Pyetje Shtesë që Bëhen Rëndom

11 maj 2018


Materiali bashkëngjitur letrës së Presidencës së Parë “Dhënia e Shërbesës me Kuorume të Përforcuara të Priftërisë Melkizedeke dhe Shoqata të Përforcuara të Ndihmës”, që daton më 2 prill 2018, përfshinte një numër pyetjesh dhe përgjigjesh për të ndihmuar për zbatimin e ndryshimeve të lajmëruara në konferencën e përgjithshme të prillit 2018.

Përgjigjet për pyetjet shtesë janë përfshirë këtu.

Kuorumet dhe Shoqatat e Ndihmës

1. A e forcon rolin e peshkopit dhe të këshillit të lagjes përqendrimi te kuorumi i pleqve dhe Shoqata e Ndihmës?

Po. Peshkopi është prifti i lartë kryesues dhe “u jep udhëzim e këshillë udhëheqësve të tjerë të lagjes” (Handbook 1 [Manuali 1], 2.1.1). Ai rishikon dhe miraton detyrat për dhënien e shërbesës. Nën drejtimin e peshkopit, këshilli i lagjes vazhdon në rolin e tij themelor për “t’i ndihm[uar] individët që të ndërtojnë dëshmi, të marrin ordinancat shpëtuese, të mbajnë besëlidhjet dhe të bëhen pasues të përkushtuar të Jezu Krishtit” (Manuali 2, 4.4). Kuorumi i përforcuar i pleqve dhe Shoqata e përforcuar e Ndihmës – të përfaqësuar nga presidentët e tyre, të cilët janë anëtarë të këshillit të lagjes – do ta rritin efektshmërinë e atij këshilli.

2. Cilit kuorum i përkasin anëtarët e presidencave të tempullit, misionit dhe qendrës së trajnimit të misionarëve?

Këta vëllezër janë anëtarë të kuorumit të pleqve të lagjeve të tyre.

3. Në një kunj, a janë priftërinjtë e lartë që shërbejnë në një presidencë dege anëtarë të kuorumit të priftërinjve të lartë?

Jo. Priftërinjtë e lartë që shërbejnë në presidenca dege në një kunj nuk janë anëtarë të kuorumit të priftërinjve të lartë. Anëtarë të kuorumit të priftërinjve të lartë janë vetëm ata thirrja e të cilëve në presidencën e kunjit, në një peshkopatë, në këshillin e lartë dhe si patriarkë veprues u kërkon atyre që të jenë priftërinj të lartë.

4. A janë pleqtë që shërbejnë në një peshkopatë (për shembull, në një kunj për të rinjtë në moshë madhore beqarë) anëtarë të kuorumit të priftërinjve të lartë?

Jo. Pleqtë që shërbejnë në një peshkopatë nuk janë anëtarë të kuorumit të priftërinjve të lartë.

5. A duhet që presidencat e kuorumit të pleqve t’i vizitojnë apo intervistojnë anëtarët e kuorumit një herë në vit (shih Manualin 2 , 7.3.2) – përveç bërjes së intervistave tremujore për dhënien e shërbesës?

Po. Si pjesë e përgjegjësive të tyre të përgjithshme, presidencat e kuorumit të pleqve duhet t’i intervistojnë anëtarët e kuorumit lidhur me të gjitha detyrat e priftërisë – përfshirë mirëqenien e mbajtësit të priftërisë, të bashkëshortes së tij dhe të familjes së tij – të paktën një herë në vit. Këto intervista mund të bëhen gjatë gjithë vitit. Ky diskutim nuk duhet të ndërthuret me një intervistë për dhënien e shërbesës ku është gjithashtu i pranishëm njëri nga dyshja shërbestare.

6. Kush mund t’i ndihmojë presidencat e kuorumit të pleqve dhe të Shoqatës së Ndihmës që ta përmbushin punën për shpëtim?

Presidencat e kuorumit të pleqve dhe të Shoqatës së Ndihmës mund t’i organizojnë anëtarët që të ndihmojnë për përmbushjen e punës ashtu siç duhet. Për shembull, ata mund të thërrasin anëtarë që të udhëheqin e të japin ndihmesë në punë të tilla si për shërbim, në tempull dhe për historinë familjare, për të ndarë ungjillin e për mirëqenien.

7. A mund të ketë një lagje më shumë se një kuorum pleqsh apo Shoqatë Ndihme?

Po. Në frymën e Doktrinës e Besëlidhjeve 107:89, kur një lagje ka një numër mbajtësish aktivë të Priftërisë Melkizedeke më të madh se zakonisht, udhëheqësit mund të organizojnë më shumë se një kuorum pleqsh. Në raste të tilla, secili kuorum duhet të ketë një drejtpeshim të arsyeshëm për sa i përket moshës, përvojës, si dhe detyrës e forcës së priftërisë. Parime të ngjashme gjejnë zbatim për Shoqatën e Ndihmës.

Shërbesa

8. Si zbatohet dhënia e shërbesës për anëtarët e kuorumit të priftërinjve të lartë?

Nën drejtimin e peshkopit, priftit të lartë kryesues në lagje, anëtarëve të kuorumit të priftërinjve të lartë dhe familjeve të tyre u caktohen vëllezër e motra shërbestare nga kuorumi i pleqve dhe Shoqata e tyre e Ndihmës.

