Pyetje që Bëhen Rëndom

1 Prill 2018


Jeta dhe shërbesa e Jezusit mishërojnë dy urdhërimet e mëdha: “Duaje Zotin, Perëndinë tënde me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde” dhe “Duaje të afërmin tënd porsi vetveten” (Mateu 22:37, 39). Si anëtarë të Kishës së Shpëtimtarit, duke dëshiruar me të vërtetë që të jemi dishepujt e Tij, ne duhet ta ndjekim këshillimin e Tij që t’i duam Atin tonë në Qiell e fëmijët e Tij dhe t’u shërbejmë Atij e fëmijëve të Tij. “Nëse më do, duhet të më shërbesh”, tha Shpëtimtari (DeB 42:29). Mbreti Beniamin dha mësim: “Kur jeni në shërbimin e bashkëqenieve tuaja, ju jeni vetëm në shërbimin e Perëndisë tuaj” (Mosia 2:17). Alma e përmblodhi detyrën tonë duke vërejtur: “Ata u kujdesën për njerëzit e tyre dhe i ushqyen me gjëra që kishin të bënin me drejtësinë” (Mosia 23:18).

Për ta ndihmuar secilin prej nesh që t’i përgjigjet mandatit hyjnor që të kujdesemi për të tjerët dhe t’u shërbejmë atyre, Presidenca e Parë ka shpallur përshtatjet vijuese, të hartuara për t’i përqendruar përpjekjet e kuorumeve të Priftërisë Melkizedeke dhe të Shoqatave të Ndihmës te dhënia e shërbesës ashtu siç bëri Shpëtimtari. Këto përshtatje përfshijnë sa vijon:

  • Në nivel lagjeje, një kuorum të Priftërisë Melkizedeke.
  • Në nivel kunji, një kuorum të priftërinjve të lartë.
  • Dhënia e shërbesës i zëvendëson mësimin e shtëpisë dhe vizitat mësimore.
  • Përfshirja e rinisë në dhënien e shërbesës.

Në përkrahje të këtyre përshtatjeve, lagjet dhe kunjet nuk zhvillojnë më mbledhje të komitetit ekzekutiv të priftërisë. Nëse del një çështje e veçantë e lagjes, si për shembull një çështje delikate familjare ose një sfidë e jashtëzakonshme mirëqenieje, ajo mund të diskutohet në një mbledhje të zgjeruar të peshkopatës. Çështje të tjera më pak të ndjeshme mund të diskutohen në këshillin e lagjes. Ato që janë quajtur “mbledhje të komitetit ekzekutiv të priftërisë së kunjit”, tani quhen “mbledhje të këshillit të lartë” (shih pyetjet 7 dhe 15, më poshtë).

Informacion shtesë është në dispozicion te ministering.lds.org.

Në Nivel Lagjeje, Një Kuorum të Priftërisë Melkizedeke

Plaku Rasëll M. Nelson na ka mësuar se “zbulesa nuk ka nevojë të vijë e gjitha njëherësh. Ajo mund të jetë pjesë‑pjesë.”1 Ngjarjet që po shpalosen lidhur me kuorumet e priftërisë dhe një kuptueshmëri në rritje e çelësave të priftërisë, sigurojnë një model të zbulesës pjesë‑pjesë. Gjatë gjithë historisë së Kishës, Zoti shpesh e ka zbuluar vullnetin e Tij rresht pas rreshti, duke i bekuar gjithnjë e më shumë fëmijët e Tij me kuptueshmëri më të madhe për mënyrën se si të zbatohen parimet e ungjillit në kushtet aktuale (shih DeB 46:15–16).

Për një periudhë disa vjeçare, Presidenca e Parë dhe Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve i kanë marrë në shqyrtim përshtatjet e përshkruara më poshtë. Vetëm me shumë lutje, me studim të kujdesshëm të themelit të mbështetur te shkrimet e shenjta për kuorumet e priftërisë, me miratim të njëzëshëm nga udhëheqësit kryesues të Kishës dhe me pohimin se ky është vullneti i Zotit, udhëheqësit e kanë filluar ristrukturimin e kuorumeve në nivelin e lagjeve dhe të kunjeve, duke e bërë këtë një hap më shumë në shpalosjen e Rivendosjes.


