Transmetimet e Trajnimeve
“Mos Dyshoni, por Jini Besues”


“Mos Dyshoni, por Jini Besues”

Transmetimi i Trajnimit Vjetor për Seminaret dhe Institutet e Fesë • 12 qershor 2018 • Salla e Qendrës së Konferencave

Plaku Dejll G. Renland: Jemi mirënjohës që jemi me ju. Jemi mirënjohës për atë që bëni teksa jepni mësim dhe i përkrahni seminaret dhe institutet në mbarë botën. Teksa e bëni këtë, kujtoni gjithmonë se sa i kënaqur është Zoti me shërbimin tuaj. Ai është pjesë me këtë publik; Ai është me ju, Ai ka shkuar “përpara fytyrës suaj”, Ai “do të je[të] në të djathtën e në të majtën tuaj” dhe “Shpirti [i Tij] do të jetë në zemrat tuaja”, dhe “engjëjt e [Tij] përreth jush, për t’ju ngritur lart”1.

Ju falënderoj në emër të Zotit dhe të Kishës së Tij për besimin dhe besnikërinë tuaj. Ju faleminderit që i pranoni përgjegjësitë tuaja. Ju faleminderit që i ndihmoni fëmijët e Atit Qiellor që të kthehen tek Ai. Ju faleminderit që i ftoni fëmijët e Tij të vijnë te Krishti.

Motra Ruth L. Renland: Faleminderit këtij kori të mrekullueshëm që e ka shtuar Shpirtin në këtë mbledhje. Jam e sigurt që të gjithë jemi lartësuar prej fjalimit të bukur të Vëllait Çad H. Ueb dhe Plakut Kim B. Klark. I falënderojmë ata gjithashtu për shembullin e tyre të dishepullimit. Jemi të lumtur që kemi mundësinë të takohemi me ju sot [dhe të flasim] mbi besimin dhe dyshimin, një temë që ju e prekni shpesh.

Plaku Renland: Përfytyroni sikur t’ju jetë përmbysur barka ndërkohë që lundroni në mes të oqeanit. Keni veshur një jelek shpëtimi dhe keni notuar me orë të tëra drejt atij që besoni se është bregu më i afërt, por nuk mund të jeni i sigurt. I keni humbur lëngjet në maksimum, kështu që çdo herë që filloni të notoni, jeni si i trullosur. Sipas asaj që mund ta llogaritni, në rastin më të mirë, bregu është 30 kilometra ose 18 milje larg. Keni frikë se do të humbni jetën. Në largësi dëgjoni një motor të vogël. Tingulli duket sikur vjen drejt jush; shpresa juaj për shpëtim merr krahë. Teksa vështroni, ju shihni të afrohet një barkë peshkimi.

Motra Renland: “Oh, falë qiellit“, mendoni ju, kapiteni ju shikon! Barka ndalon dhe një peshkatar i mirë, i rrahur nga moti, ju ndihmon të hipni në të. Me mirënjohje, ju zvarriteni deri te një ndenjëse në barkë, duke nxjerrë një psherëtimë lehtësimi. Peshkatari ju jep një pagur me ujë dhe disa biskota të kripura. Uji dhe biskotat e kripura ju japin ushqimin e nevojshëm që të merrni fuqitë. Jeni kaq shumë i lehtësuar dhe i lumtur. Ju jeni rrugës për në shtëpi.

Teksa filloni të gjallëroheni dhe të ndiheni më mirë, ju filloni t’u kushtoni vëmendje disa gjërave që nuk para i vutë re më parë. Uji i pagurit është pak i ndenjur dhe jo ai që do të kishit parapëlqyer, i një marke të shtrenjtë. Ushqimi që dëshironi vërtet të kishit, është një pjesë mishi e zgjedhur e pasuar nga një kruasan me çokollatë. Ju vini re gjithashtu se peshkatari i mirë është i moshuar dhe ka veshur çizme e pantallona xhins të vjetruara. Rripi i kapelës së tij është me njolla dhe ai duket se mezi dëgjon nga veshët.

Plaku Renland: Ju vini re gjithashtu se barka është shumë e përdorur dhe se ka gunga nga ana e djathtë e kiçit. Një pjesë e bojës është ciflosur, vjetruar dhe hequr. Ju vini re gjithashtu se, kur peshkatari e liron nga shtrëngimi timonin, barka anohet djathtas. Ju filloni të shqetësoheni se kjo barkë dhe ky kapiten nuk mund t’ju sigurojnë shpëtimin që ju nevojitet. Ju e pyetni peshkatarin e moshuar për gungat dhe timonin. Ai thotë se nuk shqetësohet shumë për këto gjëra sepse e ka drejtuar barkën për te vendet e peshkimit dhe në kthim, nëpër të njëjtën rrugë, nga mëngjesi në darkë, për dekada të tëra. Barka gjithmonë e ka çuar atë pa problem dhe me siguri atje ku dëshironte të shkonte.

