Jezu Krishti e udhëheq Kishën e Tij nëpërmjet një profeti, i cili vepron si President i Kishës, dhe dy ose tre Apostujve që thirren për të qenë këshilltarët e profetit. Ky grup njihet si Presidenca e Parë dhe është trupi më i lartë drejtues i Kishës.
Anëtarët e Presidencës së Parë janë Apostuj të Jezu Krishtit. Së bashku me Apostujt e tjerë, ata janë dëshmitarë të veçantë të Jezu Krishtit, të thirrur për të dhënë mësim dhe për të dëshmuar për Të anembanë botës. Ata udhëtojnë shpesh, duke iu drejtuar bashkësive të mëdha të anëtarëve të Kishës dhe të tjerëve dhe duke i inkurajuar ata, si dhe duke u takuar me udhëheqësit e Kishës. Ata kërkojnë drejtim nga Jezu Krishti ndërsa mbikëqyrin çështjet që ndikojnë te miliona anëtarë të Kishës në mbarë botën. Këto çështje përfshijnë punën misionare, ndihmën humanitare, shërbimin në tempull, udhëzimin mbi ungjillin dhe shumë më tepër se kaq.
Presidenti i Kishës është gjithmonë Apostulli më i vjetër në detyrë, personi që ka shërbyer për kohën më të gjatë si anëtar i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Kur vdes një President i Kishës, Apostulli më i vjetër në detyrë pas tij bëhet Presidenti i Kishës dhe zgjedh këshilltarë për të shërbyer me të në Presidencën e Parë. Ndërkohë që të gjithë anëtarët e Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve mbështeten si “profetë, shikues dhe zbulues”, termi “profeti” i referohet Presidentit të Kishës.
Nëpërmjet mesazheve të frymëzuara nga Presidenca e Parë dhe Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve, Zoti i jep udhëzime Kishës së Tij, përfshirë udhërrëfim që i ndihmon anëtarët për sfidat që përjetojnë në jetë.
Presidenca e Parë u organizua fillimisht nga Jozef Smithi, profeti i parë i Kishës.