Takime Shpirtërore Mbarëbotërore
Kushdo Qoftë Roli Yt, Luaje Atë Mirë: Shmangeni Mbajtjen e Maskave që Fshehin Identitetin


Kushdo Qoftë Roli Yt, Luaje Atë Mirë: Shmangeni Mbajtjen e Maskave që Fshehin Identitetin

Takim Shpirtëror i SAK-ut për të Rinjtë në Moshë Madhore • 4 Mars 2012 • Universiteti Brigam Jang-Ajdaho

Unë gëzohem për mundësinë që t’ju flas juve Të Rinj Beqarë në Moshë Madhore. Unë ju sjell dashuri dhe përshëndetje nga Presidenca e Parë dhe Kuorumi i Të Dymbëdhjetëve. Është e mrekullueshme të jesh këtu në Qendrën e Konferencave të UBJ-Ajdahos. Mund t’ju përfytyroj ju në vende të ndryshme në të gjithë botën.

Kur isha në moshën tuaj, ishte profet Presidenti Dejvid O. Mek-Kei. Presidenti Mek-Kei shërbeu si president i Kishës nga viti 1951 deri në vitin 1970 që ishte viti kur unë mbusha 30 vjeç. Ka gjithmonë diçka shumë të veçantë rreth profetit që shërben kur ti je një i ri në moshë madhore. Unë e doja dhe e admiroja Presidentin Mek-Kei. Ai rrëfente shpesh një ngjarje të vërtetë që ndodhi ndërsa ai po shërbente si misionar në Skoci. Atë po e merrte malli për shtëpinë pas një kohe shumë të shkurtër që kishte qenë në mision dhe ai kaloi disa orë duke shëtitur në afërsi të Kështjellës “Stirling”. Kur ai dhe shoku i tij i misionit u kthyen nga vizita në Kështjellë, ata kaluan një ndërtesë ku guri mbi derë kishte një mbishkrim të gdhendur të një citimi që zakonisht i atribuohej Shekspirit, në të cilin lexohej: Kushdo Qoftë Roli Yt, Luaje Atë Mirë.

Duke e kujtuar këtë përvojë në një bisedë të mbajtur në vitin 1957, Presidenti Mek-Kei shpjegoi: I thashë vetes, ose Shpirtit brenda meje: “Ti je një anëtar i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Më shumë se kaq, ti je këtu si një përfaqësues i Zotit Jezu Krisht. Ti e pranove përgjegjësinë si një përfaqësues i Kishës. Pastaj mendova [rreth] asaj që ne kishim bërë atë paradite. Ne kishim qenë duke shëtitur, ne kishim marrë udhëzim dhe informacion historik, kjo është e vërtetë dhe unë isha i ngazëllyer për këtë. … Megjithatë, kjo nuk ishte punë misionare. … Unë e pranova mesazhin që m’u dha mbi atë gur dhe që nga ai çast, ne u përpoqëm të bënim pjesën tonë si misionarë në Skoci.”1

Ky mesazh -- Kushdo Qoftë Roli Yt, Luaje Atë Mirë -- qe kaq i rëndësishëm dhe pati aq shumë ndikim mbi Plakun [Eldrin] Mek-Kei sa që ai e përdori atë për frymëzim gjatë gjithë jetës së tij. Ai vendosi se çfarëdolloj përgjegjësie të kishte, ai do të bënte më të mirën e tij.

Kur Plaku Dejvid B. Heit ishte president misioni në Skoci, ai e gjeti vendndodhjen e mbishkrimit origjinal mbi gur dhe kërkoi të bëhej një kopje që sot ndodhet në qendrën e trajnimit të misionarëve në Provo të Jutas. Shumë nga ju e kanë parë citimin dhe kanë medituar mbi domethënien e mesazhit të tij. Plaku Rasëll M. Nelson e ripohoi këtë mesazh së fundmi në përvjetorin e 50-të të Qendrës së Trajnimit të Misionarëve.

Ndërsa kam menduar mbi atë që jeni ju, më ka pushtuar ndjenja se ju mund të mos e vlerësoni plotësisht rëndësinë e brezit tuaj. Shoqëria në përgjithësi, u ka vënë emërtime brezave të ndryshëm që jetojnë sot. Më të moshuarit mes nesh në Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera, janë emërtuar “Brezi Më i Mrekullueshëm”, për shkak të asaj që ata duruan gjatë depresionit të madh mbarëbotëror në vitet 1930 dhe asaj që arritën në Luftën II Botërore si dhe gjatë pasojave të saj në ndërtimin e një bote më të mirë. Një numër i Vëllezërve më të Moshuar të Kishës morën pjesë në këto ngjarje. Presidenti Tomas S. Monson ishte në Marinën e Shteteve të Bashkuara; Presidenti Bojd K. Paker shërbeu në Forcat Ajrore të Shteteve të Bashkuara; Plaku L. Tom Peri ishte një pjesëtar i Trupave Detare të Shteteve të Bashkuara. Unë do t’ju tregoj më vonë disa nga përvojat që ata patën dhe mësimet që ata mësuan e dhanë mësim.