Ju shushateni! Si është e mundur që ai të mos shqetësohet për gungat dhe drejtimin e timonit? Dhe pse ushqimet të mos ishin më të ngjashme me atë që ju pëlqen juve? Sa më shumë që përqendroheni te barka dhe peshkatari, aq më shumë shqetësoheni. Ju filloni ta vini në dyshim edhe vendimin tuaj fillestar për të hipur në barkë. Ankthi juaj fillon të rritet. Së fundi, ju i kërkoni peshkatarit që ta ndalojë barkën dhe t’ju lëshojë sërish në ujë. Edhe pse tani jeni ende më shumë se 20 kilometra apo 12 milje larg bregut, ju nuk mund ta duroni idenë që të qëndroni në barkë. Me pak trishtim, peshkatari ju ndihmon të ktheheni sërish në oqean.

Motra Renland: Në këtë shëmbëlltyrë, barka përfaqëson Kishën dhe peshkatari përfaqëson ata që shërbejnë në Kishë.2 Qëllimi i vetëm i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme është t’i ndihmojë Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin për punën e Tyre që të bëjnë të ndodhë jeta e përjetshme e fëmijëve të Atit Qiellor.3 Çfarë na mësojnë për Kishën barka dhe peshkatari? A e ndryshojnë gungat dhe boja e hequr në Kishë aftësinë e saj që të sigurojë ordinancat e autorizuara shpëtuese dhe ekzaltuese për të na ndihmuar që të bëhemi si Ati Ynë në Qiell? Nëse peshkatari duhet ta mbajë fort timonin me të dyja duart, që ta mbajë në drejtimin e duhur, a e mohon kjo aftësinë e tij dhe të barkës që të na çojë pa problem dhe me siguri atje ku duam të shkojmë? Juve nuk ju duhet të jeni një shikues i shuguruar, ashtu si bashkëshorti im, që ta dini se të lëshoheni sërish në ujë në vend që të qëndroni në barkë, është me rrezik.

Çdo anëtar i Kishës ka nevojë për dëshminë e vet për vërtetësinë e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Pa atë kthim në besim, përfshirë një ndryshim të madh në zemër, njerëzit mund të fillojnë të përqendrohen te biskotat me kripë dhe boja e ciflosur metaforike.

Plaku Renland: Dëshmia ime zuri fill kur jetoja në Gëteborg të Suedisë. Isha 11 vjeç. Presidenti i misionit iu kishte bërë një ftesë të gjithë të rinjve e të rejave që ta lexonin Librin e Mormonit. Vëllai im më i madh, të cilin gjithmonë e kam admiruar dhe respektuar, e kishte pranuar sfidën. Dëshiroja të isha si ai, kështu që edhe unë fillova ta lexoja Librin e Mormonit. Diku përgjatë udhës, ndoshta kur isha te libri i Almës, një nga këshilltarët e presidentit të misionit na tha se duhej të luteshim për atë që po lexonim. Më kujtohet shumë mirë mbrëmja kur veprova sipas asaj ftese. Më kujtohet apartamenti ku jetonim dhe dhoma ku flinim vëllai im dhe unë. Pasi vëllanë tim e kishte zënë gjumi, dola nga shtrati dhe u gjunjëzova pranë tij, dhe fillova një lutje shumë të thjeshtë për ta ditur a është i vërtetë Libri i Mormonit.

Nuk dëgjova një zë, por ishte sikur Perëndia të më kishte thënë: “Ta kam thënë gjatë gjithë kohës që është i vërtetë”. Ajo përvojë më ndryshoi. Ma ndryshoi jetën. Ajo filloi një proces besimi, një proces të të qenit në shtegun e besëlidhjes dhe të përpjekjes për të bërë më shumë dhe për të bërë më mirë. Ndodhi në Gëteborg, që unë mësova se si të pendohem. Ndodhi në Gëteborg, që unë fillova t’i kem si shembull individët të cilët i lartësojnë thirrjet e tyre dhe që punojnë shumë për ta ndërtuar mbretërinë e Perëndisë. Ndodhi atje, që unë fillova t’i admiroj shenjtorët besnikë të Perëndisë kudo ku jetojnë. Për mua, Gëteborgu dhe ndërtesa ku mblidheshim në rrugën Viktoriagatan, u bënë vende të veçanta.

Në lidhje me të kthyerit e hershëm në besim të Almës, lexojmë: “Dhe tani, ndodhi që e gjithë kjo u bë në Mormon, po, pranë ujërave të Mormonit, në pyllin që ishte afër ujërave të Mormonit; po, vendi Mormon, ujërat e Mormonit, pylli i Mormonit, sa të bukura janë ato në sytë e atyre që erdhën atje në njohurinë e Shëlbuesit të tyre; po, dhe sa të bekuar që janë, pasi ata do t’i këndojnë lavdisë së tij përgjithmonë”4.

Ndodhi në Gëteborg që unë arrita në njohurinë e Shëlbuesit tim. Gëteborgu dhe rruga Viktoriagatan u bënë “ujërat [e mia] të Mormonit”.

Motra Renland: Ku arritët në një njohuri për Shëlbuesin tuaj? Si u ndiet? Nëse e keni harruar, ju nxitim ta kujtoni dhe t’i nxitni ata të cilëve po u jepni mësim, që ta kujtojnë se si u ndien. Kjo njohuri dhe këto ndjenja janë fillimet e besimit.

Besimi është një zgjedhje që duhet ta bëjë çdo person. Besimi nuk është dëshira për të trilluar që diçka të jetë e vërtetë dhe që ta bindni veten në mënyrë imagjinare se është e vërtetë. Besimi është siguria e ekzistencës së gjërave që ne nuk i kemi parë në mish. Është gjithashtu një parim veprimi. Ndoshta mund të thuhet se besimi është një lloj kujtese shpirtërore e ekzistencës sonë para lindjes.

