Rinia
Shpresa e Izraelit


Shpresa e Izraelit

Presidenti Rasëll M. Nelson: Nuk gjej fjalët e duhura për ta shprehur mirënjohjen tonë për atë kor seminari. O sa mirë që kënduat! Faleminderit. Faleminderit shumë. Kur e shoh këtë Qendër Konferencash të mbushur me shenjtorë të bukur të ditëve të mëvonshme, ndiej se më në fund e kam familjen e madhe që po shpresoja të kisha. Ka 22 000 prej jush sonte dhe mijëra më shumë që janë me ne nëpërmjet këtij transmetimi.

Motra Nelson dhe unë jemi vërtet të ngazëllyer që jemi me ju sonte. Na pëlqen shumë të jemi me ju, të rinjtë e të rejat e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme – dhe mësuesit e prindërit tuaj.

Sikur të mund të dëgjonim secilin prej jush rreth përvojave tuaja në përgatitje për mbledhjen tonë mbarëbotërore, teksa e lexonit përditë Librin e Mormonit dhe teksa luteshit për të dëgjuar atë që Zoti pret me padurim t’ju mësojë.

Edhe njëherë, i shpreh falënderimet tona korit të seminarit që e këndoi himnin tonë të hapjes me kaq ndjenjë. Ai himn – “T’Falemi, Per’ndi, për Profetin” – ato fjalë na i kthyen zemrat te Profeti Jozef Smith. Sa në borxh jemi me të! Ai është profeti i kësaj periudhe të fundit ungjillore! Përfytyrojeni! Ai ishte në moshën tuaj kur u frymëzua nga fjalët e Apostullit Jakob: “Por në qoftë se ndonjërit nga ju i mungon urtia, le të kërkojë nga Perëndia”1.

Ato fjalë e shtynë Jozefin të shkonte në një korije pemësh aty pranë, ku ia zbrazi zemrën Perëndisë.

Qiejt u hapën! Jozefi pa Atin dhe Birin dhe e mësoi vetë se ku të shkonte për të gjetur përgjigje për pyetjet e tij.

Tani, unë i lutem secilit prej jush që të bëni atë që bëri adoleshenti Jozef. Çojini pyetjet tuaja drejtpërdrejt tek Ati Qiellor në lutje. Kërkojini Atij, në emrin e Jezu Krishtit Zotit, t’ju udhërrëfejë. Mund ta mësoni vetë – që tani në moshën tuaj – si të merrni zbulesë personale. Dhe asgjë nuk do të sjellë ndryshim më të madh në jetën tuaj se ajo!

Ju premtoj juve – jo personit që është ulur në krahun tuaj, por juve – që, kudo që jeni në botë, kudo që jeni në shtegun e besëlidhjes suaj – ndonëse, në këtë çast, nuk jeni të përqendruar te shtegu – ju premtoj juve se nëse do ta bëni sinqerisht dhe me ngulm punën shpirtërore të nevojshme për ta zhvilluar aftësinë vendimtare, shpirtërore të të mësuarit se si t’i dëgjoni pëshpëritjet e Frymës së Shenjtë, do të keni të gjithë drejtimin që do t’ju duhet ndonjëherë në jetën tuaj. Do t’ju jepen përgjigje për pyetjet tuaja në mënyrën dhe kohën e Zotit. Mos i harroni këshillat e prindërve dhe të udhëheqësve tuaj. Edhe ata po kërkojnë zbulesë në emrin tuaj.

Kur e dini se jeta juaj po drejtohet nga Perëndia, pavarësisht nga sfidat dhe zhgënjimet që mund të vijnë dhe do të vijnë, do të ndieni gëzim dhe paqe.

Tani, do të doja t’ju flisja rreth sfidës më të madhe, kauzës më të madhe dhe punës më të madhe në tokë. Dhe ne duam t’ju ftojmë të jeni pjesë e saj!

I kam kërkuar Motrës Uendi Nelson të japë pak kontekst për atë mesazh të rëndësishëm. Të lutem, Motra Nelson.

Motra Uendi W. Nelson : Të dashur vëllezër dhe motra, të cilët i duam dhe i besojmë, do të doja të filloja duke ju treguar se çfarë pamë bashkëshorti im dhe unë një ditë teksa po kalonim përgjatë kodrave të Jutës me një automjet të përshtatshëm për çdo terren.

Ishte një ditë e bukur vjeshte. Na pëlqeu shumë të ishim midis pemëve të arta dhe madhështore, të larta e të drejta, të gjitha të drejtuara për nga qielli.

Pamja
korije pemësh

Pastaj, morëm kthesën dhe unë pashë një pemë që më kujtoi veten dhe mënyrën se si ndihem shpesh në shumë situata.

Pamja
trung peme i shtrembër

“A e njihni atë ndjenjë? Vështron përreth dhe çdokush tjetër është i lartë dhe i drejtë dhe i drejtuar nga qielli, për ta thënë figurshëm.

Ata kanë gjithçka në rregull. Veshin veshje të përsosura, duket se thonë gjithnjë gjërat e duhura, nuk kanë asnjë problem, janë përsosurisht të bindur – dhe ngjajnë sikur nuk kanë gabuar kurrë në jetën e tyre.

Dhe pastaj, epo, jeni ju dhe unë!

Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura është koha të ndalojmë së krahasuari veten me të tjerët. Është koha t’i lëmë mënjanë ato pikëpamje të gabuara për veten dhe për të tjerët. E vërteta është që ne nuk jemi me të meta aq të pashpresa sa mendojmë dhe të tjerët nuk janë aq të përsosur sa mund të duken – sigurisht, të gjithë përveç Shpëtimtarit, Jezu Krisht.

E vetmja gjë që ka vërtet rëndësi është që ju dhe unë po bëjmë pikërisht atë për të cilën u zotuam – madje besëlidhëm – në jetën paratokësore me Atin tonë Qiellor që do të bënim gjatë kohës që jemi këtu në tokë.

Ndaj, më lini t’ju pyes: Për çfarë u lindët ju?

Sa do të doja të mund të shihnit një material filmik 10-minutësh nga Youtube për jetën tuaj para lindjes.

Profeti Jozef Smith dha mësim se nëse do të mund t’ia ngulnit sytë qiellit pesë minuta, do të dinit më shumë nga sa do të dinit për një temë po ta studionit atë për gjithë jetën.2 Ndaj, thjesht përfytyrojeni sikur të mund ta kundronit për 10 minuta jetën tuaj para lindjes!

Sigurisht, ne e kuptojmë se Zoti ka hedhur me mençuri një vel mbi ato kujtime. Por, thjesht për një çast, përfytyrojeni efektin që do të kishte në jetën tuaj në këtë çast po të lejoheshit të shihnit 10 minuta nga jeta juaj paratokësore.

Besoj se po të mund ta shihnit veten duke jetuar me Prindërit tuaj Qiellorë dhe me Jezu Krishtin; po të mund të vëzhgonit se çfarë bëtë para lindjes dhe ta shihnit veten duke bërë zotime – madje besëlidhje – me të tjerë, përfshirë këshilluesit e mësuesit tuaj; po të mund ta shihnit veten duke iu përgjigjur me guxim sulmeve ndaj së vërtetës dhe ta shihnit veten duke u ngritur trimërisht në mbrojtje të Jezu Krishtit, besoj se çdonjëri prej jush do të kishte fuqi, zotim dhe perspektivë më të madhe për përjetësinë për t’ju ndihmuar të mposhtni çfarëdo dhe të gjithë pështjellimin, të gjitha dyshimet, mundimet dhe problemet. Të gjitha!

Besoj se po të mund t’ju kujtohej se kë thatë që do të ndihmonit ndërkohë që do të ishit këtu në tokë, ose çfarë përvojash ratë dakord të kalonit, që në çfarëdo situate vërtet të vështirë të jeni në të tashmen – ose në të cilën do të jeni – do të thoshit: “O, tani më kujtohet. Tani e kuptoj. Kjo situatë e vështirë ka kuptim për mua tani. Me ndihmën e Zotit, unë mund ta bëj këtë!”

Tani, ja një gjë tjetër për të cilën ju ftoj të mendoheni. Më pëlqen të përfytyroj që secili prej nesh erdhi në tokë me një rrotull letre të ngjitur në shpirt të titulluar “Gjërat që Duhet të Bëj sa Jam në Tokë”.

Le të flasim rreth gjërave që mund të jenë në atë rrotull letre. Le të flasim rreth pesë gjërave që me siguri janë shkruar në rrotullën tuaj të letrës sipas ungjillit të Jezu Krishtit.

E para, ju erdhët që të merrnit një trup të vdekshëm. Dhe kjo, miqtë e mi, është diçka e madhe.

E dyta, erdhët që të viheshit në provë.

Meqë ra fjala, a e keni vënë re se vënia jonë në provë përfshin të nxënin si t’i kontrollojmë orekset dhe pasionet e trupave tanë, që nganjëherë mund të dalin tej mase jashtë kontrollit? Nëse aktualisht po luftoni me ndikimet e mbetura nga çfarëdolloj varësie, ose nga çfarëdo mëkati të madh për të cilin nuk jeni penduar, ju nxit t’ia hiqni barrën vetes duke biseduar me peshkopin tuaj – sot. Ai mban çelësa priftërie që mund t’ju ndihmojnë.

Një gjë e tretë që duhet të bëni sa jeni në tokë: zgjidhni ta ndiqni Jezu Krishtin dhe të ngriheni në mbrojtje të Tij, njësoj siç bëtë në jetën para lindjes.

E katërta, zgjidhni të pendoheni çdo ditë e të merrni sakramentin çdo javë. Ndërsa e bëni këtë, do të shëroheni, të forcoheni e të lartësoheni shpirtërisht dhe përfundimisht do të shenjtëroheni e të ekzaltoheni nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit.

Tani, një pikë e pestë në listën tuaj: gjejini dhe përmbushini misionet tuaja në vdekshmëri. Miqtë e mi të dashur, në jetën para lindjes juve dhe mua na u caktuan misione të mrekullueshme për t’i përmbushur sa jemi në tokë.

Ju dhe unë kemi mundësi për t’i përmbushur misionet tona në vdekshmëri, por nuk jemi të detyruar t’i përmbushim. Askush nuk do të na detyrojë. Ne kemi lirinë e zgjedhjes për të zgjedhur si ta shpenzojmë kohën dhe energjinë tonë, talentet dhe burimet tona. Në fakt, ajo që zgjedhim të bëjmë është në fakt pjesë e provës sonë.

