Ne Besojmë në Qenien të Dëlirë
Bindja ndaj ligjit të dëlirësisë do ta shtojë lumturinë tonë në vdekshmëri dhe do të bëjnë të mundur përparimin tonë në përjetësi.
Mesazhi im trajton një pyetje themelore me rëndësi të madhe shpirtërore: Përse është ligji i dëlirësisë kaq i rëndësishëm? Unë lutem që Fryma e Shenjtë do ta pohojë vërtetësinë e parimeve që theksoj.
Plani i Atit për Lumturinë
Rëndësia e përjetshme e dëlirësisë mund të kuptohet vetëm brenda kontekstit më të gjerë të planit të lumturisë të Atit tonë Qiellor për fëmijët e Tij. “Të gjitha qeniet njerëzore – meshkuj e femra – janë krijuar sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë. Secili është një bir ose bijë shpirtërore e dashur e prindërve qiellorë dhe … ka një natyrë dhe destinacion hyjnor” (“Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”, Liahona, nëntor 2010, f.129). Të gjithë burrat dhe gratë jetuan me Perëndinë si fëmijët e Tij shpirtërorë përpara ardhjes në tokë si qenie të vdekshme. Plani i Atit u jep mundësi bijve dhe bijave të Tij shpirtërorë që të marrin trupa fizikë, të fitojnë përvojë në vdekshmëri dhe të përparojnë drejt ekzaltimit.
Rëndësia e një Trupi Fizik
Trupat tanë fizikë bëjnë të mundur një llojshmëri, thellësi dhe fuqi përvoje që thjesht nuk mund të fitohet në ekzistencën tonë para lindjes. Kështu, marrëdhëniet tona me njerëz të tjerë, zotësia jonë për të njohur dhe vepruar në përputhje me të vërtetën dhe aftësia jonë për t’iu bindur parimeve e ordinancave të ungjillit të Jezu Krishtit, përforcohen nëpërmjet trupave tanë fizikë. Në shkollën e vdekshmërisë, ne përjetojmë dhembshuri, dashuri, mirësi, lumturi, hidhërim, zhgënjim, dhembje dhe madje sfidat e kufizimeve trupore në mënyra që na përgatisin për përjetësinë. E thënë thjesht, ka mësime që duhet t’i mësojmë dhe përvoja që duhet t’i kemi, siç i përshkruajnë shkrimet e shenjta, “sipas mishit” (1 Nefi 19:6; Alma 7:12–13).
Fuqia e Riprodhimit
Pasi u krijua toka, Adami u vendos në Kopshtin e Edenit. Sidoqoftë, në mënyrë të rëndësishme, Perëndia tha: “Nuk ishte mirë që njeriu të ishte i vetëm” (Moisiu 3:18; shih edhe Zanafilla 2:18) dhe Eva u bë gruaja dhe ndihmuesja e tij. Qe e nevojshme ndërthurja e pashoqe e aftësive shpirtërore, fizike, mendore dhe emocionale si të meshkujve dhe femrave për ta realizuar planin e lumturisë. “Në Zotin as burri s’është pa gruan, as gruaja pa burrin” (1 Korintasve 11:11). Burri dhe gruaja janë paracaktuar të mësojnë nga njëri–tjetri, ta forcojnë, ta bekojnë, ta plotësojnë dhe ta bëjnë të përkryer njëri–tjetrin.
Mënyra me anë të së cilës krijohet jeta e vdekshme, caktohet në mënyrë hyjnore. “Urdhërimi i parë … [që] Perëndia i dha Adamit dhe Evës, ishte rreth potencialit të tyre për të qenë prindër si burrë dhe grua” (Liahona, nëntor 2010, f. 129). Urdhërimi që të shumoheshin dhe të mbushnin tokën, mbetet i vlefshëm sot. Kështu, martesa mes një burri e një gruaje është mënyra e autorizuar përmes së cilës shpirtrat para lindjes hyjnë në vdekshmëri. Moskryerja tërësisht e marrëdhënieve seksuale përpara martesës dhe besnikëria e plotë gjatë martesës mbrojnë shenjtërinë e kësaj përgjegjësie të shenjtë.
Fuqia e krijimit është domethënëse nga ana shpirtërore. Keqpërdorimi i kësaj fuqie i shkatërron qëllimet e planit të Atit dhe të ekzistencës sonë në vdekshmëri. Ati ynë Qiellor dhe Biri i Tij i Dashur janë krijues dhe i kanë besuar secilit prej nesh një pjesë të fuqisë së Tyre krijuese. Porositë e posaçme për përdorimin e duhur të aftësisë për të krijuar jetë janë elemente jetike në planin e Atit. Mënyra si ndihemi rreth asaj fuqie hyjnore dhe mënyra si e përdorim atë, do të përcaktojnë në shkallë të gjerë lumturinë tonë në vdekshmëri dhe fatin tonë në përjetësi.