Brezi juaj, i lindur në vitet 1980 dhe në fillimet deri në mes të viteve 1990, quhet tashmë “Brezi i Mijëvjeçarit”. Disa komentues janë skeptikë rreth asaj që do të arrijë brezi juaj. Unë besoj se ju keni formimin dhe themelin për të qenë brezi më i mirë ndonjëherë, veçanërisht në çuarjen përpara të planit të Atit tonë në Qiell.

Përse e them këtë? Brezi juaj ka pasur më shumë qasje te mësimdhënia në Seminar dhe Institut sesa brezat e tjerë dhe ju keni përgatitjen më të mirë prej cilitdo brezi tjetër nga Fillorja, Priftëria dhe Të Rejat. Përveç këtyre, pothuajse 375.000 prej jush kanë shërbyer ose po shërbejnë si misionarë. Ju përfaqësoni më shumë se një të tretën e të gjithë misionarëve që kanë shërbyer në këtë periudhë ungjillore. Samuel Smithi, misionari i parë në këtë periudhë ungjillore, u shugurua si Plak [Elder] dhe u veçua si misionar më 6 Prill 1830, ditën kur u organizua Kisha. Kur t’i sillni ndërmend të gjithë misionarët që kanë shërbyer që nga ajo kohë, është e mahnitshme që një e treta do të jetë në grupmoshën tuaj. Nga krahasimi vetëm 76.000 misionarë ose më pak se 8% shërbyen gjatë 12 viteve kur unë isha 18 deri 30 vjeç. Për ata prej jush që nuk kanë pasur mundësinë për të shërbyer në një mision, prapëseprapë, kontributi juaj mund të jetë i rëndësishëm. Pothuaj gjysma e Presidencës së Parë dhe e Të Dymbëdhjetëve nuk patën mundësi që të shërbenin në një mision.

Shmangeni të Vepruarin Sipas një Personazhi duke Vënë një Maskë

Duke marrë parasysh potencialin e pamasë për të mirë që ju zotëroni, cilat janë shqetësimet e mia për të ardhmen tuaj? Çfarë këshillash mund t’ju jap? Së pari, do të ushtrohet një presion i madh ndaj çdonjërit prej jush që të veproni sipas një personazhi -- madje që të vini një maskë -- dhe të bëheni dikush që nuk e pasqyron me të vërtetë atë që jeni apo atë që dëshironi të bëheni.

Verën e kaluar, Plaku L. Tom Peri dhe unë, bashkë me Majkëll Otersonin2, në pozitat tona në Çështjet me Publikun, u takuam me Abraham Foksmenin në zyrën e tij në Nju-Jork. Zoti Foksmen është drejtori kombëtar i Shoqatës Kundër Shpifjes. Misioni i tij është të ndalë shpifjet për hebrenjtë. Ai ka qenë i angazhuar në këtë punë për pothuaj 40 vjet. Historia e jetës së tij, që e çoi në këtë pozicion, është shumë shtrënguese. Ai kishte lindur në fillim të Luftës II Botërore. Prindërit e tij, Jozef dhe Helena Foksmen, ngaqë po përballeshin me dekrete kundër hebrenjve, e lanë Abrahamin te një vajzë katolike polake përpara se të hynin në një geto në Vilna të Lituanisë në shtator 1941. Abrahami ishte 13 muajsh. Prindërit e tij i mbijetuan luftës dhe Holokaustit, por nuk u bashkuan me Abrahamin derisa ai qe katër vjeç. Vlerësohet se 1.5 milion fëmijë hebrenj u vranë në ferrin nazist. Abrahami u mbrojt nga vajza katolike që e mori me vete në kishë çdo të diel dhe e mbajti të fshehur identitetin e tij hebre3. Nuk është për t’u habitur që Abraham Foksmeni ia ka përkushtuar jetën e tij luftës kundër semitizmit, urrejtjes, fanatizmit dhe diskriminimit.

Unë kam punuar me Zotin Foksmen në raste të mëparshme dhe e admiroj guximin dhe përkushtimin e tij. Në takimin tonë me të në Nju-Jork, e pyeta se çfarë këshillash do të kishte për ne lidhur me përgjegjësitë tona në Çështjet me Publikun për Kishën. Ai u mendua për një moment dhe më pas shpjegoi rëndësinë e nxitjes së njerëzve për të mos mbajtur maska. Ai përshkroi Ku-kluks-klanin. Ajo ishte një organizatë që kishte shumë ndikim dhe frikësonte së tepërmi pjesën më të madhe të amerikanëve në pjesën e parë të shekullit të kaluar. Me veshje dhe maska të njëjta që e bënin të pamundur që të identifikoheshin pjesëmarrësit, ata digjnin kryqe te lëndinat e atyre që kishin në shënjestër dhe e emërtonin veten si rojtarë të ashtuquajtur të moralit. Midis atyre që ishin më shumë në shënjestër ishin afro-amerikanët, por edhe katolikët, hebrenjtë dhe emigrantët. Gjithmonë e më shumë militantë syresh u përfshinë në rrahje me kamxhik, abuzim fizik, madje edhe vrasje. Zoti Foksmen vuri në dukje se një pjesë e vogël e Ku-kluks-klanit do të kishin qenë përçues me veshje të kafta të diktaturës së viteve 1930 në Europë, por pjesa më e madhe e tyre, pa maska zakonisht ishin njerëz normalë duke përfshirë afaristë dhe frekuentues të kishës. Ai dalloi se fshehja e identitetit të tyre dhe mbajtja e një maske, u lejonte atyre të merrnin pjesë në aktivitete që normalisht do t’i kishin shmangur4. Sjellja e tyre pati një ndikim të tmerrshëm mbi shoqërinë amerikane.