Zgjedhja është juaja dhe imja. A do të zgjedhim të bëjmë çdo gjë që duhet për t’i përmbushur misionet e mrekullueshme për të cilat u dërguam në tokë?

Ndërkohë që ajo pyetje zien në mendjen tuaj, le ta ndërrojmë temën e të flasim rreth arsyes pse jeni këtu në tokë në këtë kohë të caktuar, që është një kohë kaq e pashembullt në historinë e tokës.

Pse jeni këtu në tokë pikërisht tani?

Pse nuk lindët në vitet 1880? Ose 30 vjet nga sot?

Më lini t’ju tregoj një përvojë që më mësoi nga afër rreth ditëve historike në të cilat jetojmë.

Ne shpesh flasim rreth të jetuarit në ditët e mëvonshme. Ne, në fund të fundit jemi shenjtorë të Ditëve të Mëvonshme. Por ndoshta këto ditë janë më të “mëvonshme” nga sa e kemi marrë me mend.

Kjo e vërtetë u bë një realitet për mua për shkak të asaj që përjetova gjatë një periudhe kohore prej 24 orësh që nisi më 15 qershor 2013. Bashkëshorti im dhe unë ishim në Moskë të Rusisë.

Ndërkohë që Presidenti Nelson bëri mbledhje me disa udhëheqës të priftërisë, unë pata privilegjin të mblidhesha me pothuajse 100 nga motrat e Kishës. I dua motrat tona ruse. Ato janë të mahnitshme!

Kur eca drejt foltores për të folur, e gjeta veten duke thënë diçka që nuk e kisha parashikuar. U thashë grave: “Do të më pëlqente t’ju njihja nga linja juaj e prejardhjes. Ju lutem, ngrihuni në këmbë ndërkohë që thuhet fisi i Izraelit që përfaqëson linjën e prejardhjes së shpallur në bekimin tuaj patriarkal.”

“Beniamini?” U ngritën dy gra.

“Dani?” Dy të tjera.

“Rubeni?” U ngritën disa të tjera.

“Neftali” U ngritën edhe më shumë motra.

Teksa njoftoheshin emrat e dymbëdhjetë fiseve të Izraelit – nga Asher te Zebuloni – dhe teksa gratë ngriheshin në këmbë, u habitëm të gjitha nga ajo që po dëshmonim, ndienim dhe mësonim.

Sa prej të dymbëdhjetëve fiseve të Izraelit mendoni që u përfaqësuan në atë grumbullim të vogël me më pak se 100 gra atë të shtunë në Moskë?

Njëmbëdhjetë! Njëmbëdhjetë nga dymbëdhjetë fiset e Izraelit u përfaqësuan në atë dhomë të vetme! I vetmi fis që mungonte ishte Levi. U çudita. Ishte një çast shpirtërisht prekës për mua.

Menjëherë pas atyre mbledhjeve, bashkëshorti im dhe unë fluturuam direkt për në Jerevan të Armenisë. Njerëzit e parë që takuam kur zbritëm nga avioni ishin presidenti i misionit dhe e shoqja. Nuk e di sesi, ajo kishte dëgjuar rreth kësaj përvoje në Moskë dhe me kënaqësi të madhe, më tha: “Jam unë nga fisi i Levit!”

Thjesht përfytyrojeni ngazëllimin tonë kur bashkëshorti im dhe unë u takuam të nesërmen me misionarët e tyre, përfshirë një plak nga fisi i Levit, i cili thjesht rastisi të ishte nga Gilberti i Arizonës.

Atëherë, kur unë isha një vajzë e vogël që frekuentonte Filloren në Rejmond të Albertës në Kanada, mësova se në ditët e fundit – përpara Ardhjes së Dytë të Shpëtimtarit – dymbëdhjetë fiset e Izraelit do të mblidheshin. E vërteta ishte ngazëllyese për mua dhe, në të njëjtën kohë, tejet e vështirë për t’u kuptuar. Ndaj përfytyrojeni si ishte për mua të gjendesha me anëtarë të dymbëdhjetë fiseve të Izraelit brenda një periudhe kohore 24-orëshe!

Që nga ajo kohë kam mësuar se ndoshta nuk duhej t’u kërkoja atyre motrave që të identifikoheshin sipas linjës së prejardhjes sepse bekimet patriarkale janë të shenjta dhe linja e prejardhjes e shpallur në to është personale. Prapëseprapë, jam mirënjohëse për privilegjin që pata për t’i parë drejtpërsëdrejti frytet e mbledhjes së Izraelit. Ndikimi nga ajo përvojë nuk është zbehur kurrë në zemrën ose mendjen time.

Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, këto janë njëmend ditët e mëvonshme! Nuk ka pasur kurrë një kohë si kjo në historinë e kësaj toke. Kurrë! Para lindjes, ju dhe unë u zotuam që të bënim një punë të madhërishme ndërkohë që do të ishim këtu në tokë. Dhe me ndihmën e Zotit, do ta bëjmë atë! Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Presidenti Nelson: Faleminderit, Uendi. Të dua! A nuk është e mrekullueshme ajo?