1Russell M. Nelson, “Ask, Seek, Knock”, Ensign ose Liahona, nëntor 2009, f. 83.

1. Cilat janë përshtatjet për grupet e priftërinjve të lartë dhe kuorumet e pleqve të lagjeve?

Në lagjet, anëtarët e kuorumeve të pleqve dhe të grupeve të priftërinjve të lartë tani do të ndërthuren në një kuorum me një presidencë. Ky kuorum, me numër anëtarësh dhe unitet më të madh, do të emërtohet “kuorumi i pleqve” dhe grupi i priftërinjve të lartë të lagjeve e ndërpret funksionimin.

Kuorumi i pleqve i përfshin të gjithë pleqtë, pleqtë e ardhshëm në lagje si edhe priftërinjtë e lartë të cilët nuk janë duke shërbyer në këtë kohë në peshkopatë, në presidencën e kunjit, në këshillin e lartë ose si patriarkë veprues.

2. Si organizohet presidenca e kuorumit të pleqve?

Presidenti i kunjit, i ndihmuar nga këshilltarët e tij, do të lirojë nga detyra udhëheqjet e grupeve të priftërinjve të lartë dhe presidencat e kuorumeve të pleqve. Më pas, presidenti i kunjit do të thërrasë një president të ri të kuorumit të pleqve në secilën lagje dhe presidenti i kunjit, një këshilltar i caktuar i presidencës së kunjit ose një këshilltar i lartë, i caktuar, do t’i thërrasë këshilltarët e rekomanduar për të shërbyer në presidencën e kuorumit të pleqve. Presidenca e re e kuorumit të pleqve mund të përfshijë pleq dhe priftërinj të lartë, me mosha dhe përvoja të ndryshme, që shërbejnë së bashku në një presidencë kuorumi. Një plak apo një prift i lartë mund të shërbejë si presidenti i kuorumit ose si këshilltar.2


2Shih Doktrina e Besëlidhje 107:9–12. Te vargu 11, “prifti i lartë” i drejtohet një prifti të lartë kryesues.

3. Kush e drejton punën e presidentit të kuorumit të pleqve?

Presidenti i kuorumit të pleqve mban përgjegjësi drejtpërsëdrejti përpara presidentit të kunjit, i cili siguron trajnim dhe udhërrëfim nga presidenca e kunjit dhe nëpërmjet këshillit të lartë. Peshkopi, si prifti i lartë kryesues në lagje, gjithashtu takohet rregullisht me presidentin e kuorumit të pleqve. Peshkopi këshillohet me të dhe i jep udhëzimin e duhur lidhur me mënyrën se si t’u shërbehet më së miri anëtarëve të lagjes dhe se si të bekohen më mirë ata, duke punuar në harmoni me të gjitha organizatat e lagjes. (Shih Handbook 2 [Manuali 2], 7.3.1.)

4. A e ndryshon kjo përshtatje në strukturën e kuorumit, detyrën e priftërisë që mbajnë anëtarët e kuorumit?

Jo. Pleqtë mbeten pleq dhe priftërinjtë e lartë mbeten priftërinj të lartë për sa i përket detyrës së tyre në priftëri. Megjithëkëtë, pleqtë vazhdojnë të shugurohen priftërinj të lartë kur ata thirren në një presidencë kunji, në këshillin e lartë apo në peshkopatë – ose në raste të tjera që përcaktohen nga presidenti i kunjit nëpërmjet marrjes në shqyrtim dhe frymëzimit plot lutje.

5. A mund të ketë një lagje më shumë se një kuorum pleqsh?

Po. Sipas mësimit te Doktrina e Besëlidhje 107:89, kur një lagje ka një numër jashtëzakonisht të madh mbajtësish aktivë të Priftërisë Melkizedeke, udhëheqësit mund të organizojnë më shumë se një kuorum pleqsh. Në raste të tilla, secili kuorum duhet të ketë një baraspeshim të arsyeshëm për sa i përket moshës, përvojës, si edhe detyrës dhe forcës së priftërisë.

