Takime Shpirtërore për Krishtlindje
Çfarë Ndodhi më Pas?


Çfarë Ndodhi më Pas?

Gëzuar Krishtlindjen!

Kjo është stina e Krishtlindjes, dhe fëmijët ftojnë magjinë e Krishtlindjes në zemrat tona. Ne humbasim diçka nëse nuk e shohim Krishtlindjen përmes syve të një fëmije, pasi fëmijët shohin dritat, ata dëgjojnë muzikën dhe ndiejnë aromën e pemës së Krishtlindjes dhe të shkopinjve të Krishtlindjes me shumë padurim. Ne i shohim faqet e tyre të kuqe dhe hundët e vogla të shtypen pas xhamit të vitrinave të dyqaneve ndërsa ëndërrojnë për mëngjesin e Krishtlindjes dhe gishtat e tyre të vegjël numërojnë ditët deri më 25 dhjetor. Edhe prindërit numërojnë ditët deri më 25 dhjetor. Ata ëndërrojnë që të jenë gati për mëngjesin e Krishtlindjes ndërsa planifikojnë dhe krijojnë surpriza për fëmijët e tyre.

Kur isha fëmijë, ime më shpesh qepte një surprizë Krishtlindjeje për mua dhe për motrat e mia binjake. Ajo e vinte në punë makinën qepëse në dhomën e saj të gjumit dhe e fillonte projektin një muaj përpara, e kujdesshme për ta mbajtur të mbyllur derën e dhomës së gjumit ndërsa punonte. Ndërsa Dita e Krishtlindjes afrohej, ajo qepte natën deri vonë. Kur veshjet ishin thuajse të përfunduara - përveç përshtatjes së tyre për ne dhe përcaktimit të palëve - ajo krijonte një plan për ta ruajtur surprizën e saj. Kjo ishte arsyeja përse donte të na i lidhte sytë. Nëna jonë na i lidhte sytë njëherësh, na çonte në dhomën e saj të gjumit, na e vishte veshjen nga koka, gjithmonë duke e mbajtur fashon e syve në vend. Tani ajo funksiononte më së miri … përveç rasteve kur binte telefoni në dhomën tjetër.

Fjalët e saj të fundit ishin: “Do kthehem menjëherë, dhe mos guxoni të shikoni vjedhurazi”. Ju mund të pyesni: “Çfarë ndodhi më pas?”

Do t’jua them: ishte një fustan i kuq prej kadifeje.

Më lejoni të tregoj se si ajo pyetje: “Çfarë ndodhi më pas?” ka domethënie të vërtetë Krishtlindjeje.

Ndodhi një ditë nga mesi i dhjetorit kur Emi Xhonston, një udhëheqëseje të Skautistëve Fillestarë në Gilbert të Arizonës, iu dha mundësia t’i mësonte një grupi djemsh tetëvjeçarë energjikë rreth lindjes së Jezusit. Ajo pati nxitjen për ta lënë mënjanë aktivitetin e Skautizmit që kishte planifikuar dhe t’iu fliste Skautistëve të saj Fillestarë rreth Krishtlindjes së parë. Ajo i mblodhi djemtë rreth vetes në dyshemenë e dhomës së saj të ndenjes dhe u lexoi disa fragmente direkt nga shkrimet e shenjta ndërkohë që përdorte fotografi që të ndihmonte në tregimin e historisë së shenjtë të Maries dhe Jozefit, barinjve, yllit, dhe lindjes së foshnjës Jezus në grazhdin në Bethlehem.

Ajo lexoi:

“Tani edhe Jozefi doli nga qyteti i Nazaretit të Galilesë, për të shkuar në Jude, në qytetin e Davidit, që quhet Bethlehem, …

për t’u regjistruar bashkë me Marinë, gruan e vet, me të cilën ishte martuar dhe që ishte shtatzënë. …

Dhe ajo lindi djalin e saj të parëlindur, e mbështolli me pelena dhe e vendosi në një grazhd, sepse në han nuk kishte vend për ta.

Tani në po atë krahinë ishin disa barinj që rrinin jashtë, në fusha, dhe natën ruanin kopenë e tyre.

Dhe ja, një engjëll i Zotit iu paraqit atyre dhe lavdia e Zotit shkëlqeu rreth tyre e ata i zuri një frikë e madhe.

Por engjëlli u tha atyre: ‘Mos druani, sepse unë po ju lajmëroj një gëzim të madh për të gjithë popullin;

sepse sot në qytetin e Davidit lindi për ju një Shpëtimtar, që është Krishti, Zoti’.”1

Teksa fliste për lindjen e Jezusit, ajo vuri re se të gjithë djemtë po dëgjonin pjesë të historisë, por një djalë, Xhoni, po dëgjonte me interes të madh. Xhoni ishte një djalë i rrëmujshëm që pothuajse asnjëherë nuk rrinte pa lëvizur, por ndërsa ajo po tregonte historinë, ai dëgjonte me vëmendje dhe më pas pyeti: “Pra, çfarë ndodhi më pas?”

Ndaj ajo vazhdoi t’iu tregonte djemve rreth djalërisë së Jezusit. Ajo tha: “Jezusi ishte një djalë, shumë i ngjashëm me ju. Atij i pëlqente të vraponte dhe të luante. Por ai u rrit edhe ‘[i] forc[uar] në frymë’2.” Ajo u tha atyre se kur Jezusi ishte vetëm 12 vjeç, ai udhëtoi me familjen e tij drejt Jerusalemit. Maria dhe Jozefi po ktheheshin në shtëpi kur e kuptuan se i biri nuk ishte me ta. Ata u kthyen me të shpejtë në Jerusalem dhe e gjetën Jezusin në tempull duke folur me dijetarë dhe mësues të cilët po u bënin pyetjet e tyre, dhe shkrimi i shenjtë thonë se të gjithë ata që e dëgjuan Atë “habiteshin nga zgjuarsia e tij dhe nga përgjigjet e tij”3.