Plaku Dallin H. Ouks shpjegoi:
“Fuqia për të krijuar jetë të vdekshme është fuqia më e ekzaltuar që Perëndia u ka dhënë fëmijëve të Tij. Përdorimi i saj u kërkua që në urdhërimin e parë, por një urdhërim tjetër i rëndësishëm u dha për ta ndaluar keqpërdorimin e saj. Theksi që vendosim te ligji i dëlirësisë, shpjegohet nga të kuptuarit prej nesh të qëllimit të fuqive tona krijuese në përmbushjen e planit të Perëndisë. …
Jashtë lidhjeve martesore, të gjitha përdorimet e fuqisë krijuese janë në një shkallë apo në një tjetër një zvetënim dhe shtrembërim mëkatar i tiparit më hyjnor të burrave dhe grave” (“The Great Plan of Happiness”, Ensign, nëntor 1993, 74).
Standardi i Moralshmërisë Seksuale
Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme ka një standard të vetëm, të pandryshueshëm të moralshmërisë seksuale: marrëdhëniet intime janë me vend vetëm mes një burri dhe një gruaje në marrëdhënien martesore të paracaktuar në planin e Perëndisë. Marrëdhënie të tilla nuk janë thjesht një kuriozitet për t’u zbuluar, një dëshirë për t’u kënaqur, ose një lloj kalimi kohe apo argëtimi për t’u ndjekur me egoizëm. Ato nuk janë një trofe për t’u arritur apo thjesht një veprim për t’u kryer. Përkundrazi, në vdekshmëri ato janë një prej shprehjeve bazë të natyrës e potencialit tonë hyjnor dhe një mënyrë për të forcuar lidhjet emocionale dhe shpirtërore midis bashkëshortit dhe bashkëshortes. Ne jemi veprues, të bekuar me liri morale të zgjedhjes dhe karakterizohemi nga trashëgimia jonë hyjnore si fëmijë të Perëndisë – dhe jo nga sjelljet seksuale ose qëndrimet dhe ligjet bashkëkohore.
Njeriu i Natyrshëm
Në njëfarë shkalle, njeriu i natyrshëm, i përshkruar nga Mbreti Beniamin, është gjallë dhe mirë brenda çdonjërit prej nesh (shih Mosia 3:19). Burri apo gruaja e natyrshme është i/e papenduar, është prej mishi dhe epshor/e (shih Mosia 16:5; Alma 42:10; Moisiu 5:13), është tolerues/e dhe i/e ekzagjeruar, dhe është krenar/e dhe egoist/e. Sikurse na mësoi Presidenti Spenser W. Kimball: “‘Njeriu i natyrshëm’ është ‘njeriu tokësor’ që i ka lejuar pasionet e pahijshme kafshërore t’i errësojnë prirjet e tij shpirtërore” (“Ocean Currents and Family Influences”, Ensign, nëntor 1974, 112).
Ndryshe nga kjo, “[burri ose gruaja] e Krishtit” (Helamani 3:29) është shpirtëror/e dhe i frenon të gjitha pasionet (shih Alma 38:12), është i/e matur dhe i/e përmbajtur dhe është dashamirës/e dhe vetëmohues/e. Burrat dhe gratë e Krishtit kapen pas fjalës së Perëndisë, e mohojnë veten dhe marrin mbi vete kryqin e Tij (shih Mateu 16:24; Marku 8:34; Lluka 9:23; DeB 56:2), dhe çajnë përpara përgjatë një shtegu të ngushtë e të ngushtuar besnikërie, bindjeje dhe përkushtimi ndaj Shpëtimtarit dhe ungjillit të Tij.
Si bij dhe bija të Perëndisë, ne kemi trashëguar aftësi hyjnore prej Tij. Por tani ne jetojmë në një botë të rënë. Vetë elementet me të cilat trupat tanë u krijuan, janë për nga natyra të rëna dhe gjithmonë të ndjeshëm ndaj ndikimit të mëkatit, korrupsionit dhe vdekjes. Si rrjedhojë, Rënia e Adamit dhe pasojat e saj shpirtërore dhe trupore na prekin më drejtpërdrejt te trupat tanë fizikë. Dhe prapëseprapë ne jemi qenie të dyfishta, pasi shpirti ynë, që është pjesa e jonë e përjetshme, vendoset në një trup fizik që i nënshtrohet Rënies. Ashtu si Jezusi ia theksoi apostullit Pjetër: “Fryma është gati, por mishi është i dobët” (Mateu 26:41).