Të dashur vëllezër e motra, të rinj e të reja, këto me siguri janë ditët e mëvonshme dhe Zoti po e përshpejton punën e Tij që Izraeli të mblidhet. Ajo mbledhje është gjëja më e rëndësishme që po ndodh në tokë sot. Asgjë tjetër nuk krahasohet për nga madhësia, asgjë tjetër nuk krahasohet për nga rëndësia, asgjë tjetër nuk krahasohet për nga madhështia. Dhe nëse e zgjidhni, nëse e dëshironi, ju mund të jeni një pjesë e madhe e saj. Mund të jeni një pjesë e madhe e diçkaje të madhe, diçkaje të madhërishme, diçkaje madhështore!

Kur flasim për mbledhjen, po themi thjesht këtë të vërtetë themelore: çdonjëri nga fëmijët e Atit tonë Qiellor, në të dyja anët e velit e meriton ta dëgjojë mesazhin e ungjillit të rivendosur të Jezu Krishtit. Ata e vendosin vetë a dëshirojnë të dinë më shumë.

Ata që e kanë linjën e prejardhjes nga fise të ndryshme të Izraelit janë ata, zemrat e të cilëve kanë më tepër gjasë të kthehen te Zoti. Ai tha: “Delet e mia e dëgjojnë zërin tim, unë i njoh dhe ato më ndjekin”3. Ata që janë të shtëpisë së Izraelit do ta njohin më lehtësisht Zotin Jezu Krisht si Shpëtimtarin e tyre dhe do të dëshirojnë të mblidhen në vathën e Tij. Ata do të duan të bëhen anëtarë të Kishës së Tij, të bëjnë besëlidhje me Të dhe Atin Qiellor dhe të marrin ordinancat e tyre thelbësore.

Zoti i tha Profetit Jozef Smith që tani, (duke nënkuptuar kohën tonë), është ora e njëmbëdhjetë dhe hera e fundit që Ai do të thërrasë punëtorë në vreshtin e Tij për qëllimin e ngutshëm të mbledhjes së të zgjedhurve nga të katra anët e tokës.4

Pyetja ime sonte për secilin prej jush nga mosha 12 deri 18 vjeç është kjo: A do t’ju pëlqente të ishit një pjesë e madhe e sfidës më të madhe, kauzës më të madhe dhe punës më të madhe në tokë sot?

A do t’ju pëlqente të ndihmonit që Izraeli të mblidhet gjatë këtyre ditëve të çmuara të mëvonshme? A do të jeni ju, që jeni të zgjedhurit, të gatshëm për të ndihmuar të gjenden të zgjedhurit që nuk e kanë dëgjuar mesazhin e ungjillit të rivendosur? A do t’ju pëlqente të ishit midis atyre “lajmëtarë[ve të] shpejtë” për të cilët foli profeti Isaia?5

Tani, pjesëmarrja në mbledhjen e Izraelit ndoshta do të kërkojë disa sakrifica nga ana juaj. Mundet madje të kërkojë të bëhen disa ndryshime në jetën tuaj. Pa dyshim që do t’ju marrë ca nga koha, energjia dhe talentet tuaja të dhëna nga Perëndia. A jeni të interesuar?

Vetëm mendoni për emocionin dhe ngutin në gjithë këtë: çdo profet, duke filluar nga Adami, e ka parë kohën tonë. Dhe çdo profet ka folur rreth kohës sonë, kur Izraeli do të mblidhej dhe bota do të përgatitej për Ardhjen e Dytë të Shpëtimtarit. Mendoni për këtë! Nga të gjithë njerëzit që kanë jetuar ndonjëherë në planetin tokë, ne jemi ata që na u dha mundësia të marrim pjesë në këtë ngjarje të fundit, në këtë mbledhje të madhe. Sa emocionuese është kjo!

Ati ynë Qiellor ka ruajtur shumë nga shpirtrat e Tij më fisnikë – ndoshta, mund të them, skuadrën e Tij më të mirë – për këtë fazë përfundimtare. Ata shpirtra fisnikë – ata lojtarë më të mirë, ata heronj – jeni ju!

Unë dëshmoj se mbledhja është tani dhe është e vërtetë. Në vitin kur linda unë, anëtarësia e përgjithshme e Kishës ishte më pak se 600 000 njerëz, pa asnjë anëtar në Amerikën e Jugut. Sot, ka më shumë se 16 milionë anëtarë anekënd botës, me afro 3 milionë anëtarë në Amerikën e Jugut.

Më lejoni t’ju tregoj rreth një përvoje që pata në vitin 1979. Atëherë po shërbeja si President i Përgjithshëm i Shkollës të së Dielës. U ftova të merrja pjesë në një mbledhje të udhëheqësve të Kishës në të cilën foli Presidenti i Kishës, Presidenti Spenser W. Kimball. Ai na ngarkoi të luteshim që dyert e kombeve të hapeshin në mënyrë që ungjilli i Jezu Krishtit të mund t’u sillej të gjithë njerëzve në tokë. Ai e përmendi veçanërisht Kinën dhe na kërkoi të luteshim për popullin e Kinës. Ai tha edhe: “Ne duhet të jemi në shërbim të popullit kinez. Duhet ta mësojmë gjuhën e tyre. Duhet të lutemi për ta dhe t’i ndihmojmë ata.”

U ktheva në shtëpi te bashkëshortja ime, Denxela (e cila ndërroi jetë më shumë se 13 vjet më parë), dhe i thashë: “Presidenti Kimball në atë mbledhje na kërkoi të mësojmë kinezisht! Dhe nuk e dëgjova të thoshte: ‘Të gjithë përveç Vëllait Nelson!’ Kështu që, a do të jesh e gatshme ta studiojmë bashkë gjuhën mandarine?” Sigurisht që ajo ra dakord dhe ne morëm mësime për gjuhën mandarine.

