2021
Jozef Smithi – Profeti Im
Janar 2021


“Jozef Smithi – Profeti Im”, Për Forcën e Rinisë, janar 2021, f. 8–11.

Eja, Më Ndiq

Jozef Smithi – Profeti Im

Ai është profeti juaj gjithashtu. Ju mund t’i studioni mësimet e tij këtë vit për ta pranuar si profet akoma edhe më shumë.

Pamja
Jozef Smithi

Diçka që Presidenti Rasëll M. Nelson tha në konferencën e përgjithshme të prillit 2020, më preku në zemër: “Pavarësisht se ku jetoni apo se cilat janë rrethanat tuaja, Zoti Jezu Krisht është Shpëtimtari juaj dhe profeti i Perëndisë Jozef Smithi është profeti juaj” (“Dëgjojeni Atë” [Ensign ose Liahona, maj 2020, f. 88]).

Që kur isha i ri, kjo është mënyra se si jam ndier – Jozef Smithi është profeti im. Më shumë se kushdo, ky profet i Rivendosjes më ka ndihmuar që të arrij ta njoh Jezu Krishtin dhe ungjillin e Tij. I studiova zbulesat te Doktrina e Besëlidhje. Dhe kur isha adoleshent, babi më dha një libër të mësimeve të Profetit Jozef Smith dhe unë e lexova me një frymë. Studimi i atyre mësimeve u bë një bllok ndërtimi kryesor i dëshmisë sime për ungjillin e rivendosur.

Që prej asaj kohe kam menduar: Çfarë kishte te mësimet e Jozef Smithit që më la një përshtypje të tillë? Çfarë e lejoi Shpirtin që të më dëshmonte kaq fuqishëm për vërtetësinë e tyre? Do të thosha se ishin tri gjëra: 1) ai e dinte atë që dinte dhe e deklaroi me guxim; 2) ai kishte një mënyrë për tʼi shpjeguar qartë të vërtetat që kishte mësuar nëpërmjet zbulesës; dhe 3) karakteri e personaliteti i tij gjithmonë spikatnin.

Ai e Dinte Atë që Dinte dhe e Deklaroi me Guxim

Që prej Vegimit të Parë, Jozef Smithi u përball me përndjekje ngaqë tregoi atë që kishte mësuar nëpërmjet zbulesës. Por ai e dinte se nuk mund të tërhiqej nga kjo: “Përse më përndiqni ngaqë them të vërtetën? Unë me të vërtetë e kam parë një vegim; dhe kush jam unë që mund t’i bëj ballë Perëndisë, ose përse bota mendon të më bëjë ta mohoj atë që kam parë me të vërtetë? Sepse unë kisha parë një vegim; unë e dija atë dhe e dija se Perëndia e dinte atë dhe nuk mund ta mohoja” (Joseph Smith – Historia 1:25).

Megjithëse ai e dinte se do të nxiste më shumë përndjekje dhe urrejtje duke e bërë këtë, Jozef Smithi i shpalli me guxim të vërtetat që mësoi nga Zoti gjatë gjithë pjesës tjetër të jetës së vet.

Shembull:

Megjithëse shumica e njerëzve në botën e krishterë besonin se Perëndia e kishte krijuar njeriun nga hiçi, Jozef Smithi me vetëbesim dha mësim diçka të ndryshme:

“Njeriu ishte gjithashtu në fillim me Perëndinë. Inteligjenca, ose drita e së vërtetës, nuk u krijua apo u bë, as nuk mund të krijohet apo bëhet” (Doktrina e Besëlidhje 93:29).

