I lindur më 9 shtator 1924, Presidenti Nelson është djali i Marion C. dhe Edna Anderson Nelsonit. Ai dhe bashkëshortja e tij, e ndjera Denzel Uaiti, kanë dhjetë fëmijë. Motra Nelson ndërroi jetë në shkurt të 2005‑ës. Në prill 2006, ai u martua me Uendi L. Uatsonin.
Përpara shërbimit të tij si kreu i Kishës, Presidenti Nelson shërbeu si president i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve nga 15 korriku 2015 deri në thirrjen e tij si udhëheqës i Kishës. Ai ka shërbyer si anëtar i atij kuorumi që nga 7 prilli 1984.
Një kirurg me famë ndërkombëtare dhe shkencëtar mjekësor, Dr. Nelson mori diplomën e tij universitare dhe diplomën master nga Universiteti i Jutës (1945, 1947). Shoqatat shkollore që e nderuan përfshijnë Phi Beta Kappa dhe Alpha Omega Alpha. Ai e kreu stazhin e tij për kirurgji në Spitalin e Përgjithshëm të Masaçusetsit në Boston dhe në Universitetin e Minesotës, ku iu dha grada shkencore e doktoraturës në vitin 1954. Ai ka marrë edhe grada shkencore nderi si Doktor i Shkencave nga Universiteti “Brigam Jang” në vitin 1970, Doktor i Shkencave Mjekësore nga Universiteti Shtetëror i Jutës në vitin 1989 dhe Doktor i Letrave Humane nga Kolegji Snou në vitin 1994.
Puna e tij profesionale përfshiu pozicionet e profesorit për kërkime në kirurgji dhe të drejtorit të Programit të Specializimit në Kirurgjinë Torakale në Universitetin e Jutës dhe të kryetarit të Shërbimit të Kirurgjisë Torakale në Spitalin SHDM në Solt-Lejk-Siti.
Autor i botimeve dhe kapitujve të shumtë në librat shkollorë për mjekësi, Presidenti Nelson dha leksione dhe vizitoi profesionalisht anembanë Shtetet e Bashkuara dhe shumë kombe të tjera përpara thirrjes së tij si Autoritet i Përgjithshëm. Një mori çmimesh dhe nderimesh i janë dhënë atij, përfshirë Çmimin për ish‑Studentët e Dalluar nga Universiteti i Jutës; Çmimin e Zemrës së Artë nga Shoqata Amerikane për Zemrën; një përmendje për Shërbimin Ndërkombëtar nga Shoqëria Amerikane për Zemrën dhe Çmimi i Pjatës së Artë, të paraqitur nga Akademia Amerikane për Arritjen. Atij i janë dhënë tituj nderi si profesor nga tri universitete në Republikën Popullore të Kinës.
Dr. Nelsoni shërbeu si president i Shoqatës për Kirurgjinë Vaskulare, drejtor i Bordit Amerikan për Kirurgjinë Torakale, kryetar i Këshillit të Kirurgjisë Kardiovaskulare për Shoqatën Amerikane të Zemrës dhe si president i Shoqatës Mjekësore të Shtetit të Jutës.
Ai është pjesë e listës Who’s Who in the World [Kush Është Filani në Botë], Who’s Who in America [Kush është Filani në Amerikë] dhe Who’s Who in Religion [Kush Është Filani në Fe].
Presidenti Nelson ka mbajtur pozicione të shumta përgjegjësie në Kishë. Ai shërbeu si president kunji në Kunjin Bonëvill nga viti 1964 deri në qershor 1971, kur u thirr si president i përgjithshëm i Shkollës të së Dielës. Përpara thirrjes së tij në Kuorumin e Të Dymbëdhjetëve, ai po shërbente si Përfaqësues Krahinor i caktuar për Rajonin e Kërnsit në Jutë. Ai kishte shërbyer më parë si Përfaqësues Krahinor për Universitetin “Brigam Jang”.