Këshilla e zotit Foksmen ishte që të theksohet rëndësia e njerëzve të cilët i shmangin maskat që fshehin identitetin e tyre të vërtetë.

Në historinë tonë të hershme të Kishës, Profeti Jozef, Ema dhe binjakët e tyre 11-muajsh, Jozefi dhe Xhulia, ishin në Hiram të Ohajos në Fermën Xhonson. Të dy fëmijët po vuanin nga fruthi. Jozefi dhe biri i tij i vogël po flinin në një shtrat rezervë me rrota pranë derës kryesore.

Vëllai Mark L. Stejkër ka rrëfyer atë që ndodhi:

Gjatë natës një grup burrash me fytyra të lyera me të zezë, e shpërthyen derën dhe e tërhoqën zvarrë Profetin deri jashtë ku e rrahën dhe i hodhën përsipër zift atij dhe Sidni Rigdonit.

“Kur Ema e pa Jozefin të rrahur dhe të lyer me zift, i ra të fikët. …

… Edhe pse Profeti kishte humbur një dhëmb, kishte marrë një plagë të rëndë në ijë, i mungonte një tufë flokësh dhe kishte të djegura nga acidi nitrik, ai bëri një predikim në shërbimin e zakonshëm të adhurimit të së dielës. Midis shenjtorëve të mbledhur atje, ishin të paktën katër pjesëtarë të turmës sulmuese.”5

Pjesa më tragjike e këtij sulmi ishte që Jozefi i vogël u nxor në ajrin e natës kur të atin e tij e tërhoqën zvarrë jashtë dhe ai mori një të ftohtë të rëndë dhe për pasojë vdiq pak ditë më vonë.

Është gjithashtu interesante se ata që morën pjesë në martirizimin e Profetit Jozef Smith dhe vëllait të tij, Hajrëmit, i lyen fytyrat e tyre në përpjekje për ta fshehur identitetin e tyre të vërtetë.6 Nga ata që e maskojnë identitetin e tyre dhe futen në kombinime të fshehta, është veçanërisht për t’u shqetësuar. Ne mësojmë në Librin e Mormonit se Luciferi, “i trazon fëmijët e njerëzve në lidhje të fshehta vrasjeje dhe të gjitha llojet e punëve të fshehta të errësirës” (2 Nefi 9:9; shih edhe 3 Nefi 6:27–30).

Tani unë nuk po nënkuptoj se ndonjëri prej jush do të përfshihet në këtë lloj të tmerrshëm ndodhish që unë kam përshkruar. Unë besoj se në kohën tonë, kur të jesh anonim është më e lehtë se kurrë, përfshihen parime të rëndësishme në mos mbajtjen e një maske dhe në të qenit “të vërtetë ndaj besimit për të cilët kanë vdekur martirët”7.

Një nga mbrojtjet tuaja më të mira kundër të bërit të zgjedhjeve të gabuara është të mos vëmë asnjë maskë anonimiteti. Nëse ndonjëherë e gjeni veten duke dëshiruar të bëni kështu, lutem ta dini se është një shenjë serioze rreziku dhe një nga mjetet e kundërshtarit që t’ju shtyjë të bëni diçka që nuk duhet ta bëni. Një nga arsyet pse ne i këshillojmë misionarët të vishen në mënyrë të kujdesshme dhe Eldrat të jenë të pastër e pa qime në fytyrë, është që të mos ketë asnjë dyshim se cilët janë dhe se si duhet të veprojnë. Disa do të pyesin: A nuk është kjo thjesht sipërfaqësore? Unë nuk mendoj kështu. Mendoni rreth asaj se si veshja dhe zbukurimi përshkruhet në Librin e Mormonit nga Profeti Moroni, i cili e barazoi krenarinë me veshjen e “rrobave të luksit”. Ai e lidhi shfaqjen e krenarisë duke veshur “rroba luksi” me “… duke u grindur dhe duke qenë shpirtligj, dhe duke përndjekur, dhe të gjitha llojet e paudhësive; …” (Mormoni 8:36). Unë jam veçanërisht i shqetësuar se në kohën tonë, mënyra jonë e të veshurit dhe të dukurit mund të jetë një tregues i rebelimit apo mungesës së ndjekjes së standardeve morale dhe të ndikojë për keq tek standardet morale të të tjerëve.

Veproni në Përputhje me Bindjet Tuaja të Vërteta

Këshilla e dytë që do t’ju jepja është: Veproni në përputhje me bindjet tuaja të vërteta duke e shpenzuar kohën tuaj me ato gjëra që do ta ndërtojnë dhe zhvillojnë karakterin tuaj dhe do t’ju ndihmojnë të bëheni më shumë si Krishti. Unë shpresoj që asnjëri prej jush të mos e shohë jetën kryesisht si “zbavitje dhe lojëra” por në vend të kësaj, “si një kohë për t’u përgatitur që të takohen me Perëndinë” (Alma 34:32).