Në Nivel Kunji, Një Kuorum të Priftërinjve të Lartë

6. Cilat janë përshtatjet për një kuorum të priftërinjve të lartë të kunjit?

Presidenca e kunjit vazhdon të shërbejë si presidenca e kuorumit të priftërinjve të lartë të kunjit. Anëtarë të atij kuorumi janë vetëm ata priftërinj të lartë që po shërbejnë aktualisht në presidencën e kunjit, në peshkopata, në këshillin e lartë dhe si patriarkë veprues. Nëpunësit dhe sekretarët ekzekutivë të lagjeve dhe të kunjeve nuk janë anëtarë të kuorumit të priftërinjve të lartë.

Anëtarët e kuorumit të priftërinjve të lartë të kunjit në përgjithësi do t’i zhvillojnë mbledhjet me kuorumin e pleqve nëse nuk caktohen diku tjetër.

7. Cili është roli i një kuorumi të priftërinjve të lartë të kunjit?

Në rolin e tyre kryesues, presidenca e kunjit takohet sipas nevojës me anëtarë të kuorumit të priftërinjve të lartë të kunjit për të dhënë trajnim dhe për t’i ndihmuar anëtarët e kuorumit në thirrjet e tyre. Mbledhjet ekzistuese të kunjit, të shpjeguara në Handbook 2 [Manualin 2], pjesa 18.3 vazhdojnë me përshtatjet vijuese:

  • Mbledhjet e komitetit ekzekutiv të priftërisë së kunjit quhen “mbledhje të këshillit të lartë”.
  • Nuk zhvillohet më një mbledhje vjetore e të gjithë priftërinjve të lartë, të shuguruar në kunj. Gjithsesi, presidenca e kunjit mban mbledhje vjetore të kuorumit të priftërinjve të lartë të kunjit.
8. Cilat janë qëllimet e përshtatjeve në kuorumet e Priftërisë Melkizedeke?

Pasja e një kuorumi të Priftërisë Melkizedeke në lagje krijon unitet te mbajtësit e priftërisë që të përmbushin të gjitha aspektet e punës së shpëtimit, përfshirë punën në tempull dhe punën e historisë familjare, që më parë bashkërendoheshin nga udhëheqësi i grupit të priftërinjve të lartë. Kjo u lejon anëtarëve të kuorumit të të gjitha moshave dhe rrethanave që të përfitojnë nga këndvështrimi dhe përvojat e atyre që janë në etapa të ndryshme të jetës. Gjithashtu siguron mundësi shtesë për mbajtësit e priftërisë me përvojë që t’i këshillojnë të tjerët, përfshirë pleqtë e ardhshëm, anëtarët e rinj, të rinjtë në moshë madhore dhe ata që po kthehen në aktivitet në Kishë.

Këto përshtatje i ndihmojnë kuorumet e pleqve dhe Shoqatat e Ndihmës që ta bashkërendojnë punën e tyre. Ato gjithashtu e thjeshtojnë bashkërenditjen e kuorumit me peshkopatën dhe këshillin e lagjes. Dhe ato e lejojnë peshkopin që t’u caktojë më shumë përgjegjësi presidentit të kuorumit të pleqve dhe presidentes së Shoqatës së Ndihmës, kështu që ai dhe këshilltarët e tij të mund të përqendrohen te detyrat e tyre kryesore – veçanërisht te kryesimi mbi Priftërinë Aarone dhe të rejat.

Dhënia e Shërbesës i Zëvendëson Mësimin e Shtëpisë dhe Vizitat Mësimore

Për shumë vite, mësuesit e shtëpisë dhe mësueset vizitore u janë përgjigjur detyrave për të vizituar shtëpinë e secilit anëtar çdo muaj, për të dhënë një mesazh dhe ndihmë sipas nevojës. Orë të panumërta shërbimi të përkushtuar dhe vetëmohues janë dhënë në këtë punë të madhërishme.

Mbi bazën e atij përkushtimi, udhëheqësit e Kishës tani u kërkojnë anëtarëve që ta rritin përqendrimin e tyre te përkujdesja si e Krishtit për të tjerët, si shpirtërisht, ashtu edhe materialisht (shih Manuali 2, 3.2.3). Për ta theksuar atë përkujdesje, programet e mëparshme të mësimit të shtëpisë dhe të vizitave mësimore janë tani një përpjekje e përbashkët, së cilës i drejtohemi si “dhënie shërbese”, e mbikëqyrur nga presidencat e kuorumit të pleqve dhe të Shoqatës së Ndihmës nën drejtimin e peshkopit.

9. Çfarë është “dhënia e shërbesës”?