Gjashtë javë pas detyrës që na dha Presidenti Kimball, po ndiqja mbledhjen vjetore të Shoqatës Amerikane për Kirurgjinë e Kraharorit në Boston. Ajo po zhvillohej në Boston, Masaçusets. Atë mëngjes, isha lutur në dhomën time të hotelit për popullin e Kinës, siç kishte kërkuar Presidenti Kimball. Shkova në mbledhjen e parë të ditës dhe u ula atje ku ulesha gjithnjë në këto mbledhje profesionale – në krye të dhomës. Ndërsa mbledhja vazhdonte, karrigia filloi të më dukej gjithnjë e më e parehatshme. Kur u fikën dritat për një paraqitje fotografike, u ngrita shkarazi nga karrigia ime dhe eca qetësisht drejt fundit të dhomës – një vend ku zakonisht nuk ulesha kurrë. Kur u ndezën dritat përsëri, e gjeta veten të ulur në krah të një doktori kinez. Ai m’u paraqit si Profesor U Jing-Kai nga Pekini i Kinës!

Pas një bisede të këndshme me të, i bëra një ftesë që të vizitonte Solt-Lejk-Sitin dhe të jepte një leksion në Shkollën e Mjekësisë në Universitetin e Jutës. Ai pranoi me gëzim dhe e bëri jashtëzakonisht mirë. Më pas u kthye në Kinë.

Jo shumë kohë më pas, më ftoi të isha profesor i jashtëm për kirurgji në Universitetin e Mjekësisë Shandong në Jinan të Kinës. Ajo çoi në ftesa vijuese për mua që të shërbeja si profesor i jashtëm në dy universitete të tjera në Kinë.

Këto përvoja të mrekullueshme profesionale – përpara thirrjes sime tek Të Dymbëdhjetët – arritën majat kur m’u kërkua nga kirurgët kinezë që të kryeja një operacion në kraharor të hapur për t’i shpëtuar jetën yllit të tyre më të dashur të operës. E bëra dhe fatmirësisht ai operacion doli me sukses. Ai rastësisht, qe i fundit në jetën time profesionale.

Tani bëhen pothuajse 40 vjet që kam qenë duke u lutur për popullin e Kinës. Gjej gëzim nga shoqërimi me kolegët e mjekësisë dhe miq të tjerë në Kinë. Çfarë gëzimi është për mua që jam njohur zyrtarisht si një “mik i vjetër i Kinës”.

Është dëshmia ime që, kur e bëjmë në vazhdimësi çfarëdo që na kërkon të bëjmë një profet i Perëndisë, udha do të hapet dhe do t’u ndryshojmë jetën të tjerëve.

Tani, shpresoj se po e pyetni veten: “Çfarë mund të bëj, në adoleshencë, për të ndihmuar që Izraeli të mblidhet? Epo, Motra Nelson dhe unë i bëmë po të njëjtën pyetje dhe disa pyetje të tjera, një grupi rinor nga moshat 12 deri 18 vjeç, shumë prej të cilëve janë këtu sonte.

Ne fillimisht pyetëm: “Çfarë është mbledhja e Izraelit? Dhe çfarë do të thotë ajo për ju?” Përgjigjet e tyre qenë të ndryshme, por shumica vunë në dukje se nuk ishin mjaft të sigurt se çfarë ishte. Sonte, duam që ta dini se mbledhja e Izraelit përfundimisht do të thotë që ungjilli i Jezu Krishtit t’u ofrohet në të dyja anët e velit fëmijëve të Perëndisë, të cilët nuk i kanë bërë besëlidhjet vendimtare me Perëndinë dhe as nuk i kanë marrë ordinancat e tyre thelbësore.

Çdo fëmijë i Atit tonë Qiellor e meriton mundësinë e zgjedhjes për ta ndjekur Jezu Krishtin, për ta pranuar dhe marrë ungjillin e Tij me të gjitha bekimet e veta – po të gjitha bekimet që Perëndia ua premtoi pasardhësve të Abrahamit, Isakut dhe Jakobit, i cili, siç e dini, tani njihet edhe si Izrael.

Rinia ime e dashur dhe e jashtëzakonshme, ju u dërguat në tokë pikërisht në këtë kohë, në kohën më vendimtare në historinë e botës, që të ndihmoni që Izraeli të mblidhet. Nuk ka asgjë tjetër që po ndodh në tokë tani që është më e rëndësishme se ajo. Nuk ka asgjë me pasoja më të mëdha se ajo. Absolutisht asgjë.

Kjo mbledhje duhet të jetë gjithçka për ju. Ky është misioni për të cilin u dërguat në tokë.

Ndaj, pyetja ime për ju është: “A jeni të gatshëm të rekrutoheni në batalionin e rinisë së Zotit që të ndihmoni që Izraeli të mblidhet?” Ju lutem, mendohuni për këtë. Mos u përgjigjni ende.

Le t’u kthehemi pyetjeve që Motra Nelson dhe unë u bëmë miqve tanë të rinj. Ne i pyetëm: “Nëse profeti do ta ftonte çdo person nga mosha 12 deri 18 vjeç në Kishë që të rekrutohej për të ndihmuar që Izraeli të mblidhet, çfarë do të ishit të gatshëm të bënit?”