Për shkak se presidencat e kunjit dhe peshkopatat janë përgjegjëse për të gjithë anëtarët e kunjit ose të lagjes, këta vëllezër përgjithësisht nuk caktohen si vëllezër shërbestarë për individë apo familje të veçanta. Këshilltarët e lartë dhe patriarkët në veprim mund të caktohen, duke u bazuar në rrethanat vendore, siç përcaktohet nga presidenti i kunjit. Nëse caktohen, do të jetë nga presidenti i kuorumit të tyre të pleqve nën drejtimin e peshkopit të lagjes së tyre.

Përveç përgjegjësive të tjera të rëndësishme, të tilla si prift i lartë kryesues dhe gjykatës i përbashkët në Izrael, peshkopët kanë një përgjegjësi të veçantë, së bashku me këshilltarët e tyre, që të kujdesen për rininë. Doktrina e Besëlidhje 107:15 thotë: “Këshilli i peshkopit është presidencia e kësaj priftërie [Aarone] dhe mban çelësat ose autoritetin e saj.” Manuali 1, 2.2, thotë: “Anëtarët e peshkopatës kujdesen dhe i ushqejnë të rinjtë dhe të rejat në lagje”.

Në mënyrë të ngjashme, presidenti i kunjit, si prifti i lartë i kunjit, është “udhëheqësi kryesor shpirtëror në kunj” (Handbook 1 [Manuali 1], 1.1) dhe “kryeson mbi punën e shpëtimit” (Handbook 1 [Manuali 1], 1.1.2).

9. A mundet që presidenti i kuorumit të pleqve dhe presidentja e Shoqatës së Ndihmës të thërrasin këshilltarë/e të tjerë/a për të ndihmuar për dhënien e shërbesës?

Jo. Një president/e ka dy këshilltarë/e. Nëse udhëheqësit shohin se nevojitet ndihmë shtesë, ata mund të këshillohen me peshkopin e tyre për të thirrur një apo më shumë sekretarë/e të dhënies së shërbesës. Këta/o sekretarë/e të dhënies së shërbesës mund të caktohen, për shembull, që të planifikojnë intervista për dhënien e shërbesës dhe të ndihmojnë për përgatitjen e një raporti tremujor për intervistat.

10. Cili është roli i bashkërenduesve dhe mbikëqyrësve të dhënies së shërbesës?

Thirrja e bashkërenduesve të dhënies së shërbesës dhe mbikqyrësve të dhënies së shërbesës është ndërprerë. Ata që janë thirrur në këto pozicione duhet të lirohen.

11. Kush i kryen intervistat për dhënien e shërbesës?

Çdo anëtar i presidencës së kuorumit të pleqve dhe Shoqatës së Ndihmës kryen intervista për dhënien e shërbesës. Edhe në një lagje të madhe, udhëheqësit do të shohin se intervistat janë të arritshme kur bëhen disa çdo javë nga secili anëtar i presidencës. Nuk është nevoja që intervistat për dhënien e shërbesës të jenë të gjata për të qenë të efektshme.

12. Kur i zhvillojnë udhëheqësit intervistat për dhënien e shërbesës gjatë tremujorit?

Intervistat për dhënien e shërbesës mund dhe duhet të bëhen përgjatë çdo tremujori – dhe të mos lihen për javën e fundit apo muajin e fundit të tremujorit. Teksa udhëheqësit bëjnë intervista të rregullta, ata do të zbulojnë se mund t’i arrijnë qëllimet shpirtërore dhe materiale të dhënies së shërbesës.

Përfshirja e Rinisë në Dhënien e Shërbesës

13. A mund të caktohen të rinjtë dhe të rejat për të dhënë shërbesë me shoqërues të rritur?

Po. Udhëzimet në dokumentin më të fundit “Preventing and Responding to Abuse [Parandalimi dhe Reagimi ndaj Abuzimit]” lejojnë që të ketë dyshe për dhënien e shërbesës me të rinj e të reja të caktuara si shoqërues të të rriturve. “Dhënia e shërbesës” nuk konsiderohet një “veprimtari” apo “orë mësimore”, siç përmendet në ato udhëzime.

Udhëheqësit duhet të përdorin gjykim të frymëzuar kur i caktojnë të rinjtë e të rejat si shoqërues shërbestarë. Shoqëruesit në moshë madhore duhet t’i shmangin situatat që mund të keqkuptohen. Ata duhet të tregojnë kujdes lidhur me situatat kur janë vetëm për vetëm në mënyrë që të rinjtë e të rejat të kenë një përvojë të sigurt e shpërblyese me dhënien e shërbesës. Përveç kësaj, duhet të ushtrohet urtësi për të mos i caktuar të rinjtë e të rejat në shtëpi apo situata familjare të vështira.

14. A duhet që Trëndafilet dhe Dafinat të kenë detyra shërbestare?

Trëndafilet dhe Dafinat mund të ftohen të japin shërbesë. Prindërit dhe udhëheqësit këshillohen me çdo të re dhe, kur rrethanat e saj janë të tilla që ajo mund dhe është e gatshme të shërbejë, asaj mund t’i jepet një detyrë shërbestare. Të rejat shërbejnë si shoqëruese të motrave të Shoqatës së Ndihmës.

15. Kush ia komunikon detyrat e dhënies së shërbesës të rinjve dhe të rejave?

Me miratimin e peshkopit, Trëndafileve dhe Dafinave ua jep detyrat e dhënies së shërbesës një anëtare e presidencës së Shoqatës së Ndihmës. Dhe, me miratimin e peshkopit, mësuesve dhe priftërinjve ua jep detyrat e dhënies së shërbesës një anëtar i presidencës së kuorumit të pleqve.