Shpëtimtari tregoi me anë të shembullit çfarë do të thotë të japësh shërbesë, teksa Ai shërbeu nga dashuria për Atin e Tij dhe për secilin njeri (shih Gjoni 15:9–10). Ai i deshi, u dha mësim, u lut për njerëzit përreth Tij, i ngushëlloi dhe i bekoi ata, duke i ftuar të gjithë ta ndiqnin Atë (shih Marku 8:34). Kur anëtarët e Kishës japin shërbesë, ata plot lutje kërkojnë të shërbejnë sikurse shërbeu Ai – të “ngushëllo[jnë] ata që kanë nevojë të ngushëllohen”, “të vëzhgoj[në] mbi kishën gjithmonë dhe të je[në] me ta e t’i forcoj[në] ata”, “të vizitoj[në] shtëpinë e çdo anëtari” dhe ta ndihmojnë çdo anëtar që të bëhet dishepull i vërtetë i Jezu Krishtit (Mosia 18:9; DeB 20:51, 53; shih edhe Gjoni 13:35).

Kur anëtarët japin shërbesë, ata përcaktojnë nëpërmjet komunikimit dhe frymëzimit shpeshtësinë dhe llojin e kontaktit që kanë me ata të cilëve u japin përkujdesje. Ata këshillohen me udhëheqësit e tyre dhe u japin llogari mbi ecurinë, të paktën njëherë çdo tre muaj, lidhur me shërbimin e tyre, nevojat dhe anët e forta të atyre për të cilët janë ftuar të përkujdesen. Udhëheqësit i raportojnë këto intervista për dhënien e shërbesës çdo tre muaj; ata nuk raportojnë më numër vizitash ose kontaktesh të bëra tek individët dhe familjet. Përveç kësaj, nëpërmjet një lidhjeje priftërie për çdo anëtar, vëllezërit dhe motrat shërbestare formojnë një rrjet komunikimi që udhëheqësit mund ta përdorin në një kohë rreziku ose rasti të ngutshëm.

10. Si quhen ata që japin shërbesë?

Mbajtësve të priftërisë u drejtohemi si “vëllezër shërbestarë” dhe motrave të Shoqatës së Ndihmës u drejtohemi si “motra shërbestare”. Në përgjithësi, ata do të quhen thjesht me emrat e tyre: “Vëllai Xhons” dhe “Motra Smith”. Nuk u drejtohemi atyre si “shërbestarë”.

11. Ku ngjason dhënia e shërbesës me mësimin e shtëpisë dhe vizitën mësimore dhe ku ndryshon prej tyre?

Dhënia e shërbesës ngjason me mësimin e shtëpisë dhe vizitën mësimore në faktin që secila vatër familjare do të ketë vëllezër të priftërisë – vëllezër shërbestarë – për t’u dhënë shërbesë dhe përkujdesje familjes ose individëve që jetojnë në atë shtëpi (shih DeB 20:47, 59). Çdo motër në moshë madhore do të ketë anëtare të Shoqatës së Ndihmës – motra shërbestare – që t’i japin shërbesë e përkujdesje asaj, duke e përforcuar më tej theksin te dhënia e shërbesës, e shprehur nga Presidenca e Përgjithshme e Shoqatës së Ndihmës duke filluar që nga janari i vitit 2018 (shih “Mbajini Lidhjet me Të në Çdo Kohë, në Çdo Vend dhe në Çdo Mënyrë”, Ensign ose Liahona, janar 2018, f. 7).

Përveç kësaj, disa kërkesa të mësimit të shtëpisë dhe vizitave mësimore janë përshtatur për t’i ndihmuar anëtarët që të japin shërbesë me përqendrim më të madh te plotësimi i nevojave. Nuk duhet më që kontaktet të jenë gjithmonë vizita formale. Ato mund të ndodhin në shtëpi, në kishë ose në çfarëdo mjedisi tjetër që është i sigurt, i volitshëm dhe i arritshëm. Sikurse dha mësim Plaku Xhefri R. Holland: “[Ajo] që ka më shumë vlerë, është mënyra se si ju i keni bekuar dhe jeni kujdesur për ata që janë brenda kujdestarisë suaj, e cila praktikisht nuk ka asnjë lidhje me një kalendar të veçantë apo një vendndodhje të caktuar. Ajo që është e rëndësishme, është që ju i doni njerëzit tuaj dhe po përmbushni urdhërimin për të ‘vëzhguar mbi kishën gjithmonë’.”3

Me pak fjalë, dhënia e shërbesës udhëhiqet nëpërmjet Shpirtit, ajo është e ndryshueshme dhe përshtatet sipas nevojave të secilit anëtar.