“Besimi duhet të përqendrohet në Jezu Krishtin me qëllim që ai ta çojë një person drejt shpëtimit. … Besimi nxitet duke dëgjuar ungjillin të na mësohet prej administratorëve të autorizuar [si ju], të dërguar nga Perëndia. Mrekullitë nuk prodhojnë besim, por besimi i fortë zhvillohet nëpërmjet bindjes ndaj ungjillit të Jezu Krishtit. Me fjalë të tjera, besimi vjen nëpërmjet drejtësisë”5. Besimi nuk vjen duke kërkuar shenja nga Perëndia, por duke iu bindur dhe duke i zbatuar urdhërimet e Tij.

Plaku Renland: Perëndia dëshiron që ne të kemi besim. Ai dëshiron që ne të kemi besim kështu që Ai të mund të na bekojë. Alma u tha këtë zoramitëve të përulur: “Dhe tani vini re, unë ju them juve … që ju duhet të kujtoni se Perëndia është i mëshirshëm me të gjithë ata që besojnë në emrin e tij; prandaj ai dëshiron pikësëpari, që ju të keni besim, po, madje në fjalën e tij”6.

Besimi është çelësi që e shkyç mëshirën e Perëndisë. Pastaj Alma dha mësim se njeriu ka nevojë të vendosë a dëshiron ai ose ajo të ketë besim dhe pastaj të veprojë me besim përpara se besimi të mund të rritet. Alma vazhdon: “Por vini re, në qoftë se ju do të zgjoheni dhe do të vini në veprim aftësitë tuaja, madje deri në një provë mbi fjalët e mia dhe të ushtroni një pjesëz të besimit, po, edhe në qoftë se ju nuk mund të bëni më shumë sesa të dëshironi të besoni, lëreni këtë dëshirë të veprojë në ju, madje derisa të besoni në mënyrë që të bëni vend për një pjesë të fjalëve të mia”7.

Që besimi të rritet, njeriu duhet të zgjedhë që të ketë besim. Njeriu duhet të dëshirojë të ketë besim. Njeriu duhet të veprojë me besim.

Motra Renland: Ndoshta një konkretizim do ta ilustrojë këtë. Këtu kemi një dërrasë me një gozhdë në të. Kemi edhe 12 gozhdë të tjera. Kështu, i dashur, kam një detyrë për ty. A do t’i vësh në baraspeshë 12 gozhdët e tjera mbi atë që është e ngulur në dërrasë?

Plaku Renland: Çfarë the?

Motra Renland: A është e mundur? Mirë, ja një e vure. Të duhen edhe 11 më tepër. Duke punuar për ta zgjidhur këtë gjëzë, disa mund të mundohen ta vendosin një në majë dhe pastaj të heqin dorë.

Plaku Renland: A ke çamçakëz?

Motra Renland: Dikush mund të mendojë se hapi i mëtejshëm nuk është i gjasshëm. Shumë njerëz heqin dorë duke menduar: “Kjo është e pamundur”.

Por nëse jeni të gatshëm të thoni në vend të kësaj: “A është kjo e mundur?” ju mund të jeni të gatshëm të keni një qasje tjetër. Provojeni në këtë mënyrë. Vendoseni një gozhdë të shtrirë horizontalisht para jush. Tani vendosni një tjetër gozhdë të shtrirë vertikalisht në njërin cep të gozhdës së parë, me majën drejt jush dhe me kokën mbi gozhdën e parë. Vendoseni gozhdën tjetër të shtrirë vertikalisht në krahun e kundërt të gozhdës së parë, me majën larg jush. Vazhdoni t’i vendosni të gjitha gozhdët përveç të fundit mbi gozhdën e parë sipas këtij modeli duke ndërruar krahët.

Teksa e bëni këtë e shihni se ka një mënyrë. Ju filloni të mendoni: “Po, kjo mund të jetë e mundur”. Shpresa juaj rritet. Më në fund, edhe pak dhe po ia del mbanë.

Plaku Renland: Shpresa ime u rrit vërtet.

Motra Renland: Së fundi, vendoseni gozhdën e fundit sipër gozhdës së parë, paralel me të dhe mbi kokat e gozhdëve të tjera. E saktë! Pikërisht kështu. Tani, duke e prekur vetëm gozhdën poshtme, ngrijini të gjitha dhe vendoseni gozhdën e poshtme mbi gozhdën në dërrasë, si çati.

Nganjëherë përpjekja e parë nuk funksionon. Pra, me anë të shumë eksperimenteve ju duhet ta provoni për herë të dytë. Ndiqeni të njëjtën mënyrë. Shtrijeni gozhdën e fundit përsipër dhe me shumë kujdes, shumë kujdes –

Plaku Renland: Ti nuk e the atë më parë.

Motra Renland: Ngrijini të gjitha gozhdët dhe baraspeshojini ato. E përsosur. Pasi ta mësoni se si ta bëni, zgjidhja duket e qartë.

Plaku Renland: Mos merrni frymë!