Një shembull i mrekullueshëm i luajtjes së rolit tuaj dhe përdorimit të kohës siç duhet, tregohet nga një incident në jetën e Plakut L. Tom Peri kur si pjesëtar i trupave detare, ai po merrte pjesë në zaptimin e trupave të Shteteve të Bashkuara në Japoni në mbarim të Luftës II Botërore. Plaku Peri e tregoi këtë kur ai e regjistroi dëshminë e tij të veçantë për Shpëtimtarin që paraqitet në qendrën tonë të vizitorëve:

Rrëfimi i Plakut Peri

“Ishte një përvojë në jetën time që shpesh më ka kujtuar gëzimin që vjen nga të bërit e pyetjes: ‘Çfarë do të bënte Shpëtimtari në këtë situatë?’

Unë qeshë mes grupit të parë të marinsave amerikanë që zbarkuan në Japoni pas nënshkrimit të traktatit të paqes pas Luftës II Botërore. Ndërsa hymë në qytetin e shkretuar të Nagasakit, qe një nga përvojat më të trishta të jetës sime. Një pjesë e madhe e qytetit ishte shkatërruar tërësisht. Disa nga të vdekurit nuk ishin varrosur ende. Si trupa pushtuese, ne ngritëm shtabet tona dhe i hymë punës.

Gjendja qe shumë e zymtë dhe disa prej nesh dëshironin të jepnin më shumë. Ne shkuam te kapelani i divizionit tonë dhe kërkuam leje që të ndihmonim për të rindërtuar kishat e krishtera. Për shkak të frenimeve qeveritare gjatë luftës, këto kisha thuajse kishin pushuar së funksionuari. Ndërtesat e tyre të pakta qenë dëmtuar keqas. Disa prej nesh dolën vullnetarë që të riparonin dhe të suvatonin këto godina kishtare gjatë kohës sonë të lirë kështu që ato të ishin të disponueshme për të kryer sërish shërbime të krishtera.

Ne nuk e njihnim aspak gjuhën. Gjithçka mund të kryenim, ishte puna fizike për të riparuar ndërtesat. Ne gjetëm shërbestarët që nuk kishin qenë në gjendje të shërbenin gjatë viteve të luftës dhe i nxitëm ata që të ktheheshin tek foltoret e tyre. Ne patëm një përvojë të jashtëzakonshme me këta njerëz, ndërsa ata përjetuan sërish lirinë për të praktikuar besimet e tyre të krishtera.

Një ngjarje ndodhi kur po largoheshim nga Nagasaki për t’u kthyer në shtëpi, që unë do ta kujtoj gjithmonë. Ndërsa po hipnim në trenin që do të na çonte tek anijet për t’u kthyer në shtëpi, ne na tallën goxha marinsa të tjerë (të cilët nuk ndihmuan në rindërtimin e kishave). Ata kishin të dashurat e tyre me vete që po u jepnin lamtumirën. Ata qeshën me ne dhe na treguan se e kishim humbur zbavitjen e qëndrimit në Japoni. Ne thjesht e kishim çuar dëm kohën tonë duke punuar e duke suvatuar mure.

Pikërisht kur ata qenë në kulmin e talljeve të tyre, mbi një kodërz të vogël pranë stacionit të trenit erdhën rreth 200 prej këtyre japonezëve të shkëlqyer të krishterë të kishave që ne kishim riparuar, duke kënduar ‘Onward Christian Soldiers’ [‘Përpara, Ushtarë të Krishterë’]. Ata zbritën dhe na mbuluan me dhurata. Më pas, ata të gjithë u rreshtuan përgjatë shinave. Dhe ndërkohë që treni u nis nëpër shina, ne u zgjatëm dhe thjesht u prekëm gishtat ndërsa u larguam. Nuk mund të flisnim; emocionet tona qenë tepër të fuqishme. Por qemë mirënjohës që mund të ndihmonim në ndonjë mënyrë të vogël për të rivendosur krishtërimin në një komb pas luftës.

Unë e di që Perëndia jeton. Unë e di se ne jemi të gjithë fëmijët e Tij dhe se Ai na do ne. Unë e di se Ai dërgoi Birin e Tij në botë që të ishte një sakrificë shlyese për të gjithë njerëzimin. Dhe ata që pranojnë ungjillin e Tij dhe e ndjekin Atë, do të gëzojnë jetë të përjetshme, më të madhen nga të gjitha dhuratat e Perëndisë. Unë e di se Ai e drejtoi Rivendosjen e ungjillit sërish këtu mbi tokë nëpërmjet shërbesës së Profetit Jozef Smith. Unë e di se të vetmet gëzime e lumturi që zgjasin, të cilat do t’i gjejmë ndonjëherë gjatë përvojës sonë në vdekshmëri, do të vijnë nga ndjekja e Shpëtimtarit, duke iu bindur ligjit të Tij dhe duke mbajtur urdhërimet e Tij. Ai jeton. Kjo është dëshmia ime për ju në emrin e Tij të shenjtë, madje të Jezu Krishtit, amen.”8

Mendoni për rëndësinë e disa ushtarëve që e kaluan kohën e tyre duke riparuar kisha të krishtera krahasuar me ushtarë të tjerë të përfshirë në aktivitete të pavlera, të pamenda apo të liga. Ju lutem të meditoni dhe të merrni vendime të ndërgjegjshme lidhur me atë që do të bëni kur zgjidhni se si ta përdorni kohën tuaj.