3Xhefri R. Holland, “Emisarë për Kishën”, Ensign ose Liahona, nëntor 2016, f. 62.

12. Si udhëhiqet dhënia e shërbesës nëpërmjet Shpirtit?

Ndërkohë që anëtarët japin shërbesë, ata kërkojnë frymëzim që ta dinë se si t’u vijnë në ndihmë më së miri të tjerëve dhe se si t’i plotësojnë nevojat e tyre. A do ta siguronin një vizitë me orar të caktuar dhe telefonatat e rregullta, të bëra për një motër të moshuar që jeton vetëm, lidhjen për të cilën ajo ka nevojë? A do të ishte kontakti më dobiprurës ftesa drejtuar një të riu në moshë madhore, më pak aktiv, për të marrë pjesë në një projekt komuniteti? A do ta ndihmonte një të re, si edhe prindërit e saj, përkrahja në një ndeshje futbolli të së resë? A do ta ndihmonte dikë dërgimi i një shkrimi të shenjtë, të mbushur me shpresë, me mesazh në celular, për t’i lehtësuar barrët e tij? A do të tregonte interesim të dobishëm një letër ose një kartolinë apo një mesazh elektronik? Çfarë do të donte Shpëtimtari që të bënin shërbëtorët e Tij? Gjetja e përgjigjeve të frymëzuara ndaj pyetjeve të tilla dhe përdorimi i të gjitha metodave në dispozicion për t’u vënë në kontakt me njerëzit që u caktohen, është thelbësore për dhënien e frymëzuar të shërbesës. Në mënyrë që të japin shërbim si të Krishtit, vëllezërit dhe motrat shërbestare nuk mund të mbështeten te vizitat rutinë ose mesazhet e paracaktuara; ata kërkojnë frymëzim dhe këshillohen me pjesëtarë të familjes që të kujdesen sa më mirë për ata tek të cilët caktohen – duke përdorur kohën dhe burimet që kanë.

13. Si është dhënia e shërbesës e ndryshueshme?

Vëllezërit dhe motrat shërbestare kanë mundësi që të bëjnë atë që funksionon më mirë. Njerëzit për të cilët ftohen që të përkujdesen, mund të mos kenë secili nevojë për një sasi të barabartë vëmendjeje. Duke punuar me peshkopatën dhe këshillin e lagjes, presidencat e kuorumit të pleqve dhe të Shoqatës së Ndihmës ua njoftojnë rastet me më shumë përparësi vëllezërve dhe motrave shërbestare, që ata të krijojnë një ide mbi faktin se kush mund të ketë nevojë më shumë për ta. Përparësia më e lartë shpesh u jepet anëtarëve të rinj, anëtarëve më pak aktivë, të cilët mund të jenë pranues, dhe të tjerëve siç janë prindërit e vetëm, burrat dhe gratë e veja. Udhëheqësit mund të caktojnë një udhëheqës ose udhëheqëse të rinisë te një familje ku një i ri ose e re po përjeton sfida dhe ata menjëherë u caktojnë vëllezër e motra shërbestarë të kthyerve të rinj në besim. Ata mund të caktojnë cilëtdo anëtarë të kuorumit të pleqve – priftërinj të lartë dhe pleq – për një shërbesë të tillë.

Atje ku është me vend, një çift i martuar mund t’i caktohet një familjeje ose një individi. Përveç këtyre, Dafinat dhe Trëndafilet mund të japin ndihmesë domethënëse duke shërbyer si shoqëruese të motrave të Shoqatës së Ndihmës, sikurse bëjnë priftërinjtë dhe mësuesit që shërbejnë me mbajtësit e Priftërisë Melkizedeke (shih pyetjen 22, më poshtë).