Motra Renland: E njëjta gjë është e vërtetë për fitimin e një dëshmie. Pasi ta dini se si të merrni një përgjigje nga Perëndia, atëherë rezultati duket i sigurt. Kjo pohohet në premtimin e Librit të Mormonit, që bashkëshorti im e ndoqi kur ishte 11 vjeç dhe ashtu siç ne të gjithë e kemi ndjekur kur fituam dëshmitë tona. Dhe kur ju t’i merrni këto gjëra, unë do t’ju këshilloja që të pyesni Perëndinë, Atin e Amshuar, në emrin e Krishtit, në qoftë se këto gjëra nuk janë të vërteta; dhe në qoftë se ju do të kërkoni me një zemër të sinqertë, me qëllim të vërtetë duke pasur besim në Krisht, ai do t’ju tregojë të vërtetën, nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë”8.

Kur ju e filloni me pyetjen: “A mundet që këto gjëra të mos jenë të vërteta?” kjo çon drejt besimit. Nëse ju e filloni me pyetjen: “A mundet që këto gjëra të mos jenë të rreme?” kjo çon drejt dyshimit. Dhe dyshimi kurrë nuk të çon drejt besimit.

Plaku Renland: Në një rast, kur po merrja pjesë në një konferencë kunji, një president kunji më kërkoi të takoja një burrë që po e quaj Stiven. Stiveni kishte qenë anëtar besnik i Kishës. Ai ishte misionar i kthyer nga misioni dhe ishte martuar në tempull. Ai kishte shërbyer me besnikëri për shumë vite, por filloi të kishte dyshime mbi Kishën. Teksa e takova Stivenin, ai tha se kishte probleme me faktin që Jozef Smithi shkroi apo diktoi katër variante të Vegimit të Parë. Ai mendoi se kjo mund të kishte kuptimin se Jozef Smithi e sajoi atë.

Unë e vura në kontakt Stivenin me një burrë që punonte në Sektorin e Historisë së Kishës, i cili kishte bërë hulumtime për këto katër variante disa dekada më parë. Stiveni e takoi studiuesin. Herën tjetër që fola me Stivenin, i thashë: “Pra, si ndihesh për Vegimin e Parë?”

Ai tha: “Epo, ndihem shumë mirë për atë sepse kam marrë përgjigje për pyetjet e mia. Ajo nuk më shqetëson më. Por tani jam vërtet i shqetësuar për poligaminë që u ushtrua në Navu dhe pas Manifestit në vitin 1890. Kjo po më trazon vërtet.”

I kërkova Stivenit të takohej me dikë tjetër në Sektorin e Historisë së Kishës. Pas atij diskutimi, u vura në kontakt me Stivenin dhe e pyeta si po ia kalonte.

Ai tha: “Epo, ajo nuk më shqetëson më. E kuptova se çfarë ka ndodhur dhe shqetësimet e mia u tretën. Por tani jam vërtet i shqetësuar që priftëria nuk iu dha njerëzve me prejardhje afrikane.”

Motra Renland: Stiveni ngjan me shumë njerëz. Ai ka zgjedhur të jetë një dyshues i përhershëm. Me kalimin e kohës, teksa një shqetësim tretej, ai gjente një tjetër. Pavarësisht se sa shumë cilido të përpiqej t’i shtjellonte dhe t’u përgjigjej këtyre pyetjeve, ai gjente një temë tjetër për të cilën ta shprehte dyshimin e tij. Ajo çfarë po bënte Stiveni, ishte një formë kishtare e lojës “godite urithin”. Ju e dini, si loja e fëmijëve, kur një urith del prej fushës me vrima dhe sa e godet atë një tjetër del në një vrimë tjetër të fushës.

Ishte një situatë shumë e ndryshme nga ajo e një gruaje që e takuam në Lubumbashi në Republikën Demokratike të Kongos. Ajo quhet Anxhelika. Ajo ishte një misionare besnike e kthyer nga misioni. Kishte një dëshmi të fuqishme për Profetin Jozef Smith. E donte Librin e Mormonit. E donte gjithçka që lidhej mbi Kishën.

Kur e takuam, ajo po lexonte një libër të shkruar nga njëri prej udhëheqësve të Kishës përpara se ai të bëhej Presidenti i Kishës. Libri ishte shkruar përpara zbulesës mbi priftërinë në vitin 1978 dhe sugjeronte se, për shkak të disa gjërave të bëra në ekzistencën para lindjes, njerëzit me prejardhje afrikane nuk do të ekzaltoheshin. Anxhelika kërkoi ndihmë për ta kuptuar se përse ishte kështu. Një anëtar aktual i Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve i tha asaj se ky udhëheqës i mëparshëm i Kishës e kishte gabim, thjesht dhe qartë, dhe se ai thjesht kishte treguar opinionin e tij, një opinion që ishte i pasaktë. Anxhelika ishte e kënaqur me këtë shpjegim. Ajo veproi me besim duke mbetur në shtegun e besëlidhjes dhe duke i mirëbesuar Perëndisë.