“Shpirti – mendja e njeriut – shpirti i pavdekshëm. Prej nga erdhi ai? Gjithë njerëzit e mësuar dhe doktorët e teologjisë thonë se Perëndia e krijoi atë në fillim; por nuk është kështu: vetë ideja e minimizon njeriun sipas vlerësimit tim. Unë nuk e besoj doktrinën; unë di më shumë. Dëgjojeni këtë, të gjithë ju fundet e botës; sepse kështu më ka thënë Perëndia; dhe nëse ju nuk më besoni, kjo nuk do ta bëjë të vërtetën të paefektshme” (Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2009], f. 219–220).

Pamja
Jozef Smithi duke dhënë mësim

Ai i Shpjegoi Qartësisht të Vërtetat

Jozef Smithi ndonjëherë linte të kuptohej se ai dinte shumë më tepër për misteret e Perëndisë sesa mund t’i tregonte botës. Por kur jepte mësim, ai kishte një mënyrë për t’i bërë të vërtetat e Perëndisë të qarta e të thjeshta.

Shembull:

Që prej Vegimit të Parë e më tej, Jozef Smithi mësoi shumë të vërteta rreth natyrës së Perëndisë, Atit të Amshuar. Dhe në mësimet e tij, ai shpjegoi rëndësinë e këtyre të vërtetave. Për shembull, ai tha:

“Nëse njerëzit nuk kuptojnë karakterin e Perëndisë, ata nuk kuptojnë vetveten” (Mësimet: Jozef Smith, f. 42). Kjo është një thënie mjaft e qartë që shkon drejt e në thelb për faktin se kush është Perëndia, kush jemi ne, cila është marrëdhënia jonë me Të dhe cili është potenciali ynë.

Ai e pasoi atë ide me këtë thënie: “Perëndia Vetë ishte njëherë siç jemi ne tashti, dhe është një njeri i ekzaltuar” (Mësimet: Jozef Smith, f. 42). Madje edhe më qartë.

Dhe më pas ai dha mësim këtë: “Vetë Perëndia, duke konstatuar se ishte në mes të shpirtrave dhe të lavdisë, sepse ai ishte më inteligjent, e pa me vend të krijonte ligje sipas të cilave pjesa tjetër të mund të kishte privilegjin që të përparonte si ai vetë” (Mësimet: Jozef Smith, f. 220). Jozef Smithi shprehu këtu diçka që është thelbësore për planin e Atit Qiellor: Ati Qiellor dëshiron që ne të bëhemi si Ai.

Pamja
Jozef Smithi duke folur

Karakteri dhe Personaliteti i Tij Spikatin

Mënyra se si Jozef Smithi shprehej na jep një ide se kush ishte dhe ç’lloj njeriu ishte si individ si edhe si profet. Kjo është e rëndësishme, sepse lidhja me njerëzit e bën disi më të lehtë lidhjen me idetë. Karakteri i Jozefit spikat në mësimet e tij.

Shembull:

Edhe pse Jozef Smithi ishte i qeshur në përgjithësi nga natyra (shih Joseph Smith – Historia 1:28), kur vinte puna tek ajo që urdhëronte Zoti, nuk e merrte me lehtësi. Ai kishte mësuar nga përvoja se cila mund të ishte pasoja e largimit prej urdhërimeve të tilla (shih, për shembull, Doktrina e Besëlidhje 3:4–9). E gjej tërheqëse ndërthurjen e një natyre gazmore me dishepullimin serioz – dhe personalisht, unë mund të identifikohem me të.

Pamja
Jozef Smithi duke luajtur

Tani, si profet i Rivendosjes, Jozef Smithi u urdhërua që të jepte mësim të vërtetat e zbuluara të Perëndisë, shumë prej të cilave ishin të reja për këdo. Jozefi duhej të përpiqej t’i ndihmonte njerëzit që t’i mësonin këto të vërteta të reja. Por ndonjëherë kjo bëhej acaruese. Një herë ai tha:

“Ka qenë vështirësi e madhe që t’i fus ndonjë gjë në kokë këtij brezi. Ka qenë sikur të çaja nyjat e degëve të kokotës me një çyrek misri [një cope buke misri] për pykë dhe një kungull për tokmak [çekiç druri]. Edhe shenjtorët mezi kuptojnë” (Mësimet: Jozef Smith, f. 554).