Të rinjtë e të rejat u përgjigjën me komente frymëzuese të tilla si: “Nëse profeti do të na ftonte të rekrutoheshim për të ndihmuar që Izraeli të mblidhet, unë absolutisht që do të merrja pjesë në të”. Dikush tjetër tha: “Do ta lija çfarëdo gjëje që po bëja dhe do të ndihmoja!” Një tjetër: Do të shkoja dhe do të bëja çfarëdo që Ai më kërkon të bëj, sepse profeti është një predikues nga Perëndia.”

Përgjigjet e tyre përfshinë gjithashtu: “Do të isha i gatshëm të bëja më shumë punë për historinë familjare. Do të isha më i hapur dhe të bëja një përpjekje më të madhe për të folur me të tjerët rreth ungjillit. Do të isha një shembull i mirë për shfaqjen e cilësive të ngjashme me të Krishtit. Do të bëja më tepër pagëzime për të vdekurit; do të ndryshoja aspekte të mënyrës se si e jetoj jetën time dhe të zgjedhjeve që bëj; do të udhëtoja kudo që ai do të kishte nevojë të shkoja, do të mësoja një gjuhë të re, të takoja njerëz të rinj, do t’u huaja kopjen time të Librit të Mormonit atyre që nuk e kanë lexuar kurrë atë. Dhe do të isha njeriu më i sjellshëm që do të mund të isha.”

Ne i pyetëm këta të rinj e të reja edhe se çfarë do të ishin të gatshëm të sakrifikonin që të mund të ndihmonin që Izraeli të mblidhet. Përsëri, rinia na ngazëlleu. Ata u përgjigjën: “Do të shpenzoja më pak kohë me sporte që të mund t’i gjendesha një personi që ka nevojë për të vërtetën. Do të sakrifikoja kalimin e kohës me miqtë dhe në vend të saj, do t’i ftoja ata të vinin në tempull. Pa dyshim që do ta shkurtoja kohën që merrem me telefonin tim. Do të hiqja dorë nga koha që kaloj duke parë televizor. [Madje] do të isha i gatshëm të sakrifikoja dremitjet e mia pasditeve të së dielës!”

I pyetëm: “Po të donit të rekrutoheshit që të ndihmoni që Izraeli të mblidhet, çfarë duhet të filloni të bëni ose të ndaloni të bëni?” Ata u përgjigjën me përgjigje të tilla si: “Do t’i studioja shkrimet e shenjta më shumë dhe me më shumë vendosmëri, që të mund t’u përgjigjesha pyetjeve që mund të më bëjnë njerëzit. Do të shpenzoja më pak kohë në mediat shoqërore; do të isha më i angazhuar në bërjen e veprave të thjeshta të punës misionare si anëtar, përfshirë vepra të përditshme shërbimi. Do të shpenzoja më pak kohë me telefonin tim dhe, po të isha duke u marrë me telefonin, do të publikoja shkrime të shenjta ose mesazhe të tjera shpirtërore në mediat shoqërore. Do të studioja bisedat e konferencave të përgjithshme sepse ato janë tejet të rëndësishme. Do të haja shëndetshëm që të mund të jem në formë. Do të ndaloja së menduari se gjithçka rrotullohet rreth meje.” Faleminderit, vëllezër dhe motra, për përgjigjet tuaja ndaj pyetjeve tona.

Mendoni për këtë, të dashur vëllezër e motra, të rinj e të reja, dua që ta dini se tani unë po përgatitem për ditën kur do të më kërkohet t’i jap llogari Profetit Jozef Smith, Presidentit Brigam Jang e të tjerëve – dhe përfundimisht Zotit – rreth kujdestarisë sime si profet i Perëndisë në tokë sot. Nuk dua që të më pyetin: “Vëllai Nelson, pse nuk ishe më i qartë me të rinjtë e të rejat rreth pjesës së tyre në mbledhjen e Izraelit? Pse nuk ua the më troç që të rekrutoheshin për të marrë pjesë?”

Prandaj, unë tani e ftoj çdo të re dhe çdo të ri nga mosha 12 deri 18 vjeç në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme që të rekrutohet në batalionin e rinisë së Zotit për të ndihmuar që Izraeli të mblidhet.

Çfarë do t’ju ndihmojë? Teksa vazhdoni ta lexoni përditë Librin e Mormonit, do të mësoni doktrinën e mbledhjes,6 të vërteta rreth Jezu Krishtit, Shlyerjes së Tij dhe plotësinë e ungjillit të Tij që nuk gjendet në Bibël. Libri i Mormonit është qendror për mbledhjen e Izraelit.7 Në fakt, nëse nuk do të kishte Libër të Mormonit, mbledhja e premtuar e Izraelit nuk do të ndodhte.

Dhe tani, ju ftoj ta përgatitni veten duke bërë pesë gjëra të tjera – pesë gjëra që do t’ju ndryshojnë dhe do t’ju ndihmojnë ta ndryshoni botën.

E para, shkëputuni nga përdorimi i vazhdueshëm i medias shoqërore, në mënyrë që ta pakësoni ndikimin e botës mbi ju nëpërmjet saj.