Shikimi i kësaj videoje më kujton një nga kujtimet e mia më të hershme kur isha pesë vjeç. Presidenti ynë i kunjit ishte babai i Plakut Peri. Në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, ai i vuri të gjithë ushtarët e kthyer të uleshin në krye të godinës kishtare gjatë një mbledhjeje sakramenti. Ata erdhën të veshur me uniformat e tyre më të mira ushtarake dhe secili dha një dëshmi të shkurtër. Presidenti Peri qau ndërsa dy bijtë e tij, Plaku Peri dhe vëllai i tij më i vogël, Tedi, jepnin dëshmitë e tyre. Si djalë i vogël që isha, ajo qe shumë frymëzuese dhe mbresëlënëse për mua. Nuk e mbaj mend se çfarë thanë ata, por e mbaj mend se si u ndieva.

Siç mund të shihni nga shembulli i Plakut Peri në këtë video, unë nuk po flas për mbajtjen e fesë suaj mbi këmishë apo të jeni besnikë në mënyrë sipërfaqësore. Kjo mund të jetë e sikletshme për ju dhe për Kishën. Unë po flas që ju të bëheni ai/ajo që duhet të jeni. Kur po punonim me udhëzuesin e misionarëve, Predikoni Ungjillin Tim, ne ndiem se do të ishte një udhëzues i dobishëm përgjatë jetës për misionarët dhe anëtarët tanë, veçanërisht kapitulli 6, “Si të zhvilloj cilësi si të Krishtit?” Ndërsa përpiqeni të bëni pjesën tuaj dhe të identifikoni cilësi që dëshironi t’i zhvilloni, ju do të dëshironi të “rendisni dhe të studioni … fragmente të shkrimeve të shenjta që japin mësim rreth cilësive”, “vendosni qëllime dhe bëni plane për t[’i] zbatuar cilësi[të] në jetën tuaj” dhe “lutjuni Zotit t’ju ndihmojë për të zhvilluar cilësi[të]”9. Në bërjen e kësaj, ju nuk duhet të mbani një maskë dhe ta fshihni identitetin tuaj të vërtetë.

Disa prej jush mund ta kenë bërë zakon një sjellje që i tejkalon goxha zbavitjen dhe lojërat. Ata që janë përfshirë në pornografi apo në ndonjë formë tjetër imoraliteti, janë duke luajtur një rol tjetër nga ajo që ata dëshirojnë vërtet të jenë ose që duhet të jenë. Është interesante që pothuajse çdokush që është i përfshirë në pornografi, merr një identitet të rremë dhe e fsheh pjesëmarrjen e tij apo të saj. Ata e maskojnë sjelljen e tyre të cilën e dinë se është e qortueshme dhe shkatërruese për të gjithë ata që duan. Pornografia është një murtajë që dëmton jo vetëm moralin e një njeriu që po qëndron me Perëndinë, por mund të shkatërrojë edhe martesa e familje dhe ka një ndikim të pafavorshëm në shoqëri. Si varësia nga interneti, ashtu edhe pornografia, po i dëmtojnë martesat10. Ndërsa shkoni drejt martesës, ju nuk duhet të mbani ndonjë maskë që fsheh sjellje të papërshtatshme që do t’ju dëmtojë ju apo martesën tuaj.

Për ata që kanë rënë pre e këtij zakoni shkatërrues, ju lutem të jini të sigurt se ju mund të pendoheni dhe ju mund të shëroheni. Pendimi do të duhet t’i paraprijë shërimit. Shërimi mund të jetë një proces i gjatë. Peshkopi juaj mund t’ju këshillojë se si mund të merrni ndihmën që ju nevojitet për t’u shëruar. Ne u kemi kërkuar peshkopëve që t’ju drejtojnë tek ata që mund t’ju ndihmojnë më së miri.

Përveç pornografisë dhe imoralitetit seksual, ka sjellje të tjera tinëzare që e helmojnë shoqërinë dhe e gërryejnë moralin bazë. Është e zakonshme sot që të fshehësh identitetin kur shkruan shkrime plot urrejtje, sarkastike e fanatike në internet në mënyrë anonime. Disa e quajnë këtë “zjarrvënie” [ndërveprim armiqësor dhe fyes midis dy komunikuesve në internet]. Disa institucione përpiqen t’i fshehin komentet. Për shembull, revista New York Times nuk i lejon komentet ku ka sulme personale, fjalë të turpshme, vulgaritet, blasfemi, imitime, mungesë e mbajtjes së një qëndrimi dhe SHARJE. …

“Gjithashtu, revista Times nxit përdorimin e emrave të vërtetë sepse: ‘Ne kemi zbuluar se njerëzit që i përdorin emrat e tyre bëjnë biseda më të hijshme e të respektueshme.’”11

Apostulli Pal shkroi:

“Mos u gënjeni: shoqëritë e këqija prishin zakonet e mira.