Plaku Renland: Dyshimi nuk është pararendësi i besimit. Për t’u krijuar, drita nuk varet nga errësira. Teksa Pjetri po fundosej në ujë pasi u përpoq të ecte mbi të, atij nuk i thanë: “Oh Pjetër, ah sikur të kishe më shumë dyshim!” Jo, atij i thanë: “O njeri besimpak, pse dyshove?”9

Në librin Lectures on Faith [Leksione mbi Besimin], shpjegohen ndryshimet mes besimit dhe dyshimit: “Dhe atje ku janë dyshimi dhe pasiguria, besimi nuk është dhe as mund të jetë. Sepse dyshimi dhe besimi nuk ekzistojnë në të njëjtin njeri në të njëjtën kohë; kështu që njerëzit, mendja e të cilëve është me dyshime dhe frikë, nuk mund të kenë vetëbesim të patundur; dhe atje ku nuk është vetëbesimi i patundur, atje besimi është i dobët; dhe atje ku besimi është i dobët, njerëzit nuk do të jenë në gjendje të luftojnë kundër gjithë kundërshtimeve, vuajtjeve dhe mundimeve të cilat do t’ju duhet t’i hasin në mënyrë që të jenë trashëgimtarë të Perëndisë dhe bashkëtrashëgimtarë me Krishtin Jezus; dhe ata do të bëhen të dobët në mendjen e tyre dhe kundërshtari do të ketë fuqi mbi ta dhe do t’i shkatërrojë ata”10.

Kjo është në të vërtetë ajo që i ndodhi Stivenit. Ai i la dyshimin dhe pasigurinë që t’ia pushtonin mendjen. Teksa koha kalonte, ai nuk e kishte forcën të përballej me sfidat që has individi si anëtar i Kishës. Ai u bë i dobët në mendjen e tij dhe besimi i tij u zhduk.

Motra Renland: Të kesh një pyetje mbi Kishën dhe doktrinat e saj nuk është një problem. Problemi është të zgjedhësh që të jesh një dyshues i përhershëm. Jozef Smithi e kuptoi atë kur lexoi: “Por në qoftë se ndonjërit nga ju i mungon urtia, le të kërkojë nga Perëndia, që u jep të gjithëve pa kursim, pa qortuar, dhe atij do t’i jepet”11.

Por fragmenti vazhdon: “Por le ta kërkojë me besim, pa dyshuar”12.

Me fjalë të tjera, pyeteni Perëndinë, pa dyshuar që Ai mund t’ju japë një përgjigje. Fragmenti vazhdon: “Sepse ai që dyshon [ose lëkundet] i ngjan valës së detit, të cilën e ngre dhe e përplas era. Dhe ky njeri të mos pandehë se do të marrë diçka nga Zoti, sepse është një njeri me dy mendje, i paqëndrueshëm në gjithë rrugët e veta”13.

Për ta marrë atë lloj përgjigjeje që kërkoi Jozef Smithi, për ta marrë atë lloj përgjigjeje që na mungon, na duhet t’i qasemi Perëndisë me një zemër besuese dhe një mendje që dëshiron që gjërat e Perëndisë të na bëhen të njohura neve.

Plaku Renland: E kemi për zemër një pohim të bërë nga Plaku Xhon A. Uidsou, një Apostull i hershëm në këtë periudhë ungjillore, nga Norvegjia. Do ta perifrazoj atë që ai e tha me aq shumë gojëtari: “Dyshimi, po të mos shndërrohet në kërkim [nga burimet e sakta], nuk ka vlerë ose të mirë në botë. … Po të krenohesh me të qenit një dyshues … dyshuesi i amullt, dikush i kënaqur me veten, jo i gatshëm për ta bërë përpjekjen [e duhur], për ta paguar çmimin e zbulimit [hyjnor], në mënyrë të pashmangshme arrin te mosbesimi dhe errësira baltake. Dyshimet e tij rriten si kërpudha helmuese në hijet e errëta të dhomave të tij mendore dhe shpirtërore. Së fundi, i verbër ashtu si urithi në strofkën e vet, ai zakonisht e zëvendëson arsyen me qesharaken dhe punën me përtacinë. E vërteta më e thjeshtë vlen sa shuma e të gjithë dyshimeve të tilla. … Dyshimi nuk është gabim po të mos bëhet një qëllim në vetvete. Ai ngrihet në dinjitet të lartë kur bëhet një kërkim aktiv [hyjnor] për të vërtetën dhe ushtrimin e saj. … Ai dyshim që e ushqen veten dhe rritet me veten, dhe që, me përtaci kryeneçe, shton më shumë dyshim, është i lig”14.

Fjalët e Plakut Uidsou janë ende të vërteta. Dyshimi i amullt nuk çon drejt njohjes së realitetit të Shpëtimtarit, Jezu Krishtit; ai nuk çon te njohja vërtet se ne kemi një Atë të mirë e të dashur Qiellor. Ne mund të arrijmë ta dimë të vërtetën e kësaj pune të ditëve të mëvonshme, por për këtë duhet që të zgjedhim besim, jo dyshim, dhe që të shkojmë te burimet e sakta për përgjigjet tona. Për këtë duhet që ta dallojmë se zgjedhja është e jona. Nuk është një forcë e jashtme që na detyron për faktin a t’i pranojmë apo jo Shlyerjen e Jezu Krishtit dhe ordinancat shpëtuese në jetën tonë. Ne zgjedhim t’i mirëbesojmë Perëndisë.

