dhe nuk duheshin bërë. Kur më duhej të merrja një vendim nëse një veprimtari ishte e duhur apo jo për Shabatin, unë thjesht e pyesja veten: “Çfarë shenje dua t’i jap Perëndisë?” Ajo pyetje i bënte zgjedhjet e mia për ditën e Shabatit tepër të qarta.
Megjithëse doktrina që i përket ditës së Shabatit, është me origjinë të lashtë, ajo është ripërtërirë në këto ditë të mëvonshme si pjesë e një besëlidhjeje të re me një premtim. Vërjani veshin fuqisë së këtij dekreti hyjnor:
“Që të mund të ruash veten më tepër të panjollë nga bota, duhet të shkosh në shtëpinë e lutjes dhe t’i ofrosh sakramentet e tua në ditën time të shenjtë;
Sepse në të vërtetë kjo është një ditë e caktuar për ty që të prehesh nga punët e tua dhe t’i drejtosh lutje Më të Lartit; …
Dhe në këtë ditë … përgati[te] ushqimin tënd me thjeshtësi zemre, që agjërimi yt të mund të jetë i përsosur, … që gëzimi yt të mund të jetë i plotë. …
Dhe për aq sa i bëni këto gjëra me falënderim, me zemra dhe fytyra të ngazëllyera, … plotësia e tokës do të jetë juaja.”
Përfytyrojeni madhështinë e asaj thënie! Plotësia e tokës u premtohet atyre që e mbajnë ditën e Shabatit të shenjtë. Nuk është çudi që Isaia e quajti Shabatin “[një] kënaqësi”.
Si mund të siguroheni që sjellja juaj në ditën e Shabatit do të çojë drejt gëzimit dhe ngazëllimit? Përveç vajtjes suaj në kishë, marrjes së sakramentit dhe të qenit të zellshëm në thirrjen tuaj të veçantë për të shërbyer, çfarë veprimtarish të tjera do të ndihmonin për ta bërë Shabatin një kënaqësi për ju? Çfarë shenje do t’i jepnit Zotit për të treguar dashurinë tuaj për Të?
Shabati siguron një mundësi të mrekullueshme për t’i forcuar lidhjet familjare. Në fund të fundit, Perëndia do që secili prej nesh, si fëmijë të Tij, të kthehemi tek Ai si shenjtorë që kanë marrë dhurimin [indaumentin], të vulosur në tempuj si familje, me paraardhësit tanë dhe pasardhësit tanë.
Ne e bëjmë Shabatin një kënaqësi kur ua mësojmë ungjillin fëmijëve tanë. Përgjegjësia jonë si prindër është shumë e qartë. Zoti tha: “Për aq sa prindërit kanë fëmijë në Sion … të cilët nuk i mësojnë të kuptojnë doktrinën e pendimit, të besimit në Krishtin, Birin e Perëndisë së gjallë, dhe të pagëzimit e të dhuratës së Frymës së Shenjtë me anë të vënies së duarve, kur janë tetë vjeç, mëkati qoftë mbi kokat e prindërve.”
Vite më parë, Presidenca e Parë theksoi rëndësinë e kalimit të kohës familjare në mënyrë cilësore. Ata shkruan:
“Ne u kërkojmë prindërve të përkushtojnë përpjekjet e tyre më të mira për të mësuar dhe rritur fëmijët e tyre në parimet e ungjillit të cilat do t’i mbajnë ata pranë Kishës. Shtëpia është baza e një jete të drejtë dhe asnjë instrument tjetër nuk mund të zërë vendin e saj ose të përmbushë funksionet thelbësore të saj në çuarjen përpara të kësaj përgjegjësie të dhënë nga Perëndia.
Ne i këshillojmë prindërit dhe fëmijët t’i japin përparësinë më të lartë lutjes familjare, mbrëmjes familjare, studimit e udhëzimit të ungjillit dhe aktiviteteve të dobishme familjare. Sado të denja dhe të përshtatshme qofshin kërkesat ose aktivitetet e tjera, ato nuk duhet të lejohen të zëvendësojnë detyrat e caktuara në mënyrë hyjnore që vetëm prindërit dhe familjet mund t’i kryejnë ashtu si duhet.”
Kur unë e përsiat këtë këshillë, pothuajse uroj të isha edhe një herë baba i ri. Tani prindërit kanë burime kaq të mrekullueshme në dispozicion për t’i ndihmuar ata ta bëjnë kohën familjare më kuptimplote, në ditën e Shabatit si edhe në ditë të tjera. Ata kanë LDS.org, Mormon.org, video të Biblës, the Mormon Channel [Kanalin Mormon], Media Library [Bibliotekën Mediatike], revistat Friend, New Era, Ensign, Liahona dhe më shumë – shumë më tepër. Këto burime janë kaq shumë të dobishme për prindërit në plotësimin e detyrës së tyre të shenjtë për t’i mësuar fëmijët e tyre. Asnjë punë tjetër nuk e tejkalon atë të prindërimit të drejtë e të kujdesshëm!