Zgjohuni për drejtësinë dhe mos mëkatoni, sepse disa nga ju nuk e njohin Perëndinë” (1 Korintasve 15:33--34).

Është e qartë se komunikimi i lig nuk është thjesht çështje e sjelljes së keqe, por nëse praktikohet nga ata që janë shenjtorë të ditëve të mëvonshme, ai mund të ndikojë për keq tek ata që nuk kanë njohuri për Perëndinë apo një dëshmi për Shpëtimtarin.

Çdo përdorim i internetit për të përqeshur, për të shkatërruar një reputacion apo për ta bërë dikë të duket keq, është i dënueshëm. Ajo që ne po shohim në shoqëri është se, kur njerëzit mbajnë maskën e anonimitetit, ka më shumë gjasa që ata të përfshihen në këtë lloj sjelljeje të komunikimit qytetar që është kaq shkatërruese. Kjo gjithashtu shkel parimet bazë që dha mësim Shpëtimtari.

Një nga mesazhet bazë të ungjillit të Jezu Krishtit që ju e keni mësuar në rininë tuaj, është: “Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme” (Gjoni 3:16; shih edhe DeB 34:3). Shpëtimtari shpjegoi se Ai nuk kishte ardhur për ta ndëshkuar botën, por për ta shpëtuar botën. Ai më pas përshkruan se çfarë do të thotë ndëshkim:

“Drita erdhi në botë dhe njerëzit deshën errësirën më tepër se dritën, sepse veprat e tyre ishin të mbrapshta.

Sepse kushdo që bën gjëra të mbrapshta e urren dritën dhe nuk vjen te drita, që të mos zbulohen veprat e tij.

Por kush bën të vërtetën vjen te drita, që veprat e tij të zbulohen, sepse u bënë në Perëndinë” (Gjoni 3:19–21; shih vargjet 17–21).

Të drejtët nuk kanë nevojë që të mbajnë maska për të fshehur identitetin e tyre. Më pëlqen shumë ngjarja e vërtetë nga jeta e Presidentit Tomas S. Monson. Ai mbushi 18 vjeç afër përfundimit të Luftës II Botërore. Në fakt, lufta në Europë kishte përfunduar, por lufta në Paqësor vazhdonte.

Ai u regjistrua në Ushtrinë e Shteteve të Bashkuara dhe u nis me anije për në San-Diego të Kalifornisë. Juve do t’ju kujtohet historia e tij në konferencën e fundit të përgjithshme. Të dielën e tij të parë, rreshteri i stërvitjes i rreshtoi të gjithë që të shkonin në kishë. Ai u caktoi katolikëve një vend, hebrenjve një tjetër dhe u përpoq t’i dërgonte ata që mbetën në një mbledhje protestante. Presidenti Monson e dinte se nuk ishte katolik, hebre apo protestant; ai ishte mormon. Ai pati guxim për të qëndruar në vend dhe u gëzua kur pa se kishte edhe anëtarë të tjerë besnikë që po qëndronin prapa tij. Do të kishte qenë më e lehtë të shkonte me grupin e madh në mbledhjen protestante. Ai ishte i vendosur që të identifikohej për atë që ishte dhe ta bënte pjesën e tij në përputhje me këtë12.

Vendosni Synime të Përshtatshme

Këshilla ime e tretë lidhet me disa nga synimet që ju duhet të mbani parasysh. Pothuajse në të njëjtën kohë që Plaku Peri ishte në Japoni me Trupat Detare, Presidenti Bojd K. Paker shërbeu në Japoni me Forcat Ajrore në përfundim të Luftës II Botërore.

Në fjalimin e tij në 100-vjetorin e seminarit më 22 janar të këtij viti, ai shpjegoi se kjo qe një kohë shumë edukuese në jetën e tij.13 Në vitin 2004, unë i shoqërova Presidentin Paker dhe të tjerët në Japoni. Ai pati një mundësi për të ripërshkuar disa nga hapat e tij dhe për të menduar rreth disa përvojave dhe vendimeve që ai mori në atë kohë. Ai tregoi disa prej tyre gjatë bisedës së tij për seminarin. Me lejen e tij, unë po ju tregoj ju mendime dhe ndjenja të tjera.

Presidenti Paker përshkroi përvojat që ndodhën në një ishull pranë bregut të Okinauas. Ai e konsideron këtë si malin e tij në vendin e shkretë. Përgatitja e tij vetjake dhe takimi me anëtarë të tjerë e kishte thelluar besimin e tij në mësimet e ungjillit. Ajo që i mungonte ende ishte vërtetimi -- njohuria e sigurt e asaj që ai kishte arritur tashmë të dinte se qe e vërtetë.