Motra Renland: Ndonjëherë ne përballemi me përcaktimin e faktit a është diçka e vërtetë apo jo. Mormoni na jep një model për ta ndjekur: “Prandaj, të gjitha gjërat që janë të mira vijnë nga Perëndia dhe ajo që është e ligë vjen nga djalli; … Por vini re, ajo që është e Perëndisë fton dhe nxit për të bërë mirë përherë; prandaj çdo gjë që fton dhe nxit për të bërë mirë dhe për të dashur Perëndinë dhe për t’i shërbyer atij, është frymëzuar nga Perëndia. … Pasi vini re, vëllezër të mi, ju është dhënë juve të gjykoni, kështu që mund të dini të mirën nga e liga; dhe mënyra për të gjykuar, që të mund të dini me njohuri të përkryer, është aq e qartë, sa është të dallosh dritën e ditës nga errësira e natës. Pasi vini re, Shpirti i Krishtit i jepet çdo njeriu, që ai të dallojë të mirën nga e keqja; prandaj, unë do t’ju tregoj mënyrën se si të gjykoni; pasi çdo gjë që ju fton të bëni mirë dhe t’ju bindë të besoni në Krisht, është dërguar nëpërmjet fuqisë dhe dhuratës së Krishtit; prandaj ju mund të dini me një njohuri të përsosur se është nga Perëndia. Por, çdo gjë që i bind njerëzit të bëjnë keq dhe të mos besojnë në Krisht, dhe ta mohojnë atë, dhe të mos i shërbejnë Perëndisë, atëherë ju mund ta dini me një njohuri të përsosur se ajo është e djallit”15.

Pra, është shumë e thjeshtë. Nëse një zgjedhje ju çon të bëni mirë dhe të besoni në Krisht, ajo është nga Perëndia. Nëse zgjedhja ju nxit të bëni të ligën dhe ta mohoni Krishtin, ajo është nga djalli. Teksa shkon në shtegun e besëlidhjes, ju mund ta dini se ato gjëra që ju shpërqendrojnë nga ai shteg, që ju bindin të mos besoni në Krisht, janë të gabuara. Ato gjëra që ju bindin të besoni në Perëndi, ta doni Atë dhe t’i mbani urdhërimet e Tij, janë nga Perëndia.

Plaku Renland: Është interesante se mënyra se si një individ iu përgjigjet nxitjeve shpirtërore varet nga fakti nëse individi zgjedh të besojë apo të dyshojë. Ju kujtohet te Veprat e Apostujve, kapitulli 2, teksa Apostujt po shkonin të predikonin. Ata dëgjuan një ushtimë nga qielli, si ajo e një ere që fryn furishëm. “Kështu të gjithë u mbushën me Frymën e Shenjtë dhe filluan të flasin në gjuhë të tjera, ashtu si Fryma e Shenjtë ua jepte të shpreheshin. … Kur u dëgjua ajo ushtimë, turma u mblodh dhe u hutua, sepse secili nga ata i dëgjonte të flisnin në gjuhën e vet. Dhe të gjithë habiteshin dhe mrekulloheshin dhe i thonin njëri‑tjetrit: ‘Ja, a nuk janë të gjithë Galileas këta që flasin? Si vallë secili nga ne i dëgjon të flasin në gjuhën e vet amtare?”16

Këto ngjarje mahnitëse bënë që shumë njerëz të ktheheshin në besim. Por për të tjerë, pati një reagim të ndryshëm. Lexojmë: “Kurse të tjerë i përqeshnin dhe thonin: ‘Janë plot me verë të ëmbël!’”17

Shpirti ishte i njëjti; kjo ishte Fryma e Shenjtë që po derdhej mbi këta Apostuj galileas, që po predikonin për Jezu Krishtin. Në ditën e Rrëshajëve, Shpirti u derdh me bollëk të madh dhe ende disa i tallnin ata që u kthyen në besim dhe arsyetonin për arsyen. Si rrjedhojë, ata e humbën këtë derdhje të rëndësishme të Shpirtit të Shenjtë. Çfarë e solli ndryshimin? Ishte zgjedhja e tyre. Ata që zgjodhën besim dhe bindjet në vend të dyshimit, patën një përvojë shpirtërore të mrekullueshme që çoi në kthimin në besim.

Motra Renland: Edhe Alma foli për këtë. Ai tha: “Dhe prandaj, ai që do të ngurtësojë zemrën e tij, po, ai do të marrë pjesën më të vogël të fjalës; dhe ai që nuk do ta ngurtësojë zemrën, atij i jepet pjesa më e madhe e fjalës, derisa t’i jepet të dijë misteret e Perëndisë, derisa t’i dijë plotësisht. Dhe ata që do të ngurtësojnë zemrat e tyre, atyre do t’u jepet pjesa më e vogël e fjalës, derisa ata të mos dinë asgjë në lidhje me misteret e tij; dhe atëherë do të bëhen robër të djallit dhe do të udhëhiqen nga vullneti i tij deri në shkatërrim”18.

Duke u kthyer te shëmbëlltyra jonë, ata që zgjedhin të qëndrojnë në barkën shumë të përdorur, mbase me gjurmë goditjesh, me bojën e hequr, janë ata që nuk i ngurtësojnë zemrat e tyre. Ata futen në shtegun e besëlidhjeve dhe qëndrojnë në shtegun e besëlidhjeve. Pastaj, teksa durojnë deri në fund, shtrihet premtimi i jetës së përjetshme. Kjo është dhurata më e madhe që mund të japë Perëndia. Nëpërmjet këtij procesi ndodh që ne arrijmë ta njohim Jezu Krishtin, të dimë për realitetin e Tij të gjallë dhe të dimë për dashurinë dhe dhembshurinë e Tij. Kjo dhuratë shpirtërore u jepet të gjithë atyre që kualifikohen për të.