“Atëherë, çfarë ndodhi më pas?”, pyeti Xhoni. Emi u tregoi djemve rreth shërbesës së Jezu Krishtit, se si Ai u mbush me Shpirtin e Zotit. Ne lexojmë në Bibël se Ai ua mësoi ungjillin të varfërve, Ai kreu mrekulli, Ai shëroi të verbrin dhe të sëmurin, dhe Ai me të vërtetë ngriti njerëz nga vdekja. Ai dha mësim: “T’i doni armiqtë tuaj; [dhe] u bëni të mirë atyre që ju urrejnë”4.

Xhoni u prek dukshëm nga ajo që u tha dhe dëshironte të dinte më shumë. Sërish pyeti: “Në rregull, po çfarë ndodhi më pas?” Ajo u tha djemve se disa njerëz nuk e pranuan Jezusin dhe nuk e kishin qejf Atë. Në fakt, ata planifikuan t’i merrnin jetën. Ajo u tregoi atyre Skautistëve të vegjël Fillestarë rreth Darkës së Fundit, kopshtit të Gjetsemanit dhe mënyrës se si Jezusi u kryqëzua dhe më pas u ringjall. Ajo mund të thoshte se të gjitha këto histori ishin të padëgjuara për Xhonin, i cili ishte i etur për të mësuar më shumë.

Ajo më pas ndjeu fuqishëm që të ndalonte, e thirri secilin djalë në emër dhe i tha: “Jezu Krishti vdiq për ty”. Xhoni dëgjoi me kujdes ndërsa ajo i foli secilit djalë veçan. Më pas e pa atë dhe i tha: “Xhon, Jezu Krishti vdiq për ty”. Ai pa drejt saj dhe më pas pyeti me habi: “Ai e bëri atë për mua?”

Emi tha: “Shpirti ishte i fortë në dhomën tonë të ndenjes atë ditë saqë një djalë i ri ndjeu nxitjet e Frymës së Shenjtë ndoshta për herë të parë”. Ajo tha: “Nuk e di se ç’ruan e ardhmja për Xhonin, familja e të cilit u shpërngul që nga ajo kohë. Por lutem që farat që u mbollën në mbledhjen e Skautistëve Fillestarë dy javë përpara Krishtlindjes do të rriten dhe do t’i sjellin atij një masë të plotë të dritës së ungjillit një ditë.”

Pasi stina e Krishtlindjes përfundon, dritat e saj hiqen, aroma e pishës davaritet nëpër ajër dhe muzika e Krishtlindjes nuk luhet më në radio, ne, sikurse Xhoni, mund të pyesim: “Çfarë ndodh më pas?”

Mrekullia dhe çudia e Krishtlindjes është vetëm një fillim. Krishtlindja na kujton se foshnja e lindur në Bethlehem na ka dhënë qëllim për të jetuar dhe ajo që na ndodh më pas varet shumë nga mënyra se si e përqafojmë Shpëtimtarin tonë, Jezu Krishtin dhe e ndjekim Atë. Çdo ditë e ftojmë Shpirtin e Tij në jetën tonë. Ne shohim dritë tek të tjerët; dëgjojmë gëzimin e zërave të fëmijëve që sjellin shpresë dhe padurim për të ardhmen. Ne kërkojmë arsye për t’u mbledhur, për të përfshirë, për të shërbyer dhe për të lartësuar, ndërkohë që mësojmë se çfarë do të thotë në të vërtetë të njohësh Shpëtimtarin tonë, Jezu Krishtin. Kur e ndiejmë me përqendrim ndikimin e Tij, ne e gjejmë veten duke numëruar ditët deri në ngjarjet në jetën tonë - për shembull, lindjen e një foshnjëje, pagëzimin e një fëmije, largimin e një misionari, një martesë të shenjtëruar në tempull dhe marrjen e sakramentit çdo javë. Përmes besimit si të Krishtit dhe besimit si të fëmijës ne e kërkojmë Atë dhe e ndiejmë ndikimin e Tij.

“Në qoftë se ... nuk bëheni si fëmijët e vegjël, ju nuk do të hyni fare në mbretërinë e qiejve.”5

Është një plan i mrekullueshëm, ky plan që Ati ynë ka krijuar në të cilin, përmes Birit të Tij, Shpëtimtarit tonë Jezu Krishtit, ne mund të kthehemi dhe të jetojmë me Të e të gëzojmë gjithçka që Ati ka, pasi kjo është përgjigjja përfundimtare për pyetjen “Çfarë ndodh më pas?” Shpëtimtari tha: “Ai që më pranon mua, pranon Atin tim; Dhe ai që pranon Atin tim, pranon mbretërinë e Atit tim; si rrjedhim, gjithçka që Ati im ka, do t’i jepet atij”.6

Të qenit gati për ta pranuar Atë i jep domethënie tërësisht të re të qenit gati për 25 dhjetorin.

Xhoni, kudo qofsh, Apostujt e gjallë kanë thënë: “Ne dëshmojmë solemnisht se jeta e [Shpëtimtarit tonë], e cila është qendra e gjithë historisë njerëzore, as nuk filloi në Betlehem, as nuk mbaroi në Kalvar. Ai ishte i Parëlinduri i Atit, Biri i Vetëmlindur në mish, Shëlbuesi i botës.”7

Xhoni, dhurata e Tij për ne është ajo që ndodh më pas.

Kjo është e vërtetë, dhe Ai e bëri atë për ty. Për këtë të vërtetë të mrekullueshme unë dëshmoj në emrin e Tij, Jezu Krishtit, amen.