Shkruesi i biografisë së Presidentit Paker e përshkruan se ç’ndodhi më pas: “Në kundërshtim me paqen e vërtetimit që ai kërkoi, ai u gjend ballë për ballë me ferrin e luftës kundër të pafajshmëve. Duke kërkuar vetmi dhe kohë për të menduar, një ditë, ai u ngjit tek një kodër mbi oqean. Atje ai gjeti mbetjet e shkatërruara të një shtëpize fshati, fushën e saj të braktisur me patate të ëmbla aty pranë. Dhe duke ndenjur shtrirë mes bimëve të thara, ai pa kufomat e një nëne të masakruar dhe dy fëmijëve të saj. Pamja e mbushi atë me një trishtim të thellë të përzier me ndenja dashurie për familjen e tij dhe për të gjitha familjet.”14

Më pas ai u fut brenda një bunkeri të përkohshëm ku mendoi, meditoi dhe u lut. Duke vështruar pas në këtë ngjarje, Presidenti Paker përshkroi atë që unë do ta quaja një përvojë shpirtërore vërtetuese. Ai u ndie i frymëzuar në lidhje me atë që duhet të bënte me bashkëshorten e tij. Ai, sigurisht, nuk e kishte idenë se do të thirrej në thirrjen e lartë e të shenjtë që mban tani. Përfytyrimi i tij për të ardhmen ishte se dëshironte të bëhej mësues, për të theksuar mësimet e Shpëtimtarit. Ai e mblodhi mendjen që do të jetonte një jetë të drejtë.

Ai e kuptoi në një mënyrë mjaft të thellë se do t’i duhej të gjente një bashkëshorte të drejtë dhe që së bashku do të rrisnin një familje të madhe. Ky ushtar i ri e kuptoi se zgjedhja e tij për karrierë do t’i sillte përfitim të pakët dhe shoqes së tij të ëmbël, do t’i duhej të kishte të njëjtat përparësi me të dhe të ishte e gatshme të jetonte pa disa gjëra materiale. Për ata prej jush që jeni njohur me Motrën Dona Paker, ajo ishte dhe është shoqja e përsosur për Presidentin Paker. Nuk patën kurrë mjaft para të tepërta, por ata nuk u ndien të privuar në ndonjë mënyrë. Ata rritën 10 fëmijë dhe duheshin bërë sakrifica. Ata tani kanë 60 nipër e mbesa dhe 79 stërnipër e stërmbesa.

Mund t’i kujtoj ndjenjat e dhimbsura që pata kur mësova se ai, si një autoritet i ri i përgjithshëm, ndihej në siklet që të shkonte me një nga Vëllezërit më në moshë në një mbledhje për udhëheqësit e Kishës, sepse nuk kishte një këmishë të bardhë të përshtatshme për të veshur.

Po jua tregoj këtë histori sepse tepër shpesh, synimet tona bazohen tek ato që vlerëson bota. Përbërësit thelbësorë janë mjaft të thjeshtë për anëtarët që i kanë marrë ordinancat shpëtuese. Jini të drejtë. Krijoni një familje. Gjeni një mënyrë të përshtatshme për të siguruar të ardhura. Shërbeni sipas thirrjeve. Përgatituni që të takoni Perëndinë.

Shpëtimtari dha mësim se “… jeta e njeriut nuk qëndron në mbushullinë e gjërave që zotëron” (Lluka 12:15). Ai më pas, përdori një shëmbëlltyrë:

“ … Tokat e një pasaniku dhanë të korra të bollshme:

dhe ai arsyetonte me vete duke thënë: ‘Ç’të bëj, sepse nuk kam vend ku t’i shtie të korrat e mia?’

Dhe tha: ‘Këtë do të bëj: do të shemb hambarët e mia dhe do t’i bëj më të mëdhenj, ku do të shtie të gjitha të korrat dhe pasuritë e tjera,

dhe pastaj do t’i them shpirtit tim: Shpirt, ti ke pasuri të shumta të shtëna për shumë vjet; pusho, ha, pi dhe gëzo’.

Por Perëndia i tha: ‘O i pamend, po atë natë shpirtin tënd do të ta kërkojnë dhe ato që përgatite të kujt do të jenë?’

Kështu i ndodh atij që grumbullon thesare për vete dhe nuk është i pasur ndaj Perëndisë” (Lluka 12:16–21).

Ndërtoni Vendin Tuaj dhe Komunitetin Ku Jetoni

Përveç cilësive, tipareve dhe vendimeve tuaja vetjake, nëse do të jeni brezi që keni nevojë të jeni, ju do të ndërtoni vendin tuaj dhe komunitetin ku jetoni. Brezit tuaj, si brezi më i shkëlqyer, do t’i duhet të mbrojë drejtësinë dhe lirinë fetare. Trashëgimia judease/e krishterë që ne kemi trashëguar, nuk është thjesht e çmuar, por edhe thelbësore për planin e Atit tonë në Qiell. Ne duhet ta ruajmë atë për brezat e ardhshëm. Ne duhet të bashkohemi me njerëz të mirë, përfshirë njerëzit e të gjitha besimeve, veçanërisht ata që ndihen përgjegjës përpara Perëndisë për sjelljen e tyre. Këta janë njerëz që do ta kuptonin përse ne po flasim këtë mbrëmje rreth asaj se “kushdo qoftë roli yt, luaje atë mirë”. Përhapja e suksesshme e vlerave judease/të krishtera dhe liria fetare do ta shënojnë brezin tuaj si brezin më të shkëlqyer që ai duhet të jetë.