Doktrina e Besëlidhje thotë: “Disave u jepet me anë të Frymës së Shenjtë të dinë se Jezu Krishti është Biri i Perëndisë dhe se ai u kryqëzua për mëkatet e botës. Të tjerëve u jepet të besojnë në fjalët e tyre, që edhe ata të mund të kenë jetë të përjetshme, nëse qëndrojnë besnikë”19.

Plaku Renland: Në prill të vitit 2009, unë u mbështeta si Autoritet i Përgjithshëm në Kishë. Në tetor të vitit 2009, më kërkuan të flas në konferencën e përgjithshme. Kjo është pjesë e “programit për sikletosjen e Autoriteteve të reja të Përgjithshme”. Isha në ankth se babai im do të ishte në gjendje ta dëgjonte konferencën. Ai kishte punuar shumë si marangoz dhe ndërtues gjatë gjithë jetës së tij dhe, në moshën 92 vjeç, kishte probleme të rënda me shpinën. Ai nuk ishte në gjendje të vinte në Qendrën e Konferencave. Kështu, një nga motrat e mia siguroi që ai të mund ta shihte sesionin në televizor në shtëpinë e tij në Solt‑Lejk‑Siti.

Pas konferencës, shkova në shtëpinë e tij që ta shihja se çfarë mendonte për bisedën time. Ai ishte një burrë që kishte shumë pak fjalë dhe nuk i jepte shumë lehtë përgëzimet.

I thashë: “Babi, a e pe konferencën?”

Ai tha: “Po”.

I thashë: “Babi, a e dëgjove bisedën time?”

Ai tha: “Po”.

I thashë: “Epo, babi, si mendon?”

Ai tha: “Oh, ishte mirë. Unë isha thuajse krenar.” Dhe ky ishte ndër më të mirët nga përgëzimet që merrja prej tij.

Por më pas mësova se ai ishte pak i shpërqendruar atë pasdite sepse dëshpërimisht dëshironte të më tregonte një ëndërr që e kishte parë një natë më parë. Ai nuk ishte njeri ëndërrimtar. Ai nuk kishte pasur asnjëherë mendime të çuditshme. Nuk kam mësuar kurrë që ai të ketë thënë një gënjeshtër. Ai gjithmonë kishte qenë i ndershëm në mënyrë të vrazhdë dhe pa takt. Ai tha: “Pashë ëndërr që vdiqa dhe pashë Shpëtimtarin, Jezu Krishtin. Ai më mori në krahët e Tij dhe më tha se mëkatet e mia më ishin falur. Dhe Dejll, u ndjeva kaq mirë.” Kjo ishte gjithçka që ai tha dhe u përmbajta e nuk pyeta më tej. Ai vdiq dy muaj më vonë ndërsa Ruthi dhe unë ishim në Madagaskar.

Babi im, pas bashkimit me Kishën në Larsmo të Finlandës, në moshën 24 vjeç, e jetoi të gjithë jetën e tij në përputhje me dritën dhe njohurinë që kishte marrë. Ai bëri gjithmonë gjithçka që iu kërkua të bënte. Ai u bë njëri që u kualifikua për atë dhuratë të Shpirtit që ta dinte se Jezusi është Krishti dhe se u kryqëzua për mëkatet e botës dhe për mëkatet e atij vetë. Kualifikimi për këtë dhuratë nuk varet nga gjinia dhe nuk varet nga detyra në priftëri. Ajo varet nga kualifikimi për atë dhuratë duke zgjedhur besimin, duke zgjedhur shtegun e besëlidhjes.

Motra Renland: Vëllezër dhe motra, teksa i ndihmoni individët që ta kapërcejnë dyshimin dhe të ushtrojnë besim, ju po përmbushni atë që na ka nxitur të bëjmë si Kishë Presidenti Rasëll M. Nelson. Ai tha: “Mesazhi ynë drejtuar botës është i thjeshtë dhe i sinqertë: ne i ftojmë të gjithë fëmijët e Perëndisë në të dyja anët e velit të vijnë te Shpëtimtari i tyre, të marrin bekimet e tempullit të shenjtë, të kenë gëzim të përhershëm dhe të kualifikohen për jetën e përjetshme”20. Pranimi i kësaj ftese është një veprim besimi.

Teksa u jepni mësim, ju gjithashtu i ndihmoni ata që e kanë lënë shtegun e besëlidhjes. Ju jepni mësim për ata, për fëmijët e tyre, për nipërit e mbesat dhe mbase dhe për stërnipërit dhe stërmbesat. Shpëtimtari këshilloi: “Të tillëve ju duhet të vazhdoni t’u shërbeni; pasi ju nuk e dini në qoftë se ata do të kthehen dhe pendohen dhe vijnë tek unë me qëllim të plotë të zemrës, dhe unë do t’i shëroj; dhe ju do të jeni mjetet që do t’u sjellin shpëtim atyre”21.