Ndërsa e jepni mësim ungjillin, ju do të mësoni më shumë. Kjo është mënyra e Zotit për t’ju ndihmuar të kuptoni ungjillin e Tij. Ai tha:
“Unë ju jap urdhërim që ju duhet t’ia mësoni njëri-tjetrit doktrinën e mbretërisë.
I mësoni me zell … , që ju të udhëzoheni në mënyrë më të përsosur … në doktrinë, në ligjin e ungjillit, në të gjitha gjërat që lidhen me mbretërinë e Perëndisë.”
Studimi i tillë i ungjillit e bën Shabatin një kënaqësi. Ky premtim zbatohet pavarësisht nga madhësia, përbërja apo vendndodhja e familjes.
Përveç kohës me familjen, ju mund të përjetoni kënaqësi të vërtetë në Shabat nga puna e historisë familjare. Kërkimi dhe gjetja e pjesëtarëve të familjes që ju kanë paraprirë në tokë – të atyre që nuk e patën mundësinë për ta pranuar ungjillin ndërsa ishin këtu – mund të sjellin gëzim të pamasë.
E kam dëshmuar vetë këtë. Disa vite më parë, bashkëshortja ime e dashur, Uendi, vendosi të mësonte se si të bënte kërkim për historinë familjare. Përparimi i saj në fillim ishte i ngadaltë, por pak nga pak, ajo mësoi se sa e lehtë është ta bësh këtë punë të shenjtë. Dhe kurrë nuk e kam parë atë më të lumtur. Ju nuk keni nevojë të udhëtoni në vende të tjera ose madje të shkoni te një qendër e historisë familjare. Në shtëpi, me ndihmën e një kompjuteri apo të një aparati elektronik, ju mund të përcaktoni shpirtrat që mezi po i presin ordinancat e tyre. Bëjeni Shabatin një kënaqësi duke i gjetur paraardhësit tuaj dhe duke i çliruar ata nga burgu shpirtëror!
Bëjeni Shabatin një kënaqësi duke u dhënë shërbim të tjerëve, veçanërisht atyre që nuk ndihen mirë apo atyre që janë të vetmuar ose në nevojë. Lartësimi i shpirtrave të tyre do të lartësojë edhe tuajin.
Kur Isaia e përshkroi Shabatin si “[një] kënaqësi”, ai gjithashtu na mësoi se si ta bëjmë atë të kënaqshëm. Ai tha:
“Në rast se … përmba[hesh] … [nga] krye[rja e] punë[ve të] tua gjatë ditës sime të shenjtë, në rast se e quan të shtunën kënaqësi, … [dhe] e nderon [Zotin] duke hequr dorë nga udhëtimet e tua, nga kryerja e punëve të tua dhe nga të folurit për problemet e tua,
do të gjesh kënaqësinë tënde tek Zoti.”.
Mosndjekja e “kënaqësive të tua” në Shabat kërkon vetëdisiplinë. Juve mund t’ju duhet t’i mohoni vetes suaj diçka që mund t’ju pëlqejë. Nëse zgjidhni të gjeni kënaqësinë tuaj te Zoti, ju nuk do t’i lejoni vetes suaj ta trajtoni atë si çdo ditë tjetër. Rutina dhe veprimtaritë argëtuese mund të bëhen ndonjëherë tjetër.
Mendoni rreth kësaj: Në pagimin e së dhjetës, ne i kthejmë Zotit një të dhjetën e të ardhurave tona. Në mbajtjen e Shabatit të shenjtë, ne e ruajmë një ditë në çdo shtatë ditë si të Tijën. Pra, është privilegji ynë që t’ia shenjtërojmë si paratë ashtu edhe kohën Atij, i cili na jep jetë çdo ditë.
Besimi në Perëndinë krijon dashuri për Shabatin; besimi në Shabatin krijon dashuri për Perëndinë. Një Shabat i shenjtë është me të vërtetë një kënaqësi.
Tani, ndërsa kësaj konference po i vjen fundi, ne e dimë se kudo që jetojmë, ne duhet të jemi shembuj të besimtarëve midis familjeve, fqinjëve dhe miqve tanë. Besimtarët e vërtetë e mbajnë ditën e Shabatit të shenjtë.
E mbyll me lutjen e lamtumirës së Moronit, ndërsa ai e mbylli Librin e Mormonit. Ai shkroi: “Ejani te Krishti dhe përsosuni në të dhe i mohoni vetes çdo ligësi; dhe në qoftë se do t’i mohoni vetes çdo ligësi dhe ta doni Perëndinë me gjithë fuqinë, mendjen dhe forcën tuaj, atëherë … ju mund të bëheni të përsosur në Krisht[in].”
Me dashuri në zemrën time, e lë këtë me ju si lutjen, dëshminë dhe bekimin tim, në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.