Kjo ishte një çështje serioze për Jozef Smithin. Duhet të ketë pasur kaq shumë njohuri që ai donte që njerëzit ta dinin dhe kuptonin, ta përqafonin e jetonin – por ata thjesht nuk e bënin këtë. Por një analogji e vogël dhe e thjeshtë nga zona kufitare e Shteteve të Bashkuara në shekullin e nëntëmbëdhjetë, na paraqet një pamje gazmore dhe na hap një dritare të vogël për të kuptuar personalitetin e Jozef Smithit.

Ka shumë aspekte të tjera të karakterit të Jozef Smithit që spikatin në mësimet e tij. Për shembull, dashuria e tij për miqtë: “Zemra ime do t’i dojë ata dhe duart e mia do të rraskapiten për ata, që më duan dhe rraskapiten për mua, dhe që do të gjenden gjithmonë besnikë ndaj miqve të mi” (Mësimet: Jozef Smith, f. 493).

Ose dashamirësia dhe bujaria e tij: Një herë kur burrat po thoshin se sa keq ishin ndier për një njeri, shtëpia e të cilit ishte djegur, Jozefi menjëherë tha: “Mua më vjen keq për këtë vëlla në masën e pesë dollarëve; sa keq ju vjen ju të gjithëve?” (Mësimet: Jozef Smith, f. 491).

Pastaj vjen dashuria e tij për familjen, integriteti moral, përulësia, vetëbesimi, drejtësia dhe barazia, besimi mes sprovave dhe vuajtjeve. Është e gjitha atje, e shprehur krahas të vërtetave dhe parimeve të përjetshme sipas të cilave të jetosh.

Ai Është Profeti Im

Jozef Smithi natyrisht që edhe sot sulmohet e kritikohet. Por ashtu siç tha ai: “Kurrë nuk ju thashë se jam i përsosur, por nuk ka gabim në zbulesat që ju kam mësuar” (Mësimet: Jozef Smith, f. 556). Ne mund të japim një dëshmi të guximshme për faktin se ai ishte profet. Unë e kam pasur të lehtë të dëshmoj për Jozef Smithin – jo sepse ka një përgjigje të lehtë për të gjitha pyetjet që njerëzit mund të shtrojnë rreth tij, por sepse i kam studiuar zbulesat dhe mësimet profetike të tij dhe e kam ndier Frymën e Shenjtë të më dëshmojë se ato janë të vërteta. Është ashtu siç tha dikur vetë Jozefi:

“Unë mund të shijoj parimet e jetës së përjetshme dhe po ashtu edhe ju. Ato më janë dhënë mua me anë të zbulesave të Jezu Krishtit; dhe e di se kur ju them këto fjalë të jetës së përjetshme ashtu si më jepen mua, ju i shijoni ato dhe unë e di se ju i besoni ato. Ju thoni se mjalti është i ëmbël dhe po kështu edhe unë. Unë mund të shijoj gjithashtu shpirtin e jetës së përjetshme. E di se është i mirë; dhe kur ju them këto gjëra që më janë dhënë nga frymëzimi i Shpirtit të Shenjtë, ju jeni të bindur që i merrni ato si të ëmbla dhe gëzoheni gjithmonë e më shumë” (Mësimet: Jozef Smith, f. 559).

E kam shijuar atë ëmbëlsi. Ajo m’u tregua nga profeti im, Jozef Smithi. Dhe ashtu siç tha Presidenti Nelson, ai është profeti juaj gjithashtu. Ju mund të bëni një studim serioz për jetën dhe mësimet e tij këtë vit me manualin Eja, Më Ndiq. Më pas ju mund të dëshmoni për të vërtetat e ëmbla që ai ju ka ndihmuar të shijoni.