Takime Shpirtërore për Krishtlindje
Gëzimi i Vërtetë i Krishtlindjes


Gëzimi i Vërtetë i Krishtlindjes

Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, ndihem i lumtur që jam me ju këtë mbrëmje ndërsa festojmë, përmes fjalës dhe këngës, lindjen e Shpëtimtarit dhe Shëlbuesit tonë - madje Jezu Krishtit, Zotit.

Krishtlindja është një kohë e lavdishme e vitit. Gjithashtu është një kohë e ngarkuar për shumë prej nesh. Është shpresa dhe lutja ime që të mos ngarkohemi shumë nga trysnitë e periudhës sa ta vëmë theksin te gjërat e gabuara dhe të humbasim gëzimet e thjeshta të përkujtimit të lindjes së Të Shenjtit të Bethlehemit.

Gjetja e gëzimit të vërtetë të Krishtlindjes nuk vjen në nxitimin dhe ngutjen për të përfunduar më shumë punë. Ne e gjejmë gëzimin e vërtetë të Krishtlindjes kur e bëjmë Shpëtimtarin qendër të periudhës.

Lindur në një ahur, përkundur në një grazhd, Ai erdhi nga qielli për të jetuar në tokë si një njeri i vdekshëm dhe për të vendosur mbretërinë e Perëndisë. Ungjilli i Tij i lavdishëm e ndryshoi mendësinë e botës. Ai jetoi për ne dhe Ai vdiq për ne. Çfarë mund t’i japim ne Atij në këmbim?

Më pëlqejnë shumë fjalët e shkruara nga poetja angleze Kristina Roseti:

Atij ç’mund t’i jap,

Kaq e varfër sa jam?

Nëse bari do isha

një qengj do t’i shpija.

Nëse Dijetar do isha

Pjesën time do bëja.

Ç’mund t’i jap Atij, pra?

Zemrën time do t’i jap.1

Kremtimi ynë për Krishtlindjen duhet të jetë një pasqyrim i dashurisë dhe i vetëmohimit të dhëna mësim nga Shpëtimtari. Dhënia, jo marrja, i sjell lulëzim të plotë shpirtit të Krishtlindjes. Ne mendojmë më njerëzisht për njëri-tjetrin. Shtrijmë dorën me dashuri për të ndihmuar njerëzit më pak fatlumë. Zemrat tona zbuten. Armiqtë falen, miqtë kujtohen dhe Perëndisë i tregohet bindje. Shpirti i Krishtlindjes e ndriçon dritaren e madhe të shpirtit dhe ne ngremë vështrimin mbi jetën e ngjeshur të botës e bëhemi më të interesuar për njerëzit sesa për gjërat. Për ta kuptuar domethënien e vërtetë të shpirtit të Krishtlindjes, duhet të heqim vetëm dy rrokjet e fundit, dhe ajo bëhet Shpirti i Krishtit.

Presidenti Dejvid O. Mek-Kei tha: “Lumturia e vërtetë vjen vetëm përmes bërjes së të tjerëve të lumtur - zbatimit në jetë të doktrinës së Shpëtimtarit të humbjes së jetës për ta fituar atë. Me pak fjalë, shpirti i Krishtlindjes është shpirti i Krishtit, që i bën zemrat tona të shkëlqejnë në dashurinë dhe miqësinë vëllazërore dhe na shtyn ndaj veprave të dashura të shërbimit.

Është shpirti i ungjillit të Jezu Krishtit, bindja ndaj të cilit do të sjellë ‘paqe mbi tokë’, sepse ai do të thotë - vullnet i mirë mes të gjithë njerëzve.”2

Dhënçim sikurse dha Shpëtimtari. T’i japësh dikujt nga vetja është një dhuratë hyjnore. Ne japim në kujtim të gjithçkaje që Shpëtimtari ka dhënë. Dhënçim gjithashtu dhurata që kanë vlerë të përjetshme, së bashku me dhuratat që përfundimisht prishen ose harrohen. Sa më e mirë do të ishte bota nëse të gjithë do të jepnim dhurata mirëkuptimi e dhembshurie, shërbimi e miqësie, ëmbëlsie e mirësie.

Ndërkohë që periudha e Krishtlindjes na rrethon me gjithë lavdinë e saj, kërkofshim, sikurse Dijetarët, yllin e ndritshëm e të veçantë që të na drejtojë te kremtimi i lindjes së Shpëtimtarit. E bëfshim të gjithë me shpirt udhëtimin në Bethlehem, duke marrë me vete një zemër të butë e përkujdesëse si dhuratën tonë ndaj Shpëtimtarit.

Vëllezër dhe motra të mia, çdokush dhe të gjithë paçim një Krishtlindje të mbushur me gëzim. E tillë është shpresa dhe lutja ime, në emrin e shenjtë të Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Në Jack M. Lyon dhe të tjerë, red., Best-Loved Poems of the LDS People (1996), f. 166–167.

  2. David O. McKay, Gospel Ideals (1953), f. 551.