2021
Themele të Forta
Mars 2021


“Themele të Forta”, Për Forcën e Rinisë, mars 2021, f. 14–15.

Themele të Forta

Një Mur për ta Ngjitur

Pamja
të reja duke u ngjitur në mur

Ilustrimet nga Alyssa Petersen

Njëzet të reja qëndruan pranë meje, duke parë ngultas një mur prej druri, 5 metra të lartë. Sfida jonë ishte që ta ndihmonim çdo vajzë të arrinte deri në majë. Për shumë nga vajzat, ky ishte viti i tyre i parë në kampin e Të Rejave. Unë dhe vajzat më të rritura ishim udhëheqëse të të rejave, por nuk kishim marrë pjesë kurrë në një aktivitet si ky. Të gjitha ne mezi pritëm t’i dëgjonim rregullat.

Çdo e re duhej të ngjitej deri në majë të murit. Sapo dikush ia dilte mbanë, ajo mund të qëndronte në një platformë dhe të ndihmonte për t’i tërhequr vajzat e tjera lart. Sidoqoftë, nëse e prekte tokën, asaj nuk i lejohej më që ta ndihmonte pjesën e mbetur të vajzave të ngjitej lart.

Në fillim e patëm të vështirë, por shpejt ia dolëm të punonim së bashku dhe filluam t’i ngjitnim vajzat lart. Disa kishin frikë të ngjiteshin aq lart pavarësisht nga masat mbrojtëse të sigurisë. Të tjerat ishin në ankth teksa e përdornin forcën e tyre për të arritur në majë. Të gjithave na u desh që ta rritnim mirëbesimin dhe përkrahjen tonë për njëra-tjetrën. Në fund, ne e përfunduam sfidën me sukses.

Kur vajza e fundit zbriti poshtë, ne u mblodhëm për të diskutuar mësimet e shumta nga aktiviteti me murin.

Të gjithë hasim gjëra që duken të pamundura për t’i kapërcyer. Megjithatë, ne nuk jemi vetëm. Njerëzit janë kudo rreth nesh për të na ndihmuar që të ngrihemi dhe për të na dhënë përkrahje. Ati Qiellor dhe Jezu Krishti janë atje për të na dhënë ndihmë dhe forcë kur u drejtohemi Atyre.

Megan B., Ohajo, SHBA

“Të Premtova se do të Vija”

Pamja
të rinj

Gjithmonë kam dashur që ta shpërndaj ungjillin tek të tjerët, por për shumë vjet nuk isha e suksesshme. Derisa zura shoqëri me një djalë që quhet Tiago. Banonim afër me njëri-tjetrin, kështu që ktheheshim çdo ditë bashkë në shtëpi pas shkolle.

Një ditë, ndoqëm një rrugë tjetër dhe kaluam afër godinës kishtare ku unë shkoja në kishë. I thashë se isha anëtare e Kishës prej një kohë të gjatë. I tregova atij se çfarë besonim ne dhe se sa shumë ishte bekuar familja ime prej saj. E ftova Tiagon në kishë atë të diel dhe ai më tha se do të vinte.

E diela erdhi dhe prita me padurim që ai të vinte në kishë, por ai nuk erdhi. Më vonë atë javë, e ftova përsëri. Kjo gjë ndodhi për dy apo tre muaj, por ai gjithmonë e kishte një justifikim për të mos ardhur. Por unë nuk reshta së ftuari atë.

Një mëngjes të diele, isha në mbledhjen e sakramentit dhe hodha vështrimin për të parë nëse kishte ardhur Tiago. U habita kur e pashë, por ai erdhi dhe u ul afër meje e më tha: “Të premtova se do të vija!”

E njoha me misionarët dhe ata filluan t’i jepnin mësime. Më vonë, ai u pagëzua. Tani të dy ne po përgatitemi që të shkojmë në misione. Jam shumë e lumtur që nuk hoqa dorë prej tij!

Mejri R., Brazil

Mirëbeso në Kohën e Duhur të Perëndisë

Tetoja ime ishte në proces shkurorëzimi kur vetëm djali i saj më i madh ishte pagëzuar. Për të ruajtur një marrëdhënie paqësore me babanë biologjik të fëmijëve të saj, ajo donte të merrte lejen e tij që fëmijët e tyre të tjerë të pagëzoheshin. Fatkeqësisht, ai nuk ua dha lejen për shumë vjet.

Tetoja ime më në fund vendosi se ajo donte t’i pagëzonte fëmijët pavarësisht mosmiratimit të babait të tyre. Por pasi tetoja dhe kushërinjtë e mi agjëruan dhe u lutën për vendimin, secili prej tyre mori mbresën se duhej të vazhdonin të prisnin.

Gjatë asaj jave, babai biologjik i kushërinjve të mi i tha tetos sime se ai donte që fëmijët të takoheshin me misionarët dhe të pagëzoheshin. E kujtoj ende gëzimin që ndjeva kur mami më dha lajmin. E dija se Ati Qiellor i kishte bekuar kushërinjtë e mi pas shumë vitesh pritjeje me durim.

Ne mund të mos e dimë gjithnjë se kur do t’u përgjigjet Zoti lutjeve tona, por unë e di se Ai do të përgjigjet gjithmonë. Nuk e di pse Ati Qiellor donte që kushërinjtë e mi të prisnin për t’u pagëzuar, por e di se Ai i bekoi ata për shkak të besnikërisë së tyre.

Bri J., Florida, SHBA