14. Si u përshtatet dhënia e shërbesës nevojave të secilit anëtar?

Vëllezërit dhe motrat shërbestare përpiqen të bëjnë atë që i plotëson më mirë nevojat e individëve. Çdo formë komunikimi është në dispozicion për t’iu përgjigjur nxitjeve të Shpirtit dhe për t’i plotësuar nevojat e atyre të cilëve u shërbejnë. Plotësimi i atyre nevojave fillon me marrjen në shqyrtim plot lutje dhe me zhvillimin e një bashkëbisedimi informues me familjet dhe individët të cilët u caktohen. Në atë bashkëbisedim dhe në kontaktet pasuese, ata i dëgjojnë njerëzit të cilëve u japin shërbesë, me qëllim që të kuptojnë se si t’u shërbejnë atyre më mirë, shpeshtësinë dhe llojin e kontaktit që dëshirojnë ata, dhe nevojën për mesazhe si dhe përmbajtjen e mesazheve që japin. Ata që japin shërbesë, sigurohen që i gjithë komunikimi me cilindo pjesëtar të familjes të jetë me vend.

Vëllezërit dhe motrat shërbestare përpiqen t’i ndihmojnë individët dhe familjet që të përgatiten për ordinancën e tyre të ardhshme, që t’i mbajnë besëlidhjet që kanë bërë, dhe që të bëhen të mbështetur te vetja. Kjo ndihmë mund të përfshijë dhënien e mesazheve shpirtërore, të përshtatura për një individ ose familje, edhe pse dhënia e shërbesës nuk është parimisht një detyrë për të dhënë një mesazh. Revistat Liahona dhe Ensign nuk do të përfshijnë më mesazhe të veçanta që të përdoren për kontaktet e dhënies së shërbesës.

15. Si veprojnë në unitet në punën e tyre udhëheqësit e Priftërisë Melkizedeke dhe udhëheqëset e Shoqatës së Ndihmës?

Një aftësi më e madhe për t’u dhënë shërbesë të tjerëve është një prej rezultateve të pritshme dhe të natyrshme nga forca e shtuar e kuorumeve të ristrukturuara të priftërisë dhe nga uniteti me Shoqatën e Ndihmës që është rrjedhojë e saj. Dhënia e shërbesës bëhet një përpjekje e bashkërenduar për ta përmbushur detyrën priftërore që të “vizitoj[më] shtëpinë e çdo anëtari” dhe të “vëzhgoj[më] mbi kishën gjithmonë dhe të je[mi] me ta e t’i forcoj[më] ata” dhe qëllimin e Shoqatës së Ndihmës që ta “rriti[m] besimin tek Ati Qiellor dhe Jezu Krishti e Shlyerja e Tij; [t’i] forco[jmë] individët, familjet e shtëpitë nëpërmjet ordinancave dhe besëlidhjeve; si dhe [të] puno[jmë] në unitet për të ndihmuar njerëzit në nevojë” (DeB 20:47, 53; Handbook 2 [Manuali 2], 9.1.1).

Duke punuar së bashku dhe nën drejtimin e peshkopit, presidencat e kuorumit të pleqve dhe të Shoqatës së Ndihmës kanë mundësi për t’u frymëzuar, organizuar dhe për t’u bashkërenduar në përpjekjen që të vëzhgojnë mbi secilin individ e familje dhe që të përkujdesen për ta. Bashkërendimi përfshin punën së bashku në mënyrat vijuese:

  • Presidencat e kuorumit të pleqve rekomandojnë detyra shërbestare për individët dhe familjet e lagjes. Presidencat e Shoqatës së Ndihmës rekomandojnë detyra shërbestare për motrat e Shoqatës së Ndihmës. Atje ku ekzistojnë nevoja të veçanta, presidencat e kuorumit të pleqve dhe të Shoqatës së Ndihmës mund të diskutojnë për detyra të caktuara përpara se ato të vendosen si përfundimtare.
  • Presidencat e kuorumit të pleqve dhe të Shoqatës së Ndihmës ia rekomandojnë detyrat shërbestare peshkopit për t’i miratuar.
  • Sipas nevojës, vëllezërit e motrat shërbestare mund të diskutojnë për rrethana të veçanta të individëve dhe, kur është e domosdoshme, vihen në kontakt me udhëheqësit e tyre të kuorumit ose të Shoqatës së Ndihmës për ndihmë dhe burime shtesë.
  • Presidencat e kuorumit të pleqve dhe të Shoqatës së Ndihmës mblidhen çdo tre muaj për të diskutuar mbi nevojat e individëve dhe familjeve, të cilat mësohen prej intervistave për dhënien e shërbesës.
  • Pas asaj mbledhjeje, presidenti i kuorumit të pleqve dhe presidentja e Shoqatës së Ndihmës mblidhen çdo tre muaj me peshkopin që të diskutojnë mbi nevojat e individëve dhe familjeve.
  • Sipas nevojës, udhëheqësi i kuorumit të pleqve dhe udhëheqësja e Shoqatës së Ndihmës këshillohen me këshillin e lagjes në lidhje me anët e forta dhe nevojat e përcaktuara në intervistat për dhënien e shërbesës dhe bëjnë e vënë në veprim plane që t’u shërbejnë anëtarëve të lagjes dhe t’i bekojnë ata.