Më lejoni t’ju tregoj rreth një të riu të moshës suaj, nipin e një mikut tim të dashur. Ai është i njohur mes shokëve të tij dhe një udhëheqës në shkollën e tij të mesme. Kohët e fundit, prindërit i gjetën në telefon gjëra që ishin të papërshtatshme për një ndjekës të Jezu Krishtit. Ata ngulën këmbë që ai të mos përdorte më media shoqërore për një periudhë kohe. Ata ia ndërruan telefonin e tij inteligjent me një telefon që bën vetëm telefonata dhe atë e zuri paniku. Si do t’i mbante lidhjet me miqtë e tij?

Në fillim u acarua me prindërit, por vetëm pas pak ditësh, ai i falënderoi që ia hoqën telefonin inteligjent. Ai tha: “Ndihem i lirë për herë të parë pas një kohe të gjatë”. Tani ai u telefonon miqve nga ky telefon me model të vjetër për t’i mbajtur lidhjet me ta. Ai flet vërtet me ta, në vend që t’u dërgojë gjithnjë mesazhe!

Çfarë ndryshimesh të tjera kanë ndodhur në jetën e këtij të riu? Ai thotë se tani i pëlqen që është i lirë nga jeta e rreme që krijon media shoqërore. Ai angazhohet aktivisht në jetë në vend që ta ketë kokën në telefon gjatë gjithë kohës. Ai merr pjesë në veprimtari argëtuese në natyrë në vend që të luajë me videolojëra. Është më pozitiv dhe më i dobishëm në shtëpinë e vet. Kërkon mundësi për të shërbyer. Dëgjon më me vëmendje në kishë, ka një shprehi më të ndritshme në fytyrë, është shumë më i lumtur dhe po përgatitet aktivisht për misionin e tij! E gjitha kjo sepse bëri pushim nga ndikimi negativ i medias shoqërore.

Ndaj, ftesa ime e parë për ju sot është të shkëputeni nga përdorimi i vazhdueshëm i medias shoqërore, duke mbajtur një agjërim shtatëditor nga media shoqërore. E pranoj se media shoqërore ka gjëra pozitive. Por nëse po i kushtoni më shumë vëmendje njoftimeve nga media shoqërore sesa pëshpëritjeve të Shpirtit, atëherë po e vini veten në rrezik shpirtëror – si dhe në rrezikun e përjetimit të vetmisë e depresionit të thellë. Edhe ju edhe unë njohim të rinj e të reja që janë ndikuar nëpërmjet medias shoqërore për të bërë dhe thënë gjëra që nuk do t’i bënin kurrë ballë për ballë. Ngacmimi është një shembull i tillë.

Një anë tjetër negative e medias shoqërore është se krijon një ndjesi realiteti të rremë. Çdonjëri publikon fotografitë e veta më zbavitëse, aventureske dhe emocionuese, gjë që krijon përshtypjen e gabuar se gjithkush përveç jush po bën një jetë zbavitëse, aventureske dhe emocionuese. Shumica e gjërave që shfaqen në njoftimet e mediave tuaja të ndryshme shoqërore është e shtrembëruar, në mos e rreme. Kështu që bëni një pushim shtatëditor nga gjërat e rreme!

Zgjidhni shtatë ditë radhazi dhe jepini! Shihni a dalloni ndonjë ndryshim në mënyrën se si ndiheni dhe atë që mendoni dhe madje në mënyrën se si mendoni, gjatë atyre shtatë ditëve. Pas shtatë ditësh, dallojeni a ka disa gjëra që dëshironi të ndaloni së bëri dhe disa gjëra që tani doni t’i filloni.

Ky agjërim i veçantë nga media shoqërore mund të jetë vetëm midis jush dhe Zotit. Do të jetë shenja juaj për Të se jeni të gatshëm të hidhni një hap larg botës në mënyrë që të rekrutoheni në batalionin e Tij të rinisë.

Ftesa ime e dytë është që të bëni një sakrificë të përjavshme kohe për Zotin, për tri javë me radhë, që t’ia bëni të ditur Atij se dëshironi të jeni pjesë e batalionit të Tij të rinisë – më shumë nga sa dëshironi gjithçka tjetër. Për tri javë hiqni dorë nga diçka që ju pëlqen ta bëni dhe përdoreni atë kohë për të ndihmuar që Izraeli të mblidhet.

Në çfarëdo kohe që bëni çfarëdo gjëje që e ndihmon cilindo – në çdonjërën prej anëve të velit – të hedhë një hap drejt bërjes së besëlidhjeve jetike me Perëndinë dhe marrjes së ordinancave të veta thelbësore të pagëzimit dhe tempullit, ju po ndihmoni që Izraeli të mblidhet. Kaq e thjeshtë është.

Ndërsa luteni rreth kësaj sakrifice të kohës, do të udhërrëfeheni për të ditur edhe nga se të hiqni dorë atë javë dhe atë që mund të bëni në vend të saj për të ndihmuar që Izraeli të mblidhet. Për shembull, një i ri që merret me golf mund të heqë dorë nga një lojë golfi dhe ta shpenzojë atë kohë me pagëzime në tempull.

Ftesa ime e tretë është që të bëni një vlerësim tërësor të jetës me Zotin dhe ndoshta me prindërit e peshkopin tuaj, për t’u siguruar që këmbët tuaja të jenë ngulur fort në shtegun e besëlidhjes. Nëse jeni endur larg, ose nëse ka disa gjëra që nevojitet t’i lini pas për ta ndihmuar mendjen dhe zemrën tuaj të jenë më të pastra, sot është koha e përkryer për t’u penduar.