Natyra e saktë e provës së vdekshmërisë, atëherë, mund të përmblidhet në pyetjen vijuese: A do t’u përgjigjem prirjeve të njeriut të natyrshëm, apo do t’iu hap rrugë mbresave të Shpirtit të Shenjtë dhe do ta zhvesh njeriun e natyrshëm e do të bëhem shenjtor përmes Shlyerjes së Krishtit, Zotit (shih Mosia 3:19)? Kjo është prova. Çdo oreks, dëshirë, prirje dhe shtysë e njeriut të natyrshëm mund të mposhtet nga Shlyerja e Jezu Krishtit dhe nëpërmjet saj. Jemi këtu në tokë për të zhvilluar cilësi të perëndishme dhe për t’i frenuar të gjitha pasionet e mishit.
Qëllimi i Kundërshtarit
Plani i Atit hartohet që të sigurojë drejtim për fëmijët e Tij, t’i ndihmojë ata të bëhen të lumtur dhe t’i kthejë të sigurt në shtëpi tek Ai, me trupa të ringjallur e të ekzaltuar. Ati Qiellor dëshiron që të jemi së bashku në dritë dhe të mbushur me shpresë. Në të kundërt, Luciferi mundohet t’i bëjë të ngatërruar dhe të brengosur bijtë dhe bijat e Perëndisë dhe ta pengojë përparimin e tyre të përjetshëm. Qëllimi kryesor i atit të gënjeshtrave është që të gjithë ne të bëhemi “të mjeruar sikurse është ai vetë” (2 Nefi 2:27). Luciferi dëshiron që ne përfundimisht të jemi të vetëm në errësirë dhe pa shpresë.
Satani punon pa mëshirë për t’i shtrembëruar pjesët më të rëndësishme të planit të Atit. Ai nuk ka një trup dhe përparimi i tij i përjetshëm është ndalur. Ashtu si rrjedhja e ujit në një shtrat lumi ndalohet nga një digë, po kështu përparimi i përjetshëm i kundërshtarit pengohet ngaqë ai nuk ka trup fizik. Për shkak të rebelimit të tij, Luciferi ia ka mohuar vetes gjithë bekimet dhe përvojat e vdekshmërisë, të bëra të mundura me anë të një trupi prej mishi e kockash. Ai nuk mund t’i mësojë mësimet që vetëm një shpirt brenda një trupi, mund t’i mësojë. Ai e ka zët realitetin e një ringjalljeje të vërtetë dhe universale të të gjithë njerëzimit. Një nga kuptimet e fuqishme sipas shkrimit të shenjtë të fjalës i mallkuar ilustrohet në paaftësinë e tij që të vazhdojë të zhvillohet dhe të bëhet si Ati ynë Qiellor.
Për shkak se një trup fizik është kaq qendror për planin e Atit për lumturinë dhe zhvillimin tonë shpirtëror, Luciferi kërkon ta prishë përparimin tonë duke na tunduar t’i përdorim në mënyrë të gabuar trupat tanë. Një nga ironitë bazë të përjetësisë është që kundërshtari, i cili është i mjeruar pikërisht ngaqë nuk ka trup fizik, na josh që ta ndajmë mjerimin e tij me të me anë të përdorimit të gabuar të trupave tanë. Vetë mjeti që ai nuk e ka, është kështu objekti parësor i orvatjeve të tij që të na tërheqë drejt shkatërrimit shpirtëror.
Shkelja e ligjit të dëlirësisë është një mëkat i rëndë dhe një keqpërdorim i tabernakujve tanë fizikë. Për ata që e njohin dhe e kuptojnë planin e shpëtimit, përdhosja e trupit është një vepër rebelimi (shih Mosia 2:36–37; DeB 64:34–35) dhe një mohim i identitetit tonë të vërtetë si bij e bija të Perëndisë. Teksa shohim përtej vdekshmërisë dhe në brendësi të përjetësisë, është e lehtë të dallojmë se shoqërimi i shtirë, i mbrojtur nga kundërshtari është i përkohshëm dhe i zbrazët.
Bekimet e Qenies të Dëlirë
Alma e këshilloi birin e tij, Shiblonin, që “të freno[nte] të gjitha pasionet [e tij], që të mund të mbushe[j] me dashuri” (Alma 38:12). Në mënyrë domethënëse, disiplinimi i njeriut të natyrshëm brenda secilit prej nesh, bën të mundur një dashuri më të pasur, më të thellë dhe më të durueshme për Perëndinë dhe fëmijët e Tij. Dashuria shtohet nëpërmjet vetëpërmbajtjes së drejtë dhe pakësohet nëpërmjet dhënies së rrëmbyeshme ndaj dëshirave.