Për ta thjeshtuar bashkërendimin, lagjet përqendrohen te mbledhjet e këshillit të lagjes dhe nuk zhvillojnë më mbledhje të komitetit ekzekutiv të priftërisë. Çështje të rendit të ditës që më parë diskutoheshin në mbledhjet e komitetit ekzekutiv të priftërisë, diskutohen, sipas nevojës, në mbledhjet e zgjeruara të peshkopatës, në këshillin e lagjes ose në mbledhjet tremujore të peshkopit, presidentit të kuorumit të pleqve dhe presidentes së Shoqatës së Ndihmës.

16. Si e marrin anëtarët detyrën e tyre për të dhënë shërbesë?

Udhëheqësit takohen me vëllezërit dhe motrat shërbestare – mundësisht si dyshe shoqëruese – për t’i diskutuar detyrat e tyre me ta dhe për t’u këshilluar lidhur me anët e forta, nevojat dhe sfidat e atyre të cilëve u japin shërbesë. Ky bashkëbisedim mund të ndodhë në një intervistë për dhënien e shërbesës (shih pyetjen 20, më poshtë) ose sa herë që është e nevojshme.

17. Cili është roli i vizitave në shtëpi?

Duke marrë parasysh numrat, largësitë, sigurinë dhe konsiderata të tjera, një vizitë në çdo shtëpi çdo muaj mund të mos jetë e mundur ose e realizueshme; sidoqoftë, vizitat e mirëfillta janë të rëndësishme kur ato mund të bëhen. Që të shërbejnë siç do të shërbente Shpëtimtari, vëllezërit dhe motrat shërbestare marrin parasysh çdo mundësi përkujdesjeje dhe vihen në kontakt me njerëzit që u caktohen.

18. A e përfshin dhënia e shërbesës gjithmonë dhënien e një mesazhi?

Jo. Ndërkohë që vëllezërit dhe motrat shërbestare arrijnë t’i njohin njerëzit që u caktohen, ata i mësojnë nevojat e tyre dhe Fryma e Shenjtë mund t’i nxitë ta japin mësim një parim të ungjillit. Një prind gjithashtu mund të kërkojë një temë të posaçme për familjen e tij ose të saj. Por “mesazhi” më i mirë është përkujdesja dhe dhembshuria.

19. Si japin llogari vëllezërit dhe motrat shërbestare për përpjekjet e tyre?

Udhëheqësit nuk mbledhin më raporte për familjet dhe individët që u vizituan gjatë muajit të dhënë. Në vend të kësaj, vëllezërit dhe motrat shërbestare kanë mundësi të këshillohen me udhëheqësit e tyre të kuorumit të pleqve dhe udhëheqëset e tyre të Shoqatës së Ndihmës për rrethanat e njerëzve të cilëve u shërbejnë, dhe për përpjekjet e tyre të vazhdueshme për dhënien e shërbesës. Ky këshillim së bashku ndodh të paktën çdo tre muaj në intervistat për dhënien e shërbesës dhe çdo herë shtesë kur është i nevojshëm komunikimi.

20. Çfarë është një intervistë për dhënien e shërbesës?

Një intervistë për dhënien e shërbesës zhvillohet: 1) për t’u këshilluar lidhur me anët e forta, nevojat dhe sfidat e familjeve dhe individëve të caktuar, 2) për të përcaktuar se për cilat nevoja mund të ndihmojë kuorumi, Shoqata e Ndihmës ose këshilli i lagjes, dhe 3) për të mësuar nga udhëheqësit e për të dhënë nxitje për përpjekjet në dhënien e shërbesës.

