2016
Kërkimi i Dhuratave Shpirtërore
Prill 2016


Kur Prapë të Takohemi

Kërkimi i Dhuratave Shpirtërore

Nga The Latter-day Saints Millennial Star, 23 prill 1894, f. 258–261; pikësimi dhe përdorimi i germave të mëdha janë standardizuar.

Sa prej jush janë duke i kërkuar këto dhurata që Perëndia ka premtuar t’i japë?

Pamja
hanging lightbulbs

Fotografi © iStock/Thinkstock

Çdo burrë dhe grua në Kishën e Krishtit mund t’i ketë dhuratat e Shpirtit të Perëndisë të ndara mes tyre sipas besimit të tyre dhe siç dëshiron Perëndia. …

Sa prej jush … janë duke i kërkuar këto dhurata që Perëndia ka premtuar t’i japë? Sa prej jush, kur përkuleni përpara Atit tuaj Qiellor në rrethin tuaj familjar ose në vendet tuaja të fshehta, kërkoni që këto dhurata t’ju jepen juve? Sa prej jush i kërkoni Atit, në emrin e Jezusit, ta shpalosë Veten e Tij për ju nëpërmjet këtyre fuqive dhe këtyre dhuratave? Apo vazhdoni ditë pas dite, si një derë e kapur në menteshat e saj, pa pasur ndonjë ndjenjë për temën, pa ushtruar aspak besim, të kënaqur që jeni pagëzuar dhe që jeni anëtarë të Kishës dhe që çlodheni atje, duke menduar se shpëtimi juaj është i sigurt pasi ta keni bërë atë? …

… Unë e di se Perëndia është i gatshëm ta shërojë të sëmurin, se Ai është i gatshëm të japë dhuratën e dallimit të shpirtrave, dhuratën e urtësisë, të njohurisë e të profecisë dhe dhurata të tjera që mund të jenë të nevojshme. Nëse çdonjëri prej nesh është i papërkryer, është detyra jonë që të lutemi për dhuratën që do të na bëjë të përkryer. A kam unë papërsosuri? Jam plot e përplot me to. Cila është detyra ime? T’i lutem Perëndisë të më japë dhuratat që do t’i korrigjojnë këto papërsosuri. Nëse jam një njeri i zemëruar, është detyra ime të lutem për dashuri hyjnore, e cila është e durueshme dhe plot mirësi. A jam unë një njeri ziliqar? Është detyra ime të kërkoj dashuri hyjnore, e cila nuk ka smirë. E njëjta gjë me të gjitha dhuratat e ungjillit. Ato janë synuar për këtë qëllim. Askush nuk duhet të thotë: “Oh, nuk mund të rresht së bëri këtë; është natyra ime”. Atë nuk e shfajëson kjo, për arsyen se Perëndia ka premtuar që të japë forcë për t’i korrigjuar këto gjëra dhe që të japë dhurata që do t’i çrrënjosin ato. Nëse një njeriu i mungon urtësia, është detyra e tij t’i kërkojë Perëndisë urtësi. E njëjta gjë me çdo gjë tjetër. Ky është plani i Perëndisë lidhur me Kishën e Tij. Ai dëshiron që shenjtorët e Tij të përsosen tek e vërteta. Për këtë qëllim Ai i jep këto dhurata dhe i derdh mbi ata njerëz që i kërkojnë ato, me qëllim që të jetë një popull i përsosur në faqen e tokës, pavarësisht nga dobësitë e tyre të shumta, sepse Perëndia ka premtuar t’i japë dhuratat që janë të nevojshme për përsosjen e tyre.