Nëse nuk jeni të sigurt për mënyrën se si të pendoheni, bisedoni me peshkopin ose prindërit tuaj ose me të dy. Ata do t’ju ndihmojnë ta kuptoni Shlyerjen e Jezu Krishtit. Ata do t’ju ndihmojnë të përjetoni gëzimin që sjell përherë pendimi i vërtetë.

Ju lutem, mos rrini larg shtegut të besëlidhjes as edhe një minutë më tepër. Ju lutem, kthehuni nëpërmjet pendimit të vërtetë, tani. Ne kemi nevojë për ju në batalionin e rinisë së Zotit. Nuk do të ishte njësoj pa ju!

Ftesa ime e katërt është që të luteni përditë që të gjithë fëmijët e Perëndisë të mund t’i marrin bekimet e ungjillit të Jezu Krishtit. Ju dhe unë po jetojmë për ta parë dhe do të vazhdojmë ta shohim, Izraelin të mbledhur me fuqi të madhe. Dhe ju mund të jeni pjesë e fuqisë që do ta mundësojë atë mbledhje!

Ftesa ime e pestë është që të dalloheni; të jeni të ndryshëm nga bota. Ju dhe unë e dimë se ju duhet të jeni një dritë për botën. Prandaj, Zoti ka nevojë që ju të dukeni, të tingëlloni, të veproni e të visheni si një dishepull i vërtetë i Jezu Krishtit. Po, ju po jetoni në botë, por keni standarde shumë të ndryshme nga bota për t’ju ndihmuar ta shmangni njollosjen e botës.

Me Frymën e Shenjtë si shoqëruesin tuaj, mund të shihni përtej kulturës së bërjes VIP që e ka pushtuar shoqërinë tonë. Mund të jeni më të zgjuar nga ç’kanë qenë brezat paraardhës. Dhe nëse ndonjëherë ju quajnë “të çuditshëm”, mbajeni atë dallim nga të tjerët si një dekoratë dhe jini të lumtur që drita juaj po shkëlqen fort në këtë botë gjithnjë e më të errët!

Vendoseni standardin për pjesën tjetër të botës! Përqafojeni të qenin ndryshe! Broshura e titulluar Për Forcën e Rinisë duhet të jetë standardi juaj. Ai është standardi që Zoti pret të mbahet nga e gjithë rinia e Tij. Tani, si shërbëtori i Tij i përulur, ju lutem që ta studioni këtë broshurë përsëri. Lexojeni me lutje siç nuk e keni lexuar kurrë më parë. Bëni shënime tek ajo. Bisedoni rreth saj. Diskutoni rreth standardeve me miqtë tuaj. Vendosni si mund t’i jetoni këto standarde, standardet tuaja, madje me më shumë përpikëri.

Ju keni një kopje vetjake. Pra sonte në mbarim të mbledhjes, nëse zgjidhni të rekrutoheni, ju lutem, merrni një kopje të broshurës Për Forcën e Rinisë dhe jepjani këtë kopje të re një miku/mikeje që nuk i njeh standardet tuaja, ose mund të mos i jetojë ato.

Lutuni për të ditur se kush ka nevojë për këtë broshurë. Do të merrni udhërrëfim. Dhe do të jetë emocionuese.

Tani, më lejoni ta përmbledh duke i rishikuar pesë ftesat e mia për ju që të rekrutoheni në batalionin e rinisë së Zotit për të ndihmuar që Izraeli të mblidhet:

  1. Mbani një agjërim shtatëditor nga media shoqërore.

  2. Bëni një sakrificë kohe për Zotin për tri javë.

  3. Vazhdoni në shtegun e besëlidhjeve. Nëse jeni larguar, pendohuni dhe rikthehuni në shteg.

  4. Lutuni përditë që të gjithë fëmijët e Perëndisë të mund t’i marrin bekimet e ungjillit të Jezu Krishtit.

  5. Dallohuni nga të tjerët. Jini të ndryshëm. Jini një dritë. Jepini një miku një kopje të broshurës Për Forcën e Rinisë.

Të dashur vëllezër e motra, të rinj e të reja, ju jeni nga më të mirët që Zoti ka dërguar ndonjëherë në këtë tokë. Ju keni kapacitetin për të qenë më të zgjuar e më të mençur dhe për të pasur më shumë ndikim mbi botën sesa çdo brez i mëparshëm!

Teksa e mbyll, ju ftoj që të ngriheni në këmbë me rininë nga e gjithë bota dhe të përjetoni ngazëllimin e të qenit anëtarë të batalionit të rinisë së Zotit në “ushtrin’ e Sionit” duke kënduar himnin tonë të mbylljes “Shpres’ e Izraelit” sepse ky himn, i gjithi, ju kushtohet juve!

Nga thellësia e shpirtit tim, dëshmoj se kjo është puna e Perëndisë të Gjithëfuqishëm. Ai jeton. Jezusi është Krishti. Kjo është Kisha e Tij, e rivendosur për të përmbushur fatin e saj hyjnor, përfshirë mbledhjen e premtuar të Izraelit.

Ju jeni shpresa e Izraelit, “fëmijët e kohës së premtuar”!8 Unë dëshmoj kështu, në emrin e Jezu Krishtit, amen.