Të paktën çdo tre muaj, vëllezërit dhe motrat shërbestare takohen me një udhëheqës të kuorumit të pleqve ose një udhëheqëse të Shoqatës së Ndihmës në një intervistë për dhënien e shërbesës, mundësisht një takim ballë për ballë dhe me shoqëruesin ose shoqëruesen e tyre. Një çift i martuar që jep shërbesë së bashku, mund të takohet ose me udhëheqësin e kuorumit të pleqve, ose me udhëheqësen e Shoqatës së Ndihmës ose që të dy udhëheqësit. Në kohën midis intervistave, vëllezërit dhe motrat shërbestare komunikojnë informacione të tjera sipas nevojës – në takim ballë për ballë ose nëpërmjet telefonatave, mesazheve me celular dhe postës elektronike, ose me mënyra të tjera. Ata ua japin informacionin konfidencial vetëm presidentit të kuorumit të pleqve ose presidentes së Shoqatës së Ndihmës – ose drejtpërsëdrejti peshkopit.

21. Si e mbajnë udhëheqësit një anal të intervistave për dhënien e shërbesës?

Presidencat e kuorumit të pleqve dhe të Shoqatës së Ndihmës mbajnë një anal të intervistave që kryejnë me vëllezërit dhe motrat shërbestare. Udhëheqësit tregojnë muajin kur zhvillohen intervistat dhe kush mori pjesë në to. Ata e raportojnë një dyshe shoqëruese si të intervistuar nëse të paktën një anëtar ose anëtare e dyshes intervistohet gjatë tremujorit.

Deri më 1 gusht 2018 do të vihen në dispozicion përditësime të programit Mjetet SHDM dhe Burimet e Udhëheqësit dhe Nëpunësit te LDS.org për një raportim të tillë. Ndryshime në Raportin Tremujor gjithashtu do të jenë në dispozicion nga mesi i vitit 2018. Do të jepen më shumë hollësi për udhëheqësit dhe nëpunësit në një njoftim të ardhshëm nga zyrat qendrore të Kishës.

Përfshirja e Rinisë në Dhënien e Shërbesës

22. Si mund të përfshihet rinia në detyrat për dhënie shërbese?

Udhëheqësit mund të zgjedhin që t’i caktojnë Dafinat dhe Trëndafilet si shoqëruese të motrave të Shoqatës së Ndihmës, ashtu si priftërinjtë dhe mësuesit caktohen tani si shoqërues të mbajtësve të Priftërisë Melkizedeke. Të rinjtë dhe të rejat i përdorin dhuntitë e tyre të pashoqe dhe rriten shpirtërisht kur shërbejnë krah për krah me të rriturit në punën e shpëtimit dhe teksa këshillohen për atë shërbim në intervistat për dhënien e shërbesës. Përveç kësaj, përfshirja e rinisë në detyrat e dhënies së shërbesës e shton shtrirjen e ndihmës për t’u përkujdesur për të tjerët duke e shtuar numrin e anëtarëve që marrin pjesë. Gjithashtu kjo mund t’i thjeshtojë dhe forcojë këto përpjekje brenda familjeve ndërkohë që nënat e bijat – dhe baballarët e bijtë – shërbejnë së bashku.

23. A duhet të ketë një i ri ose e re vëllezër dhe/ose motra shërbestare që caktohen posaçërisht për të?

Jo. Të rinjve dhe të rejave u jepet shërbesë nëpërmjet atyre që u japin shërbesë familjeve të tyre, dhe gjithashtu për ta tregohet përkujdesje nga udhëheqësit e tyre të Priftërisë Aarone dhe nga udhëheqëset e tyre të Të Rejave.

Përshtatjet e kuorumeve duhet të vihen në zbatim menjëherë. Për përshtatjet në dhënien e shërbesës mund të kërkohet ca kohë, por duhet të vihen në jetë sa më shpejt që të jetë e mundur. Informacion shtesë është në dispozicion te ministering.lds.org/alb.

Ju lutemi, vini re që referencat për lagjet dhe peshkopatat gjejnë zbatim për degët dhe presidentët e degëve, referencat për kunjet gjejnë zbatim për distriktet dhe referencat për presidentët e kunjeve gjejnë zbatim për presidentët e misioneve dhe të distrikteve.