Kjo është një kohë për optimizëm të madh në Kishë. E vërteta që ishte fshehur për shekuj, u zbulua. Tempuj të shenjtë e mbushin tokën. Misionarët predikojnë një mesazh gëzimi të madh në pothuajse çdo komb. Si një trupë shenjtorësh, dhe dishepujsh të Zotit Jezu Krisht, ne jemi të njëjtësuar në dhënien e shërbesës në një “mënyrë më të shenjtë”, siç na ka nxitur Presidenti Nelson dhe Zoti po e përshpejton “veprën [e Tij] në këtë kohë”22. Zoti i vreshtit do të punojë me ne23. Mesazhi që jepni mësim, është një mesazh gëzimi dhe lumturie të madhe që është një bekim për besnikun24.

Plaku Renland: Përgjegjësia e parë që pata si anëtar i Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve, ishte që të shkoja e t’i thoja Sektorit të Historisë së Kishës se unë do ta zëvendësoja Plakun Xhefri R. Holland si këshilltar në sektorin e tyre. Siç mund ta përfytyroni, pati “qarje dhe vajtime dhe kërcëllimë dhëmbësh”25 teksa morën vesh se këshilltari i tyre i dashur do të zëvendësohej. Menjëherë mbaruan shamitë prej letre.

Si pjesë e caktimit tim si këshilltar për Sektorin e Historisë së Kishës, i kam lexuar të gjitha vëllimet e materialit The Joseph Smith Papers. E kam lexuar gjithashtu vëllimin e parë të historisë së re treguese të Kishës, të titulluar Shenjtorët. 26 Leximi i gjithçkaje që Jozef Smithi shkroi ndonjëherë ose që është raportuar se e ka thënë, thjesht e ka forcuar dëshminë time për rolin e tij si profet, i zgjedhur nga Perëndia për ta rivendosur veprën e Tij në tokë.

Jozef Smithi nuk u soll kurrë si një shtinjak që komplotoi për mashtrim. Jozef Smithi e besoi qartas se i kishte parë ato që tha se i kishte parë: Atin tonë Qiellor dhe Jezu Krishtin; Moronin; Gjon Pagëzorin, Pjetrin, Jakobin dhe Gjonin; Moisiun; Eliasin dhe Elijan. Ai u soll qartas si dikush që i kishte zotëruar fletët e arta dhe i kishte përkthyer tekstet e lashta me anë të dhuratës dhe Fuqisë së Perëndisë. Ai u soll qartas si dikush që kishte marrë zbulesë nga Jezu Krishti Vetë. Ai u soll qartas si dikush që i kishte marrë priftërinë dhe çelësat e Apostullimit të shenjtë.

Unë e di me mënyra më të fuqishme dhe më të sigurta sesa çfarë mund të dallojnë dhe shprehin pesë shqisat e mia, që Jozef Smithi e pa atë që ai tha se e pa, e përktheu Librin e Mormonit nëpërmjet dhuratës dhe fuqisë së Perëndisë dhe se e mori priftërinë me çelësat e saj shoqëruese për shpëtimin e njerëzimit. E di se kjo është e vërtetë. E di se ata çelësa janë në tokë sot dhe se Presidenti Nelson është pasuesi me të drejtë i Jozef Smithit në tokë.

Ato që ne i konsiderojmë gunga dhe bojë të hequr në barkën shumë të përdorur, mund të dalë se janë sanksionuar hyjnisht dhe drejtuar hyjnisht nga një këndvështrim i përjetshëm. Zoti ose ka pasur gisht në gungat dhe bojën e hequr, ose Ai i përdor ato për vetë qëllimet e Tij. Unë e di vetë se Zoti, Jezu Krishti, e drejton punën e Tij në tokë sot. Shërbëtorët e Tij e njohin mirë Atë. Unë e njoh Atë.

Motra Renland: Jam mirënjohëse të shtoj dëshminë time se e di se Jezu Krishti është Shpëtimtari ynë. Kur ne ushtrojmë besim, jo dyshim, në flijimin e Tij shlyes dhe në frytet e asaj Shlyerje jeta jonë bekohet përjetësisht. Jam mirënjohëse, që Ai rivendosi Kishën e Tij sot me bekimet e plota në dispozicion si kurrë më parë për fëmijët e Perëndisë në tokë.

Plaku Renland: Mesazhi që ne japim është që të “mos dyshoni, por [të jeni] besues”27. Unë jam këtu në rolin tim si një Apostull i Zotit, Jezu Krisht. Jam këtu që të jap dëshmim të veçantë për emrin e Jezu Krishtit, që Ai jeton dhe është Shpëtimtari i botës. Jap dëshmim për dhembshurinë, dashurinë dhe shqetësimin përkujdesës e të shquar të Tij për të gjithë fëmijët e Perëndisë. Jap dëshmim për flijimin e Tij të pakrahasueshëm shlyes për ju dhe për mua. Teksa kam arritur ta njoh Shpëtimtarin, kam mësuar për dëshirën e Tij të madhe që t’i rregullojë gjërat, të ndihmojë që të shërohen plagët dhe të ndreqë zemrat e thyera. Këto janë disa nga tiparet e Tij të shquara.

Unë me siguri lutem që bekimet më të çmuara të jenë mbi ju, mbi familjet tuaja, mbi studentët tuaj që ju të mund t’i ndihmoni ata studentë të zhvillojnë besim në Jezu Krisht që ata të “mos dyshoj[në], por [të jenë] besues”, në emrin e Jezu Krishtit, amen.