Presidenti Marion G. Romni shpalli:
“Nuk mund të mendoj për bekime që dëshirohen më me zjarr se ato që u premtohen të pastërve dhe të virtytshmëve. Jezusi foli për shpërblime të posaçme për virtyte të ndryshme, por i ruajti shpërblimet më të mëdha, kështu më duket mua, për të pastërtit në zemër ‘sepse ata’, tha ai, ‘do ta shohin Perëndinë’ (Mateu 5:8). Dhe ata, jo vetëm që do ta shohin patjetër Zotin, por me siguri do të ndihen rehat në praninë e tij.
Ja … premtimi i Shpëtimtarit: ‘Virtyti duhet t’i stolisë mendimet e tua pa pushim; atëherë do të forcohet vetbesimi yt në prani të Perëndisë’ (DeB 121:45)” (“Trust in the Lord,” Ensign, maj 1979, f. 42).
Gjithashtu na premtohet se, kur e ndjekim shtegun e virtytit, “Fryma e Shenjtë do të jetë shoqëruesi [ynë] i përhershëm” (DeB 121:46). Prandaj, të jetuarit e ligjit të dëlirësisë fton disa prej bekimeve më të mëdha që burrat dhe gratë mund të marrin në vdekshmëri: siguri të duhur shpirtërore në prani të familjes, miqve, të njohurve të Kishës dhe, më së fundi, të Shpëtimtarit. Dëshira jonë e natyrshme për të qenë pjesë e kësaj, përmbushet në drejtësi teksa ecim me shpresë në dritë.
Parimi i Pendimit
Disa nga ju, që e marrin këtë mesazh, kanë nevojë të pendohen për mëkate seksuale ose mëkate të tjera. Shpëtimtari shpesh quhet Mjeku i Madh dhe ky titull ka kuptim si simbolik, ashtu edhe të drejtpërdrejtë. Të gjithë ne e kemi përjetuar dhembjen që shoqëron një dëmtim apo plagë trupore. Kur kemi dhembje, ne zakonisht kërkojmë lehtësim dhe jemi mirënjohës për ilaçet dhe mjekimet që ndihmojnë për të na e lehtësuar vuajtjen. Konsiderojeni mëkatin si plagë shpirtërore që shkakton ndjenjë faji ose, siç ia përshkroi Alma të birit, Koriantonit, “brejtje të ndërgjegjes” (Alma 42:18). Ndjenja e fajit është për shpirtin tonë ashtu siç është dhembja për trupin tonë – një paralajmërim për rrezikun dhe një mbrojtje nga dëmi shtesë. Nga Shlyerja e Shpëtimtarit rrjedh balsami qetësues që mund të na i shërojë plagët tona shpirtërore dhe ta largojë ndjenjën e fajit. Sidoqoftë, ky balsam mund të zbatohet vetëm përmes parimeve të besimit në Zotin Jezu Krisht, të pendimit dhe bindjes së qëndrueshme. Rezultatet e pendimit të sinqertë janë paqja e ndërgjegjes, ngushëllimi dhe shërimi e përtëritja shpirtërore.
Peshkopi ose presidenti juaj i degës është ndihmësi i mjekut shpirtëror, që autorizohet t’ju ndihmojë të pendoheni dhe të shëroheni. Megjithatë, ju lutem mbani mend se shkalla dhe fuqia e pendimit tuaj duhet të përkojnë me natyrën dhe faktin se sa të rënda janë mëkatet tuaja – veçanërisht për shenjtorë të ditëve të mëvonshme që kanë bërë besëlidhje të shenjtë. Plagë të rënda shpirtërore kërkojnë mjekim të qëndrueshëm dhe kohë për t’u shëruar plotësisht dhe tërësisht.
Një Premtim dhe një Dëshmi
Doktrina që kam përshkruar, do të duket se është pak e vjetëruar dhe e dalë mode për shumë njerëz në një botë e cila e tall gjithnjë e më shumë shenjtërinë e riprodhimit dhe e ul skajshëm vlerën e jetës njerëzore. Por e vërteta e Zotit nuk ndryshohet sipas modës, popullaritetit apo sondazheve të opinionit publik. Unë premtoj se bindja ndaj ligjit të dëlirësisë do ta shtojë lumturinë tonë në vdekshmëri dhe do të bëjnë të mundur përparimin tonë në përjetësi. Dëlirësia dhe virtyti janë tani, kanë qenë përherë dhe do të jenë gjithnjë “më [të] dashur[at] dhe më [të] çmueshme[t] përmbi të gjitha gjërat” (Moroni 9:9). Kështu dëshmoj në emrin e shenjtë të Zotit Jezu Krisht, amen.