Me sfidat që ekzistojnë në botë sot, Presidenca e Parë dhe Kuorumi i Të Dymbëdhjetëve janë veçanërisht të merakosur që ju të merrni pjesë siç duhet në procesin politik të shtetit ku jetoni. Kisha është neutrale në garat politike dhe nuk mbështet kandidatë apo parti. Sidoqoftë, ne presim që anëtarët tanë të angazhohen plotësisht në mbështetjen e kandidatëve dhe partive sipas zgjedhjes së tyre bazuar mbi parimet që do të mbrojnë qeverisjen e mirë. Doktrina jonë është e qartë: ata që janë “të ndershëm … e të urtë … duhet të kërkohen me zell” (DeB 98:10). “Kur të ligjtë sundojnë, njerëzit vajtojnë” (Deb 98:9). Kjo do të thotë se të gjithë duhet të ndihen të detyruar të votojnë.

Në ato shtete në Shtetet e Bashkuara që kanë mbledhje të komiteteve drejtuese, ju duhet të njiheni me çështjet dhe kandidatët dhe të merrni pjesë plotësisht. Për shembull, mbledhjet e komiteteve drejtuese në Juta dhe Ajdaho për partitë e ndryshme do të mbahen duke filluar nga kjo javë dhe do të zhvillohen deri nga mesi i prillit. Nëse shkoni, ju do të lejoheni të merrni pjesë. Ne shpresojmë që ju do të kontrolloni orarin e mbledhjes së komitetit drejtues për partinë e zgjedhjes suaj dhe më pas të ndieni detyrimin për të marrë pjesë. Ne shpresojmë se kjo do të jetë e vërtetë për të gjithë qytetarët njësoj anëtarë dhe joanëtarë në të gjitha shtetet dhe vendet ku do të bëhen zgjedhje. Çmimi i lirisë ka qenë shumë i lartë dhe pasojat e mospjesëmarrjes janë tepër të mëdha për cilindo qytetar sa të ndiejë se ai mund ta injorojë përgjegjësinë e tij.

Ju lutem ta dini se ne kemi besim të madh te ju. Udhëheqja e Kishës beson sinqerisht se ju mund ta ndërtoni mbretërinë si asnjë brez i mëparshëm. Ju nuk keni vetëm dashurinë dhe besimin tonë, por edhe lutjet e bekimet tona. Ne e dimë se suksesi i brezit tuaj është thelbësor për themelimin në vazhdimësi të Kishës dhe rritjen e mbretërisë. Ne lutemi se ju do ta luani mirë rolin tuaj, ndërsa e shmangni mbajtjen e një maske, veproni në përputhje me identitetin tuaj të vërtetë, vendosni synime të përshtatshme dhe ndërtoni shtetin e komunitetin ku jetoni.

Unë e mbyll me dëshminë time vetjake për Rivendosjen e ungjillit nëpërmjet ndihmës së Profetit Jozef Smith. Jozef Smithi e pa me të vërtetë Perëndinë, Atin, dhe Jezu Krishtin. Ati ynë në Qiell është një atë i dashur, me një plan që e bekon secilin prej fëmijëve të Tij. Jezu Krishti është Shpëtimtari ynë dhe Shlyerja e Tij është ngjarja më kryesore e të gjithë historisë. Fryma e Shenjtë na shërben ne dhe jep dëshmi për Atin dhe Birin. Për këto gjëra unë dëshmoj si një nga dëshmitarët e Shpëtimtarit, në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. David O. McKay, në Francis M. Gibbons, David O. McKay: Apostle to the World, Prophet of God (1986), f. 45; shih edhe “Pres. McKay Speaks to Pioneer Stake Youth”, Church News, 21 shtator 1957, f. 4.

  2. Majkëll Oterson është drejtori administrues i Departamentit të Çështjeve Publike të Kishës.

  3. Shih Joseph Foxman, In the Shadow of Death (2011), f. 10.

  4. Takimi me Abraham Foksmen në zyrën e tij në qytetin e Nju-Jorkut më 14 qershor 2011.

  5. Mark L. Staker, “Remembering Hiram, Ohio”, Ensign, tetor 2002, f. 35, 37.

  6. Shih Teachings of Presidents of the Church: Joseph Smith (2007), f. 24.

  7. “True to the Faith”, Hymns, nr. 254.

  8. L. Tom Perry, transkriptuar nga Special Witnesses of Christ (DVD, 2003).

  9. Predikoni Ungjillin Tim: Një Udhëzues për Shërbimin Misionar [2004], f. 123; shih faqet 115–126.

  10. Shih Elizabeth Stuart, “Internet Addiction Harming Marriage”, Deseret News, 20 qershor 2011, http://www.deseretnews.com/article/700164510/Internet-addiction-harming-marriage.html.

  11. Mark Brent, në “The Public Forum”, The Salt Lake Tribune, 27 qershor 2011, A16.

  12. Shih Thomas S. Monson, “Dare to Stand Alone”, Ensign, nëntor 2011, f. 61–62; shih edhe Heidi Swinton, To the Rescue: The Biography of Thomas S. Monson (2010), f. 96–97.

  13. Shih Boyd K. Packer, “Si të Mbijetosh në Territor Armik”, Përkujtimi i 100-Vjetorit të Seminarit broadcast, 22 Janar 2012, http://seminary.lds.org/history/centennial/eng/how-to-survive-in-enemy-territory/.

  14. Lucile C. Tate, Boyd K. Packer: A Watchman on the Tower (1995), f. 58–59.